MENTOR KIKIA, ALBAN BEQA: Shqipëria, laboratori i krimit të organizuar të Evropës
(Botuar me 31 korrik 1998 në KOHA JONE)
Ekspertët amerikanë e zviceranë organizojnë seminar për pastrimin e parave. Kompanitë rentiere kanë qenë lavatriçe të parave të Mafias
Nga MENTOR KIKIA dhe ALBAN BEQA
TIRANË – Pastrimi i parave, një operacion që kryhet përmes bankave, në Shqipëri ka qenë dhe vazhdon të mbetet shumë më masiv. Agim Tirana, kryehetuesi i vendit, duke e quajtur Shqipërinë një laborator krimi, ka deklaruar se këtu “ka njerëz me pushtet që pasurohen brenda natës”. “Pasuria e tyre duhet të verifikohet dhe të sekuestrohet nëse nuk justifikohen burimet financiare, pasi është vënë nga paratë e pista të kontrabandës së naftës dhe cigareve. Me to sot ngrihen gradaçela e lokale luksoze. Po me këto para, ata po përgatiten të blejnë sektorët strategjikë të ekonomisë gjatë procesit të privatizimit”.
Për të, piramidat, fondacionet bamirëse dhe kompanitë që u mbyllën së fundi nga qeveria shqiptare, kanë qenë një nga hallkat ndërkombëtare të pastrimit të parave të mafias dhe organizatave të ndryshme kriminale shqiptare e ndërkombëtare. Para pastrojnë edhe kioskat, lokalet luksoze e kazinotë, ekspozitat e biznesit. Por si identifikohet ky lloj krimi dhe si luftohet? Ekspertë të krimit të organizuar nga SHBA dhe Zvicra nisën dje një seminar dyditor për këtë problem. Ishin në këtë seminar Ministri i Drejtësisë Kondi, Prokurori i Shqipërisë Rakipi, Ambasadorja Amerikane Lino, ai zviceran si dhe specialistë të FBI e bankave amerikane e zvicerane. Si jo shumë të interesuar për këtë problem nuk ishin vetëm drejtuesit e bankave shqiptare. Që nga Guvernatori dhe drejtorët e të gjitha niveleve bankare.
Pastrimi i parave, kur nisi alarmi
Në vjeshtën e vitit 1996, kur piramidat në Shqipëri ishin në kulmin e lulëzimit dhe kishin gllabëruar kursimet e gjithë shqiptarëve, një grup specialistësh të FBI erdhën në Tiranë dhe bënë një seminar për krimin ekonomik dhe pastrimin e parave. Indirekt, ata treguan legalisht se fajdetë ishin aktivitet i papastër dhe mashtrues dhe u “mësuan” autoriteteve shqiptare se si duhej të mbylleshin. Por, në atë kohë ato nuk mund të mbylleshin, pasi me portretin e Xhaferrit deputetët e PD kishin hyrë në Parlament. Megjithatë, amerikanët nuk ishin kaq të shqetësuar për paratë e shqiptarëve që po ua merrnin piramidat. Shkencërisht ato duhet të kishin falimentuar. Por përfshirja në aktivitete kriminale, si pastrimi i parave të trafiqeve të ndryshme që lulëzonin në Shqipëri, kishte bërë që jeta e tyre të zgjatej. Kjo e shqetësonte FBI, që kërkoi ndërhyrjen e shtetit të atëhershëm. Por, edhe njëri prej specialistëve të Prokurorisë së Përgjithshme, Edison Heba, që guxoi t’i quante fondacionet si hallka të një zinxhiri ndërkombëtar të pastrimit të parave, nuk i pati punët mirë.
