Kujtim Çashku: Të burgosur në liri
(Botuar me 31 Gusht 1997 në KOHA JONE)
Nga Kujtim Çashku-
Trauma psikike shqiptare, që është shfaqur sot, mendoj se i ka rrënjët, shumë më thellë sesa gjysma apo fillimi i shekullit që po kalojmë. Është e kuptueshme, se pas shembjes së komunizmit, një lloj traume e kaluan të gjitha shoqëritë postotalitare të gjysmës së kontinentit Europian. Traumë kjo që lidhej kryesisht me tragjedinë e zhgënjimit, kundrejt një utopie të imponuar.
Që të jetosh 70 apo 80 vjet për jetën e një njeriu janë thuajse gjithçka, ndërkohë që në jetën e një populli ato janë veçse, diçka.
Sa herë që përpiqem të hedh vështrimin në ndërgjegjen time historike, me mbetet krejt e errët mesjeta shqiptare. Madje më mbetet akoma me e errët ajo çka në Evropë u quajt Rilindje Evropiane. Po të shohim me vëmendje peizazhin urban shqiptar, nuk mungojnë referencat e gjurmëve Ilire, Trake, Helene, Romake, apo Bizantine. Më pas, koha duket sikur ndalet. Duket sikur zhytemi ne një terr pa fund. I mungojnë peizazhit urban shqiptar, Universitetet shekullore, ku gjenerohet truri i popullit, katedralet shekullore, ku gjenerohet shpirti i popullit, oborret dhe parqet shekullore me lulet, statujat e mermerta e shatërvanët pa fund ku prehet dhe shprehet ekologjia estetike e popullit. Ky dimension i fuqishëm qytetar, dhe pse krejt i mangët, nuk ka shuar mbijetesën e gjuhës shqipe, autoktoninë dhe larminë e zakoneve tona, të cilat janë shfaqur e ruajtur, kryesisht në formën e një tradite të folklorizuar dhe të mitizuar, dhe jo aq të një qytetërimi të kultivuar e të mirëfillte. Nuk mund te themi se kjo mangësi civilizimi, s’përbën një plagë të rëndë të shoqërisë sonë. Ajo është prezente dhe manifestohet, në gjithë shprehjen e jetës sonë.
Arsyetimet e mësipërme, kanë si qëllim, të ndërgjegjësojnë e të lehtësojnë sadopak dhimbjen që shkakton, rruga e mundimshme drejt qytetërimit perëndimor dhe bashkësisë civile në tranzicionin, që po kalon shoqëria jonë.
Duke u çliruar nga romantizmi folklorik dhe pseudopatriotizmi, po përpiqem te hedh vështrimin mbi disa dukuri apo fenomene të cilat manifestohen sot, në jetën sociale, kulturore e politike shqiptare por, që bazën e vërtetë të tyre e kanë të kahershme.
Shumë manifestime, të masës apo të individit lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me komplekse të trashëguar. Doktrina e urrejtjes shqiptare, doktrina e hakmarrjes, e gjakmarrjes, dhe e nizamit të përjetshëm, nuk i kanë lënë vend, zhvillimit të hapësirave shpirtërore dhe racionale. Për fat të keq, ka ndodhur e kundërta: Në vend të tyre, kanë dominuar mitomanitë dhe tabutë. Ritet kalorësiake evropiane, të ftesës së duelit të hapur kalorësiak, janë manifestuar në jetën shqiptare përmes pritës apo pusisë.
Transhendenca dhe mendimi janë reduktuar te reagimi emocional, akti spontan, xhestaltizmi i jashtëm e teatral dhe zgjidhja e atypëratyshme. Vizioni global i të ardhmes është shfaqur më shumë si një aspiratë romantike e izoluar, dhe jo si një platformë programore. Kujtojmë si shembull për këtë veprën e S. Frashrit: “Shqipëria ç’është, ç’ka qenë dhe ç’do të bëhet”.
Materia dhe teknologjia kryesore e doktrinave apo dogmave shqiptare është ngritur mbi mekanizmin urrejtjes, duke ardhur në fund të shekullit, dhe duke u shndërruar në industri të urrejtjes.
