Mark Simoni: Një opinion i shtruar për analizë e debat nëpërmjet intervistës me regjisorin dhe producentin Vladimir Prifti
(Botuar me 8 nëntor 2003)
-Një opinion i shtruar për analizë e debat nëpërmjet intervistës me regjisorin dhe producentin Vladimir Prifti-
Intervistoi: Mark Simoni
Prej kohësh nuk kemi parë një festival të filmit shqiptar. Përse nuk organizohet një festival i tillë, nga mungesa e prodhimit apo nga mungesa e financimit?
Gjatë kësaj periudhe sidomos në muajin tetor dhe nëntor të këtij viti, u krijua një klimë e mirë për filmin shqiptar apo me filma me subjekt temën shqiptare. Në filmat artistikë “Letra me erë” dhe “Lule të kuqe dhe lule të zeza” respektivisht të autorëve Edmond Budina dhe Mevlan Shanaj u krijua një klimë e këndshme dhe e bën prezente gjatë kësaj periudhe kinemanë shqiptare. Gjithashtu ka pasur dhe disa filma të shkurtër në muajin shtator, tetor, ka pasur dhe disa filma dokumentarë. Tani pothuajse ndihet domosdoshmëria për të trajtuar diçka që pas daljes së ligjit mbi kinematografinë kur u formua Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe prodhimi kinematografik u ndodh në disa vështirësi të vogla, është e mundshme të trajtohet se vërtetë ku ndodhemi si kinema shqiptare. Mua më duket interesante në këtë kuptim, analiza që desha të bëj është sepse vërtetë prodhimi ka qenë i paktë pas viteve ’97, por edhe ndoshta problemet jo të vogla në kuptimin e cilësisë së filmit, në vlerat artistike jo pak diskutime ngjallin subjektet e këtyre filmave. Ata paraqesin një periudhë gati-gati të fillimit të tranzicionit shqiptar, megjithatë unë ndiej një lloj kënaqësie që kinemaja shqiptare arrin të prodhojë. Më i domosdoshëm është bashkëprodhimi. Dmth, kinemaja shqiptare pas viteve ’97 u ndodh përpara një problemi madhor edhe nëse subjektet apo shkrimtarët iu afruan kinemasë përsëri dhe një pjesë e tyre duke u shkruar edhe nga vetë regjisori, mungesa e subjektit nuk u ndje shumë se sa u ndje mungesa e financimit dhe sidomos mungesa e bashkëprodhimit dhe integrimit të filmit me mjete teknike dhe kompani të huaja. Do ta quaja një sukses që pas viteve ’97 pothuajse 7-8 filma artistik kanë bashkëpunuar me kompani të huaja si franceze, hungareze, gjermane, çeke dhe filmat e fundit të Gjergj Xhuvanit dhe Kujtim Çashkut, njëri sapo ka mbaruar xhirimet dhe tjetri sapo ka nisur xhirimet, janë përsëri në bashkëprodhim dhe vërtetë janë një vlerë sepse bashkëprodhimi ka koncepte të reja, ka një mënyrë të re pune. Ai integron kinemanë, e bashkon jo vetëm thjesht me kapital, por bashkon dhe shpirtra dhe mendime, bashkon ide, bashkon koncepte dhe kjo sigurisht do ta lëvizi. Megjithatë dihet që prapë kinemaja vazhdon të jetë në një kuptim në fazë tranzicioni. Është një institucion më vete, dikur i njohur, por tashmë i panjohur. I panjohur sepse shumë institucione që merren me të jo vetëm institucioni mbi bazën e ligjit për kinematografinë që quhet Qendra Kombëtare e