Kryesia: Ç’do bëjmë me Nanon? Do ta zgjedhë Kongresi apo Komiteti Drejtues?
(Botuar me 6 gusht 1996 në KOHA JONE)
Kryesia: Ç’do bëjmë me Nanon? Do ta zgjedhë Kongresi apo Komiteti Drejtues?
Tërmet në statutin e socialistëve shqiptarë. “Kongresi apo Komiteti Drejtues do të zgjedhë kryetarin e PS-së? Do t’i lënë vetëm dy mandate, apo do të mbetet siç ka qenë deri tani?”, janë këto të rejat më të fundit dalë dje nga Kryesia e partisë më të madhe të opozitës. Të reja që nën formën e propozimeve për rishikimin e statutit të saj, do të diskutohen sot, në një mbledhje të veçantë të kreut socialist. Masat dhe organizimi për zgjedhjet e pushtetit lokal dhe zhvillimi i konferencave të kësaj partie në rrethe, janë ndërkaq pikat e tjera të agjendës së përgatitur nga kreu i PS-së. Menuja duket e gjerë, edhe pse çështja më e debatueshme pritet të jetë ajo e mandatit dhe zgjedhjet e liderit të kësaj force politike. Burime brenda Kryesisë konfirmojnë se ky sugjerim është bërë nga komisioni për rishikimin e statutit të PS-së, por ato nuk pohojnë nëse këto ndryshime do të votohen në mbledhjen e sotme.
Ideja për rishikimin dhe rregullimin jetës së brendshme të socialistëve është hedhur pak javë më parë nga vetë lideri i burgosur i PS-së. Në një mocion të tij, Fatos Nano fliste mes të tjerash edhe për ndryshime të rëndësishme në statutin e partisë që ai kryeson. Një propozim që duket se u miratua edhe nga pjesa tjetër e udhëheqjes së lartë të kësaj partie. Por përmbysja e shumë ligjeve të brendshme në këtë parti, duket se është vendosur të fillojë nga vetë roli dhe kompetencat e kryetarit të PSSH-së, kufizimi i mandateve të tij dhe si forumi që duhet ta zgjidhë. Diskutimi e ndoshta votimi i kësaj pike të statutit, anëtarë të Kryesisë thonë se do të flitet edhe për ndryshime të tjera, mund të provokojë kundërshtimin e ashpër të atyre që shtypi i ka cilësuar si “Mocionistët”. A do të pranojnë ata që Nano, siç është sugjeruar, të zgjidhet nga Komiteti Drejtues i PS-së? A do të reagojnë ata ndaj idesë për t’i kufizuar mandatet? Këto janë vetëm hipoteza të cilat do mund të konfirmohen sot pasdite, pas mbledhjes së forumit të lartë socialist. “Një rëndësi të madhe do t’i kushtojmë në këtë mbledhje zgjedhjeve të ardhshme lokale e konferencave lidhur me Kongresin e PS-së”, shprehet ndërkohë një anëtar i thjeshtë i Kryesisë. Këto fjalë dëgjuam më pas edhe në zyrën e njërit prej katër nënkryetarëve. Shumë i sjellshëm, Dokle na ftoi për kafe, por na sqaroi menjëherë se nuk kishte kohë në dispozicion. “Jam aq i zënë me punë, Kongresi, konferencat, programi. T’i mbaroj këto dhe pastaj flasim për çfarë të doni”, na siguroi duke buzëqeshur udhëheqësi i lartë i PS-së./Arian Çani/