Marash Hajati: Duel politik mbi arkivolin e Azem Hajdarit

(Botuar me 17 shtator 1998 në KOHA JONE)

Nga Marash Hajati-

Dy karikatorë kallashnikovi zbrazur mbi kraharorin e Azem Hajdarit mbyllën legjendën se plumbat nuk i marrin jetën atij. Tre atentate e ndoqën pas brenda një viti që edhe në kohë lufte, do të ishte rekord i veçantë. Një vit më parë, pas një grindjeje në parlament me deputetin Mazreku nga Kukësi, Ligji dhe Kanuni e njohën të pazgjidhur konfliktin mes tyre. Atentati i dytë është prita e Milotit. Ne makinë, me të birin, A. Hajdari bie në pritën e plumbave të policisë që donin të kontrollonin një kolonë makinash që ai kryesonte në kthim nga Shkodra, mbas një ndeshje futbolli. Atentati i tretë e zë në Tropojë, në vendlindje. Breshëritë e automatikut ngrenë plisat para këmbëve një grupi deputetësh e simpatizantësh të Partisë Demokratike. Atentati i fundit, fatal e makabër, më 12 shtator 1998 e shtriu përfundimisht mbi trotuar për të mos u ngritur kurrë më mbi këmbët e veta. Historia do të ndjejë rëndë varfërinë e kohës, nëse nuk gjendet dora gjakatare që u ngrit mbi deputetin. Azem Hajdari, djalë “allçak” dhe i preferuar i shokëve, kishte shkëputur diçka nga hija e bjeshkëve të Tropojës, me atë shikimin pak të vrazhdë që reflektonte në fytyrë guxim e trimëri.

Në dhjetorin e vitit 1990, student i fakultetit të drejtësisë, kur diktaturës së gjatë po i binin gurët e themelet, ai vihet në krye të lëvizjes studentore. Reciton vjersha e mban fjalime, kundërshton shtetin e partinë. Në një mbledhje urgjente të K. Q. në ato ditë të dhjetorit historik për studentët e Shqipërisë, një anëtar i Byrosë Politike, pyet: “More, ç’është një farë Azemi që e mbajnë për kurajoz, flet kundër pushtetit. I është parë biografia, se mund të futet edhe brenda!”

Ndodhi e kundërta. Së bashku me shokët e tij e bashkimin me lëvizjen studentore të qindra e mijëra vetëve, ai rrëzoi nga piedestali babanë e një shteti të hekurt. Ndërpreu historinë që lavdëronte vetëm E. Hoxha. Me një grup intelektualësh, në fund të vitit 1990, themeloi Partinë Demokratike të Shqipërisë, duke qenë kryetari i saj për disa muaj e pastaj nënkryetar. Në katër legjislatura është deputet. Nuk u trembet kontradiktave në mbrojtje të pikëpamjeve e bindjeve të tij. Me një guxim ngrihet edhe kundër partisë, kur mendon se shkelen idealet. Hyn në grevë urie me të përndjekurit politikë, bashkohet papritur me sindikatat e pavarura duke dalë kundër presidentit Sali Berisha. Kritikon në mënyrë të vazhdueshme e me nota të ashpra kryeministrin A. Meksi. Disa herë i hiqet imuniteti, por del fitimtar. Pas zgjedhjeve të qershorit 1998, përleshet me mazhoracën parlamentare e betohet se nuk do ta pushojë luftën deri në fund për t’i hequr mjekrën, në mënyrë figurative, Fatos Nanos.

Në pak vite, ai zhvillon aq veprimtari të ngjeshur politike, sa mund t’ia kishte zili edhe një politikan i një karriere të gjatë. Në të gjitha rastet nderoi e respektoi intelektualët e Tropojës, luftoi për konceptin bashkëkohor demokratik në skemën e bindjeve vetjake. Mbeti mik i respektuar i shokëve dhe një nga krahët më të besuar të Sali Berishës. Pati mendim të papajtueshëm me politikën komuniste që e shikonte të pasqyruar në fytyrën e Byrosë Politike dhe pa paragjykime, ndihmoi njerëzit pa u mbështetur në bindjet partiake.

