Mesila Doda: Paqja e Shën Palit
(Botuar me 28 janar 2002 në KOHA JONE)
Nga Mesila Doda
Ndërsa kryeja ritin tim të përditshëm të leximit të shtypit, jo pa çudi vërejta se nuk kish thuajse asnjë fotografi apo shkrim për përurimin e Katedrales së Shën Palit në Tiranë. Të gjitha gazetat ishin marrë me Turpin e Brukselit ku për hir të së vërtetës duhet thënë që të gjitha palët kush me krahun e vet të armatosur e kush me mëkatin e shpërdorimit të pushtetit mbi supe, na sollën para syve veç simbolin e së përditshmes të këtij vendi: Shkatërrimin.
Ndërkohë, ne qytetarët e Tiranës që shkojmë përditë mes pluhurit, plehrave e shëmtisë të së përditshmes patëm rastin të shihnim një tempull të ndërtuar. E theksoj këtë se të shtunën e shugurimit të Katedrales ne morëm pjesë jo vetëm në një vepër që për nga rëndësia arkitekturore është një dhuratë që i bëhet Tiranës, por morëm pjesë në përurimin e një simboli, të atij simboli ku siç theksoi Kardinali Sodano: “Këtu hyhet duke dashur Zotin dhe dilet duke dashur njerëzit”. Ndoshta e vetmja gjë e harruar në këtë kohë të ethshme e cinike që jetojmë është fakti se të gjithë jemi njerëz.
Ndoshta e vetmja gjë që kanë harruar krerët tanë qeverisës është që dhe më i varfri a më i përunjuri, a më rebeli i këtij vendi është njeri dhe si i tillë e ka një shpirt. Të gjithë ndjejmë që fyhemi çdo ditë nga ata që na rrinë mbi krye dhe patëm vetëm një moment ku u ndjemë se si me një përunjësi të jashtëzakonshme u respektua njeriu që rri brenda secilit prej nesh. Përurimi i së shtunës, për të cilin s’u pa e arsyeshme të thuhej asnjë fjalë në publik, është ndër të tjerat nga të vetmet momente për të cilat ne mund të krenohemi para botës. Duke shërbyer si simboli i bashkimit të të gjitha feve nën strehën e një mirëkuptimi e respekti të tejskajshëm, dje u realizua figura e një emocioni limit. Përfaqësuesit më të lartë të religjioneve në Shqipëri nderuan e respektuan përurimin e një kulti katolik dhe morën pjesë në ritin ceremonial të lutjes së krishterë. Ata nderuan fjalën e Zotit e të gjithë u ngritën në këmbë si krijesa të thjeshta e të barabarta njerëzore.
Dje, në Katedralen e Shën Palit u krye riti i bashkimit të të gjithë shqiptarëve nën flamurin e thjeshtësisë dhe të të qenit krijesa që gjallojnë tokën me të njëjtën të drejtë të barabartë për të jetuar. Religjioni duhet të shërbejë si shembull, për të kuptuar se sa e cekët është vija që na ndan të gjithëve. Asnjë i majtë a i djathtë nuk ka më shumë dasi a ngarkesë të së kaluarës se Myslimanët e të Krishterët. Shqiptarët, të cilët kanë gjetur mundësinë ta bëjnë të padukshëm këtë dasi që po trondit botën, nuk mundet të kenë asnjë arsye të mjaftueshme për të krijuar luftëra, rebelime apo shkatërrime, në emër të së cilës të derdhin gjak a të shuajnë jetë njerëzish. Politika shqiptare duhet të kthejë sytë nga kleri shqiptar për të mësuar të vërtetën e tolerancës dhe të bashkëjetesës dhe përpara se të kërkojë integrim me botën le të kërkojë bashkim në emër të zhvillimit. E shtuna e përurimit, larg inaugurimeve zhurmëmëdha që jemi mësuar të shohim në mitingje, kronika bajate ishte inaugurimi i vërtetë i shpirtit të një populli që ende s’ka vdekur. Ditët do kalojnë. Brukseli do harrohet. Pas ca kohësh do zhduken Berisha dhe Nano, fundja jemi njerëz e të gjithëve një fund na pret. Katedralja do vazhdojë të jetojë mbi këtë qytet dhe për qindra e qindra vjet duke i shërbyer shpirtit të njeriut të tashëm dhe të atyre që do të vijnë. Një ditë do kujtohet se kjo Katedrale u ndërtua në kohën e shkatërrimit, dhe bashkoi shpirtrat e gjithë religjioneve të këtij vendi dhe më pas do të thuhet: Dhurata më e madhe që iu bë Imzotit të atij vendi qe se kjo Katedrale e ndërtuar në një kohë plot me gjak nuk vrau dhe nuk aksidenti asnjë punëtor gjatë ndërtimit të saj, dhe ajo kohë ishte plot me gjak.