Kinematografisë, është institucioni që merret direkt, por dhe institucione të tjera siç është Ministria e Kulturës apo vetë Ministria e Jashtme që luan rol në distribuimin apo paraqitjen e filmit përpara organizmave të huaja apo përpara ambasadave, përpara festivaleve të filmit etj. janë tashmë tepër të shkëputura me kinemanë. Unë mendoj se festivali i filmit për të cilën pyetja ishte direkte, ka munguar jo nga prodhimi, por nga që vëmendja ndaj këtij arti kaq madhor dhe kaq interesant është tashmë i shkëputur jashtë mase me pushtetin që e drejton dhe me këtë lloj mendimi që ka shoqëria e sotme për këtë art kaq interesant. Unë them që s’di se cila ka qenë strategjia dhe në mënyrë të çuditshme është nxitur dhe zhvilluar festivali i teatrove, pothuajse janë 5 festivale teatrosh që zhvillohen tani kur prodhimi teatror me drama shqiptare apo komedi shqiptare pothuajse mungon. Dmth, derdhet një buxhet jo i vogël për prodhimin apo organizimin e festivaleve teatrore, për të cilat unë mendoj se janë të domosdoshme dhe janë interesante, por as nuk mund të vihet në evidencë një festival tjetër i filmit, i cili tashmë jo vetëm që ka radhën por është i domosdoshëm. Mendoj se rreth e qark nesh organizohen jo pak festivale dmth, në vendet që janë në Bashkimin Evropian siç është Greqia, apo dhe në vendet që nuk janë, por janë në prag të Bashkimit Evropian siç është Sllovenia apo dhe në shtete të tjera ballkanike që tashmë i kanë rigjallëruar festivalet e tyre siç është Festivali i Sarajevës, ose festivalet që zhvillohen në Turqi, Festivali i Selanikut që është tashmë një festival i konsoliduar. Unë mendoj se një festival filmi jep mundësira të mëdha debati, diskutimi dhe një mundësi për të trajtuar jo thjesht kinemanë dhe nivelin e kinemasë ku ndodhet, por edhe drejtimet e së ardhmes.
Për pyetjen tuaj mund të flas shumë, por le të përqendrohemi në disa pika. Festivalet e filmit në Shqipëri janë ndërtuar vetëm me kinemanë shqiptare. Unë mendoj se duhet të ndryshojë karakteri i festivalit. Tani ne nuk duhet të bëjmë festivale vetëm me prodhime kinematografike vendase, shqiptare, por të ketë një gamë më të gjerë. Ai mund të marri karakteristikat e një festivali mesdhetar, në të cilin të thithen prodhime filmash tepër të zhvilluara siç është Italia apo dhe Franca, Greqia, pra vende të cilat kinemanë e kanë bërë gjithmonë prezente dhe me të cilët ne kemi bashkëpunuar gjatë këtyre viteve dhe bashkëprodhuar. Kjo do të japi mundësinë që mendimet të shkëmbehen dhe me kinema që tashmë ndodhen në faza të tjera zhvillimi. Gjithashtu një mangësi jo e vogël është prezenca e filmit ballkanik apo e filmit të Europës Juglindore siç flitet dhe konsiderohet tani. Mua më duket se prej vitesh ne nuk shkëmbejmë dhe nuk ndërtojmë këtë javë filmi me vende të cilat dikur dhe bënim festivale ballkanike. Organizimi i një festivali të tillë është padiskutim një hapësirë e re edhe për prezencën e filmit tonë. Gjithashtu më