Mero Baze: “Prokuroria duhet të zbardhë ngjarjen, jo të nxijë botuesit”
(Botuar me 20 nëntor 2004)
Intervistë e botuesit të gazetës “Tema” , Mero Baze, dhënë gazetës “Koha Jonë”
Zoti Baze, mund të na thoni cili ishte qëllimi i prokurorisë gjatë seancës së djeshme kur ju u morët në pyetje?
Prokuroria ka nisur një procedim penal pas denoncimit të deputetit Nikoll Lesi në Kuvendin e Shqipërisë mbi një bisedë mes kryeministrit socialist Fatos Nano dhe ish-kryetarit të Komisionit të Ligjeve në vitin 1997, Fehmi Abdiu. Hetimet rreth skandalit, i cili për nga përmasat dhe besueshmëria që ka krijuar në opinionin publik është më i madhi i këtyre 14 viteve pluralizëm, po fokusohen tek denoncuesit e këtij skandali, pra tek shtypi që e ka publikuar.
Në këtë kuadër unë isha atje në cilësinë e botuesit të gazetës “Tema”, e cila bëri e para publike faksimilet e bisedës. Gjatë seancës pati pyetje rreth origjinës së dokumentit që kam botuar, mënyrës se si kemi vepruar ne si redaksi për ta botuar atë, dhe për vlerësimet tona rreth vërtetësisë së kësaj ngjarjeje. Ajo që bie në sy është fakti se Prokuroria po paragjykon si krim jo mundësinë e ekzistencës së kësaj bisede, por mundësinë e falsifikimit të saj. Pra ka fokusuar vëmendjen tek pista e fabrikimit të kësaj bisede nga shtypi dhe jo tek hetimi real i aktorëve të saj. Ajo që po bën Prokuroria është më shumë një përpjekje për të baltosur botuesit, se sa për të pastruar këtë histori skandaloze të politikës shqiptare.
Mund të na thoni shkurtimisht disa nga detajet e deklaratës tuaj aty dhe a besoni se dëshmia juaj do të ndihmojë në zbulimin e të vërtetës?
Fillimisht kam shpjeguar se si e kemi siguruar ne si redaksi këtë material dhe disa dosje të tjera të cilat na janë ofruar së bashku me këtë. U tregova rrethanat në të cilat ndodhet redaksia kur merr materiale nga persona anonimë të cilët janë të interesuar për publikimin e tyre. Këtu pati plot kërkesa për detaje, por besoj se u dhashë një skemë të qartë. Më pas u shpjegova se nuk kam pasur asnjë kontakt me zotin Lesi para botimit të këtij materali, përveç një telefonate pasi ai mbaroi së lexuari dokumentin në Kuvend. Po kështu u tregova se nuk kam pasur kurrë kontakt me Sokol Koçiun, autorin e zbardhjes së kësaj bisede, nuk e kam kontaktuar kurrë atë dhe nuk kam asnjë lidhje personale. Shpjegova se përmes personave të tretë kam siguruar prej këtij ish-zyrtari disa përgjime skandalesh në vitin 2001, disa prej të cilëve i kam botuar por Prokuroria nuk ka pranuar t’i marrë si prova dhe të nisë çështjen penale si tani. Në fund ata kërkuan dhe mendimin tim mbi vërtetësinë e kësaj bisede dhe administruan provat përkatëse.
Zoti Baze, ju dje keni deklaruar për mediat se keni besim te Prokuroria për zbardhjen e të vërtetës. Cila është arsyeja që ju bëtë këtë deklaratë?
Nuk kam bërë ndonjë deklaratë të tillë në këtë formë. Kam thënë pasi kam dalë nga Prokuroria se m’u duk se kishte një angazhim serioz për të hetuar burimin e kësaj dosjeje që ka mbërritur në duart e shtypit, por nuk m’u duk se kishin të njëjtën shkallë serioziteti për të hetuar personazhet e këtij skandali. Pra po e përsëris se Prokuroria po vendos në qendër të hetimit publikuesit e skandalit dhe konkretisht zotin Lesi dhe gazetën “Tema” dhe jo Fatos Nanon, Fehmi Abdiun dhe Sokol Koçiun që janë tre aktorët e tij. Kjo ngjall plot dyshime sidomos kur disa prej prokurorëve marrin angazhime personale se dinë të trembin shtypin.
Kjo ngjarje është shumë e thjeshtë për t’u hetuar. Ajo duhet detyrimisht të ndahet në dy pjesë, në verifikimin e ngjarjes dhe pastaj në verifikimin e korrektësisë së publikimit. Korrektësia e publikimit është maksimale, pasi autori i zbardhjes së kësaj kasete, Sokol Koçiu, ka deklaruar se materiali i botuar në gazetën “Koha Jonë” dhe “Tema” është ai që ka zbardhur ai vetë. Këtu hetimet për zotin Lesi dhe për mua si botues i gazetës “Tema” mbyllen, pasi ne nuk kemi fabrikuar asgjë. Hetimet duhet të vazhdojnë për të ndriçuar pasojat e kësaj bisede në politikën shqiptare dhe përgjegjësit e kryeministrit Nano dhe Fehmi Abdiut.
Hetimet duhet të thellohen për të kuptuar pse ata përpiqen të mohojnë këtë bisedë dhe në çfarë rrethanash ata kanë bashkëpunuar pas kësaj bisede. Nga kjo bisedë shpjegohen shumë kriza të shoqërisë shqiptare, deri tek kriza e zgjedhjeve të vitit 2001, ku zoti Abdiu u bë promotor i dhurimit të mandateve. Nuk besoj se ka nevojë të argumentojmë më, pas kësaj bisede, pse është vrarë Azem Hajdari, kush e ka vrarë, pse ka qenë aq i vendosur Abdiu në manipulimin e zgjedhjeve etj.
Si mendoni se do të përfundojnë hetimet?
Skenari i keq është që Prokuroria të shtrëngohet e të deklarojë shpejt e shpejt se Nano është i pafajshëm. Me këtë besueshmëri që ka ngjallur kjo bisedë në opinionin publik, gjithkush që do të tentojë ta varrosë në emër të një institucioni, siç është Prokuroria, në të vërtetë varros institucionin. Kjo jo vetëm që do ta bëjë 100 për qind të besueshme bisedën, por do të shkatërrojë përfundimisht institucionin e prokurorisë. Skenari pozitiv është që prokuroria të ndriçojë të vërtetën dhe të provojë qoftë dhe tërthorazi se kjo bisedë ka prodhuar një politikë të mbrapshtë në Shqipëri për shtatë vite. Ajo që u këshilloj prokurorëve, është të mos përpiqen të vrapojnë pas porosive të Fatos Nanos për t’u marrë me kasetën ose mungesën e saj, pasi kur gjithçka të ketë mbaruar, mund të dalë dikush dhe të vendosë kasetën në ndonjë TV, për ta rikthyer nga e para skandalin, por dhe për të na kthyer nevojën për të ndërtuar nga e para institucionin e Prokurorisë./Intervistoi Markel Bejdo/