Luan Rama (Paris): Viktor Hygo, Legjenda e një shekulli

(Botuar me 25 shkurt 2002)

Nga Luan Rama (Paris)

200 vjet kanë kaluar nga lindja e poetit të madh dhe lavdia e tij në 2 qershor 1885, kur 1 milionë parizienë përcillnin trupin e tij nga Harku i Triumfit, përgjatë Champs Elysées në drejtim të Panteonit. Poeti dhe filozofi i madh francez hynte kështu në Tempullin e Lavdisë. Pothuaj gjithë jeta e Hygoit (Victor Hugo) është e lidhur me Parisin, duke përjashtuar lindjen e tij në Besançon, në jug të Francës si dhe gati 20 vjet mërgim në Belgjikë e Angli, kur monarkistët ia ndaluan hyrjen në Francë. Parisi ka gjurmë në çdo ngjarje intime të tij, ashtu si dhe të shumë shkrimtarëve të tjerë si Balzak, Molier, Volter, Zola, Stendal apo Bodler; ka gjurmë në çdo ngjarje letrare e politike, që nga fëmijëria e tij në “Couvent des Feullantines”, pranë “Collège de Charlemagne”, e gjer në banesën e fundit të tij; rrugë, sheshe, ndërtesa historike që lidhen me to; urat e Parisit, bukinistët buzë lumit të Senës, që siç shkruante ai, janë si “biblioteka të pluhurosura në mes të erës”; Rue Saint Antoine, ku jetonte Gavroshi i romanit “Të mjerët”, kopshtet e Luksemburgut, ku Zhan Valzhani shëtiste Kozetën e vogël. “Place de la Grève”, ku priteshin kokat dhe Hygo ngrinte zërin kundër dënimit me vdekje; ishulli Saint-Louis, ku përplasej Sena dhe ku dora e lagur e Zhan Valzhanit freskonte fytyrën e Mariusit të plagosur; Sena ku u mbyt i dëshpëruar inspektori Zhaver, Bashkia në revoltë; “La Conciergerie” ku u burgosën dy djemtë e tij; Varrezat e “Père Lachaise”….

Po, ky është Parisi i Hygoit, me rrugët ku ka shkelur, sheshet ku i ka folur popullit, dritaret e shtëpive ku ka dashuruar, kupola e Akademisë Franceze ku ka mbajtur fjalimet patetike të tij, hemicikli i senatit, rrugicat ku njohu personazhet e ardhshme të romaneve të tij. Kjo është historia humane e Parisit, në trupin e të cilit janë ngjizur emrat e njerëzve të mëdhenj, vetë zërat e tyre.

Por le ta nis udhëtimin tim nga ai vend që ne e njohim pothuajse të gjithë: “Notre Dame de Paris”, për të cilin poeti shkroi romanin e tij të njohur me të njëjtin titull “Katedralja e Parisit”, me personazhet emblematikë Esmaralda dhe Quazimodo. Në sajë të suksesit të këtij romani, ai mobilizoi opinionin publik që kjo katedrale historike e shekullit të 12-të, e cila në atë kohë ishte në rrënim e sipër, të riparohej.

Një rini pasionante

“Rue du Cherche-Midi”, “Rue de Notre-Dame des Champs”, “Rue Vaugirard”, më tutje “Jardins de Luxembourg”, rrugë që sot janë mjaft të gjalla e plot të rinj e studentë. Dikur, në rininë e tij, një portë e nxirrte poetin në kopshtet e Luksemburgut, të cilën Hygo do ta përshkruajë me aq dashuri e mjeshtri në romanin e tij të mëvonshëm “Të mjerët”. Është fundi i viteve 20-të të shekullit 19-të. Hygoit i pëlqente ajo rrugë, të cilën shpesh e bënte në këmbë, gjer në mullinjtë e erës që ishin në periferi të Parisit, në Plaisance, kohën kur ai ëndërronte të bëhej një shkrimtar i madh: “Ose Shatobrian, ose hiç! – do të shkruante në kujtimet e tij më vonë. Janë vitet kur ka shpërthyer Revolucioni grek dhe kur heronjtë e suliotët shqiptarë të Marko Boçarit e kapedanëve shqiptarë e grekë kishin pushtuar zemrat e artistëve dhe shkrimtarëve francezë. Pikërisht në këtë kohë Hygo ka shkruar “Orientales” me një elegji të mrekullueshme kushtuar Marko Boçarit. Shkruan poema, artikuj për revistat dhe gazetat pariziane, boton romanin e tij “Dita e fundit e një të dënuari”, pjesën teatrale “Cromwell”, boton artikuj për lirinë e artit dhe kundër dogmatizmit të sistemit…

