Mimoza Picari: : Seancë gjinekologjie e Fatos Nanos. Nesër do të kemi një kryeministër pa mjekër dhe një Shqipëri me mjekër!

(Botuar me 14 Prill 1998 në KOHA JONE)

Nga Mimoza Picari-

-Nesër do të kemi një kryeministër pa mjekër dhe një Shqipëri me mjekër-

Një seancë e vlefshme gjinekologjike, ka qenë dje mbledhja e Komitetit të përgjithshëm drejtues të PS. Kryetari i madh i socialistëve Fatos Nano shpalosi idetë dhe njohuritë e tij rreth lindjeve në kohën e duhur, atyre të parakohshme, periudhës së lehonisë etj. Nën këto ide ai tha se socialistët kanë marrë përsipër të përmirësojnë këtë vend natyrisht vijoi ai jo duke hedhur baltë mbi njeri-tjetrin, sepse Nano e di mirë se në këtë rast balta s’mund të jetë më e ëmbël se mjalta.

Duke folur për muajin e nëntë të barrës së PS-së, kryetari Nano nënvizoi, se këta muaj kanë qenë të vështirë, por gjithsesi tani presim të lindim tha ai, si një gjinekolog i vërtetë. Djalë apo vajzë? Këta ai nuk e konfirmoi, pasi mesa duket për këtë është e rëndësishme që fëmija nuk është kopil. Më tej, babai Nano i shpjegoi vetë poetit Agolli se meritokraci nuk do të thotë shkërdhatokraci. Por Agolli i heshtur nuk u ndje të fliste. Në fund të fundit ai ç’kishte për të thënë e ka thënë. Tani topin e ka Nano. Ecën Nano, triblon Nano dhe së fundi pret Berisha. Duket qartë, se kirurgu i hershëm Berisha ka vendosur të mos e njohë fëmijën e socialistëve duke u mbështetur te teoria e planifikimit familjaro-bankaro shqiptarokrat. Por për Nanon kjo ka shumë pak rëndësi, sepse ai ka marrë përsipër të përballojë të gjitha sfidat edhe pandihmën konstruktive të opozitës. Problemi deklaroi ai, nuk janë as Hoxha as Berisha. Jemi vetë ne shqiptarët, sepse si Hoxha ashtu edhe Berisha ishin shqiptarë.

Më tej, Nano pyeti veten: A ka vend në këtë vend për reforma dhe benefice sociale? Nano është vetëpërgjigjur duke marrë si shembull mitrën. Kush është mitra sipas teorisë së tij? Kryetari socialist u shpreh krenar dhe i bindur se nuk do ta tradhtonte kurrë këtë mitër, që sipas tij është shtresa sociale.

Nano i konsideroi dje rritjen e rrogave, hapjen e vendeve të punës, uljen e çmimeve, zhdukjen e krimit dhe të piramidave si të vetmet fruta dhe ilaçe, për të cilat çdo lehonë ka nevojë të marrë gjatë nëntë muajve të shtatzënisë.

Këtu gabove i dashur kryetar, sepse lehonë quhet gruaja pasi lind dhe jo gjatë barrës. Nejse, njerëzve të mëdhenj u falen gafat. E rëndësishme është se Nano dje ka folur pa dorashka, madje nuk është e tepërt po të thuash si gjithmonë. Megjithëse qeveria e tij është në prag të lindjes, ai nuk ka preferuar të mbulojë gishtërinjtë e duarve me dorashkat, që përdorin mjekët gjatë lindjeve.

Duke lënë pas këngën e sprapsme të Salës, Nano deklaroi se ne do ta ndryshojmë Shqipërinë duke ndryshuar më parë veten. Si do të jetë vallë Nano pas këtij ndryshimi? Po hallemadhja e tij e dashur Shqipëri? Natyrisht, që diçka do të ndryshojë. Me sa duket do të kemi një kryeministër pa mjekër dhe një Shqipëri me mjekër. Pas kësaj në mbledhjen tjetër të komitetit të përgjithshëm drejtues të partisë së tij Nano do të deklarojë i çliruar: Këtë deshët, këtë ju dhashë. Unë nuk i kam xhepat me para, se vesh pantallonat e popullit, pasi ato më nxjerrin pa shumë bark.

MIMOZA PICARI

 

SHKARKO APP