Kiço Blushi: Racizmi, ksenofobia, nacionalizmi primitiv, ose ballkanëria

(Botuar me 5 qershor 1998 në KOHA JONE)

Nga Kiço Blushi-

Përse u hapën depot e ushtrisë një vit më parë dhe kush ishte i interesuar që Shqipëria të mbetej pa ushtri, pa armë, pa tunele (të cilat qenkëshin nëpër male pa fund, të mbushura me municion), pa institucione, pa ekonomi, pa stabilitet, pa normalitet, në kaos të plotë e në grindje të vazhdueshme? A ka lidhje situata e sotme në Kosovë me atë që ngjau vjet me drejtimin politik dhe ekonomik që iu dha Shqipërisë deri në fund të vitit 1997? A do të vepronte kështu Milosheviçi në Kosovë po të kish në kufi një Shqipëri të fortë politikisht, e, domosdo, edhe ekonomikisht? A do të sillej kaq “qetë” grupi i kontaktit, ambasadorët, ministrat e jashtëm të vendeve të NATO-s po qe se Shqipërisë nuk do t’i ishte lagur baruti dhe po qe se nuk do t’i kishte rënë në fund të këmbëve dinjiteti kombëtar? Ç’mund të ngjajë në këtë lloj Shqipërie të rraskapitur po të vijnë, siç u tha në Kuvendin Popullor nga zoti Godo e pastaj nga Ngjela jo një milion, por njëqind mijë vëllezër nga Kosova?

Dhe, më në fund: kush e ka fajin që Shqipëria dhe çështja shqiptare po pëson goditjen e saj të rëndë në histori, pikërisht kur atmosfera evropiane dukej më e favorshme edhe se viti 1913? Ju, që e drejtuat Shqipërinë, ju, që me dashje ose pa dashje e katandisët këtë popull, këtë vend e shansin e vet në një burim gjaku, refugjatësh, a firaksjeje, shkatërrimi e poshtërimi të paktën uleni kokën, ndjeni pak turp, se historia është e pamëshirshme: ajo mund të falë vetëm ushtarët, por kurrë gjeneralët e aq më pak kryekomandantët e le më pastaj presidentët e gjithëpushtetshëm!

Në hartën e botës është e vështirë të përcaktosh hapësirën e asaj që tashmë njihet me emrin Ballkan. Jo pak shtete veriorë të këtij nocioni gjeografik tashmë e thonë hapur se s’kanë asnjë lidhje me emrin Ballkan, por me Evropën.

Këmbëngulin për këtë jo se nuk u pëlqen fonetikisht emri Ballkan, porse duan t’i shpëtojnë njëherë e përgjithmonë ndërlidhjeve dhe ndërvarjeve që burojnë prej trashëgimisë historike, atavizmave dhe trazirave që po ndodhin e mund të ndodhin në këtë rajon ku racizimi, ksenofobia, nacionalizmi primitiv i përlyer me shumë gjak e urrejtje i ngjizur në një lëmsh të kulturave të ndryshme nakatosur me grindjet e pakuptimta për eposet, mitet, legjendat etj. e që të gjitha bashkë thirren e njihen në gjuhën diplomatike me fjalën: Ballkanizim.

Kjo lloj ballkanërie (ndoshta do të ishte më i saktë ky etiketim) po bën kërdinë sidomos mbi popuj te vegjël, më të varfër, më të përzierë etnikisht, pra në ato shtete ku kulturat e kufijtë etnikë kanë qenë e kanë mbetur një nyje e kolokrepsur historikisht. Nuk është një dukuri që mezi bie në sy fakti se gjaku po rrjedh lumë (në kuptimin direkt të fjalës gjak, por edhe si shpopullim e pastrim etnik) në ato zona ku ka xhami, dmth popullsi myslimane, gjë që dëshmon se ngatërresat në Ballkan janë edhe të trashëguara, edhe të injektuara nga jashtë, duke e bërë lëkurën e “leopardit” një model tragjik të racizmit, urrejtjes, gjakut e krimit mbarëbotëror. Nuk janë trashëgimitë kulturore e artistike, eposet dhe këngët, kostumet dhe ikonat, kufijtë dhe ideologjitë që po i fusin në luftë e në urrejtje të ndërsjellët e absurde ballkanikët e thjeshtë, qofshin këta fshatarë a qytetarë intelektualë apo ushtarë.

Kush po e pështjellon Ballkanin? Kush po mbjell gjak, refugjatë, luftë, urrejtje, racizëm, ksenofobi, nacionalizëm primitiv? Cila forcë është ajo që po ringjall çetnikët, të marrët, kriminelët që vrasin e bombardojnë duke u kthyer në kriminelë profesionistë? Nuk është Ballkani një vend “vullkanik” që prodhon llavë e urrejtje, një llavë që i mbyt të gjithë, pak nga pak e sidoqoftë pa asnjë arsye dhe pa… pa fitimtarë të vërtetë.

