Marash Hajati: Ministri Rama e nisi punën me prishjen e Teatrit Kombëtar

(Botuar me 15 janar 1999 në KOHA JONE)

Nga Marash Hajati-

Kam njohur dikur në jetën studentore një mik të paharruar, Kristaq Rama. Ai u bë një burrë i madh i artit shqiptar të skulpturës. Ne ashtu mbetëm, miq të përhershëm. Dikur në Akademinë e famshme Rjepin të Petërburgut, Kristaqit, Andrea Manes e Shaban Hadërit, ne studentët e degëve të tjera u pozonim për veprat e tyre si model: tip shqiptari. Me Kristaqin, bënim shpesh shaka për “honorarët” kur Vollodia, mik i këndshëm, rus i apasionuar pas muzikës na thoshte se do të na i blinte bileta për opera. Kohë studentësh. Me një shokun tim, kur mësuam para disa muajsh se Edi Rama u emërua ministër i Kulturës, Rinisë e Sporteve u gëzuam sepse ai si student e më pas si pedagog i Akademisë së Arteve, në këtë tranzicion hutimesh e brengash u prezantua para auditorit të gjerë të inteligjencës në një mënyrë origjinale në paraqitjen e problemeve, jo vetëm të artit, por edhe ato politike e shoqërore.

Origjinaliteti, si pjellë e njohurive, e guximit, e filozofisë i gëzon apo i trishton simpatizantët! Ne na pëlqen të jemi në krahun e optimistëve. Mirëpo, një nga lajmet e para të habitshme që doli nga zyra e ministrit të ri ishte: Teatri Kombëtar do të mbyllet! Shumëkush këtë njoftim e mori si mënyrë specifike, sensacionale për të bërë të ditur se, Unë, E. Rama, erdha në pushtet. Kështu buçiti shtypi, radiot, televizionet, gazetat, intervistat e kudo, një lajtmotiv: Teatri Kombëtar do të mbyllet!

Jetojmë në një kohë që çdo çudi është e besueshme, por t’ i vihej dryni njërës prej skenave artistike më të njohura, as në mend nuk na shkonte. Ne, dashamirësit e hershëm të dramës me një farë nostalgjie, ishim përgatitur të shikonim se si do të shembej nga ato podiume skematizmi i së kaluarës, siç thonë sot modernistët e mëdhenj. Do të vështronim gjunjëzimin e realizmit socialist, natyralizmin teatral, arkaizmin narrativ si paraqitje demode të këtij arti e, natyrisht, mbi çdo gjë prisnim ato ditë të ndërrimit të stafetës ministrore, të vinte ndonjë trupë franceze, regjisorë apo aktorë të dëgjuar nga miqtë e shumtë që ka ministri në Francë e që s’harron të na i kujtojë vazhdimisht. Prisnim, se vërtet Parisi është vendi i teatrit të njohur në Evropë.

Prisnim… por zoti Rama duke befasuar aktorë, regjisorë, median, inteligjencien e Tiranës, e nisi punën për teatrin, drejt e në kolonat e ndërtesës, në skutat e dekorit e të skenës, në çatinë e përlotur nga shiu, në hollin e ftohtë, në lozhat demode e shqiptoi:

-Këtu nuk do të bëhet më teatër. Duke mos habitur askënd, në ndihmë i erdhën zjarrfikëset. Ata tërë jetën ëndërrojnë që atje ku janë të ngarkuar me mbrojtjen kundër zjarrit, mundësisht të mos ketë apo të ketë sa më pak aktivitet. Ua do frika e profesioni.

-Ndërtesa nuk i plotësonte kushtet e garancinë për veprimtari publike e kryesisht ka rrezik shembjeje, kumtoi shefi i ri i kulturës. Për ta bërë të besueshme, ministri solli edhe një francez, natyrisht nga Franca, veç akoma nuk është bërë i njohur profesioni i tij. E rëndësishme është se edhe ai tha: Këtu çdo gjë është me rrezik. Nuk thotë kot populli: Çuditë priten nga nuk i mendon. Të vinte nga ana e anës një person e të bënte gjithë këtë shpikje.

