Kryeministri suljot i Greqisë
(Botuar me 1 nëntor 2003)
Nga Mihallaq Qilleri
Ky emër aq i madh i takon përsëri Sulit. Natyrisht nuk ka shqiptar, por edhe grek, që nuk e njeh këtë emër krahine legjendare. Suli për arbërorët e atjeshëm do të kishte vlerën e një Kruje të vogël, ndoshta sepse të parët e tyre armëlarës andejmi e kishin farën. Kemi përmendur edhe më parë se, sipas gojëdhënave, Suli u themelua nga 200 ish-luftëtarë të Skënderbeut, të cilët pas vdekjes së Heroit dhe rënies së vendit nën errësirën osmane, u shtynë në jug. Dhe ndër familjet më famoze të atyre luftëtarëve ishin Boçarajt dhe Xhavellajt. Historia e Sulit dhe suljotëve shkëlqeu që nga fillimet e shek. XIX deri në fitoren e revolucionit grek të vitit 1821. Ajo është e lidhur gjithashtu me krijimin e Pashallëkut të Janinës sepse Ali Pashai i përndoqi egërsisht këta trima, sikundër kishte bërë me kardhiqotët e Gjirokastrës dhe hormoviotët e Tepelenës. Por në se në këto dy fshatra inatet e këtij despoti ishin kohëshkurtra, me suljotët e panënshtruar ai luftoi shpesh herë derisa i shpërbëu përfundimisht…
Kiço Xhavella ishte i biri i Foto Xhavellës, njërit prej prijësve kryesorë të Sulit në përballimin e armiqësisë dhe konfliktit me Ali Pashain. Fotoja duke e parë thuajse të pamundur përballimin e sulmeve të herëpashershme të pashait të Janinës, ushtritë e të cilit tanimë kishin depërtuar në malet e Sulit, vendos të nënshkruaj një marrëveshje me të birin e Aliut, Veli Pashanë. Marrëveshja siguronte një ikje të ndershme dhe aspak të turpshme të banorëve drejt Korfuzit, përmes Pargës. Kjo zgjidhje ishte e vjetër. Kishte ndodhur edhe më parë. Ndryshe Ali Pashë Tepelena nuk do të reshte së çrrënjosuri këtë krahinë. Xhavella i vjetër e dinte se despoti i Janinës vështirë se dorëzohej kollaj. Por Fotoja premtonte se do të hynte më pas në bisedime direkte me Aliun për një rikthim të mundshëm të banorëve në trojet e veta disa kohë më vonë. Mbi Sulin ra një pikëllim i jashtëzakonshëm. Këta luftëtarë trima nuk gjenin ngushëllim. Por Foto Xhavella u tha atyre se në Korfuz do të mund të shpëtonin për ca kohë nga përndjekjet, nga uria, nga të ftohtit e maleve, nga zia që sillnin vrasjet e përditshme.
Por për fat të keq ngjarjet nuk rrodhën ashtu siç i parashikoi Foto Xhavella. Të gjendur në mëshirën e fatit, por edhe për faktin se ende lëvizja çlirimtare greke nuk kishte mbërritur në Korfuz, ata nisën t’u nënshtroheshin politikave të ditës. Korfuzi ishte aso kohe një fare elite evropiane në gadishullin e turqizuar, Falë lidhjeve të vjetra me Evropën e, sidomos me Venedikun, kjo cope tokë në kryqëzimin e rrugëve detare, nga jugu në veri, pat qenë gjithmonë një stacion tregtie e begatshme, kulture, arsimi, por edhe intrigash diplomatike. Në këto kushte shumë kryetarë fisesh suljote, pre e një mentaliteti tjetër zakonor, luftarak e besnikërie, u bënë oficerë të rëndësishëm të rusëve në fillim, të francezëve e më pas të anglezëve të cilët i konsideronin miq të kauzës së tyre. Ata nuk e kuptonin aspak se të akredituarit atje jo vetëm se kishin interesat e tyre në ishullin evropian, por përmes konsullatave lidhnin e zgjidhnin intriga diplomatike. Por suljotët naivë të cilët nuk kishin dikur kurrë të bënin gjë tjetër veçse të luftonin armikun, nisën të kuptoni se ishte duke u shuar njëra nga vetitë e ndritshme të jetës së tyre, ndershmëria. Nëpër këto legjione u rreshtuan thuajse të gjithë ikamanët e Sulit, ndërsa në ndërkohë e ndërrimit të influencave ruso-franko-angleze, shumë prej tyre mbeteshin pa punë. Kështu një pjesë e tyre u bënë kopshtarë të pallateve veneciane, roje, ndërsa gratë e tyre të papërkulura shërbyese.”Ti more Foto Xhavella/si na bëre me kapella1),/Pse u premë e pse u vramë,/Suln e shkretë ku e lame?.. Ali pashait ia dhamë,/ Natë e ditë rrimë e qajmë./Fati ndë Korfuz na hodhi,/ zumë dorë me moskovi,/Me moskovi lithmë kuvendin,/të vemë e të marrëm vendin./Të vemi e të vdesim ndë dhe tonë,/atje si e kemi thënë,/ Vdesim me dyfeq në dorë,/ Sikundër dhëndri me kurorë.. marrë nga “Bleta Shqiptare” e Thimi Mitkos).
