Leka Zogu: Unë pres, por nuk pret populli

(Botuar me 5 Korrik 1997 në KOHA JONE)

Leka Zogu: Unë pres, por nuk pret populli

Nëse qeveria reagon ndaj meje, do të pendohet…

Periferia e Qytetit Studenti ka një dendësi jo të zakontë armësh, Vila e atij që pret të bëhet mbreti i shqiptarëve, ndodhet pikërisht aty, në anë të rrugës nacionale që të çon në Elbasan, jo larg Parkut të Liqenit Artificial.

Leka Zogu, i vetmi trashëgimtar i Ahmet Zogut të Parë, e ka ngritur këtu rezidencën, qëkurse është kthyer për të mbrojtur kauzën e ringritjes së dinastisë së tij, të ndërprerë në mes nga lufta e Dytë Botërore dhe vendimet që qeveritë e pasluftës morën rreth saj. Leka Zogu pret pareshtur në vilën e tij vizita gazetarësh të huaj dhe shqiptarë. Tani, kur debati rreth rezultatit të referendumit ka shkaktuar një të vrarë dhe disa të plagosur, kur marrëdhëniet fillestare normale me institucionet e shtetit ia kanë lënë vendin replikave plot helm, kur Shqipëria po përjeton krizën e monarkisë në vend të krizës së politikës – në fund të fundit, kur për të ardhmen e tij dhe regjimit që përfaqëson, po vendoset jo vetëm me vota, por edhe me pushkë, Leka Zogu duket më i qetë se kurrë. Pasi ka veshur uniformën ushtarake një ditë më parë, ai thotë se e ka bërë këtë në emër të paqes. “Është një uniforme e njohur në Afrikë”, shpjegon Leka dhe pranon të flasë për atë që do të ndodhë sot dhe nesër në Tiranë…

Ç’mesazh përcjell veshja juaj ushtarake në mitingun e së enjtes?

Është një veshje që unë e kam përdorur në Afrikë. Mesazhi që solli përdorimi i saj në mitingun e së enjtes është i thjeshtë; ushtari është i disiplinuar dhe dëshiron paqen e vendit.

Veshja ushtarake nënkupton luftë, jo paqe…

Veshja ime ushtarake nuk simbolizon aspak luftën, por kthimin në Shqipëri të paqes së vërtetë, kthimin e ligjit, paanshmërisë dhe mirëkuptimit mes shqiptarëve. Pasi të gjendet mënyra e krijimit të këtyre domosdoshmërive, merr kuptim fjala paqe.

Në një moment kur shqiptarëve ju kërkohet të lënë armët, ju dilni i armatosur në sheshin Skënderbej…..

A keni parë ndonjë shqiptar të paarmatosur?

Unë nuk bëj përjashtim. Pastaj, a mund të dalësh i paarmatosur në një kohë të rrezikshme si kjo që po kalojmë. Psh, dje, ne si kjo që po kalojmë. Psh, dje, ne po demonstronim paqësisht, pa i prishur qetësinë kujt, pa shkaktuar incidente në sheshin pranë Pallatit të Kongreseve. Ndërsa turma ishte duke u shpërndarë, policia nisi të qëllojë, duke plagosur njerëz dhe vrarë një 25-vjeçar të pafajshëm.

Policia deklaroi se nuk disponon armë, si ajo që ka sjellë vdekjen e tij…

As ne nuk disponojmë. Ndërsa policia, padyshim, ka armë të tilla dhe jemi fare të sigurt se në miting ka qëlluar.

Mitingu i së enjtes ishte organizuar pa lejen e policisë. Ju do vazhdoni të bëni të tilla mitingje spontane?

Nuk janë mitingje të paligjshme sepse ligjërohen nga populli, i cili është i revoltuar për vjedhjen që i është bërë votës së tij dhe ka tërë të drejtën të demonstrojë paqësisht.

Ju mendoni se referendumi për monarkinë është manipuluar?

Padyshim. Madje është manipuluar në një të tillë masë, sa kërcënohet dhe mosvendosja e monarkisë, kur populli ka votuar për të.

A keni fakte që e vërtetojnë këtë?

Kemi përgatitur një dosje të tërë, e cila është dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe do i drejtohet shumë shpejt Gjykatës Kushtetuese.

Po shtypit pse nuk ia keni paraqitur ende këtë dosje?

Sot ministri i Oborrit organizoi një konferencë shtypi, ku u fol për manipulimet. Megjithatë ne do të flasim ende dhe do të tregojmë hapur, para gjithkujt që është i interesuar, faktet dhe argumentet tona, përmbledhur në një dosje voluminoze. Unë vetë nuk jam në gjendje t’ia u tregoj në këtë moment të gjitha sepse ato janë të panumëruara, por po mundohem të jap shembuj; Kanë ardhur 200.000 fletë votimi mangët për referendumin. Për këtë kam vënë në dijeni kryeministrin Fino, i cili nuk e ka zgjidhur problemin. Në Durrës kanë dalë 3000 fletë votimi të pavlefshme. Procesverbalet u vodhën, u prishën dhe u dogjën në shumë zona të vendit si p.sh në Mirditë. Në Krujë u kërcënuan anëtarët e komisionit. Në Korçë u manipulua gjithashtu. Në Lushnjë u morën peng dy njerëzit tanë, po kështu dhe në Vlorë.

