Marash Hajati: Takimit Majko-Berisha të mos i vihet stërkëmbësi. Majko i shtriu dorën Berishës

(Botuar me 27 dhjetor 1998 në KOHA JONE)

Nga Marash Hajati-

Shumë vite të shkuara, në Breglumë të malësisë së thellë të Veriut, kam përjetuar një ngjarje që nuk më është hequr kurrë nga mendja. Përpara një kulle të lartë me frëngji, në gurin e gdhendur të pragut të derës ishte vënë një djep me një foshnjë brenda, kthyer përmbys. Që fëmija të jetonte, dikush duhet të dilte nga shtëpia e ta kthente vogëlushin mbarë. Në të kundërt, në heshtjen e atyre muranave kala, të dyja palët gjakësore, do të prisnin vdekjen përmbys të një krijese të pafajshme. I gjithë ky vegim në pak minuta do të thoshte ose paqë e pajtim mes dy familjeve të mëdha, ose grykët e pushkëve, sa të ishte mundësia nuk do të pushonin asnjëherë.

Pashë një nënë veshur me të zeza, që zbriti nga shkallët e asaj banese si kështjellë dhe e ktheu djepin mbarë. Britmat e fëmijës u qetësuan. Heshtja bekoi pajtimin. Në shumë vite, me kureshtjen e gazetarit, kam pyetur e jam interesuar për fatin e atyre njerëzve. Në rrjedhën e ngjarjeve të dorës së hekurt të Partisë së Punës, ku në realitet u patën mënjanuar shumë zakone prapanike, ato dy familje u shtuan në numër. Fëmijët ndoqën shkollat. Disa u armiqësuan me pushtetin. Në kushtet e izolimit kapërcyen kufirin. Të tjerët u internuan, por mes njëra-tjetrës ato familje jetuan në paqe e mirëkuptim. Nuk e përmenda këtë fakt për të treguar mrekullinë e rastësisë në rrjedhën e ngjarjeve, veç ama dhe ato janë të rëndësishme e jetësore.

Pajtimi, kjo ndjenjë e thyerjes në vetvete, për të ndërmarrë një hap mirëkuptimi me dikë apo për diçka që edhe mund të mos e kesh për zemër, është forcë e logjikës për të sheshuar e për t’i hapur rrugën një problemi të rëndësishëm politik apo shoqëror.

Takimi Majko – Berisha i datës 21 dhjetor, që ishte krejt i papritur, u përket ngjarjeve historike me besim për një thyerje, për një shkrirje akulli. Nëse do të kenë guxim politikanët tanë, pa hyrë në kthinat se si u veprua për të arritur me zhurmë, ngazëllim, psherëtima e hutim deri në sallat e Rognerit, (sepse politikanët tanë e përfytyrojnë veten si jashtë shtetit në këtë hotel) atëherë e fituar mbi të gjithë do të jetë Shqipëria.

Në këto ngjarje, pak rëndësi patën takëmet e protokollit apo kohëzgjatja e bisedimeve. E veçantë bile nuk ishte as marrëveshja për çështjen e studentëve. Kryesorja në politikën shqiptare të këtij fund viti, përmes ballafaqimit Majko Berisha, ishte hapja e derës së komunikimit, e kontaktit, e dëgjimit të njeri-tjetrit jo në distancë, me ndërmjetës e megafon, por si të barabartë pranë një tryeze mirëkuptimi. Kjo, nëse nuk do të çmenden sërish nervat e ekstremistëve të të dy krahëve, mund të cilësohet si arritje e madhe e vitit. Ndoshta ky akt mund të quhet edhe përurimi i një shkolle të re dhe i një stili të ri në rrugën bashkëkohore që duhet të ndjekin politikanët shqiptarë. Vlerësimi me logjikën e domosdoshmërisë për ndryshime pozitive në marrëdhëniet pozitë-opozitë konform të gjitha kërkesave të demokracisë së njohur evropiane, do të bëjnë që forcat politike e intelektuale t’i vënë shpatullat për ta mbajtur gjallë frymën e kësaj ngjarjeje e për të hapur shtigje të reja. Nëse ndodh e kundërta, “djepi” do të mbetet përmbys. Fitimet e këtij takimi do t’i kalojnë arkivit për të ilustruar ndonjëherë pazotësinë e liderëve tanë për të gjetur rrugën e bashkëpunimit.

