Meta-Nano, luftë nervash

(Botuar me 9 Shtator 1997 në KOHA JONE)

Meta-Nano, luftë nervash

Tendenca për të gjetur rrugët e kompromisit, shumë e preferuar kjo për liderin socialist Nano, këto kohët e fundit, u shfaq edhe në raportet e tij me FRESH, që drejtohet nga “antimocionisti”, Meta.

Ajo që ai i propozoi kryesisë së forumit të socialistëve të rinj ishte dëshira “për të qeverisur së bashku”. Për më tepër, lideri socialist e ka trajtuar FRESH si partner politik, duke i kërkuar edhe propozime konkrete për sa i përket vendosjes së bashkëpunimit. Madje, lideri socialist nuk nguroi të ngrinte lart meritat dhe rolin që luan FRESH-i në jetën e PS si dhe për vlerën e kontakteve të tij me socialdemokracinë evropiane. Një qëndrim i tillë i zotit Nano lidhur me forumin e të rinjve të PS-së, është plotësisht i justifikueshëm, duke pasur parasysh situatën në vend.

Nano dhe qeveria e tij ndodhen përballë problemeve tepër të vështira, të cilat fillojnë që nga ato të trashëguara nga pushteti i mëparshëm e deri te detyrat për plotësimin e kushteve të vendosura nga bashkësia ndërkombëtare për dhënien e ndihmës Shqipërisë.

Në këtë aspekt, të paktën deri në tetor, kur është parashikuar të mbahet konferenca e vendeve donatore, e ardhmja e qeverisë nuk mund të parashikohet. Kështu, në rast të një konflikti brenda gjirit të partisë, i cili mund të marrë trajta inkandeshente në rast të një krize të mundshme në qeverisje, vështirësitë e Nanos lidhur me kabinetin qeveritar do të shtoheshin.

Po Meta, duket se nuk e ka harruar periudhën e mocionit, të cilën gjithmonë e ka vlerësuar si një lloj puçi kundër tij dhe një pjese të lidershipit të mëparshëm socialist. Ai përveç pakënaqësive për sa i përket përfshirjes në një shkallë të mjaftueshme të eurosocialistëve në nivele të larta qeveritare, pasi përmend shqetësimin për një “shpërdorim të aspiratave të rinisë nga qeveria e sotme”, nuk nguron të përmendë publikisht edhe ato që ai i quan “përpjekje për shmangien e tij nga kreu i FRESSH nga ana e kryetarit Nano”.

Madje Meta, flet për një forcim të mëtejshëm të pozitës së tij në gjirin e PS-së. Të gjitha këto të shtyjnë të mendosh se Meta nuk beson në sinqeritetin e ftesës së liderit të partisë së tij për të bashkëpunuar. Ai, ndoshta mendon se në një të ardhme, pasi Nano të jetë çliruar nga disa prej problemeve aktuale brenda e jashtë vendit, duke e ndjerë veten disi më të fortë, ka gjasa të mëdha që të rifillojë fushatën e tij për spostimin e “antimocionistit” Meta.

Madje dhe në konferencën e FRESSH-it, ishte domethënëse përmendja nga Nano, në sy të Metës e vlerave të mocionit, duke i kujtuar liderit “antimocionist” të FRESSH-it, se “mocioni e solli PS-në në pushtet”. Por për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet kryesisë së partisë dhe FRESSH-it, do të jetë e mundur të flitet më vonë.

Ndonëse Meta, nga ana e tij iu përgjigj me tone paqësore idesë së Nanos për bashkëpunim, nga ana e kryesisë së FRESSH-it, ku përveç këtij, ndodhen edhe njerëzit “antiNano”, Kryemadhi apo Braçe, përsëri nuk munguan kritikat në drejtim të pjesës tjetër të kryesisë së partisë.

Gjithsesi më saktë mund të gjykohet vetëm pas kongresit të FRESSH-it, i cili është parashikuar të mbahet në ditët e para të muajit të ardhshëm. Deri atëherë, Nano duhet të ecë në shtigje të thepisura, për t’iu shmangur veç të tjerave, përplasjes më të vështirë të tij, asaj me të rinjtë e partisë së tij. KJ

SHKARKO APP