Shtëpia e tij, e zhvendosur tashmë në “Rue Notre-Dame – des Champs”, është kthyer në një pikëtakim artistësh ku bisedohet për artin dhe politikën: Saint-Beuve, Nerval, Alfred de Vigny, piktori Descamps, skulptori David d’Angers…. Në 1829 botohet kryevepra e tij “Notre Dame de Paris”, e cila e bëri atë po kaq të famshëm sa Balzaku e Lamartini. Që të shkruante atë roman, ai u detyrua të mbyllej në shtëpinë e tij në “Notre Dame des Champs”, pasi botuesi e kishte parapaguar dhe tashmë e kërcënonte duke i kërkuar paratë.

Net të tëra pa gjumë e në ethe, në një kohë që gruaja e tij Adele priste lindjen e fëmijës së tyre të pestë. Në këto kushte do të lindte kryevepra e tij, për të cilën Lamartini do të shkruante “Ja Shekspiri i romanit tonë!”. Megjithatë në këtë periudhë ai do të kalojë gjithashtu dhe një krizë të madhe xhelozie ndaj gruas së tij, e cila dashuronte në mënyrë romantike shokun e tij të ngushtë dhe mikun e afërt të familjes, shkrimtarin Sainte – Beuve. Rinia e Hygoit përbën padyshim një krijimtari tepër vitale të poetit. Në moshën 23-vjeçare ai nderohet me medaljen “Kalorës i Legjionit të Nderit”. Më 1830 suksesi i pjesës së tij teatrale “Hernani” është i jashtëzakonshëm. I entuziazmuar, ai i kërkon Asamblesë parlamentare të sjellin nga ishulli i Sain tHelene, eshtrat e Napoleonit, por kërkesa e tij do të refuzohet. Më pas, i trishtë e i zemëruar, ai do të shkruajë: “Fli Napoleon! Ne do të vijmë të të marrim!” Më pas ai do të zgjidhet në “Chambre des Pairs” të Francës, një nga titujt më të lartë të aristokracisë franceze.

Në kohën e revolucioneve

Hyjmë në kopshtin e bukur të “Place des Vosges”, që dikur quhej “Place Royale”. Pikërisht në numrin 6, në katin e dytë të një ndërtese fiorentinase, dikur një hotel mjaft i njohur, ku kishte banuar Louis XIII, në vitin 1832 do të vendosej Hygo bashkë me familjen e tij. Shpejt, shtëpia e tij me sallonin e madh luksoz e plot libra e piktura, do të bëhej vendtakim i shkrimtarëve dhe artistëve më të njohur të asaj kohe: Aleksandër Dyma, Balzak, Merimée, Delakrua, Berlioz, Rosini e List…

Viti 1848, do të jetë padyshim kohë stuhish e ngjarjesh dramatike. Në shkurt të këtij viti, populli i Parisit ka shpërthyer nëpër rrugë. Njerëzit thërrasin kundër qeverisë. Të zemëruar e plot britma shkojnë drejt sheshit “Concorde”, ku Hygo, bashkohet me turmën dhe shkon drejt qendrës së Parisit. Në sytë e tij, bien të vrarët e parë. Ushtarët qëllojnë. Poeti klith nga revolta dhe zemërimi. Ai takohet me plot deputetë të tjerë dhe bashkë me ta nis të organizojë rezistencën. Pikërisht në këtë kohë fillon dhe evolucioni i tij nga një njeri me pikëpamje konservatore e monarkiste, në një njeri, që përqafon kërkesat e popullit dhe intelektualët e majtë. Ato ditë, Hygo është i pranishëm kudo, në parlament apo në sheshe e rrugë, bashkë me kryengritësit. Natën vonë kthehej në shtëpi, në “Place Royale”, ku siç do të shkruajë ai: “Nën arkadat e kopshtit, “bajonetat e ushtarëve shkëlqenin në errësirë”. Të nesërmen populli pushton bashkitë. Deputetë dhe revolucionarë kërkojnë, që Hygo ti udhëheqë. Populli e thërret. Parlamenti shpërndahet. Nga ballkoni i bashkisë është Hygo, që lajmëron popullin se mbreti abdikoi. Ngado këndohet “marsejeza”. Qeveria provizore e ka zgjedhur kryetar bashkie dhe Lamartini, si ministër i jashtëm i qeverisë provizore e njofton: “Në qeverinë e ardhshme, ti duhet të jesh ministri i Arsimit të Republikës sonë!”. Disa ditë më vonë, Hygonë e lajmërojnë se shtëpia e tij është djegur, por familja ka shpëtuar dhe është strehuar në një nga bashkitë e kryeqytetit.

