Moikom Zeqo: Kryevepra arti mesjetar të Shqipërisë
(Botuar me 5 shtator 2000)
Nga Moikom Zeqo-
Kemi folur shpesh për vepra arti të Mesjetës, për emrat e famshëm të Onufrit, të birit të Nikollës, të Onufër Qipriotit, të Konstandin Shpatarakut, David Selenicasit, vëllezërve Zografi etj. Kryeveprat e tyre pikturike deri diku janë studiuar, por jo në mënyrë shteruese dhe të plotë. Por dokumente dhe fakte të tjera historike flasin për kryevepra arti mesjetare që kanë qenë dikur dhe sot nuk janë më. Ky shkrim i kushtohet mungesës kolosale të kryeveprave artistike që u takonin dikur shqiptarëve, por që sot nuk mund të gjenden kurrë më.
Duke studiuar një relacion të jashtëzakonshëm të shkruar në formë libri të arkipeshkvit të Tivarit, monsinjor Vinçens Zmajeviçit, dorëshkrim ky që ndodhet sot në arkivin e Vatikanit mund të nxjerrim prej tij disa të dhëna të çuditshme për kryeveprat artistike të humbura të Shqipërisë. Dorëshkrimi i Zmajeviçit quhet “Viza në Shqipëri e vitit 1702″. Ky dorëshkrim i madh shumëfaqësh përbëhet prej gati 700 faqe dhe ka formatin 27x20cm. Fillimisht dorëshkrimi i përkiste arkivit të Propaganda Fide dhe është përdorur nga kardinali Barberini. Pastaj dorëshkrimi shkruar në italisht ka kaluar në korpusin e dorëshkrimeve në Vatikan. Është meritë e studiuesit albanolog Vinçenc Malaj që e ka studiuar hollësisht këtë dorëshkrim të çmuar.
Unë në shkrimin tim do të kufizohem vetëm në një aspekt të dorëshkrimit, në atë të dëshmive që lidhen me vepra arti. Lista e mëposhtme e veprave të artit ka të bëjë me kishat, katedralet dhe kuvendet e krishtera që nga Tivari e deri në Shqipërinë e Mesme. Ja kjo listë:
- Në kishën e shën Premtes në Tivar ka pasur një kryq të argjendtë me figura, i bërë me mjeshtëri shumë të madhe.
- Në kishën e shën Kollit në Zybç ka pasur piktura afreske shumë të vjetra si dhe një kryq argjendi prej 25 skudash.
- Në kishën e shën Teklës në Spiç që është përdorur njëkohësisht edhe nga katolikët dhe ortodoksit ka pasur gjithashtu afreske shenjtësh të stilit paleolog bizantin.
- Në kishën e shën Salvatorit në Orrioll ka pasur dy skulptura në dru, një të Krishtit dhe një skulpturë të shën Mërisë të pranuar me ar si dhe një kryq në përmasa të mëdha sjellë nga kisha e Cetinjës.
- Në kishën pa emër shenjtori në Hot ka pasur mbi altar pikturat e shën Klementit dhe shën Kollit.
- Në një kishë tjetër pa emër shenjtori në Grudë ka qenë skulptura në dru e shën Mërisë veshur me pëlhurë mëndafshi të kuq.
- Në një kishë në Spaj të Kelmendit gjithashtu pa emër, ka qenë një skulpturë e shën Mërisë po në dru si dhe ikona dhe afreske të ndryshme.
- Në kishën e shën Anunciatës në Samërisht ka pasur afreske gjithashtu me nivel të 8. Në kishën e shën Anunciatës në Samërisht ka pasur afreske gjithashtu me nivel të lartë artistik.
- Në kishën e Shën Anunciatës në Shas përveç afreskeve ka pasur dhe relieve dhe skulptura të stilit gotiko-romanik.
- Në kishën e Gjon Pagëzuesit në Reç, e cila ka qenë dhe katedrale përveç afreskeve, ka pasur dhe një mbishkrim që tregon se kisha është ndërtuar në vitin 1034 nga ipeshkvi Pjetër Bruni.
- Në kishën e shën Gjergjit në Dajç tërë muret qenë me afreske sipas stilit bizantin.
- Në kishën e shën Kollit në Trushën e Sipërme ka pasur zbukurime me afreske dhe ikona.
- Në abacinë e shën Gjergjit në Shirgj, rindërtuar nga Helena, princeshë franceze në vitin 1290 ka pasur afreska dhe mbishkrime me rëndësi të madhe historike.
- Në kishën e shën Premtes në Juban tërësisht e pikturuar kanë qenë edhe tre altarë si dhe dy tablo të shenjtorëve Sergi dhe Baku të punuara me mjeshtëri.
- Në kishën e Të Ngjiturit të shën Mërisë në Qiell në Toplan ka pasur dy kambana të lashta, njëra shumë e madhe e thyer e bërë në vitin 1390.
- Në kishën e shën Marisë në Mjedë qemerët e lartë kanë qenë të pikturuar brenda dhe jashtë dhe bërë me korniza dekorative të punuara me gurë të kuq. Në këtë kishë ka pasur dhe një altar me pikturën e Krishtit si dhe ikona të ndryshme shenjtorësh.
- Në kishën e shën Stefanit në Blinisht, grabitur dhe shkatërruar nga turqit, ka pasur afreske bizantinë si dhe një kryq të lartë në argjend, të punuar në relieve në një lartësi prej katër pëllëmbësh.
- Në abacinë e shën Aleksandrit në Mirditë ka pasur dy kryqe argjendi me pamje në reliev, një arkë argjendi me gurë të çmuar të mbështjellë me ar, në formën e një mbishkrimi, brenda arkës që koka e shën Aleksandrit martir, mbështjellë me argjend dhe ar.
