Mimoza Dervishi: Valbona Çoba, kukulla shqiptare e Athinës
(Botuar me 28 dhjetor 1996 në KOHA JONE)!
Nga Mimoza Dervishi-
Fytyrën e saj e gjen pothuaj në të gjitha revistat që dalin në Greqi, në ato periodike dhe të përjavshme, shpesh edhe në kopertinat e tyre. Vajza nga Tirana është tashmë në fokusin e gazetarëve dhe aristokracisë së Athinës. Jo më shumë se për dy vjet ajo u bë e njohur dhe e para e vendit ku tani jeton. Cilësuar si lumë bukurie, si kukulla që u kthen kurrizin të gjithëve atyre që duan të firtojnë me të, si vajza e zgjuar dhe tepër joshëse, historia e Valbona Çobës më mirë se kushdo mund të tregohet nga vetë ajo. “Pas tre muajsh që kisha filluar tek Ant1 dhe dilja çdo ditë në ekran, më vjen një letër nga disa të rinj të një gjimnazi të Athinës që kishin krijuar një klub me emrin Fans Club Valbona. Ata më dërgonin vazhdimisht letra dhe unë u dërgoja fotografi. Një ditë më dërguan një bluzë me fotografinë time sepse kishin bërë të tilla dhe i mbanin veshur. Kjo ishte një gjë e rëndësishme sepse nuk kishte ndodhur për asnjë vajzë tjetër. Fill mbas kësaj filluan gazetarët dhe intervistat…”. Dhe që prej dy vjetësh revistat dhe gazetat më të rëndësishme greke fokusojnë vazhdimisht Valbonën shqiptare, fytyra e bukur e së cilës ndryshon sadopak imazhin shkatërrimtar që ekziston në Athinë dhe Greqi për shqiptarët. “Ego”, “Gold”, “Elle”, “Event”, “TV Zaping”, “Monte Carlo”, “Ciao”, “TV Taxi”, “Shok”, “Daun Taun”, “Lamsi”, e të tjera revista janë ato që vazhdimisht kanë shkruar dhe reklamuar Valbonën. Gjithashtu janë dhjetëra katalogë të shpërndarë në Greqi, Francë, Angli, të bëra me fotografitë e saj si Nana, Vingo, L’Oreal, Vella Color etj. Nëse në fillim gjithkujt i duhet një publikim i tillë më vonë ai vjen e bëhet bezdisës për këdo. Aq më tepër që në Greqi, shumë më shumë se në Shqipëri gërmojnë për banalitete, për thashetheme që lidhen me jetën private e të tjera si këto. Për bukuroshen nga Shqipëria pas publikimit kishin marrë fund ditët kur ndihej e fyer pse ishte shqiptare, kur kthehej duke qarë te nëna e saj dhe kur mbyllej në vetvete për të respektuar emrin e saj dhe të popullit nga vinte. Tashmë ajo është e preferuara e të gjithëve veçanërisht e aristokracisë. Në rrugë e thërrasin shpesh dhe i kërkojnë autografe, meshkujt kërkojnë të flirtojnë por pse jo të krijojnë edhe lidhje të ngushta dhe gazetarët të zhbirilojnë për më tej.
“Por në përgjithësi njerëzit nuk janë treguar të këqij me mua”. E pyetur se si tingëllon në Greqi emri i saj, ajo thotë “thjesht si në shqip. Shpesh më kanë kërkuar ta ndërroj dhe të vë një emër artistik por unë nuk kam dashur. Të gjithë e dinë se emri im është emri i një lumi në Shqipëri”. Shpesh atë e pyesin për jetën private dhe ajo di të përgjigjet. Akoma nuk kanë nxjerrë në dritë ndonjë gjë që do të bënte bujë” sepse unë nuk kam lënë rast për diçka të tillë. Gazetarët kërkojnë në jetën time private dhe vdesin për thashetheme veçanërisht kur kanë të bëjnë me artistë”. E pyetur nëse Valbona e ka një mik thotë se “kam shumë miq por asnjë mik të ngushtë. Dhe nëse do të kisha një mik kjo s’do të përbënte lajm për gazetarët këtu por ata duan që unë të kem shumë miq të ngushtë”. Kështu Valbona tashmë me titullin e Topmodelës që jo gjithkush e ka, e ndjerë mirë dhe keq nga publiciteti, e ndjeshme dhe pa komplekse bie në sy edhe për diçka tjetër. Ajo shoqërohet gjithmonë nga nëna e saj. Fizikisht, shoqërisht, apo artistikësh?
“Është shoqja më e mirë e jetës sime, thotë Valbona, më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë. Unë madje do t’u thosha të gjitha vajzave dhe nënave që të kërkojnë lidhje të tilla sepse do të jenë fatlume”. Ndërsa nëna e saj thotë se ka një ndryshim në qëndrimin tim ndaj Valbonës. E ndiej më tepër si detyrë artistike dhe gjithmonë unë kuptoj atë që të tjerët ndoshta nuk arrijnë ta kuptojnë. Madje edhe kur e duartrokasin më shumë se të tjerat, unë shpesh them se përsëri Valbona nuk ishte në lartësinë që duhet të ishte. Ndoshta jam një kritike e ashpër. Mendoj që suksesi i saj nuk qëndron në bashkëpunimin me mua. Unë kurrë nuk i bëj shoqëri për të parë se me kë u shoqërua, kur do të kthehet, pse e vonua e të tilla si këto. Ajo që e bëri të njohur në Greqi ka të bëjë jo më tepër nga bukuria por nga karakteri i saj, nga serioziteti dhe thjeshtësia”./Mimoza Dervishi/