Mira Meksi: “Testamenti shpirtëror i Ernesto Sabatos”

Placeholder Image

(Botuar me 16 Prill 1996 në KOHA JONE)

Ekskluzive për gazetën “Koha Jonë”: Divi i letrave rrëfen vetveten. Ernesto Sabato mbërriti parmbrëmë në Tiranë

Tiranë – Ernesto Sabato ka “mbërritur” parmbrëmë në Tiranë. Ka qenë një faks i gjatë ku shkrimtari i madh ka rrëfyer veten dhe jetën e tij, në atë që me të vërtetë mund të quhet testamenti shpirtëror i Ernesto Sabatos. Është një gjë e rrallë, e padëgjuar dhe e bujshme, që divi latino-amerikan i letrave, i bërë i famshëm në botë në gjithë karrierën e tij artistike vetëm me tre romane, të ulet dhe të rrëfejë vetveten para publikut shqiptar. Është ky publik, i cili prej muajsh po përgatit veten për të pritur gjigantin, autorin e “Tunelit” më të famshëm në rruzull. Është ky publik dhe popull, prej të cilit rrjedh edhe origjina e talentit të madh argjentinas, është po ky popull, që po i fal atij përjetësisht edhe një pjesë të shpirtit të tij, të lidhur me Kadarenë. Dhe ja shpërblimi: një testament i gjatë, që fillon që nga të qarat e para e deri tek muza e fundit e gjeniut të penës, një dhuratë e paçmuar, që sigurisht meriton një vend në historinë e letërsisë shqiptare. Meriton dhe këtë e them me siguri dhe për shumë arsye. Për autorin, për origjinën, për talentin dhe gjenialitetin që është shkruar, e që sigurisht ka edhe një pjesë shqiptare, për përkthimin dhe shqipërimin e shkëlqyer të Mira Meksit, që ka dhënë në shqip duke e rikrijuar shkëlqimin e penës së Sabatos. Ndërkaq shpejt në duart e lexuesve shqiptarë do të bjerë edhe kryevepra “Tuneli” e shqipëruar sërish nga Meksi. Kjo do ta bëjë edhe më të njohur Sabaton për lexuesin shqiptar. Por gjithsesi ky testament mbetet premiera shqiptare e Sabatos.  Falë ndihmës dhe ofertës bujare të Fondacionit “Velija” dhe zonjës Meksi ne kemi mundësi ta takojmë që sot Ernesto Sabaton, pa patur nevojë të presim të mërkurën pasdite kur avioni bashkë me gjeniun do ulet në Aeroportin e Tiranës. Shpirtërisht, Sabato ka mbërritur që parmbrëmë në kryeqytetin shqiptar…/Sokol Balla/

