Koha Jone: Sude, mjaft mashtrove!

(Botuar me 21 dhjetor 1996 në KOHA JONE)

Nga Koha Jone- 

Duket se mjaft gëlltitëm lotët e kripur të fajdeve. Ka tre ditë që mijëra njerëz, basti i të cilëve me Suden dështoi, qajnë dhe ulërijnë duke kërkuar paratë. Sudja del në dritaret e pallatit të saj dhe nuk thotë asgjë. “Kompetenti” që ajo pret prej disa javësh është e qartë se tashmë e ka tradhtuar. Sudja e cila patjetër e di këtë, nuk tregon drejtimin dhe fatin e parave. I ka mbetur vetëm të shtyjë datat e shlyerjes në varësi të konsultave që bën përditë me emisarë të pushtetit.

Ajo është thirrur në zyrat e policisë dhe atje ka treguar se ku janë paratë. Qeveria dhe organet e kontrolluara prej saj edhe ato nuk thonë asgjë.

Të gjitha palët e dinë që paratë, pasuritë dhe shtëpitë e shitura nuk do t’u kthehen më dhe po ashtu e dinë se ku janë paratë. Pas këtij tmerri të stimuluar nga heshtja e qeverisë ndoshta nuk duhet patur më asnjë dilemë për ta quajtur Suden mashtruese. Sado bujare të ketë qenë ajo katër vitet e fundit, skenat e katër ditëve të shkuara nuk ia pastrojnë dot më fytyrën e nxirë nga mashtrimi dhe tallja. Ajo bën sikur fle kur e marrin në telefon, gjë që ia shton dozat komike tragjedisë me emrin Sude. Farmacitë e Tiranës po japin shifra dëshpëruese të përdorimit të qetësuesve ditët e fundit, ndërsa Sudja në telefon thotë se po fle e qetë dhe pa valium. Të tillë gjumë japin përshtypjen se bëjnë edhe qeveritarët, duke nisur nga Berisha deri te Meksi. Berisha tha dy javë më parë se paratë e fajdeve janë më të pastrat në botë. Fatkeqësisht mjaftoi një anonime e cila emrin e Meksit e shqipton Meskin, për t’ia rrëzuar të gjitha tezat dhe hipotezat për pastërtinë e fajdeve. Por në rast se Berisha nganjëherë nuk e kontrollon veten, ai gjithmonë ka dhënë shenja se kontrollon të tjerët.

Ka ardhur koha pra që ta bëjë këtë për të mirën e vetes dhe të të tjerëve. Dhe kjo duhet bërë shpejt, sa kohë që nuk ka filluar seria e dytë e Sudes.

Mjafton që të tregojë se ku janë paratë. Në rast se ai nuk e di, ka rreth vetes shumë njerëz që dinë të pyesin dhe të përgjigjen…

 

 

SHKARKO APP