Vdekja e Balzakut

Pas revolucioneve të 1848-ës, të tjera ngjarje të stuhishme do të shoqëronin jetën e Hygoit, i cili tashmë ishte bërë një nga njerëzit më popullorë të Francës. Ai është zgjedhur president i shoqatës së shkrimtarëve “Société des Gens des Lettres” në vend të Balzakut. Më 1849 drejton Kongresin e Shkrimtarëve të Botës në Paris dhe zgjidhet në Asamblenë Legjislative. Gjithnjë e më shumë flet për “Shtetet e Bashkuara të Evropës”. Ideja e prishjes së kufijve dhe krijimit të një Evrope të Bashkuar, monarkistët i tremb.

Në gushtin e vitit 1850, pasi largohet nga apartamenti në “Rue d’Isly”, ai banon tashmë në “Rue de la Tour d’Auvergne”. Një ditë, e shoqja e tij hyn me një frymë në shtëpi duke i thënë:” Balzaku po vdes! Me një karrocë, Hygo nxiton në “Avenue Fortunée” nr.14. “Shtrati i tij ishte në mes të dhomës, – do të shkruajë ai, – fytyra e tij ishte ngjyrë violetë, pothuajse e zezë dhe me mjekër. E pashë në profil. I ngjante Perandorit!”. Balzaku vdes atë natë. Dikush, që hyri, i pëshpëriti Hygoit: “Ishte njeri me vlera!” -Ishte një gjeni! – do t’i përgjigjet Hygo.

Përsëri me revolucionin

Më 1851 Viktor Hygo vihet përsëri në krye të popullit. Kryeqyteti ushton nga revoltat. Në mbrëmje ai merr penën të shkruajë: “Popull! Dëgjo poetin!/ Dëgjo ëndërrimtarin e shenjtë/ Vetëm ai e ka ballin e ndritur!” Ngado konfuzion i plotë. Poeti është përsëri në krye të turmave. Që nga ngjarjet e vitit 1848, duket qartë që tashmë ai ka marrë anën e popullit dhe është kthyer favoriti më i madh i tij. Zhyljeta, e dashura e tij, e ndjek ngado në një kohë kur atë e kërkon policia. Urdhri është ta arrestojnë dhe ta vrasin në vend. Ajo e fsheh tek disa miq të tij duke përjetuar të njëjtën atmosferë, që do të lexojmë më pas në romanin e tij të famshëm “Të mjerët”. Në dhjetor të vitit 1851, në mëngjes trokiti porta. Përfaqësues të popullit kërkojnë të flasin me të. Ka ndodhur Grushti i Shtetit, 18 deputetë të popullit janë në burg. Trupat e ushtarëve kanë mbushur rrugët. Hygo lëviz nëpër qytet. Dikush nga përfaqësuesit e popullit i thotë: “Nëse do ngrihemi në luftë, kjo do të jetë e tmerrshme. Topat e ushtrisë do të qëllojnë mbi ne!” “Do të luftojmë! – përgjigjet Hygo, – duhet vepruar shpejt. Të bëjmë një proklamatë!” Shpejt Hygo nis hartimin e saj, duke iu drejtuar popullit: “Popull! Napoleoni i Tretë është tradhtar!… Turma brohoret: “Rroftë Republika! Të marrim armët!” Atë ditë Hygo shkon sa nga një barrikadë në tjetrën. Ngado këndohet “marsejeza”. Dy djemtë e tij, të burgosur dy javë më parë për botimet në revistën, që ata drejtojnë, “L’evenement”, mbahen ende në burg, në “Conciergerie”. Kur shkon në sheshin e Bastijës, policia qëllon ndaj manifestuesve. “Kujdes, do të të vrasin!”. I thërrasin ngado Hygoit që ecën pa u mbrojtur. “Kufomat e njerëzve janë ngado”, do të shkruajë ai. Diku i bëjnë zë. Ngjitet me disa luftëtarë lart në një shtëpi të bombarduar. “Nën dritën e kandilit shoh një plakë. Në duar ka një fëmijë të vdekur. Ishte vrarë. Dy plumba e kishin goditur në kokë. Dikush zgjati një shami për të fshirë faqen e gjakosur të Hygoit. Më pas, ai do të shkruajë: “Mbërrij në barrikadën “Pangevin”. Janë 50 burra të armatosur.

