MIRLINDA PRENDI: Kurse e mashtrimit në gjuhë të huaj. Ja si u grabiten dollarët atyre që dëshirojnë të mësojnë një gjuhë të huaj

(Botuar me 10 janar 1999 në KOHA JONE)

Nga Mirlinda Prendi-

TIRANE- Kurset e gjuhëve të huaja, piramidat e reja të shqiptarëve. Me lekë ose me dollarë, mësuesit privatë apo qendrat që organizojnë këto kurse kanë lirinë t’u marrin paratë nxënësve të tyre pa u shqetësuar nëse u japin atë që reklamojnë. Ndërsa prindërit që kanë paguar shtrenjtë anglishten a gjermanishten e fëmijëve të vet nuk kanë ku të ankohen kur këta në përfundim të kursit disamujor nuk fitojnë as njohuritë themelore. Ndonëse reklamojnë tekste të Oksfordit apo Kembrixhit, mjete dhe metoda moderne mësimdhënieje me video apo kompjuter, mund të ndodhë që mësuesi të ngurrojë për të shkruar në tabelën e zezë pa parë në libër.

Nga ana tjetër, deri tani nuk është ndier as hija e kontrollit shtetëror që të qetësojë prindërit mbi seriozitetin e shumicës së këtyre kurseve. “Unë kam ndjekur për rreth 5 muaj një kurs të tillë pranë ish-parkut të lojërave në rrugën e Elbasanit. Kam paguar 5 mijë lekë çdo muaj, i bindur se punohej me metoda moderne të gjuhës angleze. Por mësuesja e anglishtes që punonte me grupin tonë nuk dallonte shumë nga ato që kisha pasur dikur në shkollë dhe shpjegonte më keq se në orën e mësimit. Vetëm lexim-përkthim, nuk punonim me shkrim dhe pyeteshim rrallë. Në fund konstatova se njohuritë e mia ishin po ato të mëparshmet dhe e ndërpreva”, tregon Arjan Vata, 30 vjeç, inxhinier. “Unë regjistrova mbesën pasi në fillim të kursit u tha se diploma që lëshohej në fund mbante emrin e Universitetit të Kembrixhit dhe njihej prej tij. Gjë që më vonë u harrua plotësisht nga drejtuesit”, thotë një grua për Shkollën Ndërkombëtare të Gjuhëve në qendër të Tiranës. Në jetën e përditshme mund të hasësh pa vështirësi dikë që është joshur nga emri i madh apo metodat, mjetet dhe programet “supermoderne e bashkëkohore”, por që më pas jo për shkak të paaftësive të tyre nuk kanë përfituar, pavarësisht nga paratë e paguara.

Paqartësia në ligje, shkak për abuzime

Vetë kuadri ligjor që i trajton këto është i mangët e i paqartë duke u lënë shteg shumë abuzimeve. Këto lloj kursesh aktualisht licencohen nga 2 ministri, ajo e Arsimit si dhe e Punës e Çështjeve Sociale. Sipas ligjit për arsimin të gjithë këta individë apo subjekte konsiderohen si institucione jopublike plotësuese e duhet të licencohen nga Ministria e Arsimit. Ndërsa Ministria e Punës i licencon këto si qendra të formimit profesional, ku studentët e tyre aftësohen për t’u integruar në ekonominë e tregut. Por ky formim u ofrohet edhe fëmijëve, të cilët nuk kanë nevojë për të dhe mund ta marrin në shkollë pa u rënduar xhepave të prindërve. “Këtu janë licencuar disa kurse trajnimi profesional. Si rregull formimi profesional përfshin personat mbi 18 vjeç dhe ne vetëm mbi këtë moshë i pranojmë në qendrat shtetërore si ORT-ja”, shprehet Dafina Jupe, përgjegjëse e formimit profesional në Ministrinë e Punës. Sipas saj, ka një mangësi në ligjin përkatës pasi ky nuk vë asnjë kufi moshor për ata që do të përfitojnë këtë formim dhe as nuk i pengon kurset që ta shtrijnë veprimtarinë mbi të miturit. Kurset që nuk kanë marrë mundimin të kryejnë këtë licencim nuk gjobiten e nuk detyrohen të ndërpresin veprimtarinë. Ndaj tyre ka vetëm një lloj ndëshkimi. “Shteti nuk e njeh certifikatën apo dokumentin e lëshuar prej tyre në përfundim të kursit, pavarësisht nga emri i qendrës që mban”, shton Jupe.

Në të vërtetë, licenca e dhënë nga Ministria e Punës vlen më tepër për të ligjëruar aktivitetin punëdhënës të këtyre kurseve. Ndërsa licencimi nga dy dikastere krijon mundësinë e abuzimeve. “Për këtë arsye një pjesë të subjekteve i kemi drejtuar në ministrinë e Arsimit”, thotë Jupe. Një rast i tillë ishte ai i Qendrës Ndërkombëtare të Gjuhëve të Huaja e cila ka paraqitur kërkesën për leje në Ministrinë e Arsimit. Nga specialistët e kësaj ministrie tashmë është miratuar programi dhe plani mësimor i kësaj qendre. Ndërsa në dokumentacionin e paraqitur rezulton kurrikulumi i mësuesve të cilët kanë që të gjithë në diplomat universitare titullin e mësuesit të gjuhës angleze. “Në programin tonë përfshihen 12 nivele sipas moshës dhe njohurive të studentëve. Tarifat shkojnë nga 100 dollarë për më të vegjlit deri 270 dollarë për nivelin më të lartë. Kurset janë intensive 3-mujore me 10 orë në javë ose 8-mujore me 5 orë mësimore në javë”, shprehet drejtoresha e Qendrës, Pranvera Haçkaj.

