Mentor Kikia: A do të zbardhet errësira e fajdeve?

(Botuar me 10 Tetor 1997 në KOHA JONE)

Mentor Kikia: A do të zbardhet errësira e fajdeve?

TIRANË – Bashkim Driza, Rrapush Xhaferri, Shemsie Kadria, Fitim Kërxhalliu e të tjerë emra që tashmë duket se po i zë harresa thuhet se do të vijnë prapë në Shqipëri. Njerëzit që bënë holokaustin financiar në Shqipëri, i cili duket të jetë ndoshta dhe unikal në gjithë botën e financave, janë larguar dhe madje me telefona herë pas here japin dhe intervista. “Ne do ju kthejmë përsëri paratë”,- kështu vazhdon komedia më tragjike që është luajtur ndonjëherë mbi këtë popull. “Po të na lënë të lirë ne ua kthejmë paratë, por shteti nuk na lë të punojmë” – këto deklarata bombastike bëheshin ndërsa gjeneralët e fajdeve ishin në bankën e akuzës.

Por më 13 mars, sapo burgjet u hapën dhe bashkë me shumë kriminelë ordinerë e panë veten në liri edhe bamirësit e famshëm, ata ia mbathën, duke lënë pas vetëm hijen e mashtrimit. Kështu që nuk u kthyen në zyra për të dhënë paratë popullit. Ndërsa më parë ia kishin mbathur bosët e Gjallicës, bashkëshortët Kadria. Në një ditë të bukur, jo nga burgu e nga mali, por nga aeroporti i Rinasit ikën me avion Shemsie Kadria. E përcjellë nga një makinë me targë zyrtare, e madje edhe me shoqërues, ajo u nis drejt Turqisë, ku thuhet se ka një pasuri të patundshme prej rreth 5 milionë dollarësh. Dhe tashmë janë po ata që e përcollën që kërkojnë kthimin e parave. Pas mbeti ish-drejtori i Vlorës për kompaninë, Kërxhalliu, i cili sikundër dhe kolegët e tjerë të tij lanë burgun dhe ikën në parajsën e vendeve të tjera. Kështu u mbyll kapitulli i “dënimeve” të krerëve të fajdeve. Ndërsa ishin në qeli, ata paralajmëronin se do të nxirrnin në shesh të vërtetën, por tashmë duket se gjithçka është dënuar të mbetet një mister.

Ndërsa vendi duket të jetë në prag të një tërmeti të ri fajdesh, pasi shteti ka marrë lapsin e po bën llogaritë e kompanive që janë ende në këmbë e që kanë marrë shumë herë më shumë para me fajde se fondacionet piramidale. Interpoli është vënë në kërkim të tyre, me adresa shpeshherë të pasakta dhe me vështirësi të tjera për të bërë rikthimin. Tashmë në Tiranë vazhdojnë proceset gjyqësore ndaj katër fondacioneve, procese të cilat janë shndërruar në një komedi të vërtetë. Ndërsa prokurorët formulojnë akuza, ata të qetë jetojnë atje ku thuhet se do ti gjejë Interpoli. Por a do të vijë ajo ditë që ata të jenë vërtet në bankën e akuzës dhe ajo e vërteta e madhe të dalë në shesh. Ligji nuk parashikon ndonjë ndëshkim të madh për ta, maksimumi është 5 vjet burg, por tek e fundit a do ta mbajë dot historia e këtij vendi një katastrofë të tillë si ajo e këtij viti, kur fajdetë, ato që u bënë shkaku i kësaj katrahure, të mbeten në kujtesë thjesht si një fenomen financiar që nuk do të përsëritet më?

MENTOR KIKIA

SHKARKO APP