Tamaqarllëk historik

Thonë tamaqarllëku të lë pa martuar. Teatrin Kombëtar “tamaqarllëku” e la pa ndërtesë. Historia e Teatrit Popullor ka ngjarje interesante. Ajo nisi me skenën e thjeshtë partizane në kohën e Luftës së Dytë Botërore e arrin deri te kulmet e saj me vënien në skenë të shumë veprave të mëdha, të dramave e komedive të autorëve shqiptarë e të huaj. Mirëpo, nëse ka patur një rritje kaq të dukshme artistike, ndërtesa, skena ka ngelur po ajo e para. Gjatë tërë këtyre viteve ka ndodhur një fenomen i habitshëm. Partia dhe shteti i dikurshëm ka premtuar se kryeqytetit do t’i ndërtohet një teatër bashkëkohor. Edhe administrata e atij institucioni bashkë me ministrinë s’kanë kërkuar asnjëherë gjëra të vogla, fonde për riparim e shtesa apo ndonjë rikonstruksion, por vetëm teatër të ri.

Mbas një fjalimi të E. Hoxhës, në vitin 1974, kur arti shqiptar e sidomos ai dramatik vihej me të drejtë në piedestal, u duk sikur do të hapej “qesja” mirëpo varfëria apo, pakujdesia i shtyu përsëri ditët e gëzimit për teatrin. Edhe më vonë në kohën e R. Alisë është biseduar shumë seriozisht për një ndërtesë solide e bashkëkohore për Teatrin Kombëtar. Bile u caktua dhe vendi diku aty afër sheshit “Avni Rustemi”. Janë bërë dhe disa projekte. Për fat të keq hynë në radhë ndërtime të tjera të mëdha si: “Pallati i kongreseve” e ashtuquajtura “Piramidë” e teatri mbeti sërish me “kostumin” e vjetër që ministria e kulturës sot në mënyrë fare të pakulturuar do t’ia grisë edhe këtë.

Tani së fundi, po dëgjojmë përsëri reklama për sigurime fondesh deri edhe nga Greqia, premtime nga fondacione e donatorë të ndryshëm se e kanë seriozisht që bashkë me ministrinë të ngrenë në Tiranë ndërtesën e re të teatrit kombëtar. Të ngopur me lugë zbrazur për rreth 50 vjet, askujt nuk i bëhet të vejë buzën në gaz, ama si gjithnjë pyesin: Kur? Nga kush? Ku? Sa qeveri do të ndërrohen? Sa ministra do të bien e ngrihen? E “kryesorja”, nëse flasim me pak humor, kush do ta sigurojë shiritin e inaugurimit!

Tani për tani, ka 5 muaj që çdo gjë qëndron në pikën e vdekjes. Salla e shfaqjeve bosh, aktorët e administrata sillen si milingonat rreth saj, në “Premierën më të gjatë që do të mbahet mend të cilën mund ta quajmë “të prita që të hapje siparin”. Me iniciativën e drejtorisë u arrit më në fund që specialistët e konstruktorët ta thonë fjalën e tyre me kompetencë. Tani për tani teatri nuk ka rrezik shembjeje. Për anët e tjera përgjigjet tjetërkush.

Kompromiset artistike

Kompromiset, si metodë marrëveshje nuk i paska vetëm politika. Fill pas sensacionit se teatër nuk do të kishte më në ndërtesën e vjetër, ministria nxitoi të njoftojë se aktorët s’do të mbeten pa punë. Dramat e komeditë do të luheshin me marrëveshje të rregullta e kontratë, herë në Teatrin e Operas e të Baletit, herë në Akademinë e Arteve. Shpikje më e çuditshme as që mund të mendohej. Mbase jo me qëllim, por pushtetarët e rinj të kulturës që po e shikojnë çdo gjë nga lart, duhet të dinë që këto lloj eksperimentesh, nuk mund të realizoheshin as në kohën e socializmit, ku kultura ishte pronë e të gjithëve. Pa le sot, në ekonominë e tregut ku oferta e konkurrenca bëjnë kërdinë. Ne dikur, për regjistrimet televizive që bëheshin me urdhër, duhet të paguanim sallat për ditë, me radhë sikur të ishin plot me spektatorë. Po tani!

Në këtë marrëveshje, që me siguri s’do të realizohet, veç shumë të tjerave, Teatri Kombëtar do të kthehet në muhaxhirë duke vrapuar bulevardit me rekuizita në krahë si në kohën e teatrit shëtitës. Do ngatërroheshin ditët e shfaqjeve, do pezulloheshin programet artistike e shfaqjet e njeri-tjetrit. Do hynin në mes skena, ndriçimi, materialet, magazinimi, rekuizita, dhomat e aktorëve e të grimit e në fund s’do të funksiononte në rregull asnjëri nga institucionet. Edhe revolucioni kulturor kinez do ia kish zili një rrëmuje të tillë. Kohët e fundit, ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve, që nuk justifikoi dot më mbajtjen e Teatrit të mbyllur i paraqiti një rregullore për punën në Teatrin Kombëtar që ngjante me ato programet e tufëzave dikur, që natyrisht i kemi njohur vetëm ne, por habitemi që dhe rinia dikasteriale po fillon t’i zbulojë e t’i praktikojë.

