Kundërpërgjigjet Edi Rama ndaj Neshat Tozajt: Edhe njëherë kundër abuzimit me fjalën e lirë

(Botuar me 14 qershor 1998 në KOHA JONE)

Nga Edi Rama

Lexova dje në gazetën “Koha Jonë” një shkrim, apo më saktë një denoncim të Neshat Tozajt që kishte për objekt personin tim. Pa u marrë me gjithë sa ai shkruan, sepse, sinqerisht, nuk ia vlen mundimi, desha të ndaloj shkurtimisht në një moment të vetëm.

Disa kokëgdhe që me fjalën e shkruar merren, por që as shqip nuk dinë të lexojnë dhe që, për pasojë, nxjerrin nga të lexuarit shatra-patra të gjuhës amtare vetëm kuptimin e moskuptimit të tyre, kujtojnë se u ka rënë barra të zbulojnë, sa përmes hetimeve nëpër karatymnajën e kafeneve e sa përmes publikimit të rezultatit të këtyre hetimeve në shtyp, “fytyrën e vërtetë të Ministrit të Kulturës”, duke u marrë, ndër të tjera, edhe me kritikat e mia dashamirëse për shtypin, të cilat qejfi ua do t’i trajtojnë si një kundërvënie timen ndaj lirisë së tij.

Por ja që e vërteta rreth kësaj çështjeje delikate është krejt tjetër dhe unë do të këmbëngul sa të mundem për hir të saj, si njeri që e ndjen deri në kockë nevojën e lirisë së fjalës dhe që po deri në kockë ka ndjerë edhe çmimin shumë të shtrenjtë që mund të ketë kjo nevojë. E vërteta është se mua nuk më shkon ndërmend t’i kundërvihem lirisë së shtypit po zvetënimit të saj, ngritjes së Shpifjes mbi faktin, imponimit të injorancës në vend të argumentit, sundimit të përtacisë intelektuale mbi domosdoshmërinë e verifikimit të informacionit.

Po, këtyre po, do t’u kundërvihem sa herë që të më duket e udhës, sepse mbroj bindjen e thellë se abuzimi me lirinë e shtypit mund të sjellë dëme të pallogaritshme për krejt shoqërinë. Dhe besoj se të përpiqesh sot kundër këtij abuzimi, jo me forcën e verbër të pushtetit po me forcën e vetë Fjalës së Lirë, do të thotë jo vetëm të kërkosh nga shtypi ynë të njëjtën gjë që bën shtypi serioz në botën ku duam të integrohemi, por edhe, mbi të gjitha, të tregosh respektin e domosdoshëm për lexuesin./Edi Rama/

SHKARKO APP