URREJTJA emocionale është shoqëruar nga hakmarrja diabolike dhe nga gjakmarrja kriminale. Kur përmend fjalët mekanizëm, teknologji apo industri e URREJTJES, nuk kam parasysh vetëm kanunin shekullor, mekanizmin e mëvonshëm të luftës së klasave, apo revanshet postotalitare.
Ajo çka dua të evidentoj më shumë, është energjia e jashtëzakonshme që humbet bashkësia shqiptare nga nukleu i urrejtjes. Janë ende krejt të huaja dhe të largëta për bashkësinë tonë, ato fenomene që minimizojnë urrejtjen siç janë: FALJA, PENDESA, BASHKIMI, MËSHIRA, PAJTIMI, HARRIMI, VËLLAZËRIM etj.
Dhe kur mblidhen në kuvend të kuvendojnë shqiptarët grinden më shumë se kush është i parë (lufta për protagonizëm) dhe e “harrojnë sebepin dhe qëllim për të cilën janë mbledhur tok” tregon Çajupi në një nga veprat e tij.
Pothuajse e gjithë beteja e pohimit dhe e realizimit të interesit, aspiratës dhe qëllimit është ngritur dhe vazhdon të ngrihet në planin emocional të urrejtjes dhe fatkeqësisë së tjetrit dhe pak ose aspak në planin racional duke harruar se mendimi dhe ideja e materializuar është forca gjeneruese e bashkësisë. Pa dyshim, nuk i kanë munguar individë të izoluar, të shquar të dijes, mendjes dhe penës kombit shqiptar, por po të vëmë re me kujdes, as ato vetë nuk kanë arritur kurrë te artikulohen si një bashkësi.
Kujtojmë Rilindasit tanë, ata vepruan si yje të veçuar e të shpërndarë anë e kënd në errësirën e qiellit Shqiptar, por ata nuk arritën të krijonin bashkësinë e një kostelacioni. Nuk është aspak e rastit që dhe pse nuk kanë munguar dhe nuk mungojnë individë të shquar, ende sot nuk kemi një Akademi të mirëfilltë të Shkencës dhe Kulturës Kombëtare, autoriteti i së cilës të jetë vendimtar për fatet e Kombit, ose të themi, një Altar apo një Panteon, ku prehen mendjet e ndritura të Kombit Shqiptar si dëshmi të ndërgjegjes sonë historike e kombëtare.
Doktrinat fetare dhe ato ideologjike janë shfaqur dhe vazhdojnë të shfaqen tek ne si invazione populiste, si dasi e një bashkësie ndaj tjetrës dhe si artificë vlerash. Pak, ose pothuajse aspak kanë qenë dhe janë prezent në jetën shqiptare, doktrinat morale dhe etike. Pra, të quajturat kriza të utopive kanë qenë gjithnjë bashkudhëtare të kalvarit shqiptar.
Doktrinat e mësipërme, kanë arritur të artikulohen jo me shumë se niveli i sloganeve apo dogmave që krijojnë e prodhojnë heronj në njërin pol, dhe antiheronj në polin tjetër. Tendenca për të trajtuar të ndryshmen si të kundërt, ka prodhuar dhe fabrikuar gjithnjë miq në njërin kamp dhe armiq në kampin tjetër, të cilat jo rrallë herë kanë degraduar në luftëra dhe viktima të pafundme.
Realiteti është dhe mbetet gjithnjë refuzues e kontestues përballë utopisë organike njerëzore, e cila i provokon në mënyrë të vazhdueshme njeriut tendencën e zhvillimit, lëvizjes dhe evoluimit përmes pakënaqësive, deluzioneve, krizave apo revoltave. Arti politik u krijua për t’i artikuluar e programuar këto interesa materiale e shpirtërore të cilat janë bashkudhëtare të njeriut.
