Mentor Kikia: Drejtësia e tradhtuar

(Botuar me 10 shtator 1998 në KOHA JONE)

Nga Mentor Kikia-

TIRANË – Në politikën shqiptare është hedhur propozimi më i rrallë. “Të “ngrihen” hetimet për ngjarjet e vitit të kaluar”. Kjo do të thotë që të dalin nga burgu të gjashtë të arrestuarit, ish-funksionarë të PD. Ndërsa prokurorët të fusin në sirtarë dosjet dhe ti nxjerrin ato pas 3 vjetësh. Propozimi do të kishte kaluar me një shaka në zyrat e shtetit, sikur ai të ishte bërë nga, ta zëmë kryetari i një partie me njëqind anëtarë. Por atë e ka bërë vetë kryeministri Nano, në emër të një pajtimi të “madh”. Ose më saktë ai e lexoi, pasi ideja duhet të jetë gatuar nga të paktën ambasadori i OSBE në Tiranë Dan Everts, i cili ditët e fundit nisi dhe turin e bisedimeve me Rakipin, Meidanin e Nanon. Dje në Prokurorinë e Përgjithshme dhe atë të rrethit të Tiranës, bashkë me lajmin se hetimet do të “ngrihen” gati kishin ngrirë dhe ata vetë. Propozimi i Nanos me shumë se nismë politike dukej për ta si një thikë pas shpine, pas mëse një viti që merren me hetimin e këtyre ngjarjeve, apo dhe të tjera. Por ka dhe një shpresë të vetme. Që Parlamenti të mos e kthejë në ligj këtë propozim. Po nëse “po”, ç’do të ndodhë?

Prokurori i Shqipërisë Arben Rakipi dje tha se kishte besim se kjo nuk do të ndodhte, pra që deputetët do ta refuzonin miratimin e një ligji të tillë. “Po u miratua, ai do të zbatohet se është ligj” – tha Rakipi, duke shtuar se nuk “kam dëshirë të flas para kohe. Nëse bëhet realitet, atëherë do të them edhe unë fjalën time”. Pas kësaj me e vogla që mund të ndodhë është që kryeprokurori të japë dorëheqjen dhe bashkë me të edhe anëtarë të tjerë të ekipit të tij, ndërsa drejtësia kërcënohet nga një kaos i ri. Rebelimi i Nanos kundër prokurorisë, për arrestimet e ish-funksionarëve të PD, konfirmon faktin se për herë të parë Prokuroria e Shqipërisë ndërmori një hap, pa marrë më parë, të paktën, miratimin e krerëve të qeverisë. Por nëse hetimet ngrihen atëherë kjo nismë, për të krijuar shtetin e pavaruar nga pushteti, mund të thuhet pa frikë se mbytet që në djep dhe bashkë me të edhe shpresa se në këtë vend mund të ketë institucione shtetërore të pavarura.

Gjithashtu ngrirja e hetimeve për marsin, rrezikon të nxjerrë nga burgu një kontingjent të tërë të arrestuarish për krime gjatë kësaj periudhe. Ndonëse ende nuk është folur për detajet e “ligjit” të ri, por do të ishte e tmerrshme që të ngriheshin hetimet për një sërë bandash kriminale e grabitësish që e kanë kryer aktivitetin gjatë periudhës që po bëhet gati të “hyjë” në frigorifer. Dje në gjykatën e Tiranës është caktuar trupi gjykues për atë që është quajtur banda e Zanit të Vlorës, një nga më të përfolurat e trazirave të vitit të kaluar dhe e akuzuar nga opozita si një bandë që ndihmoi ardhjen në pushtet të koalicionit qeverisës aktual. Po me të ç’do të bëhet? Po me ata që dogjën e thyen në emër të luftës politike? Të tilla pyetje mund të rendisësh pa fund. Ndërsa avokatët do të vrapojnë të implikojnë politikisht deri edhe vjedhjen e tufave me bagëti nëpër male, që klientët e tyre të mund të përfitojnë nga ngrirja e hetimeve, e cila nuk është asgjë më pak se një amnisti përfundimtare për gjithë atë që ndodhi vitin e kaluar.

Propozimi i Nanos, ndonëse është bërë nga halli, për shkak se shteti i tij është i pafuqishëm të rezistojë para këmbënguljes së Berishës për ta larguar atë nga pushteti, rrezikon të varrosë përgjithmonë shpresat për një drejtësi normale në këtë vend. Rakipi, teorikisht, pranon se pas dy apo tre vjetësh këto hetime mund të vazhdojnë, pasi provat janë siguruar. Por sa reale mund të jenë ato hetime, dhe sa të gatshëm do të jenë ata hetues e prokurorë të rinisin hetimet që janë vënë në gjumë tre vjet më parë? Praktikisht kjo është një shaka, pasi pas tre vjetësh, të akuzuarit nuk do të jenë më këtu, shumica e dëshmitarëve gjithashtu dhe ndoshta edhe vetë prokurorët, ndërsa shumë gjëra do të jenë venitur. Ndërsa vetë prokurorët, ata që kanë muaj që punojnë me këtë dosje dje thanë se ndihen të tradhtuar keq nga politika.

Drejtori i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, Agim Tirana, thotë se nëse ky propozim bëhet ligj, ai parandjen një “erë të keqe” në organet e drejtësisë. “Ne nuk kemi pse të paguajmë haraçet e paaftësisë së politikës. Ne kemi punën tonë dhe ka një gjykatë që vlerëson legjitimitetin e saj. Problemet e tyre, partitë le t’i zgjidhin vetë.”. Tirana thotë, se në prokurori tashmë ka një ekip, të cilin ai e sheh si shpresën e një prokurorie të pavarur dhe në shërbim vetëm të shtetit. Por ka të ngjarë që pas dy vjetësh ky ekip të mos jetë më bashkë. Dhe ajo që parandjehet si më e keqja është se “pas nesh asnjë prokuror nuk do të guxojë të ndërmarrë veprime hetimore, pa pyetur më parë partitë politike, se cili do të jetë efekti politik dhe social i këtyre hetimeve. Ky do të jetë fundi i drejtësisë dhe kjo drejtësi më mirë të mos jetë”. Gjithsesi, do të duhen ende bisedime për përcaktimin e detajeve, që propozimi të mund të bëhet ligj. Por një gjë duhet sqaruar: Përse e gjithë kjo? Pra, a ka një motiv të madh që t’ia vlejë të sakrifikojmë shpresën dhe mundësinë për ngritjen e një drejtësie të pavarur?/ Mentor Kikia/

SHKARKO APP