Ndër ato: Shfaqjet në Teatrin Kombëtar do të jepen tri herë në javë. Numri i spektatorëve të kufizohet. Në lozha të mos ketë asnjëherë njerëz. Zjarrfikëset të shtohen e të jenë vazhdimisht në gatishmëri. Mirë, kjo është rregullore e brendshme për administratën, po a ka parashikuar ministria rregullore për spektatorët?! Para së gjithash duhet të gjejë trima apo si i thonë njerëz që të bëjnë “harakiri” që të vetësakrifikohen për artin. Për tërë atë frikë që është paralajmëruar, jo spektatorët, por dikasteri duhet të nxjerrë fond të veçantë për biletat e atyre trimave që do të vendosin të shkojnë në teatër, apo nuk kemi hyrë dhe në vitin e fundit të shekullit, që thonë se edhe mund të përmbyset bota, gjë që nuk besohet. Ama teatri me gjithë këto paralajmërime zyrtare edhe mund ta pësojë.

Pak nostalgji

Magjia e teatrit është historia e gjallë e jetës. Edhe njëqind herë po të luhet një dramë apo një komedi, ajo njëqind herë është teatër, është bota e brendshme e personazheve dhe aktorëve që i prek, që përloten me ty mes tragjedisë e humorit. Teatri është buzëqeshje e dashuri e pakufishme e spektatorëve dhe aktorëve që përshëndesin njëri-tjetrin me duartrokitje.

Filmi, që është aq i fuqishëm, luhet një herë e mbetet ashtu për tërë kohët. Tabloja apo poezia, që kanë bukurinë e tyre, kërkojnë që ti, t’i interpretosh. Teatri, opera, artisti i estradës, interpreton i gjallë para teje dhe për ty. Ndaj ky art është tepër i afërt, i prekshëm e frymëzues. Një dramë mund ta ndjekësh edhe katër herë, me aktorë e regji të ndryshme dhe të katër herët ke parë diçka të re, të bukur. Është fat që në këtë tranzicion të vështirë, të ndërrimit të sistemeve shoqërore, teatri i shpëtoi disi rrënimit. Kjo ndërtesë e shenjtë, e artit kombëtar që ruan brenda kujtimet e historinë e dhjetëra e dhjetëra pjesëve teatrale të shkrimtarëve më në zë të botës e tanët, që ruan forcën e interpretimit të dhjetëra e dhjetëra artistëve tanë të talentuar duhet menduar që të mos shembet asnjëherë. Ajo, edhe kur të kemi teatrin e ri, të kthehet në muzeumin e historisë së teatrit shqiptar.

Gjatë kësaj dekade të fundit, artistët tanë të mirënjohur si: R. Ndrenika, R. Trebicka, A. Qirjaqi, P. Mani, Y. Mujo, A. Çezari, A. Pasha, B. Asqeriu, L. Xhuvani, F. Kujovska, N. Shundi, etj. duke përfshirë edhe më të rinjtë si: M. Lubonja, G. Gjoka, E. Fino, E. Çuli, A. Bisha, nën drejtimin e udhëheqësit të talentuar artistik Gëzim Kame, kanë mbajtur gjallë frymën e këtij arti të magjishëm. Në Teatrin Kombëtar s’kanë munguar edhe të këndshmit, impulsivët, plot zjarr në interpretim si: Mirush Kabashi, Luftar Pajo etj. Në krah me ta ka qëndruar edhe drejtimi administrativ me S. Dibrën e palodhur e gjithnjë optimiste.

Deri tani janë vënë në skenë “Kopshti me dallëndyshe” me regji të K. Londos, “Muzeu” i Kasem Trebeshinës me regji të G. Kames “Kue Vadis” me autor e regji të të talentuarit Serafin Fanko, “Apologjia e vërtetë e Sokratit”, “Inspektori” regji e F. dhe A. Radit. Mendohet të jepet tani në janar premiera e S. Bezhanit “Mysafiri i mallkuar”. Përgatitet dhe “Kush vdes si burrë” komedi amerikane dhe “Stinë e mërzitshme në Olimp” etj. Programi mund të quhet i realizueshëm nëse teatrit nuk i nxirren pengesa të reja. Në të kundërt, do të trishtohemi përsëri me dyert e mbyllura e vitrinat bosh të afisheve e fotografive që do na kujtojnë kohë luftërash: Mos ndodhtë!

SHKARKO APP