duket se festivali duhet të ndahet nga gjinitë. Dmth nuk duhet të ndërtojmë më festival për filmin artistik dhe për filmin dokumentar brenda një periudhe dhe për filmin e animuar. E them me bindje që më vjen çudi se si ka mundësi që filmi i animuar që për vullnet të disa piktorëve vazhdon akoma të prodhohet, nuk gjen vetveten në transmetimet televizive dhe gjithë ky prodhim madje dhe filmi dokumentar nuk po e gjen rrugën e vet. Mendoj se një festival jep mundësira të mëdha dhe për tregun e filmit. Të gjitha këto, pra, kërkojnë një organizim të ri të një festivali. Unë mendoj se koha për t’u riorganizuar struktura e këtij festivali, tashmë ka ardhur. Mendoj se mund të bëhet një seminar, një debat, mund të shikohet mundësia që të formohet një strukturë e përhershme, dmth. Një grup njerëzish të cilët nuk shkëputen më nga ndërtimi i festivalit. Pra, si mund të thuhet është festivali sot, ndoshta i vetmi i Butrintit, ku dy apo tre organizatorë të këtij festivali i qëndrojnë gjatë gjithë vitit pranë organizimit të festivalit pasardhës. Kjo do të jepte mundësira të mëdha që festivali të merrte karakteristika të tjera. Gjithashtu e gjykoj të domosdoshme që buxheti i këtij festivali, tashmë i konsoliduar sepse ne flasim vetëm për ndryshimin e karakterit të tij, ky është një festival që është i 12 që organizohet në vite dhe jep mundësira edhe në kuptimin që afron një bashkëshoqëruese të filmit siç është kritika. Kjo pothuajse gjatë gjithë periudhës së prodhimit të filmit, edhe në kohën e monizmit, edhe gjatë kohës së tranzicionit të demokracisë ka munguar. Ne kemi një mungesë të theksuar të kritikës. Në qoftë se festivalet ishin prezente gati në çdo vit, atëherë edhe kritika jo vetëm vendase por edhe e huaj do të ishte vazhdimisht prezente dhe do të jepte gjykimin e saj për ta nxitur këtë lloj prodhimi. Festivali jep mundësi të tjera të mëdha për të ndërtuar një revistë. Është një mangësi e tmerrshme, që pothuajse edhe në panairin e librit, që pamë ka një mangësi për librin teorik të artit. Edhe për artin e letërsisë, edhe për artin e muzikës, për artin e filmit, për artin e teatrit pothuajse nuk ka libra fare. Rinia ndodhet përpara një gjendje që vetëm trashëgon nga regjisorë, nga skenografë, nga njerëz që janë marr me filmin. Por ajo nuk është në gjendje të thithi dhe ta shoqërojë veprimtarinë e saj krijuese, nga që mungojnë libra të tërë. Pra, një festival i tillë me të gjitha këto degëzime do t’i hapte kinemasë mundësi të mëdha, këtij arti që në Shqipëri ka pasur perspektivë, vulën e vet, mendimin e vet. Por edhe sot mes kësaj vështirësie po e gjen vetveten.
Folët për prodhimin e viteve të fundit, për bashkëprodhimin me kompanitë e huaja, për mënyrën e financimit të filmit dhe nuk na dhatë një mendim se ç’vend zë studio Albafilm në ligjin për kinematografinë dhe në prodhimin kinematografik shqiptar. A disponon ajo teknikë të mjaftueshme dhe si mund të integrohet në këtë bashkëprodhim?
