Kujtim Buza: Një letër dhe dy kujtime për Lasgush Poradecin
(Botuar me 3 shkurt 1999 në KOHA JONE)
Kujtim Buza: Një letër dhe dy kujtime për Lasgush Poradecin
Një trokitje e lehtë e derës së apartamentit, në Rr. “Perlat Rexhepi”, më bëri ta hap atë me kujdes. Përpara kisha zonjën Nafije, gruan e Lasgush Poradecit, kolege me motrën time Lejla, bashkëmësuese në shkollën 8-vjeçare “Mihal Grameno”, këtu në Tiranë.
E ftuam me kënaqësi në kuzhinën e vogël dhe nëna, që e njihte mirë filloi ta pyeste me radhë, për të tërë, aq sa edhe ajo gati harroi pse kishte ardhur. Ishte një bashkëshorte, që e adhuronte Poetin e madh, që sakrifikonte gjithçka për të dhe që futej në botën magjepsëse lasgushiane e “dalldisur” për “llaftari”.
Zonja Nafije ishte mësuese e fillores, shumë e përkushtuar ndaj arsimit, fliste një gjuhë të pastër letrare, ishte e qeshur dhe tepër fisnike. Vetëm kur hyri babai, ajo tregoi qëllimin e ardhjes, ndonëse nuk la pa theksuar për mallin e viteve të shkuara dhe respektin e artistëve kolegë për njeri-tjetrin.
Nafija kishte për të bërë një mësim shembullor dhe i duheshin disa vizatime apo siç thuhej atëherë “tabela mësimore”. Me shumë respekt dhe kujdes ajo kërkoi që këtë punë ta bënin nxënësit e Liceut, ku babai jepte mësim, mirëpo im atë mori menjëherë letër dhe laps dhe filloi të skiconte çka donte mësuese Nafija, duke i premtuar se do t’ia kryente menjëherë. Vetëm në fund, kur mësuese Nafija po largohej, i dha babait këtë shënim të Lasgushit:
“I nderuar e i dashur koleg Buza,
Lutem shumë të kini mirësinë të ndihmoni (me anën e nxënësve tuaj) bashkëshorten time Nafije, arsimtare, me ndonjë skicë, siç do t’ju shpjegojë ajo vetë. Ju falënderon që përpara, juaji si përherë Lasgushi.
- 6. 65 Rruga Hodo Beg Nr.3, Tiranë
Mbaj mend që në katër kartonë, baba punoi me akuarel katër pamje, me figura: fëmijë duke luajtur në park, të tjerë duke lexuar, nxënës duke iu ngjitur malit dhe fëmijë duke bërë banjë në “Gjolin” e Poradecit. (Bile me zarfin e dërguar nga poeti, baba ka shkruar: “Temat: Si e kaluan verën me 4 pamje…”)
Në kopertinën e librit, që lexonin fëmijët, ai shkroi emrin e Lasgush Poradecit, ndërsa në pamjen nga liqeni i Poradecit, në plan të dytë skicoi veten, duke pirë kafe me Lasgushin te kafja e Hadiut.
Mbaj mend që kur e shihte ketë vizatim të punuar me shumë përkushtim, qeshte dhe kujtonte të kaluarën me Prof. Lasgushin, kur ishin në Shkollën Teknike e ku edhe Poeti jepte lëndën e vizatimit, aq bukur dhe me profesionalizëm. Lasgushi kishte studiuar për pikturë në Bukuresht. Një herë tjetër do të shkruaj për Lasgushin “Tabelat mësimore” e kryen punën e tyre. Mbeti vetëm shenja e dashurisë dhe respektit për njeri-tjetrin.
17 qershor 1982
Nisëm për të pritur në Qafë Thanë, piktorin e madh austriak Peter Oberhuber dhe të shoqen Ilza, që vinin në Shqipëri të ftuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Nuk pritëm gjatë, si zakonisht. Ata lanë mënjanë makinën e tyre “Volvo” ngjyrë argjendi, pranë postës tonë kufitare, pa asnjë shqetësim dhe porosi. Pasi bënë ritin e zakonshëm, u përshëndetën me mikpritësit dhe hipëm në një “Volvo” tashti të bardhë, të Parkut të Delegacioneve dhe u nisëm drejt Tiranës. Nuk kishim bërë as dy minuta rrugë, menjëherë pasi u përshëndetëm dhe shkëmbyem urimet e rastit, kur shoh që Oberhuberi nxori nga çanta një letër dhe filloi të recitonte në gjermanisht:
Kam ich nach
Graz um erstlich zu studieren, Erkannt die Lent, die so gemutlich fein,
Kehrt ich hierher, um froh zu fabulieren.
