Moikom Zeqo: Bizanti solli Xhokondën shqiptare

(Botuar me 8 Janar 1998 në KOHA JONE)

Nga Moikom Zeqo-

Një poet u takua me një piktor dhe duke parë së bashku një ikonë të shekullit të XIV që paraqiste kryeengjëllin Mihail, u mahnitën nga bukuria precize dhe e çuditshme e portretit. Nisën të diskutojnë për të.

Poeti: – Është një ikonë e mrekullueshme. Nuk është çështja për të shënuar një epitet të bujshëm, shpesh të konsumuar në ligjërimet eseistike. Ka një histori kjo ikonë. Është me origjinë nga kisha e Shën Mërisë në Mborje të Korçës. Kjo kishë përfaqëson një tempull të vogël, por nga më të rrallët dhe nga më të afreskuarit në Shqipëri. Ka mundësi që funksioni i tempullit të ketë qenë elitar, d. m. th. për përdorimin e ceremonive nga ana e një familje princërore shqiptare. Ndoshta nga pinjollët e familjes së Muzakajve që zotëronin edhe Kosturin, ku ka ndërtuar kishën e Shën Apostujve. Ndoshta nga pinjollët e një familjeje tjetër.

Kisha e Mborjes është e lidhur me kishëzën e ishullit të Maligradit, gjithashtu një kryevepër e artit arkitektonik e pikturik mesjetar. Këto janë disa indikacione të përgjithshme për të bërë dimensionimin në hapësirë dhe kohë. Por ende nuk shpjegojnë në thelb vlerat e ikonës së Shën Mihailit. Kjo ikonë është kaq e pazakontë dhe kaq e fuqishme sa për të mund të shkruhet një traktat i tërë. A mendoni dhe ju kështu?

Piktori: Padyshim. Kjo ikonë më ka tërhequr përherë vëmendjen dhe në historinë e pikturës tonë kombëtare përfaqëson një simbol të madh. Jam dakord që piktura sintetizon frymën e historisë por njëkohësisht është edhe entitet më vete. Arti si ekosistem, si materie e gjallë me lëvizjen cıklike të brendshme në mesjetën shqiptare ka zhvillime të papritura, ka disa kryevepra me fuqi emblematike. Një nga emblemat më tipike të shekullit të XIV (PO në një kuptim më të përgjithshëm edhe për hapësira kohore më të pakufizuara) është ikona që po flasim.

Dua të kujtoj se një bizantolog i madh, Llazarievi, kur erdhi në vitet 50-të në Shqipëri kaq u befasua dhe u trondit kur pa këtë ikonë të Mborjes sa që bëri përcaktimin e famshëm por shumë pak të njohur në publik: Kjo ikonë është Xhokonda e Bizantit. Si dijetar i artit ai nuk kishte arsye të përjetonte një entuziazëm amatori. Dija i kish dhënë atij shikimin krahasimtar, përvoja e gjatë i kishte mprehur skepticizmin për vepra të rëndomta dhe njëkohësisht mprehtësinë për të dalluar të pazakonshmen. Në hapësirën kolosale të traditës bizantine në Kiev, në Konstandinopojë, në Ravena dhe në Venedik ai kishte riparë kryeveprat. Ai e dinte se të mbiquash një portret të shekullit XIV me emrin e Xhokondës është e guximshme dhe njëkohësisht pretencioze. Aq më tepër se bëhet fjalë për një Xhokondë burri dhe jo femre.

Poeti – E di fare mirë këtë përcaktim të Llazarievit që ai e bëri në prani të dy studiuesve tanë të artit mesjetar Vitori Ruzanovës dhe Theofan Papës. Ata na e kanë përcjellë këtë mendim jo si diçka anektodike ose si një vetëkënaqje naive. Përcaktimi është tepër i qartë pa asnjë ekuivok.

Është interesante të vihet në dukje se Xhokonda e Leonardo da Vinçit u krijua shumë kohë më vonë. Ky lloj krahasimi është përdorur shpesh në histori. Fjala vjen për të paraqitur filozofinë Heraklit si Hegelin e antikitetit. Xhokonda e Bizantit në rastin konkret është edhe simbol edhe krahasim metaforik. Është një shprehje e laboratorit mendor për të dhënë jo vetëm konceptin e etalonit të portretit në përgjithësi por edhe portretin që qëndron në kufi të metodave ose të dy botëkuptimeve. Ndoshta këtu ka qenë qëllimi i mendimit të Llazarievit. Ai ka dashur të shprehë jo vetëm faktin se ikona e Mborjes është ikona më e bukur në Shqipëri dhe ndoshta në tërë koleksionin bizantin të botës (mos e quani të sforcuar dhe euforik ju lutem këtë gjë?), por edhe faktin që ky portret që i përket atilit të artit të paleologëve, qëndron në kufi të një ndryshimi kolosal cilësor. Para kësaj ikone qëndron Rilindja Evropiane. Prapa kësaj ikone qëndron arti i kanunanizuar bizantin. Vetë ikona ka nga të dyja dimensionet dhe njëkohësisht është Xhokonda e vërtetë e Leonardo da Vinçit për artin evropian perëndimor. Këtë kuptim ka buzëqeshja e saj misterioze. Këtë çudi ka bota e saj e ndërmjetme, ndërlidhëse dhe ndarëse.

