Meta: Rikthimi i Nanos do të thotë riciklim problemesh e tensionesh
(Botuar me 19 shtator 1999)
-Intervistë e Pandi Gjatës me Ilir Metën-
Helikopteri që çoi dje në mbrëmje zv/kryeministrin Ilir Meta në Skrapar për konferencën e PS që bëhet atje, kishte ndezur helikat dhe ishte gati për fluturim. Para nisjes, Meta ka zbuluar në një intervistë për “KJ” misterin që e ka rrethuar për muaj me radhë në këtë periudhë të para kongresit. “Nuk do të konkurroj për kryetar partie”, deklaroi Meta. Zv/ kryeministri e shpjegoi këtë lëvizje. “Është domosdoshmëri forcimi i qeverisjes dhe nuk duhen krijuar rivalizime dhe të çara brenda saj”- tha ai. Kështu, Meta i qëndroi deklaratës së bërë dy ditë para 8 vjetorit të PS-së. Do mbështes kandidaturën e Majkos për kryetar partie dhe është kundër Nanos. Jep vlerësimet maksimale për Doklen dhe propozon që përkrah Majkos kryetar partie, Dokle të jetë Sekretar i Përgjithshëm Hello.
- Meta, a do e shpallni kandidaturën tuaj për kryetar partie pas kërkesës së socialistëve dhe në veçanti FRESH-it?
Unë mund të konfirmoj se vërtet kam pasur shumë kërkesa për të marrë pjesë në garën për kryetarin e ri të Partisë Socialiste me rastin e Kongresit të saj të tretë, kërkesa të cilat unë i kam pritur me shumë dashamirësi dhe përgjegjësi. Por duke marrë në konsideratë situatën në të cilën ndodhemi, domosdoshmërinë për forcimin e qeverisjes, nevojën për të mos krijuar të çara dhe rivalizime të panevojshme brenda saj, që nuk do i shërbenin stabilitetit të qeverisë, por edhe të vendit, (për këto çështje kam biseduar edhe me shokë të tjerë, anëtarë të kryesisë apo edhe të qeverisë), përfundimisht kam parë të arsyeshme që duke vazhduar të kontribuoj për një përgatitje sa më konstruktive të kongresit të III të PS-së, për një mbarëvajtje të tij, të mos marr pjesë në garën për kryetar të PS.
Deklaroni se nuk do të jeni kandidat për kryetar partie në kongres, kë do të mbështetni nga kandidatët e shpallur Majkon apo Nanon?
Dua të theksoj se unë kam bindjen se zgjedhja e Nanos kryetar i PS-së, nuk do të ishte një proces i besueshëm për vetë PS-në, por edhe për vetë z. Nano, i cili në mënyrë të papritur dhe të paargumentuar u largua nga posti i kryetarit të partisë vetëm disa muaj më parë, kur këtë gjë nuk ia kishte kërkuar askush dhe njëkohësisht duke u sjellë në një mënyrë të tillë, e cila i ka krijuar disa probleme funksionimit të partisë. Po kështu, duke parë me kujdes se nuk ka elementë thelbësorë të rinj në qëndrimet e tij politike, unë mendoj se zgjedhja e tij nuk do të shënonte ndonjë progres për Partinë Socialiste dhe do të mund të riciklonte probleme të reja për të. Kështu që, duke i qëndruar edhe njëherë konsekuent idesë se, duhet të forcohet qeverisja e vendit, por e nënvizoj, jo në dëm të PS-së, jo që ajo të bëhet viktimë e gabimeve të qeverisjes, mendoj të mbështes kandidaturën e z. Majko.
Flitet për një kompromis Majko-Meta, ku Majko të jetë kryeministër dhe kryetar i PS-së dhe ju zv. kryeministër dhe Sekretar i Përgjithshëm. A është e vërtetë?
Për një kohë të gjatë në partinë tonë është diskutuar nëse kryetari i partisë duhet të jetë edhe kryeministër. Mendimet kanë qenë vazhdimisht të ndryshme dhe ende nuk mund të thuhet se ekziston një bindje e plotë e qëndrueshme, se cila do të ishte alternativa më e mirë. Në të kaluarën unifikimi i këtyre dy pozicioneve ka qenë i qartë dhe nuk ka sjellë rezultatet e duhura. Megjithatë, përderisa ka shpresa se ky unifikim mund t’i shërbejë stabilitetit, forcimit të qeverisjes dhe gjallërimit të partisë, unë mendoj se kjo mund të pranohet. Por në çdo rast Sekretari i Përgjithshëm duhet të jetë pranë partisë, pranë strukturave të saj, duhet t’i vërë ato në lëvizje, duhet ta bëjë partinë që të jetojë së bashku me të gjithë sekretarët dhe anëtarët e tjerë të kryesisë, në mënyrë që të mos kemi një parti administrative, por të kemi një forcë politike që jeton, një forcë politike që balancon të metat dhe vështirësitë e qeverisjes së vendit dhe që nuk viktimizohet për shkak të tyre. Në këto kushte, unë mendoj se funksioni i Sekretarit të Përgjithshëm duhet të jetë i ndarë nga çdo funksion tjetër ekzekutiv.
