Ministri i Kulturës Edi Rama rrëfen eksluzivisht për “KOHA JONE” në lidhje me politikën që ka ndjekur nga dita e parë e punës
(Botuar me 29 dhjetor 1998 në KOHA JONE)
Ministri i Kulturës Edi Rama rrëfen për “KOHA JONE” në lidhje me politikën që ka ndjekur nga dita e parë e punës
Edi Rama ishte ministri që u përplas mes dy krahësh, në një ditë maji kur u kthye nga Parisi dhe u vendos në kolltukun e të parit të kulturës në vend. Është personi i duhur dhe nuk është ai që i duhet kulturës shqiptare. Këto dy opinione u përballën gjatë me njëri-tjetrin, dhe sot në mbyllje të këtij viti, pas shtatë muajsh në krye të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Edi Rama flet për atë se çka bërë në kulturën shqiptare dhe ç’synon për vitin e ardhshëm.
- Ministër prej shtatë muajsh jeni në krye të kulturës shqiptare. Cili është opinioni juaj për punën e deritanishme dhe piketat për vitin e ardhshëm?
Mendoj që në vija të përgjithshme mund të konsiderohet një punë voluminoze dhe jo pa rezultat. E kur them këtë kam parasysh faktin që sidoqoftë është gjallëruar në një farë mënyre një debat në sferën e kulturës. E kjo pasi unë jam munduar që me modesti të ngre disa probleme të cilat njiheshin nga të gjithë, por askush nuk i kishte ngritur dhe qoftë për faktin që janë krijuar rreth subjekteve të ndryshme polemika të fundit, na bëjnë mirë të gjithëve. Sepse unë mbroj mendimin që aty ku ka konsesus të vazhdueshëm, jo domosdoshmërish ka edhe pjellori edhe largpamësi. Përsa i përket asaj se çka ndodhur gjatë këtyre viteve në sferën e kulturës do të thoja se, ka qenë një konsensus që e ka penguar politikën kulturore të zhvillohet, sepse praktikisht ka sterilizuar debatin rreth kësaj politike.
Po të hyjmë në gjëra konkrete them se është akoma e vështirë që të bëhet një bilanc realist për faktin se projektet më të rëndësishme ose më ambicioze janë akoma në rrugë, dhe është herët për të thënë se do të kurorëzohen apo jo me sukses. Nga ana tjetër, mendoj se kemi arritur të vëmë në vijë sidoqoftë, disa prioritete dhe kemi filluar të konstatojmë një horizont drejt të cilit mund të synohet. Vitin e ardhshëm do ta fillojmë më organizimin e një debati të madh për kulturën e kjo në kuptimin që të mundohemi të krijojmë një tryezë ku të ketë një rrahje mendimesh dhe opinionesh nga më të ndryshmet. Pikërisht për të institucionalizuar si të thuash një fakt shumë të thjeshtë: që kultura jeton dhe rigjenerohet përmes pluralizmit kulturor, mes zhvillimit të pikëpamjeve të ndryshme. Si të thuash kultura nuk mund të mbijetojë në një terren ku sundon mendimi unik, ku sundojnë bindjet totalitare. Është mirë që të shohim se çfarë do të dalë nga ky debat, edhe për të kuptuar në çfarë drejtimesh duhet të zgjerojmë aktivitetin dhe ku duhet ta ngushtojmë atë. Sido që të jetë puna, unë mendoj se duhet shkuar drejt një roli tjetër të shtetit në raport me kulturën, domethënë shteti duhet të krijojë sa më shumë mundësi për lulëzimin e alternativave dhe të debatit. Po marr një shembull. Ne e pamë të udhës që ti japim një drejtim disi tjetër konkursit të përvitshëm, të arteve pamore duke e kthyer në një konkurs ndërkombëtar. Natyrisht, përderisa isha edhe iniciatori i kësaj ideje, mendoj se bëmë mirë. E kjo sepse e hapëm kufirin dhe krijuam një mundësi dialogu real kulturor me të gjithë territorin përreth. Por dua të them se ndoqa me shumë interes dhe disa zëra që ishin kundër kësaj gjëje. Them se do të ishte e frytshme që në të njëjtën kohë këta zëra të bëheshin një kor dhe ta bënin realitet një antiplatformë, nëse mund të themi kështu. Në këtë rast nëse kjo platformë do të krijonte mundësi që të shfaqej me vlera, atëherë unë me shumë dëshirë do ta financoja realizimin e saj. Dua të them që duhet ti shmangemi tundimit për të patur pozicione ekskluzive dhe përjashtuese.
Mendoj se pavarësisht nga fakti që kultura është bërë më prezente si politikë, si dikaster le të themi në agjendën e qeverisë, është akoma larg të qenit në vendin që meriton. Nëpërmjet kulturës dhe zhvillimit të një politike energjike kulturore, duke favorizuar krijimin e hapësirave alternative, duke favorizuar zhvillimin e aktiviteteve jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe të ndryshme të vendit, mund të jepet një kontribut i paimagjinueshëm edhe për ato prioritete që ka shteti shqiptar, d. m. th, vendosjen e rendit, rikthimin e besimit dhe mbajtjen gjallë të një shprese që ky vend mund të përparojë dhe mund të bëhet normal. Do doja ta përsëris me këmbëngulje që ne nuk mund ta shikojmë stabilizimin e Shqipërisë, si një proces që lidhet vetëm me forcat e rendit, me policët, me shkopinj e gomës, me burgjet, me sistemin gjyqësor, pra me të gjithë kuadrin që përbën anën represive të shtetit. Ne duhet të mendojmë dhe të besojmë se stabilizimi i vendit do të vijë duke bashkërenduar këtë punë të domosdoshme në një krah, me një punë intensive për të mbjellë dhe kultivuar kulturë. Një kulturë pluraliste, një kulturë të hapur dhe që merr frymë nga të gjitha anët. Që nga veriu në jug, që nga perëndimi në lindje.