Piktori: Më pëlqen ky shpjegim. Ju poetët parapëlqeni përgjithësimet. Shihni më tepër sintezën. Kjo është e vetëkuptueshme në thelb për çdo artist, por do të doja të jepja disa vërejtje analizuese si piktor në këtë ikonë. Ikona me dimensione 103.5 x 83.5 cm është realizuar në dru të fortë dhe me ngjyra të forta sipas parimit të kontrastit të vetë portretit me sfondin.

Kryeengjëlli është paraqitur përballë dhe në gjysmë trupi. Fytyra e tij e zgjatur me një finesë të jashtëzakonshme është plot madhështi dhe meditative. Në dorën e djathtë me një delikatesë të veçantë ai mban shpatën shpaguese, simbolin e forcës dhe të fitores. Në të majtë në kryqin ku janë të shënuar inicialet IC HC që përfaqësojnë emrin e Krishtit ai ka edhe inicialet NE K, që përfaqësojnë fjalën greke NIKA, d. m. th. FITORE. Jo më kot është Kryeengjëlli i fitores së përjetshme. Nga shpatullat i ravijëzohen dy krahët prej shpendi, atribut hyjnor i engjëjve që e lidhin me botën e sipërme të qiejve. Flokët e tij janë të modeluara gati si tip paruke dhe në mënyrë të hijshme dy tufa i varen mbi qafën në formë konike. Aty që të habit në portretin e tij janë sytë e mëdhenj të cilët duket se përjetojnë një hapësirë shumë më të madhe nga ç’kanë për shkak të vetullave tepër të ngritura. Hunda e gjatë përfundon me buzët e mbledhura (natyrisht pa buzëqeshjen të mbiquajtur etruske të Xhokondës së Leonardo da Vinçit). Kjo gojë ndryn brenda sekretin e përjetësisë, enigmën e Llogosit, mesjanizmin e ardhshëm, përfundimtar.

Kraharori i tij është me një veshje solemne luftëtari të stolisur dhe dekorative. Duket se kryeengjëlli në gardërobën hyjnore ka gjetur veshjen që i përket sipas hierarkisë dhe dinjitetit. Ngjyrat e ngrohta si e kuqja dhe portokallia janë të harmonizuara sipas konceptit koloristik të renesancës paleologe. Në këtë portret nuk duken shenjat e grafizmit skematik të artit të kanonizuar deri në stereotip të zakonshëm. Kjo kryevepër ka një madhështi imponuese dhe synon ndërmjet vizuales të përfaqësojë hyjnitë dhe njerëzit.

Kryeengjëlli luan rolin e tij të madh në skenarin biblik. Është në fakt një rol i trashëguar që nga figurat simbolike të Nikëve të antikitetit helenistik. Kujtoni për shembull skulpturën e famshme së Nikës së Samothrakës. Krahët e saj prej shqiponje në supet a nuk janë një atribut i njëjtë edhe për krahët e kryeengjëllit? A nuk simbolizon ajo mesazhin e fitores? Në universin e Ungjillit kryeengjëlli Mihalil i është përkushtuar hyjnisë, është instrumenti me pamje antropomorfe i Omnipotencës së trinitetit.

Përfaqëson optimizmin biblik dhe superioritetin e Krijuesit mbi krijesat e tij. Është pra një atu dhe metaforë e hierarkisë së përjetshme.

Poeti: Siç e sheh dhe ju anoni nga përgjithësimi. Nisët të flisnit si piktor dhe dashje pa dashje bëtë plotësime në ligjërimin tim të mëparshëm. Kjo vërteton tezën se poezia është pikturë me zë dhe piktura është poezi pa zë. Ndoshta piktori dhe poeti janë një qenie e vetme biqefale. Ndoshta piktori që ka realizuar këtë ikonë ka qenë paraprakisht poet. Sidoqoftë është një fatkeqësi që nuk ruhet emri i këtij artisti gjenial. Për të kuptuar humbjen duhet të vlejë përsëri krahasimi i Xhokondës. Është njësoj sikur të kemi një Leonardo da Vinci (këtë herë të Bizantit) më pak në historinë e artit.

Piktori: Anonimati i emrave të piktorëve të artit bizantin për fat të keq ka qenë një normë për shumë shekuj. Duke na ardhur keq për autorin le të ngushëllohemi me krijimin e tij të jashtëzakonshëm. Mund të them me bindje se kjo kryevepër që posedohet sot nga tradita shqiptare është nga gjërat më të rralla edhe për publikun e huaj. Kjo ikonë është një lloj shqyti artistik i kulturës shqiptare në shek. XIV për tërë botën. Ne mund të gjykojmë për të por kryesorja është ta kuptojmë. Të shpjegosh këtë mrekulli artistike duhet vetëdije e lartë. Ne në bisedën tonë në formë dialogu fare në mënyrë modeste bëmë një lloj prezantimi. Por siç dihet, çdo prezantim është vetëm një fillim. Për të tjerat duhet njohja, intimiteti.

MOIKOM ZEQO

 

 

SHKARKO APP