- Në kishën e Lindjes së shën Mërisë në Kaçinar ka pasur tri piktura të shën Marisë të vizatuara bukur si dhe dy ikona të vogla të praruara, sjell nga kisha e Cetinës, një kambanë të vogël si dhe një kambanë më të madhe të punuar në vitin 1438.
- Në kishën e shën Barbarës në Pllanë, përveç një kryqi të madh me pamje në relieve qenë edhe tre kambana, dy altarë të zbukuruar me afreske si dhe shtatore të ndryshme shenjtorësh.
- Në kishën e shën Aleksandrit në Zejmen qe altari i ruajtur mirë i zbukuruar me pamjet e shenjtorit si dhe disa shenjtorë të tjerë sipas stilit bizantin dhe relike të tjera prej argjendi me origjinë nga kisha e Cetinës.
- Në kishën e shën Vlashit në Salamund kishte një kryq të madh argjendi me figura të relievizuara, dy kambana dhe altarin ku qe portreti i shenjtit titullar.
- Në kishën e shën Eufemisë në Kallmet të Lezhës ka pasur mbi altar një gur të madh të gdhendur në formën e një kuadri ku qe pikturuar me art të madh portreti i shën Mërisë.
Nën të nga shkëmbi buron një burim i vogël uji me cilësi të lartë dhe i shëndetshëm i mbiquajtur si ujë i shenjtë.
- Në kishën e shën Marisë të etërve observantë të Lezhës rrënuar nga tërmeti dhe rindërtuar nga vetë Gjergj Kastrioti i madh ka pasur orendi të shenjta prej ari dhe argjendari shumë të çmuara. Në katedralen e shën Premtes të arkipeshkvit të Durrësit në Kurbin qenë tri piktura të shën Marisë, njëra e madhe e punuar nga kleriku dhe artisti shqiptar monsinjor Skurra, së bashku me portretin e tij si dhe dy më të voglat të vendosura me shije së bashku dhe disa piktura të tjera. Në këtë katedrale qe froni madhështor i gdhendur në dru i arkipeshkvit, dy kryqe të mëdha argjendi si dhe një kambanë e madhe.
- Në kishën e shën Aleksandrit në Dukagjin, e restauruar 26 hapa e gjatë me strukturë të bukur e madhështore, ka pasur afreska bizantine të mrekullueshme.
- Në kishën e Të Ngjiturit të shën Marisë në qiell qe një altar i punuar me shije dhe brenda tij një pamje e bukur e shën Marisë.
- Në kishën e shën Gjon Pagëzuesi në fshatin Belanj të Poshtëm ka pasur afreske në gjendje shumë të mirë po të stilit bizantin.
- Në kishën e shën Barbarës në Mollakuq ka pasur gjithashtu afreske bizantine.
- Në kishën e shën Marisë në Berat afër Krujës katedrale e ipeshkvit të Krujës, e gjatë 25 hapa me tri navata, pjesërisht e shembur ka pasur afreske të stilit romanik perëndimor si dhe mbishkrime të ndryshme latine të fshira nga koha.
- Në katedralen pa emër të Shkupit, të rrënuar tërësisht mes gërmadhave kishte gjurmë afreskesh.
- Në kishën e shën Nikollës në Janjevë muret qenë zbukuruar me një numër figurash të shenjtorëve, por pa kambanë, sepse besimtarët e kishin fshehur nga frika se e rrëmbenin turqit.
- Në kishën e të Ngjiturit të shën Marisë në Qiell Janjevë ka pasur afreske me cilësi të lartë.
- Në kishën e Të Ngjiturit të shën Marisë në Qiell, në Prizren, ndërtuar me qemer, qe në rrezik të shembjes ka pasur orendi të shenjta prej argjendi dhe ari. Dihet se në këtë kishë ka pasur një bibliotekë me dorëshkrime dhe libra shumë të çmuara të grabitura dhe të djegura nga turqit. Mbas kësaj liste mund të bëjmë pyetjen e vetëkuptueshme dhe tronditëse: Ç’u bë me këto kryevepra arti mesjetare? Ato për fat të keq sot nuk janë më. Është një ngushëllim vetëm i karakterit shkencor informativ fakti që ato kanë mbetur të shënuara në dorëshkrimin e mrekullueshëm dhe të paharruar të Zmajevicit. Ne vetëm mund të parafytyrojmë diçka se si kanë qenë këto kryevepra arti. Por kjo nuk mjafton sepse boshllëku tashmë është kolosal. Por me interes të madh është që në historikun e artit mesjetar shqiptar ne nuk duhet të harrojmë që t’i përmendim këto fakte që e tregojnë krishterimin shqiptar si një nga format ekzistenciale dhe më vitale të artit shqiptar në mesjetë. Rrënimet dhe koha kanë shkaktuar një katrahurë, kanë kërcënuar vdekshëm historinë e artit shqiptar.
Së fundi, bëj pyetjen akoma më të tmerrshme dhe më tronditëse: Pse në kohën e sotme të kompjuterëve, të shtetit ligjor, të shkencës, demokracisë të vazhdojë akoma kjo katrahurë, të vidhen dhe të shkatërrohen kryevepra të artit, të humbasin thesaret kulturorë të Shqipërisë. O Zot, kjo është e padurueshme dhe e palogjikshme. Kujtesa kombëtare nuk do të na falë dhe nuk do të na justifikojë. Qoftë ky shkrim një tjetër apel qytetar për ruajtjen dhe mbrojtjen e monumenteve tona të kulturës. Amin.