Martin Leka: Viti 1996, triumfon politika e shkopit
(Botuar me 31 dhjetor 1996 në KOHA JONE)
Nga Martin Leka-
Një autobombë në një nga supermarketet e një firme të njohur në qendër të kryeqytetit, një deklaratë politike e lidershipit udhëheqës menjëherë pas shpërthimit dhe që pasoi me burgosjen e gjithë stafit të gazetës më të madhe shqiptare në një nga rajonet e policisë së Tiranës ishin prologu që paralajmëronte politikën shqiptare “të vishej trashë”. Në televizionin e vetëm shqiptar filluan të shfaqeshin Fokuse me komunizëm, me shumicë si rrobat anës rrugës të firmës “Gabi”. Këto ishin pararoja e fushatës elektorale të zgjedhjeve të përgjithshme që Berisha i dekretoi për 26 maj, duke e konsumuar për PD edhe “racionin” rezervë të konsumimit të të gjithë pushtetit. Opozita krijoi një formësim më solid. Dy partitë e qendrës së majtë e të djathtë, PSD e PAD krijuan Polin e Qendrës, ndërkohë që një lidhje krijuan edhe të djathtët, lidhje që më shumë ishte zgjidhje se sa lidhje. Për herë të parë, mes partisë më të madhe opozitare, PS, dhe partive të Polit të Qendrës u vendosën marrëdhënie bashkëpunimi, që shkuan gjer në përkrahje të kandidatëve të përbashkët në këto zgjedhje. Opozita por edhe analistë të ndryshëm politikë ishin shprehur për një fitore të padiskutueshme të forcave opozitare. Nga ana e saj, edhe partia në pushtet, PD, ishte shprehur për fitore zgjedhjeve, ndonëse jo me nota entuziazmi.
Madje vetë kryeministri shqiptar ishte shprehur pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme se partia e tij synonte të kapte një shifër prej rreth 45-47 për qind, shifër që do t’i jepte PD edhe mundësinë e krijimit të qeverisë, duke mundësuar kështu ruajtjen e pushtetit edhe për një mandat të dytë. Panorama parazgjedhore filloi me një disavantazh jo të vogël për opozitën reale, prej së cilës “genocidizmi” pati rrjedhojë përjashtimin e shumë figurave të njohura politike nga gara elektorale.
PD, në pamundësi për të dhënë alternativa të mëtejshme për një mandat të dytë, nisur nga realiteti i një qeverisjeje me shumë mangësi dhe ku mbisundonte korrupsioni i rangjeve të larta, iu rikthye “luftës kundër komunizmit” pa komunizëm. Kjo kartë e përdorur shpesh në fushata intensive e në kohë krizash për PD, u bë e pabesueshme për elektoratin, i cili tashmë duket i ndërgjegjësuar për pamundësinë reale të rikthimit të komunizmit në Shqipëri. Nga ana tjetër, edhe opozita nuk mundi të ishte shumë e qartë në alternativat që ofronte, nisur ndoshta edhe nga euforia e një fitoreje të sigurtë si dhe nga avantazhet që i kishte lënë PD gjatë qeverisjes me shumë gabime gjatë legjislaturës. Kjo bëri që opozita më shumë se sa alternativat reale të udhëheqjes së saj gjatë mandatit, t’i linte më shumë vend gabimeve që kishte bërë PD. Nga ana tjetër, nisur nga shumica absolute e deputetëve të saj në parlament, PD ia kishte arritur qëllimit që përveç eliminimit nga konkurrenca politike të potencialeve të opozitës, të kishte mundësinë e një kontrolli të njëanshëm të komisioneve të qendrave të votimit nga baza në qendër. Megjithë protestat e opozitës, PD nuk lëshoi pe në pikat e kopsitura mirë të ligjit të zgjedhjeve nga deputetët e saj, duke i ofruar vetes një shans më shumë në fitimin apo manipulimin e zgjedhjeve të mëvonshme të 26 majit. Të gjitha këto ishin shtrati i përshtatshëm i PD në rrugën për mbajtjen gjatë të pushtetit ose “pushtetit me çdo kusht”.
