Mentor Kikia: Rikthehet tmerri në Jug
(Botuar me 4 Tetor 1997 në KOHA JONE)
Nga Mentor Kikia-
Në Jug të vendit janë rikthyer sërish ngjarjet që na kujtojnë situatën e të paktën tre muajve më parë. Ndërsa shteti ka nisur të drejtojë këmbët dhe të vendosë rregullin, ngjarjet tronditëse e me pasoja të rënda, kanë trokitur sërish, madje frikshëm, duke na bërë të mendojmë se krimi është ende mes nesh, se nuk mund të kapërcehet kaq lehtë ajo “epokë” që për shtatë muaj na bëri më të njohurit në botë.
Atentate kundër institucioneve të shtetit, atentate ndaj njerëzve me pushtet, atentate kundër objekteve jetike, luftë mes bandash dhe, për pasojë dëme e viktima. Por të paktën një ndryshim. Këtë herë shteti, domethënë policia, nuk ka shkuar në vendin e ngjarjes thjeshtë për të numëruar viktimat, por ka bërë dhe arrestime. Kështu për herë të parë, pas zgjedhjeve, ministria e Brendshme ka qenë e detyruar të nisë autokolonat e forcave speciale për t’u ardhur në ndihmë komisariateve të Jugut. “Hakmarrje primitive e kriminelëve që kanë frikë nga vendosja e rendit” – kështu i ka vlerësuar ministri i Brendshëm, Neritan Ceka ngjarjet e fundit në disa qytete të Jugut.
Dhe kjo është e vërtetë, pasi kriminelët do të jenë opozita e përhershme e policisë. Ndërsa të gjithë mendonim se tashmë shteti dhe rendi janë duke u forcuar, lajmet që vijnë nga rajoni jugor duken të frikshme. Ajo “epokë” dukej e kapërcyer dhe ne të gjithë, ndoshta, po mendojmë për të bërë një hap më përpara, duke lënë pas luftën mes bandave politike që sollën dhe konfliktet civile. Pas ndërhyrjes së policisë në Vlorë, arrestimit të një numri të madh personash të kërkuar e të inkriminuar dhe së fundi mes tyre edhe të kapos së lagjes më “rebele”, Zanit, zhbllokimit nga bandat e grabitësve të të gjitha rrugëve nacionale, shumë gjëra dukej se morën rrugën e mbarë. Por nuk qenka dhe kaq e thjeshtë.
Dy ditët e fundit, muajt e shkuar na duken shumë të afërt. Në Sarandë sulmohet komisariati i policisë me antitanke, në Gjirokastër hidhet në erë banesa e kreut të pushtetit lokal, po në Gjirokastër hidhet në erë ura e “famshme” e Kardhiqit që lidh Tepelenën me Gjirokastrën, e cila ka shënuar kështu rezistencën e pestë ndaj eksplozivëve. Në Vlorë rikthehen sërish betejat mes bandave, ku nuk mungojnë dhe viktimat. Dhe është e njëjta gjuhë “komunikimi”, të njëjtët objektiva, por nuk dihen personazhet. Për herë të parë pas zgjedhjeve, pas aksionit për të vënë në kontroll Vlorën, ministria e Brendshme detyrohet të përdorë mjetet e blinduara në aksionet e saj dhe të nisë autokolona të specialeve nga Tirana për të vënë në kontroll gjendjen në këto qytete. Ndërsa hetimet kanë nisur për këto akte të rënda, nuk dihet nëse ata do të jenë vërtet aq ordinere sikurse i cilëson ministri Ceka.
MENTOR KIKIA