Në këtë institucion që quhet kinema, apo prodhimi i filmit, Studio Albafilm ka vendin e vet. Dikur para se të ndërtohej ligji mbi kinematografinë) gjithë prodhimi kinematografik shqiptar bëhej me mjetet që disponon edhe sot Studio Albafilm. Por ligji mbi kinematografinë presupozoi një formë të re, një mënyrë të re prodhimi dhe financimi. Me formimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë financimi i prodhimit u nda nga Studio Albafilm, e cila sot me ligjin mbi kinematografinë është vetëm një studio shërbimi, pra servisi. Është në një gjendje tmerrësisht të amortizuar. E para, ajo nuk ka akoma një strategji se ç’drejtim do të marri. Në ligj ajo presupozohet një shoqëri aksionere me dy nene, ku 51 për qind e aksioneve do t’i kishte shteti dhe 49 aksione do t’i jepeshin kompanive prodhuese të filmit, të cilat do të rigjenero dhe do të ndihmonin për ta nxjerrë atë nga ajo gjendje tepër e varfër dhe e amortizuar. Kjo gjë nuk u arrit. Me një vendim të qeverisë, asaj po i bëhet tani vlerësimi kapital dhe ndoshta në të ardhmen do të arrijë që të kthehet në një shoqëri tregtare, pra në një shoqëri aksionare. Unë mendoj se aty ka pasur disa koncepte të Cilat nuk e kanë gjetur vetveten dhe nuk kanë arritur që t’i japin një strategji kësaj studioje. Kur u ndërtua ligji mbi kinematografinë, ne pamë disa studio prodhimi kinematografike të ngjashme me tonën. Pamë një Studio çeke, pamë studio të maxhars filmit në Hungari, pamë studio polake, gjithashtu kemi qenë prezent në studio rumune të prodhimit të filmit, studio bullgare dhe sigurisht në asnjërën nga këto studio, ku dhe ata kishin probleme jo të vogla dhe kthesat i kanë filluar shumë herët, që në vitet ’91-’92-’93 dhe akoma kanë probleme, por asnjëra prej tyre nuk ndodhet në atë gjendje që ndodhet studio “Albafilm”. Mua më vjen mirë, që ju gazetarët, shtypi apo dhe media vizive e ka trajtuar këtë problem, por gjithmonë sipërfaqësor duke mos arritur ta ndërtojë apo dhe të gjykojë njëherë mirë se vërtetë ç’është kjo studio që prej vitesh rri në një gjendje amorfe. Dhe çështja qëndron për arsyen sepse, shteti shqiptar në këtë rast gjithmonë i përfaqësuar nga Ministria e Kulturës e ka të domosdoshme të ngrejë një grup pune dhe të shikojë jashtë se si është bërë ky transferim i këtij institucioni, nga një institucion buxhetor shtetëror në një institucion me marrëdhënie të reja. Pra, në një shoqëri tjetër ku nuk vendos më vetëm shteti, shteti vetëm investon, jep kapitale, ngre teknikën mbi një strategji të caktuar dhe ndryshon raportet apo marrëdhëniet ligjore. Por studio duhet të përcaktohet ose është e domosdoshme t’i bëhen kthesa dhe amendamentit të ligjit të përcaktohet çfarë lloj shoqërie do të jetë dhe si do ta ketë burimin e të ardhurave. Unë mendoj se kjo është e mundshme dhe i ka ardhur koha që të bëhet prezente nëpërmjet një ligji apo rregulloreje, apo statusi të veçantë që i takon studios “Albafilm”. Është një investim gjiganti bërë prej vitesh, por që shumë shpejt mund të kthehet në një gjë që nuk ka asnjë vlerë për arsye se nuk flitet më thjeshtë për mure të cilat janë dhe ekzistojnë ashtu siç janë dhe nuk flitet thjeshtë për atë teknikë, e cila është dhe askush nuk ka ndërmend të punojë më me të sepse është krejt e amortizuar dhe thellësisht jashtë çdo norme teknike, por kineastët dhe sidomos menaxherët, të cilët ne nuk kemi pasur për sa i