Ministri Drejtësisë, Ilir Panda: Me drejtësi të korruptuar nuk ka shtet ligjor. Të skanojmë çdo gjyqtar
(Botuar me 19 shtator 1999 në KOHA JONE)
Intervistë/ Flet Ministri i Drejtësisë, Ilir Panda
“Është ligji ai që lë hapësira për tolerime në vendimet e gjykatave. Por kjo në kuadrin ligjor. Ndërsa për ata që e kanë kapërcyer këtë kuadër, ne jemi ndalur dhe kemi marrë masat konkrete”. Ilir Panda, Ministër i Drejtësisë, duke folur dje për “KJ”, ka shpjeguar qëndrimin e institucionit të tij lidhur me disa akuza të policisë ndaj gjykatave për aleancë me kriminalitetin. Ndërkohë që për rastin më të fundit, atë në Mirditë, ku një gjykatës liroi dy përdhunues, Panda thotë se janë bërë të gjithë verifikimet dhe së shpejti ky rast do të diskutohet në KLD.
Ministria e Rendit gjatë fushatës së saj antikrim e ka akuzuar drejtësinë, konkretisht gjykatën, si aleate të krimit. Sa mendoni se janë të bazuara këto akuza?
Unë do të thosha që nuk e kam hasur në praktikë këtë akuzë. Ndoshta bëhet fjalë, ose ka të bëjë me disa kontradikta që ekzistojnë mes organit të policisë dhe gjykatave. Unë do të thosha se edhe ndonjë deklaratë e bërë nga ndonjë punonjës i organeve të policisë, ka ardhur si rrjedhojë e tensionit, apo problemeve të vështira që paraqet profesioni i atyre njerëzve që përballohen me krimin. Ndërsa për faktin se sa të bazuara janë këto akuza, për të qenë i sinqertë mund të them se ekzistojnë disa veprime të gjykatave, të cilat me të vërtetë të bëjnë të mendosh nëse kemi apo jo paanësi në dhënien e vendimit.
Ekziston një slogan, sipas të cilit pa u reformuar dhe pa u pastruar drejtësia shqiptare nga të korruptuarit dhe të inkriminuarit nuk do të ketë kurrë një shtet të fortë. Sa jeni ju dakord me këtë?
Jam plotësisht dakord dhe mendoj se nuk është vetëm një slogan, por pjesë e jetës shoqërore shqiptare në përgjithësi dhe e drejtësisë shqiptare në veçanti. Drejtësia është dhe do të vazhdojë të jetë edhe për një kohë të gjatë në një proces reformimi.
Në ç’kuptim reformimi?
Në kuadrin ligjor, institucional që ka të bëjë me zbatimin e ligjeve (që reformohen vazhdimisht) dhe metodat e punës. Gjykata më shumë vuan nga njerëzit që zbatojnë ligjet dhe jo nga mungesa e ligjeve. Për të fshehur të metat dhe fajet, disa punonjës të drejtësisë mundohen t’ia hedhin fajin ligjeve. Këtu ndërthuret edhe paaftësia për të kuptuar dhe zbatuar ligjet.
Gjykata ka dhënë shembuj konkret të tolerimit ndaj krimit duke lënë shumë autorë të lirë. Ju i keni verifikuar këto raste dhe çfarë masash keni marrë?
Unë mendoj se tolerimi është vetëm një anë, e cila shpjegon lënien të lirë të disa autorëve të veprave penale. Mund të ketë edhe tolerime, sepse është ligji i cili për vepra të ndryshme penale parashikon dënime të ndryshme. Veç kësaj çdo vepër penale ka një interval ku varion shkalla e dënimit dhe tolerimi mund të ketë të bëjë me zgjedhjen e masës minimale. Problemi është se nuk duhet tejkaluar kuadri ligjor. Ndërkohë për lirimin janë dhe faktorë të tjerë që veprojnë të cilët varen nga puna e bërë nga policia dhe prokuroria gjatë procesit hetimor. Për ato raste ku përgjegjësia qëndron tek gjykatat, ministri i Drejtësisë ka vënë në lëvizje procedimin disiplinor, ka bërë verifikimin e rasteve dhe kur ka qenë vendi ka marrë dhe do të marrë masa konkrete. Ministri i Drejtësisë ka për detyrë t’i propozojë KLD procedimin disiplinor të gjyqtarëve, por është ai që vendos.
Mendoni se një gjykatës që ka liruar një kriminel duhet t’ia hedhë vetëm me një pushim nga puna?
Ligji mbi organizimin e pushtetit gjyqësor parashikon një sërë masash për shkeljen e disiplinës nga gjyqtarët, që nga vërejtja deri tek shkarkimi nga detyra. Por ligji parashikon gjithashtu si shkelje të disiplinës kryerjen e veprimeve në kundërshtim me përmbushjen e rregullit të detyrës, ose moskryerjen e veprimeve të detyrueshme procedurale, kur këto nuk përbëjnë vepër penale. Nëse vërtetohet, për ta kodi penal parashikon dënime përkatëse.
Rasti më i fundit është ai i Mirditës, kur gjykata liroi dy përdhunues. Ju jeni ndalur në këtë rast dhe çfarë masash keni marrë?
