Ministri i Drejtësisë, Ilir Panda, shprehet i prerë për “Koha Jonë”: “Të deklarohet, verifikohet dhe hetohet pasuria e gjyqtarëve, kështu do kemi drejtësi”
(Botuar me 16 qershor 1999 në KOHA JONE)
Ministri i Drejtësisë, Ilir Panda, shprehet i prerë për “Koha Jonë”: “Të deklarohet, verifikohet dhe hetohet pasuria e gjyqtarëve, kështu do kemi drejtësi”
Cilat janë reformat që do të bëni në drejtësinë shqiptare?
Reforma në Drejtësi është dhe duhet të konsiderohet si një proces i pandërprerë. Reforma s’ka filluar në kohën kur erdha unë, dhe as nuk do të ketë përfunduar kur të iki unë. Ajo që unë e ndiej si detyrë morale dhe zyrtare është thellimi i kësaj reforme. Ky proces do të konstatojë në disa drejtime. E para është shpejtësia e kryerjes së ndryshimeve dhe kjo do të shihet me prioritet. Kjo ka të bëjë me sigurimin e një gjyqësori profesionist, të pavarur, dhe të paanshëm, pasjen e gjyqtarëve të përgatitur, të pavarur dhe të depolitizuar, hartimin e programit të punës për ta realizuar një gjë të tillë, si dhe efektivitetin e Ministrisë së Drejtësisë në këtë drejtim. Një pikë tjetër ku do të mbështetet reforma është përmirësimi i legjislacionit në fushën e drejtësisë, përshtatja e kodeve dhe ligjeve që lidhen me Kushtetutën, pasja parasysh e ligjeve kushtetuese gjatë oponencës që Ministria e Drejtësisë u bën projekteve që vijnë nga dikasteret. Konkretisht kjo punë do të bëhet me projektligje si: Për Gjykatën e Lartë, në ligjin për Ministrinë e Drejtësisë, për Përmbarimin, Kodin Familjar etj. Drejtim tjetër i reformës është kualifikimi i vazhdueshëm i gjyqësorit, në bashkëpunim të ngushtë me Shkollën e Magjistraturës.
Do përpiqem që gjithë gjyqtarët të kalojnë në trajnime të vazhdueshme. Arsyeja kryesore për zhvillimin e këtyre trajnimeve është njohja me ndryshimet në legjislacion dhe në praktikat gjyqësore. Një aspekt tjetër i reformës është krijimi i zyrës për botimet juridike. Kjo zyrë do të jetë burimi kryesor i botimeve për magjistratët. Reforma që unë mendoj të bëj nuk do të lërë jashtë edhe gjendjen fizike të gjykatave në vend. Kjo ka të bëjë me sigurimin e fondeve, shpejtimin e ritmeve në ato gjykata rrethesh e Apelesh, ku ka filluar puna. Me këto them se duhet të arrihet që shqiptarët të kenë gjykata, të cilat të imponojnë një gjykim korrekt, bashkëkohor, profesionist dhe edukativ. I njëjti preokupim është edhe për gjendjen e burgjeve. Reformë do të bëhet edhe me shërbimet si; përmbarimi, noteria, avokatia. Përmbarimi duhet të jetë me efektivitet, pasi nëse s’kemi përmbarim efektiv është e kotë të flasim për vendime gjykatash. Unë moralisht do t’u kërkoja shqiptarëve që t’i zbatojnë vendimet e gjykatave kur ato kanë formë të prerë, shpesh pa qenë nevoja për të vënë në punë përmbarimin. Noterja mendoj se duhet të kualifikohet dhe të sigurojë autonominë, pasi ky lloj shërbimi ka të bëjë me veprime shumë të rëndësishme të jetës së njerëzve. Ndaj unë kërkoj që noterët të mos mjaftohen vetëm me vënie vule, por edhe të shohin me kujdes përmbajtjen e materialeve që u vihen përpara. Me autonominë e noterëve nënkuptoj që ata të mbikëqyren nga shteti, vetëm në sensin që të sigurohet cilësia e këtij shërbimi. Për sa i përket avokatisë, mendoj se duhet të jetë e pavarur dhe vetëvepruese. Ajo që unë konstatoj me keqardhje është se avokatët shqiptarë nuk po mund të mblidhen nëpërmjet Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe nëpër degët e saj në rrethe. Nuk arrijnë të organizohen dhe të vetëveprojnë. Pikat e kontaktit mes avokatëve dhe Ministrisë së Drejtësisë duhet të jenë vetëm ato që përcakton ligji. Një organizim të tillë, ne do t’ia kërkojmë me urgjencë dhomës së avokatëve.
Si do ta luftoni korrupsionin në drejtësi?
