Media/Berisha të rrihte, kurse Nano të falimenton

(Botuar me 7 Shtator 1997 në KOHA JONE)

Media/Berisha të rrihte, kurse Nano të falimenton

Në kohën e Berishës të gjitha pushtetet, ai legjislativ, gjyqësor dhe ekzekutiv u vendosën nën pushtetin partiak. I vetmi pushtet që nuk u mor asnjëherë nga ish-presidenti ka qenë shtypi i shkruar, pasi media elektronike ishte që në fillim nën diktatin e tij. Nëse ka patur dhunë mbi gazetarët, survejim apo arrestime ato kanë qenë vetëm mbi shtypin e pavarur.

Nëse nuk është joshur nga ofertat ekonomike apo miklimet administrative të kohës së Berishës ka qenë po ky shtyp, i cili edhe kur i janë tundur dollarët, ashtu edhe kur u janë thyer dhëmbët, përsëri ka luftuar për një të drejtë universale për njerëzit: informimin me të vërtetat e botës shqiptare. Edhe në kohën kur policia dhe SHIK-u bllokuan të gjitha mitingjet e opozitës në fillim të këtij viti, ishte po ky shtyp i shkruar, i cili informonte dhe mbante gjallë popullin, pa harruar opozitën e asaj kohe, e cila kishte gjetur strehë tek i vetmi pushtet real i asaj kohe.

Nëse u dogj apo u bllokua institucioni në Tiranë, ishte pikërisht redaksia e një gazete, e cila u bë shkrumb e hi nga shikasit e Gazidedes. Natyrisht që shikasit mund të bënin gjëra të tjera përpara djegies së një redaksie gazete, por ato i tërbonte e i verbonte fjala e lirë, pasi ishte në atë kohë i vetmi pushtet që mbarte mbi supe fuqi eksplozioni përballë “monarkisë” së Berishës.

Të gjithë janë dëshmitarë, se si u shkatërrua edhe ekonomikisht nga taksat e tarifat e larta i gjithë shtypi i pavarur. Por gazetarët duronin vështirësitë ekonomike në emër të profesionit, në emër të asaj se gjërat do të shkonin në sensin për mirë, edhe për ata.

Megjithatë koha e “luftës” mbaroi. U abrogua nga parlamenti ligji për shtypin, pra u hoq burgu. Natyrisht që është një ndër arritjet më të mëdha për shtypin. Por tashmë gazetat janë para dilemës: Të jetojnë apo jo nga moria e taksave të larta që do të aplikohen pas 1 Tetorit? Edhe kërkesës së botuesve kryesorë shqiptarë për t’u takuar e biseduar, kryeministri Fatos Nano iu përgjigj me indiferencë, duke mos i pritur, ndërkohë që gjen kohë të presë e përcjellë, nganjëherë bionde zyrash.

Ndofta ai mund të justifikohet se “çfarë doni më tepër, burgun ua hoqëm?!”, por liria e shtypit nuk fillon e nuk mbaron pikërisht këtu. Ajo është më e madhe se ajo që mendon kryeministri, ende aktual. Janë disa pranga të tjera, të cilat nganjëherë i zënë frymën shtypit, si taksat e larta.

Në asnjë vend të botës demokratike, shtypi nuk taksohet kështu si në Shqipëri, përkundrazi ai inkurajohet, ndihmohet por nuk taksohet. Dhe këtë ato e bëjnë për t’i dhënë udhë lirisë së fjalës, pushtetit të katërt. Nano, duhet pranuar se është fínok i madh. Ai nuk është Berisha dhe nuk përdor të njëjtat metoda si Berisha. Kryeministri Nano e kupton se çfarë roli ka shtypi tani e më pas, në kohën kur atij mund t’i dalin probleme. Ndaj po punon që të shkatërrojë “armikun” e tij, kundërshtarin e çdo pushteti, siç është shtypi i shkruar. Natyrisht që nuk mund të përdorë rrahjet apo arrestimet e gazetarëve, pasi nuk mund të bëhet ajo që ka ndodhur në kohën e Berishës. Ai përdor levat ekonomike, duke argumentuar se kush mund të jetojë, mirë, të tjerët të respektojnë rregullat e konkurrencës së tregut. Dhe tund rritjen e TVSH, me një argument idiot se gjoja e gjithë ekonomia do t’i nënshtrohet një detyrimi të tillë, duke harruar se shtypi është një pushtet, të cilit i lejohet një “privilegj” që të mos lërë të gjitha pushtetet e tjera që të bëjnë privilegje. Shteti dhe shoqëria humb më shumë nga mungesa e shtypit dhe e mirinformimit, se sa nga heqja e shtypit me një taksë, e cila në thelb është e barabartë me zhdoganimin e një maune me cigare (nga dhjetë maunet) të një ministri socialist, që kalon tre herë në javë nga dogana e Kakavijës. Në të vërtetë kjo që po i përgatit shtypit, Nano po tregon se nga Berisha e ndajnë shumë pak gjëra: asnjëri nuk e duron shtypin e lirë, i cili i zbulon pjesën e keqe të qeverisjes. A. K.

SHKARKO APP