Paratë e pista, ushqimi i piramidave
“Nuk mund të konceptoheshin firmat rentiere në Shqipëri, pa zhvillimin e aktivitetit fitimprurës kriminal të pastrimit të parave”,- e ka nisur referimin e tij në këtë seminar Drejtori i Hetimeve në Prokurorinë e Shqipërisë, Agim Tirana. Ndërsa ishte ftuar të diskutonte për fenomenin e pastrimit të parave, ai e ka identifikuar këtë krim me aktivitetin e firmave rentiere në Shqipëri. Ai ka theksuar se ato patën një zhvillim të paparë ekonomik, që nuk përputhej me asnjë normë ligjore ekonomike. Firmat blinin prona, pa hesap, pa menduar për vënien e tyre në efiçencë ekonomike. Pastaj nëpërmjet korruptimit të njerëzve të drejtësisë i shisnin dhe i riblinin ato në një qark të mbyllur duke dhjetëfishuar vlerën reale të objekteve. E gjitha kjo bëhej për të shtuar besimin e njerëzve se investimet e tyre ishin të sigurta me kapitale reale ose që janë “paratë më të pastrat në botë”. Gjithashtu qindra njerëz e firma kanë depozituar qindra mijëra dollarë pa iu verifikuar burimi i tyre. Madje, Tirana ka aluduar për një rol negativ edhe të medias dhe shtypit.
“Nëpërmjet pagesave që i bëhej medias, piramidat siguronin një reklamë që ndikonte në shtimin e parave nga populli” – tha ai. Sipas tij, pas gjithë këtij bumi ekonomik nuk mund të qëndronin vetëm paratë e investuara nga qytetarët. “Këto firma – tha Tirana – kanë qarkulluar e pastruar para të pista të mafias shqiptare dhe asaj ndërkombëtare të fituara nga trafiku i drogës, i armëve, lëvizja masive e klandestinëve dhe veçanërisht të fituara nga disa kontrabandistë që kanë kontrolluar e vazhdojnë të kontrollojnë tregun e cigareve, karburanteve, hekurit, çimentos, kafesë etj. Nuk përjashtohet mundësia që persona nga stafi drejtues i këtyre firmave private të jenë marrë me veprimtari kriminale si trafiku i armëve, kontrabanda e karburanteve etj., për të cilat ka të dhëna tepër bindëse”. Tirana nuk ka përmendur emra në referimin e tij, por tha se këto fakte i kanë dalë gjatë hetimeve që janë duke u bërë mbi kompanitë rentiere. Madje metastazat e tyre ishin të shtrira edhe në disa shtete të tjera. “Ka të dhëna – tha Tirana – se për llogari të këtyre firmave, organizata të ndryshme (shoqata ekonomike e politike jashtë vendit), si dhe të disa të ashtuquajturve avokatë e personalitete kanë kryer veprimtari ekonomike financiare mafioze”. Norma e fitimit në aktivitete prodhuese e tregtare të ndershme në botë nuk kalon kurrë 20 përqindëshin. Ndërsa, për ato shqiptare, ai shpalli se nga analiza financiare që janë bërë nga ana e ekspertëve për llogari të hetimeve në kompaninë rentiere më të njohura ka dalëse se fitimi nuk i mbulonte kurrë shpenzimet që të justifikojnë aktivitetin e tyre, siç pretendojnë të ligjshëm. Kjo në një kohë që paguajnë për një vit 96 për qind për kreditorët në një periudhë katërvjeçare, gjë që tregon se është bërë një pastrim masiv i parave në këto vite”.
Pas kësaj, Tirana deklaroi se organi i tij kishte të dhëna të sakta mbi shtrirjen e aktiviteteve kriminale të firmave rentiere në disa shtete të Evropës, ku zakonisht ka shumë shqiptarë, gjë që justifikohet me lindjen e organizatave kriminale. Madje tha ai – në disa vende kemi të dhëna se krerët e tyre kanë pasuri të patundshme dhe kanë depozituara shuma të konsiderueshme parash. Hetimet kanë zbuluar se paratë janë transferuar si përmes bankave të nivelit të dytë në Shqipëri ashtu edhe CASH, me valixhe përmes rrugëve tokësore dhe ajrore, me skaf në rrugë detare ndërsa mungonte një kontroll total në pikat e kalimit kufitar.