Ekstremistët e zënë në lak

Për fat të keq dikush po farkëton sëpatat për t’i prerë krahët pasarelës. Ekstremistët e të dy palëve si të socialistëve dhe demokratëve u gdhinë para kësaj ngjarjeje me syze të errëta. -Nuk na duhet kjo krushqi, thoshin disa, – kemi idealet tona. Me Majkon e komunistët nuk bëhet demokraci në Shqipëri. Të tjerët shfrynin për Berishën duke e cilësuar të pandreqshëm e të pa besë, që kërkon të marrë pushtetin me puçe e kryengritje.

Të dyja këto palë ekstremistësh partiakë të devotshëm, që gjoja ruajnë “pastërtinë” e partive, po zihen në lak para opinionit të moderuar të shokëve të tyre që janë për një hapje në këndvështrimin e problemeve. Sido që të jetë, edhe pse në dimër, kohët mund të sjellin erëra të ngrohta në politikën shqiptare. Ka edhe një pjesë tjetër politikanë puplash, si pa zarar, që i nisin diskutimet e intervistat me retorikën:

-Unë kam thënë gjithmonë se bisedimet, dialogu, në zgjidhjen e problemeve, janë jetike për politikën shqiptare ama, (këtu nis edhe çudia) gjërat të studiohen, të mos nxitohemi. Dalin edhe probleme, si do t’ua bëjmë për shembull militantëve që iu sosën forcat nga thirrjet e duartrokitjet, prandaj të mendohemi. Patjetër, do të mendohemi e s’do të bëjmë asgjë. Që në Shqipëri s’do të kemi kurrë mrekulli për t’u ngopur me gjashtë bukë si në darkën e mijëra të uriturve të Krishtit, kjo dihet, por është po kaq e vërtetë se në politikën tonë të sotme, liderët që kemi mbi kokë, pavarësisht se nuk do bëjnë asnjë mrekulli, do të “mbretërojnë” edhe për disa kohë në këtë vend.

Tani për tani, zotësia e tyre është të merren vesh, të njohin kompromisin, të qetësojnë situatën e pse jo edhe të konsolidojnë elektoratin që po i marroset koka: pre një lis e nxirr një vozë. Pajtimet, marrëveshjet, kompromiset s’janë kurrë aspekt të servilizmit, të nënshtrimit e të përuljes, por janë aftësi e mençuri të politikanëve që kurdoherë shohin më larg se hija e këmbëve.

Nëse u çel një dritare mirëkuptimi mes socialistëve e demokratëve, kjo s’do të thotë aspak se një parti apo një tjetër hoqi dorë nga programi i saj, nga detyrat që i ka vënë vetes për t’i hapur perspektivë Shqipërisë. Nëse rishikohen rrugët e mundësitë e arritjeve më të shpejta të këtyre objektivave përmes mjeteve demokratike, të fituar jemi të gjithë. Zgjidhja e kontradiktave me rrugë mirëkuptimi, është karakteristikë e të aftëve, punëtorëve këmbëngulës, Gjinkallat që kapërfyten me vapën mes zhurmës pa mbarim për të dalë në ditën tjetër, e kanë pa fat të ardhmen.

