Lesi: Përgjigje e njëkohshme për “ZP” dhe “RD”. Preferoj që gazeta “Koha Jonë” të mos bëhet shtojcë dhe viktimë e askujt
Botuar me 26 Maj 1993
Javën e kaluar në shtypin socialist të përfaqësuar nga “ZP” e më pas nisi korin edhe e përhershmja “RD”u përhapën zëra se në gazetën “Koha Jonë” ka plasur sherri për platformën e saj, se gazetën po e “vjedh” Azem Hajdari i shtyrë nga Presidenti Berisha, se paska kërcitur grushti, se stafi është ndarë në dy kampe, etj. etj. Në lidhje me këto sa thashë ose më saktë sa kanë shkruar të tjerët (dikush me nxitim e një tjetër i etur për përçarje në “Koha Jonë”) sqaroj publikisht:
- Problemet e brendshme të stafit të saj i përkasin vetëm asaj, pra redaksisë.
- Edhe në qoftë se ka pasur debate, ato kanë qenë thjesht brenda natyrës së një gazete të pavarur ku mendimi i gjithsecilit duhet respektuar dhe ku mundësia e të shprehurit lirshëm të mendimeve është më lart se në çdo gazetë tjetër partiake.
- Azem Hajdari, Spartak Ngjela dhe Frrok Çupi erdhën në drejtimin e gazetës “Koha Jonë” në një moment të rrezikshëm për gazetën si dhe për shtypin e pavarur shqiptar, ku dhëmbët e neodiktaturës donin të shqyenin stafin, gazetën dhe lirinë e të shprehurit hapur e pa kompromis me pushtetin politik. Ato duhen falënderuar për këtë akt ndershmërie dhe të tillë do ta quaj kurdoherë ardhjen e tyre.
- Opinionet e kafeneve se gjoja “Presidenti Berisha ka futur si misionar A. Hajdarin për t’i ndryshuar drejtimin gazetës si dhe për të eliminuar Nikoll Lesin” i quaj si të pamoralshme dhe nuk i vë në hesap.
- Raportet që ka Azem Hajdari me PD dhe Tomorr Dostin e Baletën janë punë e tij dhe nuk ka përse ngatërrohet “Koha Jonë” në këtë çështje të tyre.
- Kam ëndërruar së bashku me kolegun tim më të mirë, zotin Frangaj për një shtyp të pavarur, larg skemave të “ZP”dhe “RD” apo disa gazetave të tjera. Përpiqemi që “KJ” të ecë nga pak e përditë drejt pavarësisë së vërtetë.
- Gazetarët duhet të përpiqen të jenë kolegë mes tyre dhe jo armiq e “luftëtarë sharjesh”. E keqja e kolegut duhet konsideruar edhe si e keqja e jotja, dhe jo të gëzohemi me peripecitë e njëri tjetrit.
- Gazeta “Koha Jonë”ka qenë opozitare e PP, PS dhe është opozitare me PD. Do të jetë edhe me çdo parti që do të vijë në pushtet.
- Presionet e pushtetit politik aktual të PD, të përfaqësuar me 31 grupe kontrollesh hetuesish, prokurorësh, financierësh, togerësh të Ministrisë së Mbrojtjes, shikasve etj. nuk e kanë lëkundur stafin e gazetës. Përfundimisht: na lini të qetë në punën tonë, të cilën e konsiderojmë të ndershme dhe në dobi të kombit.
Nikoll Lesi