A jeni mirë? – u them, – Çdo gjë është në rregull! Kurajë!, – dhe filloj t’u shtrëngoj duart. Një vajzë e bukur, që donte të shkonte në shtëpinë e saj gjeti strehë në barrikadë.” Ndërkohë që ushtria qëllonte popullin dhe revolta po thyhej, Hygo detyrohet të marrë rrugën e ekzilit nën thirrjet e konservatorëve: “Vdekje, Viktor Hygosë! Vdekje, Zhan Valzhanit!” Policët e kërkojnë ngado. Këtë herë ai ka një pasaportë falco me emrin e një tipografi të quajtur Levin. Si gjithnjë, e dashura e tij, “engjëlli mbrojtës”, Zhyljeta, e ndjek nga pas.

Dashnori i pasionuar

Të rrallë janë artistët që kanë patur një jetë intime dhe aventuroze aq te pasur sa Viktor Hygo. Dashuritë e tij të mëdha poetike mbajnë emrat Zhyljetë, Leoni, Kler, Blansh, Sara, Zhydit, e shumë të tjera, pa përmendur këtu aventurat e shkurtra të poetit, poema dashurie, përbetime, letra, ngashërime, etj. Deri në moshën 80-vjeçare poeti i madh pëlqente vajzat e reja, çka dëshmohet edhe me lidhjen pasiononte me aktoren Sarah Bernard, kur në hollin e teatrit, edhe 80 vjeçar, ai e kishte puthur në buzë. Ndërkohë që gjatë jetës së tij, e shoqja Adele, merrej me rritjen e fëmijëve, këto histori e lidhje romantike mbushnin universin e poetit, e frymëzonin atë për poemat e famshme dhe për personazhet e romaneve të tij më të mëdha. Pas vdekjes së poetit, biografët e tij gjetën në ditarët e të madhit Hygo mjaft letra dashurie, emra dashnoresh, takime të fshehta, etj, të cilat poeti i kishte shkruar në spanjisht dhe me shkurtime. Edhe dashuria me gruan e tij, në fillim, kishte qenë pasionante: “Ne do të martohemi nesër, – i kishte thënë Hygo, pasnesër do të vritem! (Nëna e tij nuk e donte këtë martesë me familjen e saj)

Zhyljeta, dashuria e vetme e Hygoit

Kur disa vite më parë Hygo kishte shkruar dramën e famshme “Hernani” dhe kur në shfaqjen e suksesshme të dramës tjetër “Lucrecia Borgia”, ai ishte njohur me aktoren që luante këtë personazh, Juliette Drouet (Zhuljet Drue), vajzën e një skulptori, që natën e parë Hygo do ti deklaronte dashurinë e tij. Që nga ajo kohë dashuria e tyre do të bëhet proverbiale dhe ata kurrë nuk do të ndahen, edhe pse Hygo do të ngatërrohej në histori të tjera dashurie, siç ishte dhe rasti me Claire, Leoni, etj. Pas vdekjes së Claire, ishte Leoni Biard që do të zinte vendin e saj. Por ajo nuk mund të pranonte për një kohë të gjatë të ishte numri 2 i Hygoit. Pas 7 vjetësh dashurie, një ditë ajo i dërgon Zhyljetës gjithë letrat e dashurisë, që Viktori i kishte dërguar. Ngjarja atë kohë bëri bujë. Ngado përflitej emri i Hygosë. Leonie mbyllet në një manastir, ndërsa Hygo do të vazhdonte dashurinë e tij adultere me Zhylietën, edhe pse gruaja e tij, Adela, tashmë dinte gjithçka. Padyshim që Zhylieta e bukur  dhe me fytyrë ovale zuri vendin e preferuar të Hygoit, i cili, pas vdekjes së gruas së tij, Adelës, e mbajti atë në dhomën e tij. Por edhe më parë, jeta e përbashkët e Adelës dhe Zhyljetës ishte bërë diçka normale. Ishte Zhyljeta, që kopjonte në të pastër shkrimet dhe faqet e romaneve të poetit. Madje dhe kur më 15 dhjetor 1840 do të vinin eshtrat e Napoleonit nga ishulli i Saint Helenës, ai do të dilte në tribunën e kortezhit bashkë me Zhylietën. “Ja ku duket kortezhi, – do të shkruajë Hygo atë ditë, – Dielli i fshehur gjer në atë moment u shfaq. Ishte diçka përrallore.