Megjithë ankesat tuaja, nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do ta shpallë të humbur monarkinë, si do reagoni?

Atëherë ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, e cila do të shpallë fitoren, ose humbjen e monarkisë. Unë nuk kam arsye të reagoj negativisht, ndaj padyshim do qëndroj në pritje. Por nuk jam i sigurt sa do presë populli, i cili sa vjen dhe acarohet më tepër,

Nocioni popull është i shumëpërdorur dhe me të mund të abuzohet. Në ç’kuptim e përdorni ju?

Me popull kuptoj njerëzit që preferojnë monarkinë dhe kanë votuar për të. Unë dhe oborri im nuk duam aspak të nxisim zemërimin e njerëzve, por ata vetvetiu janë të nervozuar për padrejtësinë që u është bërë. Shqipërinë nga jugu në veri e ka përfshirë revolta.

Nuk mundet Leka Zogu të ulë tensionet?

Padyshim kam bërë dhe do bëj thirrje për të qetësuar gjakrat, por s’mund ta kem gjithë situatën nën kontroll. Vetëm populli e ka në dorë situatën dhe zgjedhjen e qeverisjes së tij dhe ai e ka thënë fjalën e vet. Nëse dikush përpiqet ta ndryshojë, populli s’ka si të mos reagojë instinktivisht.

Cili është ky dikush?

Kryesia e Partisë Socialiste. Ajo dhe vetëm ajo ka krijuar terrenin për të manipuluar zgjedhjet. Jam takuar me zotin Nano dhe me zotin Fino para referendumit dhe kemi shkëmbyer biseda mjaft njerëzore. Tani më vjen vërtet keq që toni i zërit të tyre ka ndryshuar deri në ashpërsim dhe Kryetari i Partisë Socialiste arrin të lëshojë një deklaratë krejt të pamenduar dhe të pamatur, që ka ardhur ndoshta nga siguria e fitores.

Ju mendoni se Partia Socialiste që e denonconi si manipulatore të referendumit, ka qenë në gjendje të manipulojë dhe zgjedhjet politike?

Nuk di gjë me siguri, sepse nuk kam të dhënat e duhura që më lejojnë të flas me argumente, por besoj se dhe aty ka pasur manipulime nga PS.

Kur do të largohet nga Shqipëria Leka Zogu?

Kur të vendosë populli. Vetëm ai ka fuqi të më pranojë si mbret, si qytetar, apo të më dëbojë si të padëshiruar. Populli vendos, unë respektoj zgjedhjen e tij. Nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Gjykata Kushtetuese vendosin humbjen e monarkisë, unë brenda mundësive do tërhiqem, por jam i sigurt se populli nuk do ma lejojë këtë.

Me frazën “s’ma lejon populli” nënkuptoni acarim të situatës?

Po. Padyshim pritet ndërlikim i situatës. Unë parashikoj shpërthimin e zemërimit të popullit në katër anët e Shqipërisë, në rast se monarkia shpallet e humbur.

Do të ripërsëriten ditët e përgjakshme të marsit?

Shumë më keq.

A nuk mundet njeriu me gjak blu, të sakrifikojë mbretërinë, për hir të qetësisë dhe normalitetit?

Unë jam gati ta sakrifikoj mbretërinë, por a është e drejtë të sakrifikojë Shqipëria?

Në emër të këtij kombi kërkoj të shpallet e vërteta.

A është e vërtetë se një nen i kushtetutës suaj të 1928 nuk ju lejon të quheni mbret i shqiptarëve?

Është në fakt një nen që thotë se mbreti nuk mund të largohet nga Shqipëria për një periudhë të gjatë. Mbreti u largua, sepse vendi u pushtua nga Italia fashiste dhe mbretëria u detyrua të kalojë në mërgim dhe vazhdoi kështu derisa mua m’u lejua të vij në vendin tim, ku ngaherë kam qenë me shpirt e mendje.

Berisha ju lejoi të vinit në Shqipëri. Sakaq mos jeni duke i shpërblyer zemërgjerësinë?

Nuk bëhet fjalë për shpërblime dhe zemërgjerësi. Presidenti shqiptar është treguar i drejtë, kur lejoi ardhjen time në atdhe dhe pranoi zhvillimin e referendumit, duke dëshmuar ndershmëri, korrektësi dhe paanshmëri.

 Cilat kanë qenë kontaktet tuaja të fundit me Berishën?

Kam qenë i detyruar të kontaktoj shpesh, ditët e fundit, pasi situata është vështirësuar. Unë kam kërkuar ndihmë nga ai që të gjendet një zgjidhje sa më pranë të vërtetës dhe të eliminohet gjakderdhja.

A jeni në pritje të ndonjë kundërreagimi nga Qeveria e Pajtimit Kombëtar për situatën e krijuar?

Jo nuk pres kurrfarë reagimi. Në rast të kundërt qeveria do gabojë rëndë.

Pse?

Sepse do pendohet.

A ka pasur arrestime në radhët tuaja?

-Jo, asnjë.

I trembeni një arrestimi të mundshëm?

Askush s’ka të drejtë të më arrestojë. Nëse ekziston dikush që duhet të japë llogari për gjendjen e krijuar, ai është kryeministri i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar.

RUDINA XHUNGA

SHKARKO APP