Mocion i Nanos për udhëheqjen e PS

(Botuar me 4 Korrik 1996 në KOHA JONE)

Mocion i Nanos për udhëheqjen e PS

Propozohet: heqja e Marksit nga programi i PS, ndryshimet në statut dhe në program, analiza personale e 5 figurave kryesore të partisë

Partia Socialiste ndodhet në një nga momentet më të rëndësishme të saj që nga krijimi. Vetë kryetari i burgosur i kësaj partie, Fatos Nano, ka propozuar një mocion për debat, i cili ka tronditur kryesinë, e gjendur në befasi. Vetë lideri i burgosur i ka besuar anëtarit të Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të PS, Pandeli Majko, mocionin që qysh në datën 1 Korrik ka rënë në duart e kryesisë. “Mocion për debat në komitetin e përgjithshëm drejtues mbi tezat e kongresit të dytë të PSSH” është emërtuar formulimi i mocionit të kryetarit socialist. Me këtë formulim janë njohur këto ditë disa prej anëtarëve të komitetit drejtues të PS, një pjesë e të cilëve e kanë firmosur. “Situata politike pas farsës elektorale të 26 majit shtron përpara PS si partia më e madhe opozitare, nevojën e ndryshimeve të shpejta, cilësore e shumëplanëshe”, thuhet në parathënien e mocionit të parë që propozohet nga një kryetar partie për partinë e vet. Duke përmendur mesazhet e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe të Bashkimit Europian e KE, mocioni kërkon që në përputhje me këto mesazhe të hidhen hapa të mëtejshme vendimtare në konsolidimin  mëtejshëm të fizionomisë socialdemokrate të PSSH. Mocioni vetë fillon duke theksuar veçanërisht: “Ky mocion për debat dhe votim në Komitetin e Përgjithshëm Drejtues paraqitet si nismë e kryetarit të burgosur të PSSH, Fatos Nano në bashkëpunim me një numër anëtarësh të KPD nënshkrues të këtij mocioni. Përmes debatit synohet ndërmarrja e hapave konkrete që do të përgatisin terrenin për suksesin e PSSH në të ardhmen dhe paralizimin e skenarit diversionist të Berishës”. Në dy faqe vijojnë propozimet e mocionistit Nano së bashku me firmosësit. Kërkesat e mocionit që u diskutuan gjatë në kryesinë e PS ditën e hënë dhe që nuk u pranuan nga kryesia e përbërë nga 17 vetë, kanë të bëjnë me heqjen e Marksit nga programi i Partisë Socialiste, ndryshimet në statut e në program dhe një analizë  personale të 4 nënkryetarëve dhe sekretarit të përgjithshëm të PS për punën e bërë nga vetë ata, sidomos para, gjatë dhe pas fushatës për zgjedhjet e 26 Majit. “Kryetari i PSSH, Fatos Nano”, mbyllet mocioni, “shpreh besimin e tij politik se kjo nismë jetike për të ardhmen e së majtës shqiptare përbën një garanci për krijimin e besimit brenda dhe jashtë vendit për fitoren e forcave opozitare në zgjedhjet e ardhshme të lira e demokratike të rekomanduara nga institucionet e demokracive perëndimore”. Pas firmës së Fatos Nanos, emri i dytë është ai i Pandeli Majkos, njeriut të cilit Nano i beson për të dytën herë trajtimin e mesazheve të tij. Më 23 mars të këtij viti  ai i besoi në Kongres leximin e mesazhit të tij, ndërsa tani i beson lëvizjen më të madhe politike brenda Partisë Socialiste. “Ndryshime shumëplanëshe”, ka përcaktuar parathënia e mocionit, ndërkohë që janë përfolur prej kohësh jo vetëm ndryshimet programore të PS, por edhe ndryshimet e drejtuesve. Majko e kundërshton tendencën e ndryshimeve të personave të caktuar. “Mocioni nuk mund të marrë përsipër ndryshime të përcaktuara emërore, ai ofron diskutimin e çështjeve në parim”, ka thënë protagonisti kryesor i mocionit jashtë burgut. Ndryshimet emërore, nëse do të propozoheshin Majko mendon se në  bazë të statutit i vendos vota e lirë dhe e fshehtë. Antari më i ri i udhëheqjes së PS dhe firmosësi i mocionit në lëvizjen e madhe, i ka kundërshtuar të gjitha aludimet se ky mocion bëhet nga disa njerëz të caktuar kundër të tjerëve. “Mocioni është i hapur për të gjithë, askush nuk është ndaluar të firmosë”, sqaron Majko. Megjithatë kryesia e PS ose të paktën 13 antarë të kësaj kryesie nuk e kanë parë pozitiv mocionin, i cili nuk ka të bëjë me mosbesim, por me debat. Fakti që Nano nuk ja ka besuar mocionin një anëtari kryesie, lë mundësinë të mendohet se ai do ta analizojë në detaje gjithë punën dhe aktivitetin e kryesisë së PS. Debati tashmë ka filluar. Disa figura kanë filluar aksionet në media për t’iu përgjigjur mocionit, ndërsa gjithçka do të vendoset nga komiteti i përgjithshëm drejtues, ku janë të gjithë të barabartë mes të barabartësh”, siç përcaktoi Majko në një intervistë të djeshme.

Enton Abilekaj

 

SHKARKO APP