Ora 13.30. 13 kuaj tërheqin karrocën ku është vendosur arkivoli i Napoleonit… por vetë arkivoli është mbuluar nga kurorat, që e kanë mbuluar plotësisht atë. Nuk mund të shihet ajo që Franca kërkon të shohë: arkivolin e Napoleonit. Kur arkivoli kalon para nesh, mbizotëron heshtja. Heq kapelen, por askush nuk më ndjek. Atëherë thërras: Hiqni kapelet! Tutje u dëgjuan të shtënat që përcillnin Napoleonin…” Një vit më vonë, Hygo zgjidhet akademik i Akademisë së Francës. Poeti i madh hyri në “La Coupole” me një ligjëratë të zjarrtë kushtuar Napoleonit.

Dhimbja dhe lumturia e poetit

Viktor Hygo është nga artistët, jeta e të cilit kaloi plot tallaze, drama e tragjedi: vdekja së pari e vajzës së tij, Leopoldinë, e sapomartuar dhe mbytur në një anije, në det bashkë me burrin e saj, vdekja e të dashurës Kler, të cilën e vuajti shumë, vdekja e të birit François Victor nga turbekulozi dhe vrasja e birit tjetër Charles, gjatë përleshjeve të “Komunës së Parisit”, vdekja më pas e gruas së tij, Adelë, mbyllja në çmendinë e një prej vajzave të tij, vdekja e Zhyljetës pas 50 vjetësh dashuri, dhe mbi të gjitha mërgimi i gjatë 19-vjeçar larg Francës.

E megjithatë kjo dhimbje e trishtim i madh, poetin nuk e mposhti. Një forcë titanike e mbante gjallë shpirtin e tij. Gjithë kjo dhimbje është në vargjet dhe prozën e poetit, shkrimtarit që diti ti këndojë me aq ndjenjë dashurisë, jetës, vdekjes, pasionit, përkushtimit dhe heroikës… Kur botohej romani “Të mjerët” (botuesi donte ti hiqte pjesët ku ai fliste për barrikadat, nga frika e censurës) Hygo ishte në ekzil, në brigjet e Anglisë, përballë oqeanit. Edhe romanin “Njeriu që qesh”, si dhe vepra të tjera poetike, ai do ti shkruajë në mërgim. Do të kthehet nga mërgimi atëherë kur Parisi kërcënohej të pushtohej nga prusianët. Viti 1869. Vit tronditës për gjithë Francën. Hygo paraqitet në ambasadën franceze në Angli dhe kërkon një vizë për tu kthyer: “Dua të kthehem në Francë që të bëj detyrën si qytetar!” Më 3 shtator perandori kapitullon. Shpallet Republika. Hipur në tren, Hygo dhe Zhyljetë zbarkojnë në stacionin e trenit në Paris ku turmat popullore e presin atë me duartrokitje. Njerëzit recitonin vargjet e librit të tij “Châtiments”. Por prusianët ndërkohë kërcënojnë pareshtur Parisin. Të majtët republikanë e zgjedhin atë kryetar të tyre. Parisi rrethohet. Pikërisht në këtë kohë e njoftojnë për vrasjen e birit të tij, Charles. Nga sheshi i Bastijës, karvani funebër me trupin e të birit përcillet drejt varrezave të “Père Lachaise”. Hygo preket nga nderimi që i bëjnë komunarët e armatosur. Pas kësaj ngjarjeje, Hygo do të detyrohet përsëri të kthehet në Bruksel. Ndërkohë Komuna e Parisit bie. Komunarët vriten me mijëra. Hygo ngrihet në mbrojtje të tyre, dhe këtë do ta bëjë dhe vite më pas, kur Tier nuk do të sundojë më. Kështu ecnin vitet e Hygoit, i cili me shpalljen e Republikës do të rikthehet përsëri në Paris. Tashmë e ndjen veten disi të lodhur e të plakur, me shumë plagë. E megjithatë dhjetëvjeçari i fundit i poetit është i lumtur, i qetë, poetik.