Në shtator të vitit të shkuar, Ministrisë së Arsimit iu njoh ligjërisht kompetenca për të licencuar këto subjekte. Ajo mbikëqyr më parë programin e strukturën mësimore, kontratat e institucionit me nxënësit dhe mësuesit apo kualifikimin e mësuesve deri dhe dëshminë e tyre të penalitetit. Teksa nevojitet dhe leja nga inspektorati higjieno-shëndetësor. Ligji i arsimit parashikon dhe gjobitjen deri 500 mijë lekë dhe ndërprerjen e veprimtarisë së tyre pa miratimin e ministrisë përkatëse, por kjo nuk ka shqetësuar asnjë kurs të paligjshëm. Deri tani shumë pak subjekte janë interesuar të kenë edhe miratimin e Ministrisë së Arsimit, kur vetëm në Tiranë numërohen të paktën 15 kurse gjuhësh të huaja. Aktualisht është licencuar vetëm një i tillë në qytetin e Vlorës, “Ili Sh. p. k” për kurse të gjuhës angleze si dhe kanë paraqitur kërkesën edhe 3 subjekte të tjera.

Kush i kontrollon e para kujt përgjigjen

Marrja e lejes nga Ministria e Arsimit duket se është detyra e fundit që i kanë vënë vetes drejtuesit e këtyre kurseve. Për një pjesë të tyre mjafton regjistrimi si subjekt i tatueshëm për të mos çarë më kokën që të respektojë ligjin. “Ne jemi shkolla e dytë që jemi regjistruar dhe licencuar nga organet tatimore”, shprehet një punonjës në Qendrën Mësimore të gjuhëve të huaja, pranë Librit Universitar. “Tatimet nuk duhet t’i regjistrojnë pa pasur më parë dhe lejen tonë” shprehet një drejtues në Ministrinë e Arsimit. Të gjitha rastet e ngjashme duhen denoncuar nga Drejtoritë Arsimore të rretheve. Por deri tani në Ministrinë e Arsimit nuk kanë mbërritur njoftime të tilla. Dhe nuk njihet asnjë rast i gjobitjes apo ndërprerjes së veprimtarisë. Ndërkohë që cilësia e mësimdhënies apo respektimi i standardeve të pretenduara, deri para pak muajsh nuk kontrollohej nga asnjë institucion shtetëror. Në kompetencat e Ministrisë së Punës, nuk futej vlerësimi i aftësisë së mësuesve, apo i programit të këtyre kurseve. Ndërsa Ministria e Arsimit vetëm para dy javësh ka licencuar kursin e Vlorës. Pas miratimit është detyrë e Drejtorive Arsimore të rretheve që të kontrollojnë veprimtarinë e këtyre institucioneve nga ana e cilësisë së procesit mësimor, njësoj si dhe me shkollat publike. Por sipas një specialisti në Drejtorinë Arsimore të Tiranës, inspektorët e tanishëm nuk janë të mjaftueshëm për të kontrolluar as shkollat shtetërore dhe duhet shtuar një specialist që të merret vetëm me arsimin jopublik. Kjo u ka dhënë të drejtën këtyre kurseve të reklamojnë teknikën moderne dhe mësuesit që pretendojnë se i kanë më të mirët, kur mund të ngjajnë dhe me kurset kundër analfabetizmit ku mjeti më modern është vetëm tabela e zezë.

Si mësohet

Shpesh të ashtuquajturat “qendra” nuk janë veçse apartamente në pallat prej 2 apo 3 dhomash, të përshtatur për mësimdhënie në klasa të improvizuara. Kushtet janë shumë larg normave higjieno-sanitare të shtetit shqiptar për shkollat. Vetëm për të miturit nën 18 vjeç hapësira në klasë duhet të jetë 0,85 deri 1,1 metër katror për frymë, teksa për të rriturit kjo është më e madhe. “Jemi 12 veta në këtë grup”, thotë një vajzë 17-vjeçare që ndjek kursin në Qendër mësimore të gjuhëve tek Libri Universitar.

Në afishimin e vendosur pranë garantohet mësim me kaseta magnetofoni apo videokaseta. Ndërkohë që në klasa nuk ka as tavolinë apo priza për furnizimin me energji të videos. “Por këtu bëhet shpjegimi teorik dhe kasetat nuk i përdorin. Nëse dikush është i interesuar për kasetat mund t’i përdorë ato në shtëpi”, thotë një djalë i ri. Gjithsesi për të, ky kurs është i vlefshëm pasi është ndër më të lirët në treg me 6 mijë lekë për 3 muaj. Në një apartament zhvillon mësim dhe Qendra Kulturore e Gjuhëve në fillim të rrugës 4 Shkurti. “Ne kemi paguar 9 mijë lekë për nivelin tonë. Në grup mund të pranohen deri 10 vetë, ndërsa kasetat mund t’i marrin ata që kanë dëshirë”, thonë dy vajza studente që sapo kanë përfunduar seancën e pasdites.

MIRLINDA PRENDI

SHKARKO APP