Të them të drejtën, këtu dëshiroj të ndalem pak në veprimet e organeve të mediave. Kam qenë duke udhëtuar atë ditë dhe më telefonojnë nga një radio private, duke më pyetur: “z. ministër, ministri i Rendit ka paralajmëruar se do të japë dorëheqjen nëse nuk merren masa ndaj gjyqtarëve që lirojnë përdhunuesit… Iu përgjigja se nuk ma merr mendja se ai të jetë shprehur në këtë mënyrë, apo të ketë ndërmarrë ndonjë veprim të tillë. Të nesërmen më erdhi shkresa e ministrit të Rendit në zyrë, që ishte një shkresë zyrtare dhe tepër korrekte si të gjitha shkresat që kemi shkëmbyer deri tani. Një ditë më pas u nisën drejt Mirditës dy inspektorë, një i KLD dhe një i Ministrisë së Drejtësisë. Ata e kanë verifikuar çështjen dhe tani rasti është duke u shqyrtuar, unë mendoj se deri në mbledhjen e ardhshme të KLD do të kemi përfunduar dokumentimin mbi këtë rast.
Krerët e Prokurorisë kanë folur për zvarritje të procedurave të shkarkimit të prokurorëve të paaftë apo të korruptuar. Ju keni pasur të njëjtin problem me KLD?
Marrëdhëniet e Ministrisë së Drejtësisë me KLD janë disi specifike. Ministri, duke qenë njëkohësisht anëtar i KLD, vë në lëvizje dhe procedimin disiplinor për gjyqtarët. Pra në këtë rast kemi të bëjmë me një gjykatë që vepron me një trup gjykues prej 15 vetësh. Siç e dimë, edhe një trup i zakonshëm me tre vetë ka divergjenca në marrjen e vendimeve, mendoni se ç’ndodh në një trup gjykues me 15 vetë, ku të gjithë anëtarët konsiderohen si juristë me eksperiencë, reputacion dhe profesionalizëm. Problemi qëndron në paraqitjen sa më të saktë të rastit që shqyrtohet. Jo rrallë ka ndodhur që propozimet e ministrit janë rrëzuar. Ministri i Drejtësisë ka përgjegjësi që të paraqesë para KLD situatën reale, në mënyrë që vendimi që merret të jetë i drejtë. Unë personalisht nuk kam pasur probleme me KLD. Propozimet e mia janë miratuar, por s’mund ta them këtë për të ardhmen.
Është përfolur shumë shkarkimi i gjykatësve 6-mujorë. U organizua dhe një testim të cilin e humbën shumë pak gjykatës. Mendoni se të gjithë ata që punojnë tashmë në gjykata janë të aftë profesionalisht?
Jo se pyetja nuk shtrohet drejtë, porse shumë persona e kanë konceptuar testimin si një mjet për shkarkimin e atyre gjyqtarëve, të cilët unë personalisht nuk do të dëshiroja t’i quaja “6 mujorë”. Mirë është që drejtësia të jetë e depolitizuar. Dhe kur politizohen gjërat, rezultatet janë gjithmonë negative. Ata gjykatës që nuk u futën në provim, e politizuan problemin dhe kryen një veprim të kundërligjshëm, si pasojë e të cilit u shkarkuan nga detyra. Ndërsa, fakti që testimin e humbën fare pak gjyqtarë, tregon qartë se ky testim nuk ishte me karakter represiv. Vlerat dhe treguesit e testimit, unë mendoj se janë një material shumë i vlefshëm për drejtësinë shqiptare. Testimi nga ana profesionale ishte nën nivelin mesatar. Ai u krye nën vëzhgimin dhe monitorimin e dy organizmave ndërkombëtar si KE dhe OSBE. Mendoj se njeriu në jetë duhet të ketë disa parime, të cilat natyrshëm nuk mund t’i ndërrojë brenda një jave, muaj ose më tepër. Gjykatësit që nuk u futën në provim, shpesh herë të tjera u janë drejtuar këtyre organizmave. Unë mendoj se kur i referohesh dikujt duhet t’i qëndrosh, pavarësisht se është në favorin apo disfavorin tënd.
Së fundi është hedhur një propozim nga Ministria e Rendit për vendosjen e dënimit taksativ, 10 vjet burg, për armëmbajtjen pa leje. Si jurist, sa mendoni se është e justifikuar për momentin kjo dhe sa mund të ndikonte në uljen e kriminalitetit?
Jam njohur me “propozimin” e Ministrisë së Rendit për rivendosjen e dënimit me 10 vjet burg për armëmbajtje pa leje, vetëm përmes mediave. Ashtu siç jam njohur edhe me një “propozim” nga Prokuroria e Përgjithshme për rritjen e kësaj mase në 20 vjet. Unë mendoj se me uljen e kriminalitetit nuk ndikojnë shumë dënimet fikse. Shqipëria ka pasur edhe një herë këtë lloj dënimi, por nuk ka pasur jetë të gjatë në praktikë gjë që ka sjellë edhe abrogimin e tyre ligjor. Ky problem meriton të diskutohet e trajtohet dhe unë mendoj se rasti më i mirë është rishikimi që po i bëhet Kodit Penal nga një grup ekspertësh që po punojnë pranë Ministrisë së Drejtësisë, e që përbëhet nga specialistë-juristë të njohur të fushës penale, përfaqësues të Ministrisë së Rendit dhe të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët do të kenë mundësi ta trajtojnë e t’i japin zgjidhje këtij problemi. Personalisht, mendoj se armëmbajtja pa leje duhet të ketë një diferencim grupor, që lidhet me llojin e armës, vendin ku kapet, kohëzgjatjen e mbajtjes, përdorimin etj. Mentor Kikia