Dita e votimit filloi nën një presion psikologjik për forcat opozitare. Prania në qendrat e votimit dhe jashtë tyre të forcave të policisë apo skalioneve të tjera, ishin sinjalet e para të një trysnie që sa vinte e shtohej. Nga ana tjetër, televizioni i vetëm i kontrolluar nga PD gjatë ditës së votimit dhe në kundërshtim me ligjin jepte “rezultatet” e disa qendrave e rajoneve të votimit bazuar në një sondazh të një fondacioni shqiptar, që shumë të madh ka vetëm emrin.
Shumë nga anëtarë të komisioneve të qendrave të votimit të opozitës u detyruan me mjete të dhunshme të largoheshin apo të shmangeshin nga detyra. Presioni ndaj opozitës u rrit gjer në atë shkallë saqë puna e shumë komisionerëve në qendrat e votimit u bë e padurueshme. Në këto kushte, në orët e pasdites, 6 partitë opozitare vendosën bojkotimin e zgjedhjeve dhe tërhoqën përfaqësuesit e tyre nga qendrat e votimit, duke mos njohur në të njëjtën kohë çdo rezultat të këtyre zgjedhjeve. PD nga ana e saj i njohu zgjedhjet dhe shpalli rezultatin e tyre të nesërmen, duke mos u turpëruar aspak të merrte për vete rreth 90 për qind të deputetëve të parlamentit prej 144 vendesh.
Nga ana tjetër, opozita e bashkuar paralajmëroi protesta paqësore në mbarë vendin. Një ndër këto dhe më kryesorja në qendër të Tiranës, u shtyp nga shteti me dhunë të pashembullt, dy ditë pas zgjedhjeve. Liderë të opozitës u bënë pre e dhunës së policisë të udhëhequr nga vetë zëvendësministri i brendshëm në terren e të urdhëruar nga dikush më lart. Ndërkohë që media zyrtare bënte vetëm një njoftim të thatë për ngjarjen e që fajësonte opozitën, mediat botërore u ushqyen për një kohë të gjatë nga pamje rrëqethëse të dhunës në sheshin qendror të Tiranës. Zgjedhjet e manipuluara dhe dhuna e hekurt ndaj opozitës u bënë problem i qeverive e organizatave të ndryshme evropiane e botërore. OSBE shpalli një raport në favor të opozitës, ndërkohë që ndaj përfaqësuesve të saj shteti shpalli një luftë të egër propagandistike duke i implikuar ata me regjimin e vjetër komunist. Parlamenti Evropian, Këshilli i Evropës si dhe qeveri të ndryshme negociuan me qarqet politike shqiptare dhe rekomanduan miratimin e ligjit themelor të shtetit në bashkëpunim me gjithë forcat politike, pasuar nga zgjedhje të reja.
Ndër këto qëndrime, më konstant ka qenë ai i SHBA, qëndrim i cili ka sjellë handikapin e ngrirjes të marrëdhënieve dypalëshe, secila në pozicionin “in extremis”, por që i ngjason një loje të demit me toreadorin, ky i fundit me cohë blu. Zgjedhjet lokale që vijuan në 20 tetor nuk ndryshuan asgjë në themeloren e tyre: ato i fitoi PD me pothuaj të njëjtin rezultat si ato të përgjithshme, zgjedhje që nga opozita u quajtën të manipuluara, me të vetmin ndryshim se PD ndryshoi sofistikimin në manipulim. Jo pak ndikoi edhe një tulatje e opozitës në përgjithësi dhe e PS në veçanti, që përveç përvojës së hidhur të 26 majit, shkaktuar tek kjo e fundit edhe nga probleme të brendshme që lidheshin me reformimin dhe ndryshimin e PS.
Pas një mocioni për debat të kryetarit të PS me teza bashkëkohore për reformim e ndryshim real të partisë së ashtuquajtur ish – komuniste, liderët e saj filluan një debat që shpeshherë nuk mbështetej në oponencë e fraksione, por që tingëllonte më shumë si një luftë inatesh personale. Politika shqiptare edhe në fundviti dominohej nga “politika e vdekur”, situatë e krijuar nga dominimi absolut i një partie, asaj demokratike, që përveç krijimit të një situate antidemokratike, forcë e intolerancë, ka vënë në rrezik edhe vetë pluralizmin. Shkëndijat e rizgjimit të politikës së vërtetë i dha ish-lideri i dhjetorit Hajdari në luftën e tij për reformimin e sindikatave. Kështu do të fillojë viti i ardhshëm politik, nga i cili pritet një fund tjetër./Martin Leka/