Manjola Zeka: Malësi e Madhe, pika kufitare e veriut ku kontrabanda s’njeh kufi

(Botuar në 10 dhjetor 1998 në KOHA JONE)

Nga Manjola Zeka-

Jo vetëm policët, por as të ftohtët e madh dhe praktikisht asgjë në botë nuk mund t’i pengojë banorët e Malësisë së Madhe të bëjnë kontrabandë. Duke qenë se është e vetmja mënyrë e sigurimit të ardhurave në këtë zonë të mbyllur kufitare, edhe dukuria ka krijuar të veçantat e saj. Kontrabanda bëhet në tre drejtime, nëpër liqen, në mal dhe në doganë.

  1. Pelingu 22-vjeçari nga Shkodra bën pothuajse çdo ditë rrugën e Jugosllavisë. Veç të tjerash, rruga i ka krijuar edhe pamjen e ikanakut. Një fytyrë e vrazhdë e lodhur. Rrobat vazhdojnë të njëjtën linjë, janë të grisura. Të gjitha këto të bëjnë që ta ngatërrosh atë me një lypës. Por në të vërtetë është krejt ndryshe. Ky djalosh i ri fiton bukën e gojës e komoditetet e nevojshme të jetës, në anën tjetër të kufirit. Në të ftohtë, erë e shi shtigjet e tij për të kaluar në anën tjetër janë të hapura, por…

“Nuk është e lehtë të kalohet në Jugosllavi sidomos nga liqeni nga kaloj unë”,- kontrabandisti i bukës së gojës zë e rrëfen aventurën e kufirit. Kontrabanda që bëj unë për të fituar bukën e gojës, ka raste që më kushton më shumë se ajo që fitoj. Duhet të paguaj njëqind marka për sulën (varka që kalon kufirin) Përveç kësaj, kur kalohet malli në Jugosllavi duhet të paguash përsëri 200 marka për ortakun serb. Kalimi nga Shegani (fshat afër liqenit) në Tuz vështirësohet më shumë në rastet kur forcat serbe përqendrohen në rrethinat e liqenit. Ka patur raste që malli im ka përfunduar në duart e tyre”, tregon Pelingu. Para një jáve atij i janë kapur 500 mijë lekë nga policia serbe. Por përveç kësaj mori si peshqesh edhe një dru të mirë. Mirëpo, si tregtar i vogël për të, kjo nuk është pak. Kjo është rruga e vetme me të cilën ai dhe familja e tij jetojnë. Edhe sikur të rrihet përditë, ai është i vendosur se përsëri ka për t’u nisur të nesërmen në drejtim të bukës.

Ndryshon puna me N. S, tregtar po nga Shkodra. Ai kalon përditë rreth 5 mijë marka mall. Që nga Shkodra, ai merr furgonin në dispozicion deri në bregun e liqenit, paguan sulën dhe kur kalon në bregun tjetër bën pagesën e fundit. Kjo pagesë i bëhet një zetoristi. Sipas N. S. të kalosh një shumë të tillë malli, nuk është problem për vogëlsirat e rrugës. Ditët e tmerrit janë atëherë kur bashkë me mallin edhe N. S. përfundon në burgjet e Jugosllavisë. “Trajtimi që të bëjnë atje të detyron që të mos e mendosh atë rrugë kurrë, por ne jemi mësuar me këtë lloj jetese dhe nuk bëjmë dot ndryshe”.

Megjithëse shuma që duhet të paguash për të dalë nga izolimi mund të kushtojë deri edhe një muaj nga puna e përditshme, lëvizjet në drejtimin përkundrejt nuk janë ngadalësuar. Por nuk është vetëm policia serbe ajo që vendos barrikada në punën e tyre. Shpeshherë edhe policia shqiptare është bërë pronare e malit të tyre, por pa përdorur reston serbe (rrahjen). Policia shqiptare mëshiron tregtarët e vegjël, por është bërë tmerr për tregtarët e mëdhenj të cigareve dhe mauneve. Por përsëri kontrabandistët e thekur i gjejnë pikat e dobëta të policisë dhe kalojnë.

Kontrabanda alpine

Kalimi i mallit nga liqeni është më “i rehatshmi”. Ka të tjerë që rrezikojnë kokën duke kaluar malin në këmbë. Por ky rrezik i madh nuk justifikon fitimin e pakët, sepse nga mali mund të kalosh vetëm trasta dhe çanta. L. GJ, 40-vjeçar nga një fshat i M. Madhe thotë se kaluesit e maleve janë “fjala e fundit” se si fitohet buka e gojës. Zgjohen në katër të mëngjesit me mendimin se në këtë kohë mund t’i gjejnë në gjumë ushtarët serbë. Por lëvizjet e “çetës” kontrabandiste dallohen shpejt nga ruajtësit e kufirit serb. Kur vihet re se kanë rënë në gjurmët e tyre, atëherë çeta shpërndahet në drejtime të ndryshme. Megjithë mundimet e mëdha shpeshherë malli hidhet poshtë dhe në supe u mbetet vetëm trasta e bukës. Por edhe strajca, siç i thonë, ata u sjell fatkeqësi. Megjithëse nuk paraqet asnjë rrezikshmëri, për ushtarët serbë është njësoj sikur të kesh mall jo të ligjshëm. Rrahja shkon gjithmonë në varësi të humorit të ushtarëve. Kështu para një jave K. M. është rrahur mizorisht vetëm se këmbët e tij ishin në pjesën e malit që u takon serbëve. Nuk janë vetëm shtyllat e shtëpive (burrat) ata që detyrohen të bëjnë këtë rrugë. Janë edhe fëmijët e tyre që kanë braktisur shkollat për t’u bërë një mbështetje për familjen. 14-vjeçari R. Kuka tregon me krenari se puna e tij i sjell të ardhura shtëpisë. Shkolla për të nuk ka më rëndësi. Di të shkruajë dhe të lexojë e kënaqësia e tij e vetme është të fitojë para. Ëndërron të jetë pronari i një makine. Për këtë, ai rri nga mëngjesi në darkë në tregun e Tuzit. Por ëndrra e tij duket se ka pak gjasa të realizohet. Kjo, sepse është vështirësuar shumë qëndresa në Tuz.