Më quajnë Ernesto sepse kur u linda, më 24 Qershor 1911, ditën e lindjes së Shën Huanit,  sapo kishte vdekur tjetri, Ernestoja i vërtetë, ai, të cilin ime më, edhe kur u plak, vazhdoi ta thërriste Ernestito, sepse vdiq kur ishte ende ferishte. Nuk më kujtohet ta kem parë ndonjëherë time ëmë duke qarë, – kaq stoike dhe burrërore ishte gjatë tërë jetës së saj, – megjithëse, ndoshta, me siguri, duhet të ketë qarë fshehurazi. Dhe ishte 90 vjeç kur e përmendi, për herë të fundit, atë vogëlush, me sytë të mbushur me lot. Kjo vërteton se vitet, fatkeqësitë, zhgënjimet, jo vetëm që nuk e lehtësojnë harrimin, siç kujtojnë njerëzit, por për gjërat thelbësore dhe të dhimbshme, fatkeqësisht, e theksojmë ca më tepër kujtimin. Ai emër, ai varr, gjithmonë patën për mua diçka mbrëmësore, dhe ndoshta ka qenë shkaku i kësaj ekzistencës sime kaq të vështirë të halucinacioneve të mia, të somnambulizmit tim në fëmijëri. Një ekzistencë e mbushur me kërkime të pashpresa, duke marrë shpesh udhë të gabuara – në mes të pyllit të errët – i verbuar nga dyshimet, pasionet dhe nevoja për diçka të sigurt, një nga ata faret e largët në mes të një furtune në errësirë. Introversioni dhe melankolia ime, kjo melankoli që më ka pritur përherë kur merrte fund një eufori e pashpjegueshme, transformohej, befas, në mallkime, sarkazma dhe ironira, shpesh të padrejta. Sa? – Por, a nuk qe fjala ironi, një nga fjalët më të pëlqyeshme të romantikëve gjermanë? A nuk u strehova që adoleshent tek ata poetë? A nuk peligrinuam me Matildën, përpara shumë, shumë vitesh në vendet ku ata jetuan, studiuan dhe u shuan? Njeriu nuk është qenie logjike, është qenie e spërdredhur dhe paradoksale, shkon dhe vjen mes ndjenjave të përkundërta, duke vrapuar si i çmendur apo si i pavetëdijshëm nga një ekstrem në ekstremin tjetër të kundërt. A nuk janë vallë shpirtra fetar ata që vjellin blasfemi kundër Zotit? E ç’mund të bëjnë tjetër këta të gjorë, përveç të fshihen tek arti? Dhe jo shpesh në fund të jetës së tyre, por në adoleshencë, kur nis t’u dhëmbë jeta, atyre që nisin udhën drejt shkatërrimit të idealeve që kanë, pasi kanë braktisur strehën e ngrohtë të barkut të nënës, dhe më pas, pasi kanë kapërcyer vitet e para të jetës, periudhën kur riprodhojnë kohët e para të species, kur bëhen qeniet arkaike të kohës sonë, ato qenie, të cilat arroganca e erës moderne i quan të egra, ata që jetonin në harmoni me kozmosin dhe perënditë e tyre; ëndrrat e të cilëve nuk ishin vetëm ato të natës, porse ëndrrat zgjuar apo gjysmëzgjuar të miteve dhe legjendave të tyre kur pikturonin skenave të mrekullueshme magjepsëse nëpër shpella, aq shumë i ngjajnë barkut të nënës. Njëlloj si ata të vegjlit që nisin të pikturojnë vizionet e tyre magjike, në të cilat nëna është më e madhe se një shtëpi, që e kanë të lehtë të mos përfillin proporcione dhe perspektivën, gjersa shkolla fillore i kthen në mediokër, kur nisin të zbulojnë falsitetin e të rriturve. Jeta, jeta jonë, është deng me gënjeshtra, përveç artit të madh, sepse ai rrjedh nga pavetëdija, nuk gënjen kurrë. Por është tepër e vështirë të thuash gjithmonë të vërtetën; nuk është hipokrizi, por mirësi t’i thuash një gruaje të dhembshur se është e shëmtuar. Por nuk duhet gënjyer fëmijët, adoleshentët që fillojnë të zbulojnë se të rriturit jetojnë në gënjeshtër dhe mistifikim. Një nga shkaqet e terrorizmit. Nuk duhen gënjyer qenie si Nënë Tereza, dhe as qenie si Don Kishotesku, Guevara, që nuk e braktisin më kot burokracinë për të kërkuar atë të cilën Rilke do ta quante vetëvdekje, në një luftë të çmendur në xhunglën boliviane, i sëmurë nga astma, që të përfundonte, pa patur derman për dhembjen e tij, i vrarë dhe masakruar nga kafshë të pamëshirshme dhe të neveritshme. E ç’më duhet materializmi i tij dialektik, sepse e tërë kjo provon pafajësinë e tij, autenticitetin e tij; luftonte për njeriun e ri, në mes të këtij bataku. Kjo është madhështia e tij, të cilën disa e konsiderojnë si budallallëkun e tij.  