Meta: Nuk do jem zëvendësministër, por deputet
(Botuar me 6 Shtator 1997 në KOHA JONE)
Nga Elio Elini-
“Do të respektoj vetëm votën e elektoratit tim të Skraparit”
TIRANË – Ilir Meta refuzon fronin e zëvendësministrit të Jashtëm. “Dua të jem vetëm deputet”. Pas shumë fjalësh e polemikash të mëdha për këtë post të rëndësishëm të diplomacisë shqiptare, numri një i Forumit Eurosocialist, për herë të parë ka fashitur të gjitha hamendësimet madje duke hedhur poshtë edhe propozimin që i është bërë nga vetë kryeministri socialist, Fatos Nano.
Për herë të parë, udhëheqësi i FRESH, i cili brenda Partisë Socialiste shihet si një prej shtyllave të saj më të fuqishme politike, ka pranuar kështu se nuk preferon karrigen e numrit dy të Ministrisë së Jashtme, kundrejt njërës prej 107 karrigeve të parlamentit shqiptar. Propozimi për të qenë ndihmësi i parë i socialdemokratit Paskal Milo, kreut të Forumit Eurosocialist i është bërë disa kohë më parë.
Ka qenë periudha kur administrata shtetërore i është nënshtruar zëvendësimeve të mëdha të ideuara prej selisë së kryeministrisë. Të parat që i janë “bindur” projekteve të kancelarive qendrore të pushtetit, kanë qenë të ashtuquajturat pika kyçe të tij dhe njëra prej tyre edhe Ministria e Jashtme.
Meta prej Nanos me sa duket është vlerësuar si njëra prej kandidaturave më të përshtatshme, duke patur parasysh edhe faktin që do të ishte i vetmi prej atyre njerëzve, të cilët e kundërshtuan ashpër, por që do të kishte në dorë një skeptër drejtimi madje edhe shumë të rëndësishëm.
Realiteti, propozimi i Nanos është refuzuar nga Meta, i cili me sa duket tashmë e ndjen shumë herë më të sigurt veten në karrigen e thjeshtë të një deputeti se sa në atë të zëvendësministri. “Unë nuk do të zhgënjej besimin që më dha elektorati i Skraparit, do të respektoj vetëm votën e tij”, tha dje Meta për “Koha Jonë”, duke mbyllur kështu përfundimisht edhe kapitullin e emërimit të tij në Ministrinë e Jashtme.
ELIO ELINI