Kalimi në doganë

Përveç liqenit dhe malit, një pikë tjetër për kalim është dogana e Hanit të Hotit. Kjo pikë është mbyllur në vitin 1997 pas identifikimit të UÇK-së me pretekstin për moskalimin e armëve nga Shqipëria drejt Serbisë. Por edhe pse kjo doganë është e mbyllur, vihet re një varg i gjatë makinash. Këto makina janë të anëtarëve të një shoqate, të cilët kanë të drejtë të kalojnë pikën kufitare. Ajo është krijuar një muaj më parë dhe quhet “Moraçej”. Pjesëtarët e saj janë me prejardhje serbe. Taksa që paguajnë këta 1500 vetë është 10 mijë lekë të vjetra. Këto makina bëjnë të anasjellën e liqenit. Ata marrin mall në Jugosllavi dhe e shesin në Shkodër ose M. Madhe. Për të kaluar në doganë, ata duhet të lyejnë rrotën për të mos mbetur pa gjë, sepse në qoftë se paguajnë taksën nuk u mbetet gjë për vete. B. SH., një grua 35 vjeçe shpjegon se: “nuk është kontrabandë kjo e jona, por e atyre që fitojnë mijëra marka nga cigaret dhe maunet. Sikur mos të jetë serbi komshiu ynë, ne vdesim për bukë”.

Lidhjet e kontrabandistëve të makinave, cigareve apo mauneve shkojnë deri në zemër të policisë shqiptare në M. Madhe. Fijet e tyre sigurojnë një kalim të qetë të mallit nga dogana në drejtim të blerësve shqiptarë. Por në doganë luhen edhe skenarë. Vijnë policët dhe pasi bllokojnë makinat shoqërojnë edhe pronarët e tyre për në komisariat. Por “arrestimi” i makinës dhe të zotëve të saj nuk zgjat shumë. Të nesërmen, ajo shihet në tregjet e Tiranës apo të Durrësit. Fitimet që nxjerr shitja e një makine ndahen “vëllazërisht” midis shefave të policisë dhe njerëzve të makinave. Tamam një marrëveshje mes xhentelmenësh. Kalimi i makinave nga liqeni sjell shpeshherë sherr midis policëve. Ky është vendi më i lakmuar prej tyre sepse këtu ndryshe nga dogana mund t’u zërë dhëmbi diçka.

Kontrabanda vazhdon. Por sipas shefit të Komisariatit të Malësisë së Madhe, Fiqiri Dani, jo gjithçka është e vërtetë nga kjo që thuhet. Dani tregon se gjendja e këtij komisariati deri diku është normale. Janë bllokuar disa makina si dhe maune me cigare ose me mallra të tjera. Janë shpeshtuar shërbimet me policë për problemet e kontrabandës në pikat kyçe ku ndodh ky fenomen. Për bllokimin e makinave që vijnë nga Jugosllavia janë shtuar forcat e qarkullimit rrugor që bëjnë ndalimin dhe më pas sekuestrimin e tyre. Një pengesë për punën e policisë bëhet vetë populli i M. Madhe. Ata nuk janë të interesuar që të ketë një ulje të dukurisë kontrabandë. E për këtë synim, ata pengojnë policinë që sipas Danit është e vendosur për luftë ndaj kontrabandës. Megjithë përqendrimet e forcave policore, me gjithë interesin e tyre për të minimizuar sadopak fenomenin shkatërrues, kalimet vajtje-ardhje midis dy kufijve vazhdojnë. Ka nga ata që kanë vënë “dhjamë” nga kjo punë. Ata janë pjesa më e privilegjuar e fenomenit dhe nuk ka asnjë mundësi për t’i thyer. Kjo sepse janë të ndihmuar edhe nga struktura shtetërore të cilat marrin edhe ato një pjesë nga pjesa e luanit. Por Shkodra dhe M. Madhe janë dy rrethe që nuk kanë asnjë mundësi tjetër fiktive për të jetuar. Për mijëra njerëz dhe qindra familje është e vetmja rrugë për mbijetesë. Megjithëse vazhdimisht rrezikohet jeta, lufta e paligjshme për “bukën” vazhdon. /MANJOLA ZEKA/

SHKARKO APP