Në moshën 70-vjeçare, Hygo punon për romanin “Viti 93”. I zgjedhur tashmë senator, ai nuk mungon të flasë çdo herë në hemicikël në emër të Francës dhe për Francën, për progresin, për të drejtën universale të Njeriut, për shkollën falas, kundër skllavërisë apo internimeve të opozantëve. Ishte Hygo, ai që përgatiti peticionin e famshëm për mbrojtjen e John Brown, i cili duhej të dënohej me varje në shtetin amerikan të Virgjinisë. Ai nuk mungon të kujtojë gjithashtu idenë e shenjtë të tij, atë të një Evrope të Bashkuar, të një Evrope të paqes dhe të vëllazërimit. Por të pakët janë ata që e besojnë fjalën e profetit Hygo. Më 1874, Hygo dhe Zhyljeta banojnë në “Rue Clichy”, ku mbrëmjeve vijnë personalitetet e asaj epoke si Klemanso, Gambeta, Lui Blan…. Poshtë tij, një kat më poshtë jetonte vajza e tij Alice me fëmijët e saj. Flokëbardhë, atij i pëlqejnë gjithnjë mbrëmjet me njerëz, debatet politike, bisedat për artin, si dhe femrat.

Më 1881, familja Hygo, që prej disa kohësh ishte vendosur tashmë në Avenue Eyleau, do të përjetonte një festë të rrallë: 80-vjetorin e Hygoit, e cila atë vit u festua si një festë kombëtare. Parizianët u dyndën në atë aveny për të parë plakun flokëbardhë, autorin e tyre të dashur, i cili i përshëndeste nga ballkoni i shtëpisë. Edhe Blansh (Blanche) atë ditë kërkonte mes turmës të shihte të dashurin e tij fisnik, plak por me zemër të re. Që atë ditë, avenyja ku banonte Hygo do të quhej “Avenue Victor Hugo”. Letra që vinin nga të gjitha anët mbanin shënimin: “Merr Victor Hugo. Avenue Victor Hugo”.

Më 1883, pas 50 vjet dashurie pasionante e të përkushtuar, Zhyljet vdes. Ai e varros atë pranë varrit të së dashurës së dikurshme, Kler. Atë vit, ai do të shkruante në testament për vdekjen e tij: “E vërteta, drita, drejtësia, ndërgjegjja, është vetë Zoti… Deus… Dies… Më çoni në varreza me karrocën e të varfërve…. Do të mbyll syrin tokësor, ndërsa ai i shpirtit tim do të qëndrojë i hapur gjithmonë, më shumë se kurrë. Victor Hugo.” Vizita e tij e fundit mban datën 30 nëntor 1884. Ai del të shkojë në atelierin e skulptorit Berthold, që kishte mbaruar Statujën e Lirisë (sot në New York). Atë ditë zemra e tij do të pushojë, (22 maj 1885) atje në “Avenue Victor Hugo”, ai do të pëshpëritë fjalët e tij të fundit: “Po shoh një dritë të errët… Lumière noire…”. Mbi tavolinë, ata që do të vijnë, do të gjejnë të shkruara fjalët e tij: “Aimer, c’est agir”! (“Të duash do të thotë të veprosh”). Disa ditë më pas, kur trupi i tij përshkonte rrugët e Parisit për në Panteon, njerëzit do ta përshëndesin duke mbajtur nëpër duar pankarta ku ishin titujt e romaneve të tij dhe të poemave të tij: “Les Miserables”… Notre Dame de Paris”, “L’homme qui rit”…

Epilog

Shkurt 2002. Trupi i Hygoit ka tashmë më shumë se një shekull, që prehet në Tempullin e Lavdisë së Francës. A nuk kishte shkruar ai:”Vdekja më e bukur për të do të ishte si ajo e Leonidhës grek për Atdheun, e Sokratit për arsyen, e Krishtit për Vëllazërimin… Heureux entre tous ceux, dont la mort est belle” (“i lumtur mes atyre vdekja e të cilëve ishte e bukur”)… . Profecia e tij se syri i shpirtit të tij do të qëndronte gjithmonë i hapur, më i hapur se kurrë, jetoi dhe përshkoi më shumë se një shekull, duke na lënë njëkohësisht një jetë kushtuar atdheut, artit, njerëzve, progresit. Në sheshet, rrugët, në ndërtesat e vjetra pariziane, është ngjizur dhe historia e një prej njerëzve, që cilësohej si “legjenda e shekullit” (të 19-të), e njeriut, që në jetën e vet ishte dhe monarkist, edhe republikan, poet e pamfletist, borgjez e demonstrues, puritan dhe libretin, antiklerikal e besimtar… . Vështirë ta rrokësh gjithë jetën e këtij gjeniu, simbol i një epoke, simbol virtyti e Humanizmi.

SHKARKO APP