Martin Leka: Berisha “pret” kokat e fundit
(Botuar me 23 Prill 1996)
Nga Martin Leka-
Tiranë – Të dielën, ndërsa shqiptarët bënin qejfin e ditës së pushimit, Presidenti i Shqipërisë Sali Berisha, drejtonte mbledhjen e këshillit kombëtar të PD që u zhvillua në Pallatin e Kongreseve. Dihet tashmë se Berisha për asnjë çast nuk është shkëputur nga drejtimi i partisë që e zgjodhi atë në postin e Presidentit, por ajo që të tërheq vëmendjen është fakti se në mbledhjen e së dielës, Berisha, qoftë edhe formalisht, nuk e la “kryetarin” e partisë, Tritan Shehu të drejtonte mbledhjen e rëndësishme për nga koha dhe objekti për të cilin ishte thirrur.
Presidenti, kryetari i padiskutueshëm i PD
Që në fillim të mbledhjes së këshillit kombëtar, Berisha ka marrë menjëherë drejtimin e mbledhjes nën buzëqeshje, pasthirrma dhe lëvizjet aprovuese të Shehut që qëndronte sa për sfond përkrah tij dhe që dëgjonte me respekt. Në pikën më të rëndësishme atë të zgjedhjes së kryesisë së re të partisë, vetë Berisha ka influencuar të pranishmit, duke bërë vetë karakteristikat e të propozuarve. Lajkat më të mëdha p.sh. , i ka marrë Kopliku, ndonëse kjo nuk e ka shpëtuar atë nga rreziku, duke dalë i fundit në numrin e pikëve nga ata që fituan. Berisha ka folur edhe në emër të Tomorr Dostit, duke thënë se “Tomorri po jep vetë dorëheqjen”, ndoshta jo më shumë për të ruajtur Dostin sesa për të “Kujtuar” të tjerë të bëjnë veprimin e Dostit pa gojën e Berishës. Sekretarin e ri të përgjithshëm të PD, Besnik Gjongecaj, Berisha e ka cilësuar si “njeriun më të përgatitur e më të angazhuar të PD”.
Blerim Çela ose “kokë turku”?!
Duke bërë vetë karakteristikat e kandidaturave për në kryesinë e re të partisë, Berisha ka treguar se nuk harron lehtë. “Ka bërë deklarata të pakontrolluara”, ka qenë përkufizimi që ai i ka bërë Blerin Çelës. Për herë të parë Presidenti i Republikës ka dënuar kryekontrollorin e shtetit për deklarata të pakontrolluara ose përkthyer ndryshe, “të papërgjegjshme”. Ndoshta kjo mund të ketë lidhje edhe fushatën e zgjedhjeve që sapo ka filluar. Ndoshta Berisha me këtë karakteristikë ka dashur t’ju kujtojë partiakëve të tij të mos bëjnë budallallëqe në fushatën që pritet të kurorëzohet me fitoren e opozitës. Ndoshta Berisha ka dashur t’ju kujtojë të gjithëve se ai vetë nuk harron, prandaj edhe ata të mos mendojnë se Presidenti harron. Karakteristika e Berishës për Çelën, njeriun që inicioi procese të bujshme kundër opozitës dhe që “zbuloi” vjedhjet e ndihmave nga Fatos Nano, ka bërë që të thahet shpresa e tij për t’u zgjedhur në kryesinë e PD, megjithëse është votuar. Fenomeni i “kokës së turkut”, këtë herë ra mbi kokën e Blerim Çelës, i cili në fakt kish menduar më tepër për kokën e PD sesa për të veten.
