Martin Leka: PS, me Nanon apo Marksin

(Botuar me 24 gusht 1996 në KOHA JONE)

Nga Martin Leka-

Socialistët sot ndodhen përpara një sfide historike. Ata do të përballen në Kongresin e tyre më shumë me vetveten se me “regjimin e Berishës”, i cili gjatë këtyre viteve në pushtet i ka linçuar jo pak. Socialistët vijnë nga një dështim. Zgjedhjet e 26 majit nuk janë vetëm “faji i hajdutit”. Kongresi i sotëm i socialistëve është prova tjetër e madhe për ta. Një dështim i dytë do të ishte fatal për ata dhe jo vetëm për ata.

E rëndësishme për socialistët sot do të jetë lufta reale për reformimin real të tyre. Nëse polemikat e fundit, pas mocionit të kryetarit socialist Nano, treguan emancipim politik të socialistëve, kjo është edhe një ogur i mirë edhe për kongresin e sotëm dhe për më tej.

Palët, grupet apo kundërshtarët sot duhet t’i kenë shpatat në mill. Kjo për faktin se, si kundërshtarët e Nanos ashtu dhe përkrahësit e tij kanë bërë shumë gabime gjatë debatit për rinovim.

Sot duhen vetëm argumentet rinovues e emancipues, punë që palët kanë aftësi ti bëjnë pa thyer kocka. Nëse ndodh e kundërta, rinovimi do të mbetet një ëndërr e keqe. PS është pjesë e realitetit politik shqiptar, por edhe partia me elektoratin më të madh. Si e tillë, edhe proceset e nisura prej saj, i kalojnë caqet e interesimit “elektoral”.

Ndonëse me pak sforcim, socialistët kanë meritën e “shpalljes dhe fillimit të luftës” nga vetë ata. Mjaftoi mocioni Nano për të krijuar “incidentin” e fillimit të luftës brenda partisë, formim.

Ndryshimet e mëdha që priten në kongresin e sotëm të PS në program e statut si dhe në organet drejtuese, në mënyrë të veçantë divorci përfundimtar me të kaluarën, me teorinë e Marksit e me diktaturën e Hoxhës nuk mund të mos përshëndeten nga opinioni publik e politika shqiptare, ashtu siç duhet shpresuar se jo gjithçka mbaron vetëm sot. Gjithçka e kanë në dorë socialistët.

Socialistët sot do të përballen edhe me Marksin, edhe me Hrushovin, edhe me Hoxhën. Distancimi real nga e kaluara, kësaj “mushke” që s’iu nda PS gjatë këtyre viteve, sot duhet ti flaken edhe patkonjtë. Nëse kjo bëhet vetëm me sofizma, nëse potencialet njerëzorë nuk trajtohen si duhet, nëse interesat e reformimit zëvendësohen me interesa meskine, atëherë “Marksi do të bëhet tullac, Hrushovi me mjekër e Hoxha me mustaqe”./ Martin Leka/

 

 

 

SHKARKO APP