Vargu i fundit vëren Aristidh Kola, studiues i madh arvanitas, nuk haset në gjuhët e tjera, madje mund të jetë e i pakuptueshëm për ata që nuk e njohin mënyrën e jetesës së arvanitasve. Në këtë mjedis dëshpërues të Korfuzit u rrit Kiço Xhavella. Doemos falë aftësive, mundësive dhe njohjeve të të atit, ai nuk ra në nivelin e bashkatdhetarëve të vet, përkundrazi. Foto Xhavella kishte nëntë vjet që kishte vdekur kur u duk se një rreze shprese u hap për suliotët e çrrënjosur. Në vitin 1820 shumë gjëra kishin ndryshuar në synimet e Pashait të Janinës. Ai tani pat projektuar krijimin e një pashallëku të pavarur nga Porta e Lartë dhe me këtë synim nuk duhej të mënjanonte disa nga armiqësitë e dikurshme në rajon. Kjo zhvendosje interesash e Aliut natyrisht shkoi në rrjedhë të revolucionit grek. Është rasti këtu të shënojmë se shpirtin luftarak e qëndresën e suljotëve gjatë gjithë viteve të para të shekullit XIX, u përpoqën ta shfrytëzonin dy faktorë kontradiktorë të jetës greke. Patriarkana e Stambollit nga njëra anë dhe “ Filiqi Eteria”. (“Shoqëria e Miqve”, themeluar në Rusi në fund të shek. XVIII, nga disa intelektualë grekë të vendosur atje e të përndjekur nga turqit për idetë e tyre revolucionare. – M. Q.).
Patriarkana e konsideronte rezistencën e suljotëve kundër Ali Pashait dhe turqve në përgjithësi si një luftë thellësisht fetare, ndërsa “ Filiqi Eteria” si burimin e madh nga ku mund të ndizej e më pas të përhapej zjarri i luftës çlirimtare. Por arvanitasit trima e të mençur nuk ranë as në njërin kurth, as në tjetrin. Shumë suljotë e dinin fare mirë se myslimanizimi i Epirit të Epërm ishte bërë ku me dhunë e ku me dashje dhe se myslimanët ishin vëllezërit e tyre. Madje një degëzim i familjes së Boçarve të Sulit ishin bërë mysliman, prandaj Noti Boçari e mori me shkelma një misionar manipulues të luftës së tyre. Kur ndodhnin të gjitha këto Kiço Xhavella ishte në Itali. Ai u kthye në vitin 1822, por një fatkeqësi tjetër kishte ndodhur. Ali Pashait të Janinës i qe prerë koka dhe sundimi i tij kishte përfunduar. Turqit kishin nisur menjëherë ekspedita ndëshkimore drejt krahinës rebele, sepse i konsideronin suljotët armiq potencialë. Madje, çuditërisht, edhe rezistenca e saj ndaj Pashit të Janinës, tanimë armik i tyre konsiderohej anarki. Në këto kushte u krye edhe një herë shpërngulja e madhe e këtyre banorëve. Xhavella i ri u vendos tanimë larg vendlindjes, në krahinën e Etoloakarnanisë, ku u bashkua me formacionin luftarak të Marko Boçarit. Me komandantin e madh ai pati rasti të luftonte në disa beteja, më e madhja e të cilave ishte ajo e Karpenisit. Pas vdekjes së Markos Kiço Xhavella luftoi me vullnetarët e tij dhe korri disa fitore si në Ampliani, Dhistomo, Klisova etj. Kur Jorgji Karaiskaqi, u bë kryekomandant i Rumelisë, suljotët e ndoqën pas këtë strateg të madh, me gjithë ndonjë kontradiktë që mund të kishin me të. E ndoqën pas sepse ai ishte i farës së tyre dhe këta spartanë të Greqisë së Re nuk kishin ditur kurrë përzgjedhje të tjera. Por Kiçoja nuk ishte i vetmi luftëtar i familjes së Xhavellajve. Në ato vite do të shquheshin, sidomos, krenarja Mosko Xhavella, Jorgji, Llambroja, Kosta, Ziguri, e të tjerë.
