Mimoza Dervishi: Kjo është Radio “Koha”!

Nga Mimoza Dervishi- 

Kjo është Radio “Koha”!

Ju flet Radio “Koha”. Po nisim sot transmetimet tona në FM, 98.1 MHz. Jo dhe aq për rastësi ishte 29 qershor 1997. Kur në Shqipëri nën breshëritë pa ndalim të armëve po ndodhnin parakohshmëritë, nisi rrugën e vështirë të komunikimit me njerëzit një nga radiot e para private, Radio “Koha”. Terreni mbi të cilën u ngrit kjo radio kishte plus-minuset e veta. Duke mos pasur përvojën e askujt para vetes Radio-Koha u përpoq të krijonte traditën e radios private, dhe sidomos identitetin e saj. Duke patur një mbështetje të fortë dhe një shembull të mirë nga gazeta më e madhe në Shqipëri “Koha Jonë”, flakët e së cilës ende nuk ishin harruar kur kjo radio nisi jetë, ajo mori prej saj, profesionalizmin, pavarësinë dhe guximin. Ndryshimi i politikave në Shqipëri i dha shanset Radio Kohës, ta tregonte fytyrën e saj si një radio e ekuilibruar dhe e hapur për të gjithë. Nuk mund të gjendet politikan në Shqipëri për të cilin sinjali apo valët e Radio Kohës kanë qenë të mbyllura. Madje ata sot në përvjetorin e parë të Radio Kohës, ndjehen pjesëtarë të kësaj feste dhe nuk gjejnë fjalët për të uruar radion, që në një farë mënyre është bërë edhe e tyre. Duke fituar çdo ditë dëgjuesit e saj, dhe duke i konsoliduar ato, sot kjo radio mund të cilësohet pa frikë si radio më e fuqishme në vend.

Në një vit jetë, që mund të jetë pak në raport me radio të këtij lloji nëpër botë, “Koha”, kristalizoi veten duke u ndeshur me të gjitha vështirësitë e jetës ekonomike dhe politike shqiptare, gjithsesi në krizë. Natyrisht që në biografinë e kësaj radioje, jo gjithçka ndrin. Vështirësia e parë dhe serioze e saj ka qenë kapërcimi i shablloneve dhe mediokritetit të radios shtetërore, si i vetmi shembull i një radioje në Shqipëri. Në rrugën tejet të vështirë të identifikimit të saj, Radio Kohës, i është dashur të shartojë dhe të lërë jashtë derës së saj, herë pas here mbirje apo degë të tilla, që vinin nga radio shtetërore dhe që nuk mund të kapërcenin aq lehtë pragun e medias private, prag seleksionues për gazetarët dhe profesionistët e vërtetë.

Pasi ka kaluar një vit jetë, Radio Koha ka se ç’të tregojë. Ekskluzivitete dhe transmetime 24-orëshe, në ditë zgjedhjesh dhe në situata të jashtëzakonshme, buletine informative dhe lajme flesh, programe argëtuese dhe muzikë të zgjedhur. Të gjitha këto në valët FM, 98.1 megaherc, e kanë bërë radion të kapërcejë problemet prezente teknike, dhe të shtrijë valët e saj së pari në shpirtrat e njerëzve. Me urimin e stafit të saj komod për njëvjetorin dhe shumëvjetorë të tjerë, me dëshirën e stabilizimit të mediave private në Shqipëri, Radio Koha e ndjen veten mirë për gurin që ka vendosur në themelet e mediave elektronike në Shqipëri.

MIMOZA DERVISHI

SHKARKO APP