Namik Dokle është përmendur si një tjetër kandidat për kryetar partie i mbështetur edhe nga Presidenti Meidani. Mund ta drejtojë Dokle PS-në?
Unë kam konsideratën më të lartë për z. Dokle, si një nga personalitetet më të spikatura e më solidë në Partinë Socialiste. Me përvojë të gjatë dhe energji pambarim, gjithmonë i qartë politikisht. Nuk qëndron ajo që është thënë. Jo për arsye se z. Dokle nuk mund të jetë kryetari i Partisë Socialiste. Unë mendoj se ai ka aftësitë edhe për këtë funksion, por Dokle i përmbahet përkrahjes për brezin e ri dhe në këtë kuadër ai është i tërhequr për t’i hapur rrugën afirmimit të më të rinjve. Unë kam biseduar gjatë me të ashtu siç kam biseduar me shumë shokë të tjerë që e kuptojnë se në partinë tonë ka gjëra që nuk shkojnë dhe që duhet përfundimisht të gjejnë zgjidhje në Kongresin e III të saj, në mënyrë që PS-ja përfundimisht t’i kthehet shinave institucionale të funksionimit dhe të modernizimit, të braktisë përfundimisht anarkinë të cilën shumë shokë për fat të keq e interpretojnë si demokratizim dhe diversitet. Në gjithë bisedat që kam pasur me zotin Dokle duket e qartë se ai, edhe pse nuk ka dëshirë për të kandiduar për postin e kryetarit të PS-së, i ndjen këto probleme dhe vështirësi që ka partia njësoj si të gjithë ne. Dua të them se është shumë i nevojshëm një angazhim energjik i tij brenda partisë më shumë se deri tani, se ndoshta edhe ai si shumë të tjerë është i lodhur nga shumë gjëra që nuk shkojnë në partinë tonë. Por mendoj se personalitete të tilla si Dokle duhet të angazhohen tërësisht për zgjidhjen e këtyre problemeve sepse nuk kemi nga kush të presim që t’i zgjidhë ato. Vetëm me njerëz të përgjegjshëm dhe të ndershëm e që e duan PS-në, mund të marrin zgjidhje këto probleme dhe unë mendoj se Dokle është nga më të spikaturit për këto cilësi. Besoj se do i përgjigjet pozitivisht ftesës sonë për të luajtur një rol më të rëndësishëm, më aktiv në drejtimin e partisë. Personalisht do të isha për një kombinim të tillë ku Majko të merrte detyrën e kryetarit dhe Dokle të zgjidhej Sekretar i Përgjithshëm i Partisë. Kjo do të ishte jo vetëm një gërshetim përvojash, por edhe do të siguronte atë që unë thashë se, PS do të fillojë të funksionojë krejt më ndryshe nga sa deri më tani.
Më 14 shtator, një vit pas tentativës për grusht shteti, Majko në Tropojë dhe Nano në Fier lëshuan akuza publike në adresë të njëri-tjetrit. Cili është opinioni juaj?
Socialistët dhe shqiptarët kanë nevojë të dëgjojnë mesazhe reflektimi dhe jo transferim të përgjegjësive edhe për 14 shtatorin. Mbi të gjitha ata dëshirojnë të dëgjojnë mesazhe dhe të shikojnë se ne kemi nxjerrë mësime nga ato që kanë ndodhur dhe punojmë që në të ardhmen ato të mos përsëriten.
Deklaroni se nuk do të kandidoni për postin e kryetarit. Sipas jush, si do të jetë reagimi i socialistëve dhe në veçanti i eurosocialistëve që ua kanë kërkuar këtë gjë?
Shpresoj në mirëkuptimin e tyre, në kuptimin e rrethanave dhe të situatës në të cilën ndodhet partia. Besoj se ata do ta kuptojnë që ky veprim i shërben një zgjidhjeje sa më të mirë. Është një veprim për një shërbim sa më të mirë ndaj PS-së në këtë situatë kur ajo është në një gjendje jo shumë komode. Besoj se ata të gjithë do të angazhohen në këto drejtime për të përkrahur forcimin e qeverisjes dhe përmirësimin e saj, për të gjallëruar Partinë Socialiste dhe gjithë strukturat e saj dhe afirmimin e forcave të reja brenda partisë, të cilat punojnë me koncepte të reja për një zhvillim sa më demokratik brenda PS-së dhe vetë vendit.
Majko dhe Meta janë të vetmit të rinj që ka Partia Socialiste, apo ka edhe të tjerë të paevidentuar?
Ne të dy mendoj se jemi më të afirmuarit, por padyshim që jemi produkt i një ambienti dhe i një lëvizjeje rinore brenda vetë PS-së, ashtu sikurse janë edhe shumë shokë të tjerë të evidentuar më pak, por që besoj se nga këto procese ku reformimi është futur përfundimisht, në Partinë Socialiste shumë më tepër do të afirmohet edhe një gjeneratë e re politikanësh. Dhe kjo gjeneratë e politikanëve të rinj në PS, do të jetë e gërshetuar me politikanë me përvojë që kuptojnë dhe punojnë për ndryshimet në këtë parti.