Jeta plot ngjarje, por e shkurtër në vite, u mbyll në arkivolin e hyjnishëm të perëndisë, që ai besonte e më 13 shtator, me dy arkivole të tjera, që vdekja i vuri aq pranë, zuri vend në tribunën e sheshit “Skenderbej”.

Është morti i parë i një personaliteti që vihet në sheshin e hapur të natyrës. Ndoshta jemi mësuar me atë hijen e rëndë të sallave të mëdha e të larta të vendosjes së arkivoleve për të ndjerë madhështinë e lamtumirës. Megjithatë, kolonat e pallatit, flamujt që zbrisnin deri në tribunë, mali me lule dhe kurorë të impononin respekt e krenari.

Azemin e qau partia që ai krijoi, e qau familja e farë e físi, e qau edhe Tirana, e gjithë Shqipëria, sipas përkatësive politike e ndjenjave individuale. Duhet ta kuptojmë tanimë se cilido ka kokën mbi shpatulla e mend në kokë për të qeshur e qarë sipas dëshirës. Azemin e qanë me lot dëshpërimi të thellë edhe shokët e dhjetorit, sepse e kanë patur pranë, e kanë ndjerë pulsin e tij shpërthyes e guximtar në ditët e vështira.

Ata sot llogoret e fitimet mund t’i kenë me emra partish Demokratike, Socialiste, Aleancë, Bashkim për Demokraci, të djathtë e të majtë. Lotët për Azemin janë një, partitë janë shumë. Ata mijëra vetë në sheshin e mbledhur i japin lamtumirën e fundit Azemit me dy të tjerë, zbritur nga ajo tribunë për të mos u ngjitur më rrëmbimthi me dorën lart për të ligjëruar në mitingje. Ai tani hesht në arkivolin e ngushtë për një botë që ai e donte aq të gjerë.

Por madhështia e këtij korteu sapo u nis, fillon e zbehet pas dueleve politike të partive, që zoti na i vuri mbi krye. Ata që mbajtën fjalimet, e nuk ishin pak, duhet t’i shikonim përmes dhjetëra kamerave gjithnjë në krye, vetëm në krye.

Që nga sheshi arkivolet merren në krah. Turma s’ka të reshtur, por liderët e ndryshëm treten e largohen pa u ndjerë nga rreshtat. Arsye e pretekste ka shumë. Por ata s’janë në krye. Llogaritë janë të mbrapshta. Turma e përmortshme, edhe pse me të vdekurit në ballë, pa çoban në krye mund të bëjë çudira. Dhe bëri çudira. Në hapin e shtrirë, ngadalë e me dhimbje, në korteun e përmortshëm, dikush si hije urdhëroi vargun e pafund të ndalej.

Arkivolet u kthyen drejt dyerve të mëdha të Kryeministrisë. Të vdekurit mund të kthehen vetëm në faltore. Pse në Kryeministri?! Pse arkivolet ngjisin shkallët e dyerve të mbyllura duke çuditur familjarë e qytetarë?! Azemi atë derë nuk e preferoi sa qe gjallë.

-Nuk kam hyrë në lëvizjen e dhjetorit për karrige, për pushtet. Atëherë kush e mendoi ta turpëronte të vdekur në ato dyer të mbyllura?

Llogaritë i bëjnë pjesëtarët e dueleve partiake. Mes rojeve brenda xhamave e kallashnikovëve që mbinë nga turmat si në filmat e mafies, filluan të shtënat, filloi lufta. Në traditën e shqiptarit, në mort, vetëm të vdekurit i është vënë pushka pranë për të treguar se ka qenë trim. Armët e të tjerëve heshtin, vihen në ruajtje. Kur është mort, feja dhe zakonet nuk lejojnë zhurmë armësh. Pak rëndësi ka se kush e nisi i pari betejën e kryeministrisë. Ato pamje janë filmuar e zbulohen lehtë. Arkivolet, që u kthyen drejt vdekjes së dytë që dikush kish përgatitur, nuk u realizua. Konfrontimi me qeverinë, me Nanon, me ministra, nuk u realizua. Ata të gjithë, si krahu tjetër i duelit, kishin marrë arratinë. Pak roje të gardës e pak nëpunës thatanikë nuk bënë rezistencë. Kryeministria pushtohet me pak të shtëna, por konfrontimi nuk u realizua. Po me cilët do bëhej ai? Me rojet? Kujt do t’i turreshin ata që thyen dyert…