Politika si art i së mundshmes në botën e sotme të qytetëruar, është vendosur: nga përqendrimi në ligjin e dorës së fortë të një njeriu të vetëm, në mbretërinë ku ligji është vetë mbreti dhe ku institucionet mbeten të pashembura dhe atëherë kur ndryshojnë garniturat dhe programet politike. Vetëm si e tillë politika është në gjendje te administrojë, krizat dhe revoltat që burojnë nga realiteti duke shmangur në këtë mënyrë tragjeditë e luftërave dhe viktimat. Fakt është që mosadministrimi politik i interesave të lartpërmendura nga bashkësia politike degradoi shoqërinë shqiptare në kaos dhe anarshi, fenomen ç’ka Europa e kish braktisur që në fillimet e shekullit XIX.
Duke qenë se, gjithë beteja dhe shpalosja e krizës shqiptare u zhvillua në plan emocionalo-populist, si triumf doktrinash të kuqsh të zinjsh apo të bardhësh, pra ku demokracia u konceptua dhe për fat të keq po vazhdon te konceptohet, si triumf i një doktrine ideologjike ndaj tjetrës, precedenti anarkik mbetet një kërcënim në vazhdim shumë i rrezikshëm për jetën shqiptare.
Vini re etjen protagoniste, apo krizën e identitete të bashkësisë së politikanëve shqiptarë, shfaqjen agresive të tyre ndaj copëzimit dhe fragmentarizmit të kohës dhe historisë. Të duket në një moment sikur jemi në një “Perpetum Mobile” të vazhdueshme, ose po të përdorim një term konvencional në një METAHISTORI, që në fillimet e shekullit XX deklarohej:“ Ja tani po nis historia e vërtetë e kombit”, e kështu duke ardhur deri tek Enveri, Saliu, Mejdani apo të tjerë që do të vijnë pas tyre, duke harruar kështu se koha dhe historia është një proces i gjatë dhe i pandërprerë me kahjet pozitive e negative të vetat, të cilat duhen marrë si e tërë edhe në kompleksitetin e vet dhe jo si histori kokash të prera.
E konsideroj një detyrë supreme, të të gjithëve së bashku, zhvendosjen e energjisë dhe potencialit mendor, shpirtëror e fizik shqiptar nga kahja emocionale në atë racionale. Për të arritur një gjë të tillë na duhet ta çlirojmë vendin nga rrethi vicioz i doktrinizimit ideologjik dhe dominimit të protagonizmi politik, i cili mbështetet mbi strukturën e njësueshmërisë së mendimit dhe veprimit, duke kundërvënë një dasi bashkësie kundër tjetrës. Dominohemi më shumë nga instinkti demokratik se sa nga kultura demokratike. Ne kurrë nuk mund të ndërtojmë bashkësinë tonë civile në bazë të njësueshmërisë. Kushti i domosdoshëm i shoqërisë civile është shumatorja e bashkësive të ndryshme, pra kushti themeltar i saj është diversiteti. JEMI BASHKË SE JEMI NDRYSHE. Ky postulat i vjetër i filozofisë antike Greke emancipoi të gjithë qytetërimin e fuqishëm europerëndimor. Forca e individit në një bashkësi diverse është shumë herë më e fuqishme se sa forca e individit në një bashkësi të njësuar.
Bashkësitë e njësuara mbajnë gjallë frymët kolektiviste, egalitariste dhe populiste. Ato shtypin çdo iniciativë individuale. Bashkësia e njësueshme e mban të lidhur individin nëpër këmbë me vargonjtë e skllavit të përetëshëm. Ato janë strofulla të mediokriteteve e anonimiteteve e si të tilla, ato kanë ekzistuar dhe do të vazhdojnë të ekzistojnë në të gjitha shoqëritë.