Tashmë nuk duhen shumë prova për t’u vetëbindur se ne shqiptarët paguam më shtrenjtë çmimin e rrëzimit të mureve ideologjike e kufijve fizikë. Nuk ka Shqipëria asnjë kufi tokësor, apo detar të pashkelur nga arratisjet, refugjatët, të vrarët, të masakruarit, ikurakët, të humburit, të dëshpëruarit dhe plumbat e ushtrive të huaja që vrasin, plagosin e tromaksin shqiptarët e ndodhur në këtë rajon më keq se çifuti i mbetur në shkretëtirë. Nuk mund të besohet më se është e rastit që dinjiteti i Shqipërisë dhe emri i shqiptarit u përdhos në këtë far feje. Ky gjenocid, aparteid, racizëm a ksenofobi (quaje si të duash) ndaj shqiptarëve e ndaj çdo gjëje që mban erë shqiptare nuk ra nga qielli krejt papritur e nuk na zuri në rrugë rastësisht “shtrëngata” e ne s’po gjejmë strehë ku të fusim kokën. Sepse… sepse na pëlqen gandizmi, e, si shpërblim ne po paguhemi me çmimin e shfarosjes etnike. Kjo që i ngjau Shqipërisë e çështjes shqiptare në këtë dhjetëvjeçar e sidomos kjo që po i ngjet këto ditë Kosovës është rezultat i një përgatitjeje të qarqeve nacionaliste të fqinjëve mbi njëqindvjeçare, ashtu si është një mospërgatitje e jona po aq vjeçare. Më zi e pësuan në këta shtatë vjet, ata që thërrisnin sa ngjireshin nëpër mitingje për kombin. Këta udhëheqës kryesisht ish-komunistë të konvertuar në antikomunistë nacionalistë e varrosën kombin duke na përçarë në veriorë e jugorë, të krishterë e myslimanë, shqiptarë e kosovarë, miq e armiq, të persekutuar e të privilegjuar, besnikë e tradhtarë, qengja dhe ujqër, trushkulur dhe hushkulur…

Shqipëria u gjend para Milosheviçit e çarmatosur jo vetëm nga armët, por edhe nga fuqia ekonomike, morale, psikologjike; shqiptarët janë të vetmit në Ballkan që ndihen refugjatë edhe në atdheun e tyre edhe pse formalisht s’jemi të pushtuar, ndaj detyrohen të marrin udhët e shtigjet e vendeve fqinjë për t’u riposhtëruar nga ksenofobët dhe racistët anadollakë të Ballkanit që s’e dinë as vetë pse duhet respektuar më shumë një qen, se një njeri. Janë këta ksenofobë që venë e falen nëpër kisha dhe veten e quajnë hëm fetarë, hëm humanë, hëm nacionalistë…

Nuk duhet besuar më se kjo që po ngjet me ne shqiptarët është një rastësi, një fat i keq, destin i keq, mallkim apo nga se perëndia na hodhi në këtë pjesë të rruzullit për të qenë të rrethuar nga fqinj monstruozë e makutër. Jo nuk është kështu, nuk duhet të jetë kështu, nuk duhet menduar kështu, pasi popujt zhduken vetëm kur nuk janë të aftë të vetëqeverisen e të bashkëjetojnë me fqinjët dhe për këtë papërgjegjshmëri fajin e kanë gjithmonë drejtuesit: ata që ndezin fitilin te fuçia me barut, ata që e çojnë popullin e tyre në zgrip të historisë, ata udhëheqës që janë të ngjashëm me Berishën edhe Milosheviçin…

Them të ngjashëm, pasi në tërë historinë njerëzore nuk mund të gjesh ish-komunistë fanatikë të konvertuar në nacionalistë fanatikë e që kombeve të tyre u kanë shkaktuar dëme të tilla që s’ua ka shkaktuar asnjë lloj pushtimi, as pushtimi pesëqindvjeçar turk. E, megjithatë, ka një ndryshim mes Miloshevicit dhe Berishës. Jo se i pari po e mban pushtetin e tjetri e humbi, por se Milosheviçi, edhe pse e dogji dhe e shkrumboi Bosnjen e tani po djeg edhe Kosovën, nuk i bëri serbët të ndjehen të poshtëruar kur kalojnë nëpër pikat kufitare të botës, siç ndjehen shqiptarët, edhe pse këta (shqiptarët) askurrë, as sot dhe asnjëherë në histori nuk kanë shkaktuar luftëra, nuk kanë pushtuar territore, nuk kanë bërë masakra, siç po bën së fundi Milosheviçi në Kosovë, apo siç sillen racistët grekë me refugjatët në Greqi. E pra, kjo “meritë”, të paktën kjo, duhet t’i njihet Berishës, i cili edhe në paraqitjen e fundit në TV të dielën e kaluar na doli me një flamurkë në tryezë për të na bindur se i digjet shpirti për kombin… A do ta kuptojë ky njeri se në kohën e tij emri shqiptar u përsëndye më keq se kurrë ndonjëherë edhe rregulli numër një i gjyqit të historisë thotë se për këtë fajin e ka gjithmonë kryetari i shtetit?/ Kiço Blushi/

SHKARKO APP