“Kur të rritesh ti,/të bënesh i madh njeri,/të bëhesh shumë i madh,/kapetan do të jesh parë./Çë të zër lufta e madhe,/kapetan do jesh i parë./ Armët do t’i kesh për brinj,/ pallënë e kariofilin./Që en,(kujdes), të mos jesh koti,( budalla), po të jesh zemërzi./ Çë do zër lufta e madhe,/do çilen shumë zjarre. Do rrëmbesh pallën në dorë,/si rrotull ta sjellsh tor… ( rrotull)”.
Luftoi kështu për shumë vite, deri në konsolidimin e shtetit të ri grek. Betejat e tij i ka përshkruar tanimë historia. Pas vdekjes së Karaiskaqit, më 1827, ai u emërua kryekomandant i ushtrisë. Sikundër ndodhi, pothuajse, me të gjithë heronjtë e revolucionit, edhe ai u përndoq politikisht kur vendin e drejtonte Othona. U burgos për një farë periudhe në vitet 1832-1835, por kur doli nga burgu po ky Othona do ta emëronte Inspektor të Përgjithshëm të Ushtrisë. Në vitin 1844 u caktua ministër i ushtrisë, ndërsa nga 5 shtatori 1947 dhe deri më 8 mars 1848 shërbeu si kryeministër i Greqisë. Vdiq në vitin 1855, në moshën 54 vjeç në Mesologjin legjendar të betejave dhe vdekjes edhe të Marko Boçarit, komandantit të tij trim.
Kemi paraqitur deri tani vetëm dy figura madhore të Revolucionit grek të vitit 1821 që e kanë origjinën nga krahina malore e Sulit. Vite e vite të tëra gjithfarë historianësh janë munduar të shpjegojnë me “ faktet e tyre origjinën e kësaj fare njerëzore. Spekulimet vazhdojnë. Libra historie, apo letrare, dokumentarë, filma të ndërtuara në një patriotizëm jo fort të sigurt, gër-mëre personalitetesh, ngandonjëherë edhe brenda vet arvanitasve, vazhdojnë të mbjellin pasiguri historike. Ndoshta interesimi i Shqipërisë demokratike për këtë origjinë të lashtë të njerëzve të saj do të ishte i domosdoshëm. Kemi një rrugë të çelur. Ky është kontributi i studiuesve, gjuhëtarëve e shkrimtarëve shqiptarë për arbëreshët e Italisë. Kur këta ikamanë të përtej Adriatikut janë derivate të arvanitasve, siç e dëshmon kënga e tyre e famoze..” “Moj e bukura More..” atëherë studimi i kësaj popullsie me origjinë arbërore e cila mund të arrijë edhe një milion njerëz, bëhet imperative. Edhe gjuha e arvanitasve është më pranë gjuhës së sotme shqipe, sidomos të folmes jugore të saj, çka përbën një lehtësim për studiuesit. Një dëm kolosal për të vërtetën janë, siç kemi përmendur, ka qenë jo vetëm djegia e arkivit familjar të Boçarëve, në vitin 1832, por sidomos mungesa e gjuhës së shkruar shqipe. Grekët duhet të pranojnë përfundimisht kontributin dhe kulturën e kësaj popullsie që flet shqip në historinë e tyre, sikundër edhe shqiptarët duhet të pranojnë se grekët e Shqipërisë kanë dhënë ndihmesën në ndërtimin e shtetit shqiptar. Kjo krenari nacionaliste duhet përmbysur sepse të pohosh, të njohësh, të dhurosh, të kuptosh se ka vlera që nuk të takojnë vetëm ty, është kulturë dhe mirënjohje. Duhet ngulur këmbë në këto thesare njerëzore të historisë së të dy kombeve sepse në të kundërt bota e qytetëruar do të vazhdojë të na quaj barbarë…
1)- Në Korfuz shumë suljotë u detyruan të braktisnin fustanellën e tyre tradicionale dhe në vend të qeleshes së tyre të bardhë të vënë kapelën allafrënga. Kjo mblodhi një barrë turpi të papërmbajtur e cila psikologjikisht konsiderohej turp nga këta arbërorë të vjetër.