Bashkësitë e njësuara nuk akumulojnë inteligjencë, por mediokritet. Nuk mund të thuhet se bashkësia e njësueshme nuk revoltohet dhe nuk rebelon, madje, ajo në vetvete e ka një prirje të tillë, por kjo prirje nuk artikulon mendim. Mendimin e artikulon bashkësia elitare e përbërë nga individualitete krijonjëse që formojnë ide, që i paraprin realiteteve ekzistuese përmes transhendencës, abstragimeve, fantazisë dhe imagjinatës. Po të keni vënë re me kujdes, bashkësia e njësuar është gjithnjë agresive ndaj bashkësisë elitare. Janë pikërisht bashkësitë e njësuara të cilat kanë brenda vetes tendencën e rrënimit të shkatërrimit por dhe të ndërtimit në pikëpamje fizike, pra veprimtaria e tyre dominohet më shumë nga atribute fizike mendore. Këto tendenca të bashkësisë së njësuar kur artikulohen dhe administrohen nga politika ose nga bashkësia elitare, ndërmarrin akte heroike dhe e kundërta ndodh, kur ato nuk administrohen prej tyre. Për rrjedhojë, në vend të heroikes ato bëhen kriminale. Njihen tragjedi të ndryshme të cilat kanë ndodhur dhe vazhdojnë të jenë prezent në kontinentet tona. Tragjedia e luftës civile amerikane, ishte një tragjedi e cila erdhi si rrjedhojë ekstrem dhe mosartikulimit politik, mirëpo, për fat të keq, humbën jetën miliona amerikanë. Studiues të shumta thonë se mbi këtë tragjedi amerikanët ngritën demokracinë e tyre duke u mbështetur në principe fondamentale civile, ku individi pranohet i LIRË, i NDRYSHËM dhe i PËRGJEGJESHËM përballe bashkësisë së vet. Bashkësia e njësuar është një bashkësi fanatike e cila, në emër të tradicionalizmit dhe besnikërisë së qëndrueshmërisë ndaj një dogme të caktuar e përjashton ndryshueshmërinë. Ajo e paraqet të drejtën organike të njeriut për të ndryshuar, si tradhti duke mos marrë në konsideratë aspak relativitetin, fleksibilitetin, kodin moral individual dhe kodin moral te organizuar. Ajo harron se ka një ndryshim esencial mes preferencës dhe principit. Principi është universal ndërkohë që preferenca relativizohet dhe kushtëzohet nga rrethanat dhe realitetet e caktuara. Si e tillë preferenca është në transformim dhe dinamikë të vazhdueshme. Tolerancat, kompromiset, mospërjashtimet, pajtimet dhe alternimet zgjerojnë hapësirën e jetesës së bashkësisë civile.
Për rrjedhojë, një bashkësi e tillë nuk e shtyp, nuk e deformon dhe nuk e degradon individin. Përmes kësaj hapësire civile, individi jo vetëm që zgjeron koeficientin e preferencave por dhe e dinamizon atë duke u bërë gjithnjë e më i përgjegjshëm ndaj bashkësisë.
Hapësira e ndryshueshmërisë në të, është aq relative dhe fleksibël saqë e bën individin e lirë të zgjedhë dhe të zgjidhet në funksion të interesave konkrete dhe jo besnikërisë së dogmës.
Fakt është se në botën perëndimore individët nuk votojnë për partitë apo dogmat ideologjike por për programe konkrete. Dinamika e ndryshueshmërisë dhe emancipimit në bumin informativ të epokës që jetojmë është prezente si kurrë ndonjëherë. Në bashkësitë diverse nuk mund të penalizohet jeta e askujt me konsiderata të së shkuarës ose të së tashmes.
Hapësira është sfida e çdo barriere. Dinozaurët që po e gëlltisin sot njeriun nuk janë dinamikat dhe hapësirat që krijohen nga shumëllojshmëria e bashkësisë por nga kufizimet që krijon bashkësia e njësuar. Si shembull do sillja dinozaurët e BINGOBASHKËSISË, HEDONOBASHKËSISË, POLITIKOBASHKËSISË, të cilat kanë krijuar STERIOTIPOBASHKËSINË, pra demonstrimet me të zellshme të një bashkësie të mbyllur e të njësuar që gëlltit çdo ditë individët.
Pa marrë përsipër të kategorizoj, e aq më pak të absolutizoj arsyetimet dhe dukuritë e mësipërme, të shoqërisë në të cilën unë vetë bëj pjesë them se vlen që hera-herË, të tentojmë e të bëjmë përpjekjet tona të përbashkëta, mbi baza individuale e më pas të gjithë së toku, që të shpëtojmë nga burgu i lirisë, në të cilin ndodhemi. Dhe hapi i parë i lirisë është ai që fillon nga vetvetja: “MY GREATEST ENEMY IS MYSELF”, sepse armiku më i madh i njeriut është vetvetja.