Ata iu turrën vetëm shkatërrimit. Po të ishte Genc Pollo në krye të këtyre turmave që shoqëronin korteun, nuk do të lejonte në asnjë mënyrë të shkrumboheshin skrivani, orendi, të hidheshin granata, të shembeshin abazhurët, të digjeshin dyer e dritare, sepse ai e di se çfarë do të thotë pushtet, sepse ai vetë ëndërron të qeverisë në ato zyra dhe s’ka pse të mos jetë kështu me një parti me ideale për t’i shërbyer Shqipërisë, me një Parti Demokratike që i ka bërë vend vetes në histori. Aty nuk ishte as Genci, as Saliu. Ata nuk ishin aty, se e dinin se ky ishte një grusht shteti, sepse asnjë justifikim nuk do të pranohej. Ata preferuan t’i drejtonin nga larg ngjarjet. Cili nga pjesëtarët e qeverisë do guxonte t’ua prishte atyre mortin? Ata e dinë se në qeverisjen e vendit mund të vijnë vetëm sipas të gjitha rregullave të demokracisë. Sa turp do t’u vinte nesër kur të zgjidheshin nga parlamenti në postet ekzekutive të vendit e të ngjiteshin në dyert e Kryeministrisë që vetë e kishin djegur e përvëluar. Banditë e shkatërrues i pushtuan në klithma e ulërima, si të ishin në Afrikë, zyrat e Kuvendit Popullor. Ata vodhën kompjuterë, printera, aparatura dëgjimi, mikrofona, televizorë, çfarë është e mundur për ta hequr shpejt, pastaj, i vunë zjarrin me britmat, poshtë komunizmi.

Po të ishte aty i respektuari Pjetër Arbnori e po të ishin në krye të këtyre turmave ata demokratë të vërtetë, s’do të prekej asgjë, sepse aty s’kishte më as Parti të Punës, as K. Q. as komunizëm. Aty nuk ishte as Gjinushi me të tjerë. Para kësaj legjislature, bile i ulur në vendin e E. Hoxhës, aty drejtonte i burgosuri i shumë viteve, kryetar i parlamentit në atë kohë, P. Arbnori. E përsëri mund të vijë aty, por jo me interesaxhinj që i vërtiten pas gjoja në emër të demokracisë.

Radiotelevizionin e pushtuan, por nuk e shkatërruan. Drejtuesit e Partisë Demokratike, vetë Sali Berisha urdhëroi të mos cenohej asgjë. Mes ankthit e frikës, mes kërcënimeve për orë të tëra, RTV i shërbeu krahut të duelit të PD për të dhënë njoftime të rreme se qeveria ra. Nano dha dorëheqjen. Zot të Shqipërisë jemi ne, opozita. Pastaj e lanë të qetë qendrën më të madhe të informacionit të transmetonte pa fund muzikë serioze. Pushtuesve nuk iu lejua të shkatërronin aparaturat, të vidhnin teknikën, të digjnin ndërtesën, sepse heshtja e Radiotelevizionit do të ishte lajmi më i keq: – fitoi grushti i shtetit.

Krahu i duelit të Partisë Demokratike mund të japë edhe urdhra e mund të ekzekutojë edhe vendime kur do. Ndërkohë arkivolet prisnin t’i çonin në banesën e fundit. Në rrugën e Kavajës drejt Kombinatit, kamerat pothuaj s’kishin ç’të tregonin nga përcjellja. Madhështia e ceremonisë kishte rënë. Duhet falënderuar ALBA TV që tregoi ato pak kuadro me pamje të varrimit të trimit në dheun e ftohtë. Pak njerëz bashkë me familjarët nuk rrethonin as varrin. Shumicën e bënin fëmijët e fshatit përreth.