Po u afrohem tashmë të 85 vjetëve, E si të mos e vras mendjen për fundin enigmatik ku të mos mund më të pikturoj gjithçka që ëndërroj, shumë më tepër se ajo që kam arritur gjer më sot? Kjo dëshmi, apo epilog, apo testament shpirtëror – si të doni ta klasifikoni, po e gdhend atë në sajë të kujtesës digjitale të makinës sime të vjetër të shkrimit, pasi drita e syve po më shuhet më shumë e më shumë. Nën presionin e dashur dhe deri këmbëngulës të miqve të mi, pothuaj sikur të më akuzonin se po bishtnoj një detyrë, po i shkruaj këto faqe, të cilat, edhe pse pa ndonjëfarë rregulli mund të qenë të dobishme – më thonë më sigurojnë miqtë e mi – për shumë njerëz në këtë botë të minuar nga pabesia; sidomos për ata adoleshentë që me anë letrash më pyesin se ku po shkojnë, jo vetëm në këtë vend të shkatërruar, por në të gjithë botën. Dhe për kuptimin e ekzistencës. Në një arkiv ku koleksionoj letra, artikuj të prerë që më ndihmojnë të jetoj, kam një fotografi të tërmetit që shkatërroi koncepcionin e Kilit, një indiane e gjorë, pasi e ka ngritur në këmbë kasollen e saj, po fshin me fshesë copëzën e tokës që ndodhet para kasolles. Dhe njeriun i mbijnë në kokë pyetjet teologjike! A ka gjë më demonstrative se kjo indiankë e gjorë që fshin shtëpinë, që u thërret fëmijëve të saj,në vend që të vetëvritet. Po i shkruaj këto radhë sidomos për adoleshentët dhe të rinjtë, por edhe për ata që si unë, i afrohen vdekjes dhe pyesin veten se përse kemi jetuar dhe duruar, ëndërruar, shkruar, pikturuar… I shkruaj këto radhë sepse brendësia ime më e thellë më  misteriozja dhe më irracionalja më detyron ta bëj. Dhe ndoshta – sa shumë ndoshta do të gjeni në këto fletë, – ju shërbejnë për të gjetur një kuptim trashendencë në këtë botë të mbushur me tortura dhe gjenocid; por edhe me zogj që më gufojnë shpirtin kur i shoh që nga tryeza ime e shkrimit që pa gdhirë; me qen besnikë, me luanesha që lëpijnë ëmbël këlyshët e tyre, me lule, që shpesh janë aq të vockla, sa duhen vështruar nga shumë afër, si ato lulkat që në fshatin e fëmijërisë sime i quanim zemër nuseje, mesazhe të thjeshta që fryma hyjnore na jep për ekzistencën e saj. Si budalla u besoj simboleve dhe idealeve. Sot, më 9 Korrik, dita e pavarësisë sonë nga Spanja, më vijnë ndër mend ata që ëndërruan, ata burra që jo vetëm ëndërruan por luftuan dhe ranë në beteja të pafundme, u torturuan dhe u masakruan dhe akoma më keq, vdiqën në syrgjyn, duke i marrë malli deri edhe për të metat tona. Vendosa të shkruaj këto që ende nuk e di se ç’do të jenë. Njerëz të dashur më shtyn të rrëfej luftimet e mia, fjalë që e vendos midis thonjëzave, pasi jam harraq, andej dhe kam qenë nxënës i dobët në histori dhe gjeografi. Për herë e kam vuajtur këtë mangësi, pak të rëndësishme për gjëra jo fort të rëndësishme, por që më pengon, për fat të keq të kujtoj poema të pavdekshme për kohën dhe vdekjen që do të më ngushëllonin në këto çaste finale. Dhe nuk e kam fjalën vetëm për poemat në vargje, që në më të shumtën e herëve nuk janë poezi në kuptimin e madh dhe origjinal të fjalës, por për fragmente imagjinatash të mëdha, dhe deri imagjinata të tëra. Çastet, kur e konsideroj veten të pavlerë. Andaj kultura ime është e pasigurt dhe e mbushur plot me vrima të mëdha, sikur të përbëhet nga gërmadha tempujsh të shkëlqyer, nga ata që u kanë mbetur copëza mes plehrash dhe bimësh të egra. Vështroj bibliotekën time, këto mijëra e mijëra libra, të cilët s’do të mund t’i lexoj më kurrë, që më mallëngjyen, më transformuan, më ndihmuan të jetoj dhe shpejt do të ndihmojnë edhe të vdes. Sa trishtim; i ulur në një kolltuk vështroj raftet e mbushura me libra, dhe