përket transformimit të kësaj studio një strategji. Që kjo studio të dalë nga kjo gjendje kërkon një grup pune, një studim për ta nxjerrë. Unë po jap disa ide të cilat mendoj se vlejnë sadopak. E para, në studio e vetmja kompani që ka hyrë dhe që mund të sjellë nëpërmjet qirasë diçka është kompania 2K, që u bënë disa vite që ka hyrë dhe bllokuar apo zënë objekte me qira, të paktën një kat të studios ballore, ka okupuar disa studio të tjera të vogla të cilat nuk e di për çfarë i përdor. Mendimi se mund të hyjë dhe një televizion privat në këto atelie nuk ka asgjë të keqe. Përkundrazi kapitali privat do të jepte mundësira të mëdha për të shtuar mjetet teknike dhe financiare dhe sot shumë televizione si Top Channel apo televizione të Vizion Plus apo Alsat përdorin një teknikë tepër të avancuar e cila shërben dhe për prodhimin kinematografik. Por fatkeqësisht e gjitha kjo ka mbetur në letër, asgjë nuk është konkretizuar dhe pothuajse kjo ka dalë jashtë loje. Unë nuk e di se çfarë e ndihmon studion dhe me ato qira që jep me ato marrëdhënie kontraktore që ka. E dyta, në studio kishte disa ide jo të vogla për ta zhvilluar atë, ose për t’i dhënë një drejtim, një shkollë filmi e ideuar nga kineasti Kujtim Çashku. Edhe kjo servir një buxhet afërsisht prej 300 milion lekësh ose të paktën u tha në shtyp se ishte një buxhet i marrë nga fondacione apo institucione që kishin të bënin me kinemanë apo me institucione të artit apo institucione të tjera dhe jepte mundësi për ta nisur këtë punë drejt një shkolle të medias. Unë mendoj se kjo ka qenë interesante dhe në mënyrë jashtëzakonisht të paragjykuar për këtë shkollë u mbyll drita jeshile sepse do të jepte mundësi që nëpërmjet studentëve të zhvillohej sadopak një lloj teknike që do të vinte më e avancuar dhe që do të nxiste dhe kompletonte dhe ato salla që sot janë vetëm mure. Gjithashtu kjo shkollë, mendoj se do të jepte mundësira të mëdha për ta bashkëshoqëruar me një përvojë tashmë të fituar prej 40-50 vjetësh nga kineastë të njohur, të cilët nëpërmjet mësimit që do të jepnin do ta trashëgonin këtë përvojë, siç janë kineastët që kanë mbaruar dhe jashtë, që kanë punuar këtu dhe që kanë qenë në krye të kësaj kinemaje si Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika, Pirro Milkani apo dhe të tjerë që kanë sot dhe ide dhe mundësi të mëdha për ta dhënë këtë përvojë. Unë nuk arrij dot të kuptoj se cilat qenë arsyet që kjo shkollë nuk arriti të gjente edhe nëpërmjet shtetit shqiptar në këtë rast të përfaqësuar nga Ministria e Kulturës, do të gjente vetveten ndoshta duke bashkuar kapitalet me një kapital publik, pra duke u bërë një sh kollë gjysmë private, gjysmë publike, të cilat sot ekzistojnë aq shumë dhe janë prezente dhe në një shtet si Italia. Qendra eksperimentale është një nga shkollat më të mira të kinemasë, është pranë studios Cine Citta-s. Tani isha në këtë studio dhe në këtë shkollë. Ajo është ndërtuar afër saj për arsye sepse është e domosdoshme që shumë mjete, forma, mënyra prodhimi janë konkrete. Studenti arrin t’i shohë dhe t’i konkretizojë ato që fiton nga shkolla. Kjo është pra ideja e dytë, që ishte jo e vogël. E treta është se aty punon prej vitesh, pavarësisht se ne si kineastë jemi larguar dhe nga që nuk kemi hapësira në mjete teknike, nuk jemi në gjendje më të punojmë në këtë studio dhe punojmë nëpër studio të huaja apo kompani të huaja. Por