Mentor Kikia: Krimi, kujtesë e vonuar

(Botuar me 16 Janar 1998 në KOHA JONE)

Nga Mentor Kikia-

Më në fund Parlamenti është kujtuar të merret me problemet e rendit dhe ndëshkimit të krimit. Vendosja e dënimeve më të ashpra për krimet e rënda, ndryshime në paketën ligjore të emërtuar “Antikrim dhe antikontrabandë”, e shfuqizuar vjet nga Gjykata Kushtetuese, veçimi në nene të posaçme të Kodit Penal të disa krimeve të rënda, ishte menuja e djeshme e parlamentarëve. Por jo gjithçka që është serviruar dje është “ngrënë”. Rishikimi i ligjit mbi përdorimin e armëve dhe marrja në shqyrtim e një vendimi të para disa javëve të ministrit të Brendshëm, Ceka, për të qëlluar mbi kriminelët pa paralajmërim, nuk është bërë dje. Luan Hajdaraga, Kryetari i Komisionit Parlamentar për Rendin dhe SHIK-un nuk ishte dje në Parlament. Ai është nisur për në Maqedoni, i shtuar në delegacion në minutat e fundit dhe mungesa e tij dje në sallë ka bërë që kërkesat më emergjente të policisë të mos shqyrtohen edhe pse ishin parashikuar në rendin e ditës.

Kështu, pasi krimi ka pushtuar vendin dhe ka rrezikuar seriozisht shtetin, atë pjesë të tij që bëjnë ligjet vetëm dje kanë gjetur kohë të diskutojnë për vendosjen e masave shtrënguese. Por më mirë vonë se kurrë. “Paketa e ligjeve antikrim dhe antikorrupsion”, me disa rishikime, është rikthyer sërish në skenë. Ligjet e kësaj pakete parashikonin dënime taksative për një sërë veprash penale të rënda, gjë e cila kishte ngjallur reagimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, i cili i kërkoi Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e saj. Por shkalla e lartë e kriminalitetit dhe përmasat agresive gjithnjë e në rritje të tij, e kanë bërë të domosdoshme atë. Kambanat e alarmit kanë kohë që bien. Njerëz që vriten çdo ditë, lokale e makina që grabiten çdo orë, maska që janë kthyer në “policë trafiku” dhe, një ditë policia u gjend në një pozitë të tillë saqë, nuk po ruante dot veten e jo më popullin. Krimi u bë një shtet më vete, madje edhe më i fuqishëm se vetë shteti. Ndërsa së fundi u shfaq në skenë terrorizmi, me të gjitha format dhe vetitë e tij. Por deputetët nuk kishin patur kohë të merreshin me këto punë, edhe pse kishin një popull të armatosur dhe një kriminalitet si në asnjë vend tjetër. Megjithatë dje janë ulur dhe kanë ndryshuar disa nene të Kodit Penal, kanë vendosur masa më të ashpra dënimi për trafikantët e drogës, kontrabandistët, rrëmbyesit e fëmijëve, organizatat kriminale e të tjera forma të krimit. Por gjithsesi policisë nuk i është dhënë përgjigje nëse duhet të qëllojë mbi banditët pa i paralajmëruar më parë./MENTOR KIKIA/

SHKARKO APP