Si e përkufizoni vitin që po mbyllet?
Një nga të paktët raste kur unë jam bërë nervoz me mënyrën se si janë publikuar mendimet e mia ka qenë që në fillim fare, ku diku u shkrua se kam në kokë një mal me projekte. Me këtë dua të them se ditën e parë që jam ulur në këtë vend, e para e punës e kam parë dhe vazhdoj ta shoh veten si të përkohshëm. E dyta e kam ditur dhe e di që kjo është një rrugë shumë e gjatë dhe puna për integrimin e kulturës shqiptare është një punë kolosale që do të kërkojë shumë vite. Pikërisht për këtë nuk duhet nënvleftësuar asnjë gur që vihet, asnjë metër rrugë që shtrohet. Nuk di ta përdor fjalën sukses sepse më duket një koncept shumë negativ. Kështu si në anën tjetër, edhe fjala dështim më duket një koncept shumë negativ. Por për momentin mund të them se bilanci që mund të bëhet është një bilanc pozitiv në kuptimin që janë krijuar disa hapësira të reja dhe po fillojnë të ndihen disa potenciale që mund të zhvillohen më tej. Si dhe sa, kjo gjë do të bëhet realitet i prekshëm dhe i përditshëm, kjo është një gjë për t’u parë, por që nuk varet vetëm nga ne. Varet edhe nga një kuptim, nga një koncept i përgjithshëm, qoftë i qeverisjes, i shoqërisë dhe i partnerëve ndërkombëtarë, të cilët në fillim kur u flisja për kulturën shqiptare, u dukej se po u flisja për ndonjë planet të panjohur. Ka qenë një punë e lodhshme për ti bindur ata për të ndihmuar në kulturën shqiptare. Dhe kështu projekti ambicioz me Bankën Botërore, ndihma italiane për ’99 dhe marrëveshja me Greqinë për Teatrin e Ri, apo edhe ndihma të tjera i konsideroj arritje të rëndësishme. Varet tani nga ne që ti menaxhojmë në mënyrën më të përshtatshme për vendin tonë duke luajtur rolin dinjitoz të një partneri e jo thjesht rolin e lypësit që kërkon paratë dhe s’di ç’të bëjë me to.
Diçka rreth pozicionit tuaj në politikë…
Që kur kam filluar të bëj këtë punë jam munduar të luftoj vazhdimisht me dy gjëra. Nga një anë me të qenit me një pjesë time artist dhe të pasurit një subjektivizëm të theksuar për vetë natyrën e punës, sepse kam menduar se influenca e këtij subjektivizmi do ta dëmtonte kaq shumë punën time si ministër. Shumë gjëra që si artist nuk do të interesohesha, si ministër duhet dhe mund të interesohem që të ndodhin e të kenë vendin e tyre. Nga ana tjetër, jam munduar të luftoj edhe atë shpirt opozitar që kam kultivuar gjatë gjithë kësaj kohe, para se të vija në këtë punë. Jo në kuptimin që mos ti them gjërat që mendoj, por për vetë gjërat që kam, duhet ti them në instancat përkatëse, sepse jam pjesë e një mekanizmi përkatës.
Nga ana tjetër, dua të them që i gjithë përqendrimi im lidhet me punët e kulturës, për vetë bindjet që shpreha më lart, që mendoj se çdo hap sa do i vogël në kulturë është një hap shumë i rëndësishëm në riformulimin shpirtëror të kësaj shoqërie në raport me botën e re ndaj të cilës jemi hapur dhe në të cilën ne po bëjmë përçapjet e para për t’u integruar.
A bën pjesë në këtë bilanc edhe fakti që një kundërshtar i juaji, Dritëro Agolli e vlerësoi publikisht punën tuaj?
Së pari doja të sqaroja një gjë. Me Dritëroin kemi patur dy, tre polemika, por asnjëherë nuk e kam konsideruar si kundërshtarin tim. Sepse kam përshtypjen, me aq sa unë kam arritur ta njoh, në disa aspekte ne kemi pikëpamje krejt të ndryshme dhe në disa aspekte goxha të rëndësishme, kemi pikëpamje shumë të përafërta. E dyta edhe ato polemika nuk i kam parë si me një kundërshtar, por si pjesë e atij debati që duhet të ketë jeta kulturore në Shqipëri.
Nga ana tjetër nuk kam pse e fsheh dhe është normale, se kur vlerësimi vjen nga dikush që ka besuar gjithmonë në aftësitë e tua, është një kënaqësi, por kur merr vlerësim nga dikush që nuk ka patur besim në aftësitë e tua, është kënaqësi e dyfishtë. Në anën tjetër do të shtoja që pavarësisht se ç’mund të them unë si individ ose si ministër, për njërin apo tjetrin autor të njohur dhe të afirmuar të traditës, kjo nuk e lëviz personin në fjalë nga panteoni, në të sotmen dhe në të ardhmen. Ky lloj debati është në favor të të gjithëve dhe në favor të shoqërisë. Unë kam një tërheqje natyrale ndaj polemikave, por asnjëherë me idenë për të diskredituar njërin apo tjetrin, por vetëm për të vërtetën, duke u bazuar në disa koncepte dhe mbi disa njohje mbi kulturën dhe historinë.
PANDI GJATA