So sag ich Eohl: die Garten stadt ist mein.
“Do të shkojmë në Pogradec, – më thotë. Atje kam një mik të madh, që më pret! “Unë e kuptova se miku ishte Lasgushi. Mirëpo këto devijimet nga rruga nuk ishin fort të lezetshme. Oberhuberi ishte edhe kryetar i Shoqatës së Miqësisë Austri-Shqipëri. Në Tiranë pritej jo vetëm si artist. Ç’të bëja?”
Në Pogradec do të hamë bukë, – më thotë Oberhuberi. Afroi edhe ora e drekës dhe sigurisht që dua të takoj edhe Lasgush Poradecin, kam një porosi për të”.
Përkthyesi, shoferi dhe unë u pamë sy më sy. Ç’do të bëjmë? “Mirë, – thashë unë, – do të hamë në Pogradec” dhe vetura u sul tatëpjetë me shpejtësi. Me vete mendoja: U bënë katër. Një, devijova rrugën, tjetra që le drekën e porositur në Tiranë dhe ha në Pogradec, takimin e parë e bën me Lasgushin dhe ajo që i vë kapak është “porosia” që paska miku! Ç’të jetë kjo porosi? Nëpër mend më shkonte ndonjë libër, ç’mund të kërkonte murgu poet, mirëpo libri, ehe… libri?!!
Gjithçka u sqarua kur mbërritëm në Pogradec në hollin e Hotel Turizmit, ku Oberhuber më tregoi letrën e bukur të Lasgushit, që me aq dashuri shkruante për njerëzit fisnikë dhe të kulturuar të Gracit, të dashur dhe bujarë, për Prof. Dr. Heinrich di Gaspero, që atëherë drejtonte Katedrën e Neurologjisë në Universitetin e Gracit e që në të njëjtën kohë ishte edhe shef i Klinikës Neurologjike të spitalit të Landit, që e kishte trajtuar siç thotë Poeti; “… me përkushtim… për të përballuar sëmundjen time të mundimshme”.
Letrën, Poeti e mbyll me katër radhë, që nuk pretendoj se janë përkthyer mirë:
Erdha në Grac për të studiuar
Njoha njerëz të këndshëm dhe fisnikë
U ktheva me gëzim për të vjershëruar
e prapë e them: i imi është qyteti kopsht fantastik.
Porosia ishte vetëm dy shishka të mbushura me tableta Adalin (kundër pagjumësisë).
Meqë Poeti “nuk ndodhej në qytet” dy shishkat ia lamë mjekut dhe shkrimtarit Misto Marko. Poeti i madh kërkonte dy shishka ilaç?!
10 maj 1983
Lasgushi, tetë muaj i kalonte në Pogradec (maj-dhjetor) dhe katër të tjerë në Tiranë (janar-prill) Një ditë më thotë Dritëro, që të interesohem për ta nisur Lasgushin për në Pogradec, ashtu si veprohej kur kishte mundësi edhe për të tjerë, të shquar dhe të moshuar. Unë thërres Skënder Sh. me veturë “Dacia” dhe e porosis të bëhet gati për t’u nisur të nesërmen në Pogradec. Ndonëse ai ishte korrekt, e porosis që të ketë kujdes rrugës, të ndalojë për nevoja të moshës, t’i ofrojë ndonjë kafe dhe ta sajdisë me kujdes Poetin. Në mëngjes të 10 majit vjen shoferi dhe më thotë: “E kam sjellë poshtë Poetin, është në makinë!”
“Po pse, – i them, – pse nuk je nisur menjëherë?”
“Ku, mer, të nisem unë! Poeti kishte edhe qen me vete, ti e di që s’fus kafshë në makinë, masanej qeni lefte dhe që tu m’honger veshin!” Pasi e qetësova dhe e binda shoferin, zbresin poshtë, e takoj Lasgushin pa lëvizur nga makina dhe i uroj rrugë të mbarë, duke i rrokur duart e thata të “Këngëtar Finoshit”, që pasi më pa me sytë e tij të thëngjillëta thirri:
“Prej çdo gaz e hidhërimi
Mbetet pas vetëm Kujtimi
“Unë ia prita menjëherë: “Dhe i ati Abdurrahimi”,
Ndërsa ai vazhdoi: “Ku je nip poradecar
Me babanë kosovar…
“Kështu u ndamë atë mëngjes të majit ’83.