Unë e konceptoj korrupsionin si një fenomen njerëzor, si një plagë të shoqërisë shqiptare, që ka përfshirë gjithë sferat e jetës, po kështu edhe drejtësinë. Nëse do ta konsiderojmë pushtetin gjyqësor të pavarur, lufta kundër korrupsionit është një detyrë parësore e vetë gjyqësorit, i cili duhet të bëjë një analizë me përgjegjësi totale. Duhet të bëjë përpjekje për ndërgjegjësimin e magjistratëve në detyrën e tyre të shenjtë për të qenë të ndershëm dhe të drejtë. Në këtë drejtim mendoj se duhet vazhduar puna për rritjen e efektivitetit në luftën kundër korrupsionit. Plani antikorrupsion i përgatitur nga qeveria shqiptare vlen edhe për Ministrinë e Drejtësisë. Nga ai plan ne do të zbatojmë konkretisht këto pika. Testimi i gjyqtarëve që është ezauruar si problem.
Testimi i administratës gjyqësore. Krijimi i ligjit për përmbarimin. Forcimi i Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Inspektorati vepron por vëmendja duhet të përqendrohet tek rezultatet reale. Duhen të verifikohen me kujdes denoncimet dhe kur të jetë rasti, unë si Ministër do të zbatoj kompetencat e mia për propozimin e masave përkatëse disiplinore. Si masë më konkrete unë mendoj se do të jetë shkuarja drejt detyrimit të gjykatësve për të deklaruar pasurinë. Të shihet prejardhja e kësaj pasurie dhe të bëhet verifikimi i saj. Roli im në këtë mes është ta përshpejtoj këtë proces.
Si do të ndikoni në gjyqësorin, si do të jeni i pranishëm në aktivitetin e gjykatave, pa cenuar pavarësinë e tyre?
Ministria e Drejtësisë në bazë të legjislacionit përkatës krijon marrëdhënie, krijon kontakte dhe ka detyra të vazhdueshme dhe konkrete në lidhje me gjyqësorin. Raportet duhen kuptuar drejt dhe duhen zbatuar me korrektësi. Këto raporte janë të përcaktuara nga kushtet e ligjet dhe duhen kuptuar jo si raporte varësie, por bashkëpunimi, që shprehin lidhjen ose pikëtakimin e pushtetit ekzekutiv me atë gjyqësor. Në këto raporte, Ministria e Drejtësisë ka një vend të veçantë, pasi ndjek nga afër gjendjen dhe nevojat e gjyqësorit. Një pjesë ajo e plotëson vetë, një pjesë tjetër sigurohet në lidhje me qeverinë. Këto raporte janë sa të rëndësishme, aq edhe delikate. Ndërtimi i tyre do të bëhet mbi baza të shëndosha mirëkuptimi dhe besimi, duke evituar konfrontimet e panevojshme dhe ndërhyrjet e padrejta në aktivitetin e gjyqtarëve. Dëshira ime është të bashkëpunoj ngushtë e konkretisht me konferencën e gjyqtarëve.
Mazhoranca socialiste ka bërë rezistencë ndaj jush, duke ju cilësuar si njeri i Berishës. Cilat janë lidhjet tuaja reale me liderin demokrat?
Ajo që ka rëndësi për opinionin, mendoj se është kjo: që unë s’kam bërë dhe nuk bëj pjesë në asnjë parti politike, ashtu siç edhe kam deklaruar për “KJ” ditën e parë të prezantimit në ministri. Pranova propozimin e Majkos për detyrën e ministrit, sepse pashë në të, shenja të qarta të dëshirës për një drejtësi profesionale, të pavarur e të paanshme. Më pëlqente dhe më pëlqen qeverisja e Majkos. Mund të sqaroj se Sali Berishën, s’e kam takuar asnjë herë në jetën time. S’kam qenë asnjëherë në godinën e Partisë Demokratike. Bile, herën e fundit që kam kaluar aty, isha rrugës për tek Infosofti, se më duhej një kompjuter. Pa qenë nevoja të shkosh tek godina e PD-së, ju a keni kryer ndonjë shërbim për Berishën? Absolutisht jo, unë nuk kam bërë asnjë shërbim dhe PD s’më ka kërkuar asnjë gjë të tillë.
Atëherë si e shpjegoni lindjen e legjendave të tilla?
Si jurist e si avokat, jeta më ka njohur me shumë njerëz. Kam shumë miq të vjetër e të rinj, idetë dhe botëkuptimet e të cilëve përfshijnë gjithë spektrin politik të Shqipërisë, nga e majta ekstreme, deri tek e djathta ekstreme. Ndonjë linjë e këtyre njohjeve të mia mund të jetë përdorur me keqdashje. Megjithatë, unë i respektoj dhe i nderoj miqtë e mi dhe kjo më pengon mua të tregoj emrat e tyre, pasi nuk dua t’i përgojoj. E përsëris që njoh institucionet dhe forumet. Nga gjithë ato që thuheshin për mua, nuk më rezulton asnjë në mënyrë institucionale. Kjo vërtetohet me faktin se kur zhurma në gazeta ishte në kulmin e saj, mua më vjen një ftesë nga kryesia e PS me vulën e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues nëpërmjet së cilës ftohesha për të marrë pjesë në 8-vjetorin e krijimit të partisë. Edi Lesi