e ndjej veten si të zhveshur, si një anije e mbytur në mes të furtunës së madhe. Prandaj e shmanga titullin KUJTIME? Dhe më pas titullin KUJTIME TË NJË HARRAQI, sepse m’u duk gati si një lojë fjalësh, e papërshtatshme për këtë lloj testamenti, të shkruar në periudhën më të trishtuar të jetës time. Por ka edhe diçka tjetër, që ndoshta nuk i favorizon këto faqe dhe që është – madje vazhdon të jetë – motivi i dyshimeve të mia: nuk do të kuptoni, nuk mundet të kuptoni të vërtetat e mia të fundit, më enigmatikët, por edhe më autentikët. Do të ishte si rrëfim i një jete pa ëndrrat e saj, sepse vetëm në ëndrra zbulohen të vërtetat më të mëdha. Fatkeqësisht, asnjëherë nuk kam mundur të kujtoj ëndrrat e mia, andaj dhe më kanë mbetur vetëm imagjinatat e mia, që i zëvendësojnë dhe i pohojnë ato, sepse vijnë drejtpërdrejtë nga pavetëdija ime. Më vijnë shumë letra nga djem dhe vajza, që ndodhen buzë gremine.  Një 17-vjeçar më shkruante nga një qytet i Francës: U tmerrova, sepse e ndjeva se mund të vriste veten nga çasti në çast. Në letrën e tij të shkruar me dorë,më fliste, në kulm të dëshpërimit, për Rimbaut. Ju përgjigja duke i thënë se nëse nuk vriste veten do të arrinte një ditë të ishte po aq i madh sa Rimbaut. Nuk më erdhi më kurrë letër prej tij, por intuita më thotë që jo vetëm nuk e ka vrarë veten, porse një ditë do të më vijë origjinali i njërit prej atyre librave që nuk shkruhen për të fituar para, por për të mos vdekur. Të rinjtë, veçanërisht idealistët, kanë filluar të mos besojnë më asgjë, në zgrip të një honi vdekjeprurës, dhe çdo herë e më tepër po strehohen tek droga, që t’u arratisen ëndrrave të liga. Përkundrazi në kohën time, përqafonin lëvizje që tentonin të ndryshonin botën.  Sigurisht që ka kriza ideologjish, por asnjëherë nuk ka për të patur kriza idealesh: njerëzit përherë do të aspirojnë të mos ketë fëmijë që vdesin nga uria, të mos ketë popuj të shtypur nga fuqitë e mëdha, raca që përndiqen nga të tjera raca që e konsiderojnë si superiore. Gjithmonë do të jetë e bukur të ekzistojnë të rinjtë që do të mbajnë gjallë shpresën. Do të më thoni se është e vështirë të kesh shpresë tek diçka në këtë kohë, pse ndodhemi në një natë ekzistence. Është e vërtetë, por pas natës gjithmonë vjen dita, siç ka thënë Holderning; dhe kur nis të zbardhë dita dhe dëgjojmë si këndojnë zogjtë këto shpendë kaq të pafajshëm, buron sërish shpresa, e cila buron përherë nga më e keqja, nga plehrat dhe dëshpërimi më i thellë. Nuk është diçka  e re; përherë ka qenë kështu. Pas tërë atyre shkatërrimeve, pushtimeve të llahtarshme gjatë tërë historisë, pas tërë atyre torturave dhe dhunimeve të fëmijëve dhe adoleshentëve buroi sërish jeta. Dhe sa e çuditshme, nga vuajtja mësojmë. Po, tani gjithçka është përdhosur. Ky është një motiv i rëndësishëm për t’i kthyer plot shpresë idealeve të mëdha, e rëndësishme është nevoja për të mos i hidhëruar ata që na duan dhe që do të shuheshin pas vetëvrasjes sonë. I thashë: harrova që nuk jeni vetëm; gjithmonë do të ketë njerëz që do të vuajnë nga dezertimi ynë: një nënë, një baba, një vëlla, një mik i shtrenjtë, një qen besnik që do të mbetet në mes të rrugës. Nuk duhet të mendosh vetëm për vete, por për ata që do të mbeten pas teje. Edhe unë në rini kam dashur të vras veten, por arrita të shpëtoja, duke menduar për gjithçka thashë më sipër, për meskinitetin që po gatuaja. Dhe vazhdova të luftoja për këto ideale të shenjta, që më kanë bërë të jem krah teje në këto çaste kaq të trishta për shpirtin tënd. Më përqafoi tek u ngrit, pa më thënë një fjalë – por, a ka gjë më të bukur dhe më premtuese se ky përqafim – dhe iku pa më lënë adresën, dhe unë nuk pata mundësi t’i dërgoja një nga librat e mi, ca më të vlefshëm se këto fjalët e mi që i merr era.

Shqipëroi: Mira Meksi

 

 

SHKARKO APP