unë mendoj se një grup kineastësh me filmin vizatimor, pra me filmin e animuar, punojnë akoma me këto teknika të vjetruara me një përkushtim të jashtëzakonshëm. Investimi që mund të bëhet për këtë lloj prodhimi, ku njerëzit janë prezent është i domosdoshëm. Ishte kjo një nxitje e domosdoshme për ta nxitur prodhimin në këtë studio. E fundit, që dua të trajtoj, sepse për studion Albafilm ka probleme të mëdha, është se Televizioni Publik sot duhet të jetë prezent në studiot e prodhimit kinematografik. Prej vitesh në Televizionin Publik është trajtuar që nuk ka një atelie. Mbaj mend kur kam punuar në vitin 175-’76 në këtë televizion kishte 4-5 studio të vogla që sot janë vetëm për lajme, Atje ishte ideuar dhe ajo që të kishte një atelie. Madje atëherë qe dhënë dhe një buxhet për t’u ndërtuar kjo atelie. Çuditërisht atelieja dhe sot në studion “Albafilm” rri prezent dhe po rrënohet çdo ditë e më tepër. Dhe dy kinema apo dy institucione të prodhimit audiovizual që gjenden pranë njëra-tjetrës nuk janë në gjendje të kooperojnë, të hyjnë dhe të ndihmojnë njera-tjetrën. Unë habitem se si atelieja e vjetër që dikur kishte zyra, kishte me dhjetëra anekse të vogla nuk ar riti të mbijetonte. Këto duhet të ndërhyjnë tek njëra-tjetra dhe duhet të bëhen prezente dhe nuk ka asnjë arsye pse ata atelierë të kishin mbërritur në këtë gjendje. Tjetër, është se Televizioni Publik po krijon marrëdhënie gjithnjë e më shumë prodhimi apo konceptimi me televizione si RAI, ZDF, ka disa marrëveshje me Televizionin Publik turk, ka marrëveshje me Televizionin Publik grek dhe po të shikosh nëpër të gjithë këto televizione, ato janë të ndërtuar nëpër studiot e filmit për arsye se dhe mjetet teknike sot janë mjete teknike që i përkasin të dy këtyre institucioneve. Pra, ja. N edhe elektronikë, janë edhe celuloidë dhe hyjnë dhe integrohen tek njëra-tjetra. Në këtë kuptim Televizioni Publik është ai i cili duhet të ishte ose me aksione ose me ndonjë gjë tjetër që mund të përcaktohet. E fundit, është se studio “Albafilm” është e vetmja në rajonin tonë, dmth, në një rajon që përfshin jo vetëm shqiptarët pra me kombësi shqiptare, por edhe në Greqi ka atelie të vogla, por studio të tilla nuk ka. Pra do të shërbente dhe do të hapte hapësira të mëdha edhe për këto lloj prodhimesh, të cilat ata si dhe ne tani kërkojnë studio të tjera ku mund të prodhojnë. Kinemaja shqiptare me filmat si me filmin e Edmond Budinës apo dhe filma të tjerë si një film kanadez që sapo ka mbaruar xhirimet, kanë xhiruar në Shqipëri dhe kanë kërkuar nga studio “Albafilm” t’i ndihmojë me mjete shërbimi, servisi, me kapitalet e tyre, mi, servisi, me kapitalet e tyre, me kapitale të marra nga shtetet e tyre dhe studio nuk ka qenë në gjendje t’u japë më as dhe kostume që ne dikur i kemi pasur në repartin e kostumerisë, pra nuk është në gjendje t’u japi as dhe njëlloj teknike e cila tashmë është tmerrësisht e rrënuar. Pra studio “Albafilm” kërkon një strategji të re, kërkon një mënyrë të re konceptimi. Nëse Ministria e Kulturës është në gjendje ta bëjë, për mendimin tim aftësitë, mundësitë dhe kineastët sot gjenden për të dhënë këto ide.
Të drejtën e autorit dhe amendamentet shtesë që u aprovuan në shtator për sanksionet mbi prodhimet audovizuale të pablera të dhënë në formë pirateske, a e ndihmojnë prodhimin tuaj? A ka tani televizione vendase që duan të blenë filmat tuaj?