Biznesi i vogël, edhe ai pastron
Por jo vetëm kompanitë kanë pastruar para sipas kryehetuesit shqiptar. Një lukuni biznesmenësh të huaj zbuluan në dekadën e fundit të këtij shekulli Afrikën e Evropës dhe vrapuan të ngrenë nga një karabina. Sot në Tiranë kanë lokale që nga kinezët, marokenët, irakenët, arabët, turqit, grekët, italianët, e gjithfarësoj të huajsh. Por sa fitojnë këta investitorë me aktivitetet e tyre në Shqipëri dhe sa para arkëtojnë në bankat e tyre për llogari të këtij aktiviteti? Këtë askush nuk e di.
“Firma të huaja dhe shqiptare të dyshimta, ushtrojnë këtu aktivitete private nëpërmjet dyqaneve, restoranteve e lokaleve të gjithfarësoj, të cilat në fakt dalin me humbje. Nëpërmjet tyre me siguri që pastrohen para” – tha Tirana. Ata kanë gjetur kushte shumë të mira pasi kontrolli i shtetit është i papërfillshëm, për shkak të vështirësive mjaft të mëdha në ditët e sotme. Nëpërmjet korruptimit të administratës shqiptare ata arrijnë të regjistrojnë të ardhura më të mëdha. Pas këtij konstatimi, Tirana ka lëshuar mandatën. “Shqipëria është bërë laborator krimi për Evropën, gjë që nuk duhej të lejohej. Prandaj – u është drejtuar ai të huajve – për të luftuar këtë laborator të së keqes, nuk duhet vetëm asistenca juaj teknike, por ndihma në pajisje materiale”.
Bankat nën akuzë
Bankat shqiptare nuk kanë ndihmuar vetëm në kalimin e një sasie jo të vogël të parave të piramidave në banka të huaja. Prokuroria ka të dhëna se në adresë të fondacioneve dhe piramidave të tjera kanë ardhur në Shqipëri sasi të mëdha valute, të pahedhura më parë në qarkullim. Firmat rentiere shqiptare kanë zhvilluar transaksione me Greqinë, Italinë, Maqedoninë, Turqinë, Bullgarinë, Hungarinë, Zvicrën etj.
“Në drejtim të këtyre shteteve konfirmohet, sipas Tiranës, se kanë shkuar një sasi e konsiderueshme valute si nëpërmjet bankave tona ashtu dhe me rrugë të tjera. Është konfirmuar se në drejtim të disa kompanive dhe fondacioneve bamirëse ka ardhur në rrugë të padeklaruar një sasi jo e pakët valute, kryesisht e pavënë më parë në qarkullim”. Në këtë kuadër kreu i hetimeve shqiptare ka këmbëngulur në marrëdhënie më të rregullta për shkëmbimin e informacioneve mes bankave dhe organeve të hetimit. “Prokuroria duhet të ishte vënë në dijeni për lëvizjet e sasive të mëdha të valutës, për llogari të firmave rentiere. Po ashtu duhet të dimë edhe se ku përdoren valutat që vijnë nga bankat e huaja për në bankat tona, sepse investimet që bëheshin ishin të papërfillshme përpara sasive të mëdha të parave” – tha Tirana. Ndërsa përfaqësuesi i Bankës së Shqipërisë, ndoshta jo më shumë se një përgjigje ndaj prokurorisë, ndër të tjera në referimin e tij tha se, shumë prej këtyre informacioneve bëjnë pjesë në atë që quhet sekreti bankar i klientëve. Tirana ka kërkuar një rol më aktiv nga bankat, si institucioni që është i ngarkuar direkt me administrimin e parasë.
“Bankat shqiptare – tha ai duhet të kenë marrëdhënie më të ngushta me simotrat e huaja, për të mësuar rrugën që ndjekin paratë që dalin nga vendi ynë nëpërmjet kompanive dhe firmave private”. Sipas tij, bankat sapo të vënë re lëvizje të dyshimta në këtë drejtim duhet të informojnë organet hetimore dhe ato të policisë, të cilët nëpërmjet bashkëpunimit me homologët e tyre të mund të ndërhyjnë. “Nuk përjashtohet mundësia tha Tirana – që pas këtyre lëvizjeve të mëdha të parasë të zbulohet ndonjë trafik droge apo armësh”.