Nëse gjysma e korteut që u nis nga sheshi “Skenderbej” do të arrinte në varreza, do të ndërpritej për orë të tëra trafiku i rrugëve, do ndërroheshin oratorët, do ngushtoheshin varrezat, do buçiste përshëndetja e fundit nga shpërthimi i armëve. Historia ia ka borxh varrimin Azem Hajdarit. Radiot, ekranet nuk pushuan së foluri tërë ditën për jetën e tij, për guximin. Politikanë e shkrimtarë, gazetarë e juristë, shokë e familjarë treguan lidhjet njerëzore me atë figurë të spikatur të kohës.

Në varrim fare pak grushte me dhe u hodhën nga ata që s’pushuan tërë ditën duke folur për të. Sa keq! Politika shqiptare ka hyrë në skëterrën e mendimit të zi për pushtet. Dhe është e tmerrshme kur mendon se dueli i forcave politike u zhvillua edhe mbi arkivolin e Azem Hajdarit. Një palë, përmes varrosjes kërkonte të konfrontohej me institucionet, të ndeshej me ta, të bëheshin përleshje e të derdhej gjak. Azemi të merrte pas viktima të reja pushtetarësh. Berisha thërret me inat që në institucionet s’gjeti shtet.

Krahu tjetër i duelit, me Fatos Nanon në krye, jo pa qëllim braktisën tërë ditën institucionet: Doni të vini? Ja ku i keni, bosh.

Azemi përcillej me flamurin mbi arkivol. Forcat politike bëjnë përllogaritje fitimi e humbje mbi atë flamur. Krahu i Partisë Demokratike jep ultimatum për dorëheqje. Në miting e në mortin e Azemit deklaron se nuk ka shtet, nuk ka polici. Krerët e PD e dinë, se kur mbledhin njerëzit në mitingje, aty nuk vijnë vetëm demokratët e simpatizantët e tyre. Aty vijnë dhe të dëshpëruarit që iu premtua punë e mbetën me duar nga qielli, iu premtua rend e në çdo hap kanë mik frikën, iu premtua kthimi i parave e me paret e mbetura bëjnë arkiva dokumentesh. Në ato grumbullime ka edhe profesionistë grabitjesh, vjedhjesh që s’janë të varfër për pesë lekë, por vijnë me makina e boshatisin dyqane, magazina të mëdha të kryeqytetit e pastaj u vënë zjarrin ndërtesave, sepse ata i morën sinjalet nga opozita. Nuk ka shtet.

Krahu tjetër i duelit i tërheq të gjitha forcat, policët. Urdhëroni, – thonë ata të koalicionit qeveritar, – merrini! Mbi ju do të bjerë dënimi. Pa varrosur akoma Azemin, ata që s’dinë e s’duan të dinë ç’është demokracia, zbrazin karikatorët mbi qepena, thyejnë dyqanet e thërrasin duke terrorizuar lagjet, qytetin: Rroftë Azem Hajdari! Paguani tani zotërinj politikanë, apo doni ta lini këtë popull tërë jetën të varfër për hir të kolltukëve tuaj.

Është koha për të dyja palët, të lini duelin, të ulni armët e të bisedoni për fatin e këtij kombi. Populli ynë tani i njeh mirë partitë që ka mbi krye, si ato të pozitës dhe të opozitës. E njeh pushtetin e qëllimin e tyre, interesat e tyre. Ata nuk thonë se pozita po bën korrupsion, por po bën më shumë se ne. Mjaft me këto lojëra politike! Mjaft me alibi, me skema e rregullore nenesh e ligjesh, me një kushtetutë që s’dihet kur do ti vihet neni i fundit. Mjaft me frikën e heqjes së imuniteteve, me kapjen e lëshimin e kriminelëve, vrasësve brenda 24 orëve. Lërini duelet, bisedoni e merruni vesh për të rregulluar punët tuaja se boll e lodhët këtë popull. Mjaft me fshehjen pas arkivoleve!/MARASH HAJATI/

SHKARKO APP