Kompanitë e pavarura në shumë raste, kompani që financohen nga Qendra Kombëtare e kinematografisë edhe kompani të tjera, të cilat kanë prodhuar filma dokumentarë apo dhe filma artistik me metrazh të shkurtër apo dhe me metrazh të gjatë, serial etj. nuk e kanë gjetur asnjëherë vetveten në televizionet private edhe në Televizionin Publik, veçse momente kur kanë bashkëpunuar me ta. Kjo natyrisht i ka varfëruar shumë të ardhurat dhe forcimin e këtyre kompanive. Konkretisht, e kam shumë më të qartë dhe më të mundshme të flas në marrëdhënie me kompaninë që unë drejtoj. “Eurofilm” është një kompani filmi dhe prodhimesh audovizuale që ka prodhuar në gjatë kësaj kohe dy filma artistik që quhen “Dasma e Sakos” dhe filmin “Butrinti” dhe disa filma dokumentarë në marrëdhënie dhe në bashkëpunim dhe me Televizionin Publik. Natyrisht filmi me shumë vështirësi ka gjetur vetveten në kinema për arsye se dhe kinemaja ka vështirësitë e saj dhe me këtë mangësi sallash, afërsisht tani “Millenium” si një qendër distributive më tepër e filmit amerikan dhe ndonjë premiere të ndonjë filmi evropian, filmin shqiptar e ka parë gjithmonë me vështirësi. Megjithatë në 45 sallat e “Millenium” prodhimet e fundit të filmit shqiptar janë shfaqur. Televizioni Publik dhe televizionet private pothuajse janë rritur që në fillimet e tyre me prodhimet që kanë bërë vetë shumë të pakta, apo me prodhimet pirateske të cilat ishin në pafundësi dokumentarë amerikanë, filma amerikanë dhe ndonjë film serial i blerë apo për mua më tepër i pablerë, i shfaqur dhe i transmetuar në formë pirateske. Kjo vjen dhe nga pamundësia e ndërtimit të një distributori të ri të prodhimeve vendase, të cilat ne na mungojnë. Ne këto kohët kemi formuar dhe Forumin e Mbrojtjes së drejtës së producentëve të autorëve të filmit dhe të prodhimeve audiovizuale dhe kjo u bë edhe për mbrojtjen e filmit amerikan me mbështetjen dhe të Ambasadës Amerikane. Qëllimi është pra sepse shteti shqiptar, Ministria e Kulturës në këtë rast, nuk e ka pasur të vështirë të prezantojë përpara opinionin evropian, institucioneve evropiane që ligjet mbi të drejtën e autorësisë janë prezantuar, ekzistojnë të aprovuara dhe në parlament, të botuara në fletoren zyrtare dhe në shtyp por zbatimi i tyre ka munguar gjithmonë. Mos të harrojmë se u bënë trembëdhjetë vjet periudhë tranzicioni me këto ligje që ekzistojnë, janë prezent, por nuk zbatohen. TV publik tani së fundi ka kërkuar të blejë prodhime vendase (filma artistikë shqiptarë të prodhuar nga këto kompani. Konkretisht, filmi “Dasma e Sakos” është në procedurë blerje nga ky televizion prej gjashtë muajsh. Shpresoj që të mos shkojnë dhe gjashtë muaj të tjerë që ky film të shohë dritën e ekranit. Televizionet private deri tani akoma nuk e kanë hapur dritën jeshile për blerjen e këtyre programeve, të mos flasim pastaj për prodhimet e videove e të DVD që pothuajse vazhdon të piratohet në të gjitha format. Por si kineast që nuk jam shpërblyer prej vitesh si dhe shumë kolegë te mi, vazhdojmë të shpresojmë, të shpresojmë, të shpresojmë…
Pas gjithë kësaj morie problemesh, a mund të na thoni diçka për prodhimin tënd të fundit?
Sapo realizova premierën e filmit dokumentar “Legjenda e Baltës”, film ky që i kushtohet jetës dhe veprës së skulptorit të njohur Odhise Paskali. Në dhjetor të këtij viti ky Artist i madh ka 100 vjetorin e lindjes. E kisha për nder ta përkujtoja me këtë film që e punova me shumë dashuri.