Bota ka plot shembuj të tillë, kur hetuesit nga një transfertë parash kanë mbërritur tek ndonjë organizatë kriminale që kontrollonte llogaritë bankare. Kreu i hetimeve ka kërkuar gjithashtu që “bankat duhet të detyrohen që të njoftojnë për çdo rast, kur vërejnë klientë të dyshimtë. Por këtë gjë duhet të bëjnë dhe kolegët e tyre të huaj. Ata duhet të na njoftojnë e vënë në dijeni për bankat e huaja të dyshimta që merren me pastrimin e parave dhe rrugën që ndjekin përgjithësisht paratë e pista”. Deri tani, sipas Tiranës, nuk ka patur asnjë njoftim, si nga bankat ashtu dhe nga policia, që duhet të gjurmojë me mjetet e veta paranë e pisët.
Si mund të luftohet ky krim?
Në Shqipëri pranohet se është bërë pastrim parash. Ata që i kanë pastruar, disa janë arrestuar dhe disa hetohen në mungesë. Po burimi i parave? Kreu i hetimeve thotë se ky krim nuk mund të luftohet nga oficerë gjyqësorë dhe prokurorë që nuk kanë njohuritë e domosdoshme në fushën e veprimeve bankare, që nuk njohin mirë procedurat për të vepruar shumë shpejt me vlerat financiare dhe materiale që posedojnë personat apo organizatat kriminale që kanë vënë në qarkullim apo kanë investuar para të pista.
Shkurt, Tirana kërkon që të krijohet baza ligjore që atyre, poseduesve të parasë së pisët, t’u merren paratë, apo të zhvishen nga pasuria që kanë vënë përmes këtyre parave. Por, ai ka vërejtur se një nen që penalizon personat që “tjetërsojnë pasurinë, e fshehin atë, nuk tregojnë burimin”, e që parashikon dënimin deri në 10 vjet burg, nuk është vënë asnjëherë në përdorim gjatë gjithë kohës kur pastrimi i parave doli në skenë. Ndërsa një projektligj për pastrimin e parave ka që në vitin 1991 që ka mbetur nëpër sirtarë dhe nuk kalohet në parlament.
“Në Shqipëri shumë persona me pushtet janë pasuruar brenda natës. Kjo pasuri është vënë në rrugë joligjore, ndaj dhe duhet sekuestruar e t’i kalojë shtetit, e të bëhet pasuri kombëtare” – kryehetuesi ka qenë i prerë në deklarimet e tij. Ai deklaroi se janë me qindra miliona marka nga kontrabanda e cigareve, karburanteve, pijeve, metaleve me ngjyrë e mallrave të tjera. “Këto vepra janë amnistuar nga një parlament i penalizuar, vitin e kaluar dhe personat nuk mund të ndiqen penalisht. Por pasuria mund t’u merret, se e kanë vënë në mënyrë të paligjshme”. Ai ka kërkuar se secili, kushdo qoftë ai, duhet të dokumentojë ligjshmërinë e vendosjes së pasurisë së tij. Nëse ata nuk vërtetojnë këtë, atëherë pasuria duhet të konfiskohet. Duke përfituar nga drejtësia e korruptuar, ata i kanë regjistruar pasuritë në emër të të afërmve, ndaj dhe duhet bërë kujdes me këtë – tha Tirana.
“Ata me ato para të pista po ngrenë gradaçela, pallate, lokale luksoze, janë pronarë të pikave të karburanteve. Por, kanë ende para të thata në banka shqiptare e jashtë shtetit, me të cilat presin të bëhen pronarë të objekteve strategjike që do të privatizohen së shpejti, duke shtënë kështu në dorë plotësisht pushtetin ekonomik”. Por kush janë këta njerëz? Përderisa kanë fituar nga amnistia e marsit të kaluar, në listën e kryehetuesit janë ish-ministrat e qeverisë së PD. Por ai ka lënë të hapur çdo shteg, për të aluduar për cilindo “njeri me pushtet që pasurohet brenda natës”, pra edhe ata që ende nuk e kanë bërë amnistinë e tyre.
/MENTOR KIKIA, ALBAN BEQA/