Shkelen procedurat, shmangen telashexhinjtë nga e djathta e PD
Zakonisht në zgjedhjen e kryesisë së PD, procedura që është ndjekur ka qenë votimi për të gjithë anëtarët aktualë të kryesisë si dhe për propozime të reja. Të dielën nuk është vepruar kështu. Nuk janë kandiduar të gjithë anëtarët e kryesisë së vjetër. Kjo, sipas Berishës, është bërë me motivin e rinovimit, uljes së moshës dhe largimit të telashexhinjve. Nga kryesia e vjetër, përveç Tomorr Dostit që dha dorëheqjen, nuk u kandiduan të njohurit Genc Ruli, Tomorr Malasi dhe Rexhep Uka, megjithëse në Kongres kishin fituar shumë më tepër pikë se të tjerët që u kandiduan. Arsyeja e moskandidimit duket e thjeshtë për t’u kuptuar. Ruli, Malasi e Uka mund të fitonin votat për në kryesinë e re. Moskandidimi i tyre ishte rruga më e shkurtër, por njëkohësisht edhe më antidemokratike. Dihet tashmë se Ruli e Uka shpëtuan nga heqja e imunitetit e ndoshta edhe nga burgimi, falë votimit spektakolar në Parlament duke i djegur Berishës njëkohësisht arrën dhe gurin. Po kështu, dje është larguar nga kryesia edhe Tomorr Malasi ose përkrahësi i deklaruar “i telashexhiut” Eduart Selami. Përveç eliminimit të Rulit, Ukës e Malasit, në mbledhjen e djeshme ra në sy dhe shmangia e figurave të njohura në PD si përfaqësues të krahut të djathë. Kështu Tomorr Dosti e Leka Toto mbetën jashtë kryesisë.
Në PD militantët zëvendësohen me nëpunësit e zgjedhur nga Berisha
Presidenti pati premtuar se në strukturat e PD do të realizonte afrimin e mbi 25 përqind të grave. Në kryesinë e re prej 18 anëtarësh, të dielën janë zgjedhur edhe katër gra: Suzana Panariti, Roza Pati, Flutura Hasko, Marjeta Zaçe. Duket disi e sforcuar zgjedhja në kryesinë e re të këtyre figurave, duke patur parasysh kontributin e tyre në PD, sidomos krahasuar me figura të tjera tashmë të njohura për të. Nëse Panariti është ministri dhe Hasko udhëheqësja e forumit të grave, Pati ka ardhur nga posti i kryetares së këshillit të rrethit të Lezhës, ndërsa Zaçe vjen nga bota e madhe e sportit. Ndërkohë një tjetër figurë e paangazhuar në vijën e parë të frontit të militantëve të PD, vjen në postin e sekretarit të përgjithshëm të PD, Besnik Gjongecaj, rektor i Universitetit Bujqësor. Pas këtyre ndryshimeve rrënjësore në forumin më të lartë drejtues të PD, duket qartë se vendin e militantëve partiakë po e zënë nëpunësit e zgjedhur dhe të emëruar nga Berisha. Sipas burimeve brenda PD, ka të ngjarë që kjo logjikë të vendosë edhe në caktimin e njerëzve që do të kandidojnë në zgjedhjet e 26 Majit. Kësisoj moskandidimi në kryesi i Rulit, Malasit e Ukës, ka të ngjarë të përsëritet edhe në kandidimin e tyre për deputet. Për Rulin ka disa peticione të dërguara nga zona e tij në Gjirokastër drejt kryesisë së PD, por moszgjedhja e tij në forume të rëndësishme, siç është kryesia e PD, do të përkthehej lehtë edhe si një mundësi më pak për ta kandiduar përsëri për deputet në Parlamentin e ardhshëm.
Box
Kryesia e re e PD
- Sali Berisha
- Albert Brojka
- Aleksandër Meksi
- Pjetër Arbnori
- Dashamir Shehi
- Ali Spahia
- Ylli Vejsiu
- Maksim Cikuli
- Besnik Gjongecaj
- Engjëll Hysenbegaësi
- Dylber Vrioni
- Afrim Krasniqi
- Ferdinand Xhaferri
- Suzana Panariti
- Roza Pati
- Flutura Hasko
- Marjeta Zaçe
- Bashkim Kopliku
Largohen nga kryesia
- Genc Ruli
- Eduart Selami
- Merita Zaloshnja
- Tomorr Malasi
- Tomorr Dosti
- Rexhep Uka
- Blerim Çela
- Leka Toto
Pergatiti: Martin Leka