Nga dritarja e takimit Majko – Berisha, përmes debateve e platformave me peshë të programeve partiake, duhet të gjenden alternativat frytdhënëse për t’i vënë fre korrupsionit, mashtrimeve, zyrtarizmit pasiv që fsheh pas hileqarët e spekulantët me tymnajat e demokracisë. Takimi duhet të dalë në “duelin” e njohjes së institucioneve dhe zbatimin me korrektësi të kërkesave të tyre për të detyruar cilindo por edhe qeverisjen të jetë transparente dhe e hapur me popullin për zotimet e programit që ka paraqitur. Opozita është gjykata më e lartë në mbrojtjen e drejtësisë si alternativë, jo në një ditë e një mbledhje, por përherë e në të gjitha instancat. Ne presim përmes opozitës me argumente të besueshme e të verifikuara të ngrejë zërin e kritikës, pse nuk hapen vendet e punës, ku është procesi skandaloz që po vazhdon me fajdetë, si po ecën privatizimi, ku janë investimet e si po realizohen etj. Populli duron e akumulon në këtë drejtim, duron e akumulon në qeverisjen e pastaj të ndëshkon pa zhurmë e bujë në kutinë e votimit. Zgjedhjet e rregullta të lira, të drejta e demokratike janë tempulli nga nis rrugën qeverisja e një partie apo koalicioni partish.

Të gjitha këto projektohen e realizohen përmes tryezës së madhe të parlamentit, formës së lashtë e gjithnjë moderne të politikës së vendeve të zhvilluara e me kulturë demokratike. Politikës së thashethemeve të kafeneve e skutave, të konferencave bajate të shtypit, që duken si shfaqjet të pasuksesshme të estradave, u ka ikur koha. Ato po bëhen rutinë e mërzitshme edhe e lajmeve e programeve të shumta televizive shtetërore e private. Sot jeta ka vërtetuar plotësisht se mbrojtja e lirisë dhe demokracisë, betejat kundër burgosjeve politike, gjetja e vrasësve të Azem Hajdarit dhe e të papriturave që mund të sjellë koha bëhet më mirë se kudo përmes ardhjes në parlament të opozitës.

Kush trembet e kush nuk e do takimin Majko – Berisha

Ata nuk janë pak. Në paraqitjen e fizionominë e jashtme vdesin për partinë. Punojnë në grupe të vogla apo në formë individuale. Në të vërtetë, hijen e partisë e kanë çadër. Qëllimi i tyre është pasurimi. Mjetet, nga të tëra llojet. Korrupsioni është më fitimprurësi. Për të realizuar ambiciet duan vetëm tensione politike. Ndërkohë që grinden partitë kryesore e liderët e tyre, ndizet media me intervista e debate, flitet se po shitet Kosova, ata “të mirët të devotshmit e partive” punojnë në heshtje, drejtojnë trafikantët, ndezin motorët e gomoneve, ngrenë bujtinat plazheve e presin dërgesat kontrabandë kufijve.

Pikënisja me takimin Majko-Berisha, zgjerimi i tyre e marrëveshjet që mund të arrihen, i nxjerrin ata nga shtrati i kanalit. Pak diell në zbutjen e politikës shqiptare, mund t’i verbojë. Grupi tjetër, që nuk është për takimet e shkrirjen e akujve mes partive kryesore kundërshtare, janë të paaftët e shumtë që vegjetojnë në organet drejtuese dhe në qeverisjen e vendit. Në klimën e një е konkurrence të drejtë dhe të një oponence të studiuar konkrete e të argumentuar, ata do të ngelen që në provimin e parë, sepse detyrat e vështira në drejtim i kanë marrë si militantë, jo si ekspertë. Në këto kushte, ata e shohin qiriun e tyre të shuar.

Grupin e tretë që e tremb qetësia dhe puna e një Shqipërie të vërtetë demokratike, e përbëjnë, larg qoftë, armiqtë të jashtëm e të brendshëm. Janë shumë apo pak nuk dihet, por që janë mjaft duket. Kjo vjen sepse kur nuk kemi në rregull shtëpinë tonë, nuk dihet as se kush hyn, as se kush del. Këto grupime, që shpesh duan t’i quajnë edhe lobe, punojnë në mënyrë të egër e me agjentura të fshehta e të hapura për të sotmen e për të ardhmen e copëtimit të vendit. Të gjithë sa u përmendën më lart, kanë vetëm një qëllim, një objektiv, t’u vënë “stërkëmbësin” takimeve e bisedimeve, marrëveshjeve partiake e qeverisjeve që të rrëzohet kështu Shqipëria. S’duhet t’i lemë!/Marash Hajati/

SHKARKO APP