Moikom Zeqo: Miti dhe monumenti i mbretit ilir Gent
(Botuar me 24 shtator 2000 në KOHA JONE)
Nga Moikom Zeqo-
Nga të gjithë mbretërit e antikitetit mbreti ilir, Gent, ka një histori tejet të pabesueshme me një tragjikë të hatashme. Kjo histori është e denjë t’i kushtosh një roman të ngjashëm me romanin “kujtimet e Adrianit” të Margarit Jusenarit. Mbase për shumë arsye ky roman nuk do të shkruhet kurrë.
Mbase, romani për Adrianin u shkrua ngaqë lindi në këtë botë shkrimtarja gjeniale Jursenal. Mbase për mbretin fatkeq dhe madhështor Gent duhet shumë kohë për të lindur një penë e fortë erudite, që të shkruajë siç duhet për të. Ajo që më intereson të tregoj “urbi et orbi” është një gjë tjetër. Dua të flas për atë që njihet pak ose aspak, për mitin dhe monumentin e mbretit ilir Gent. Jam i pafuqishëm të shpik hollësira, por mund të them diçka krejtësisht të re për këtë krye figurë të antikitetit tonë. Duke lexuar autorët antikë, që janë marrë me luftërat iliro-romake, që kanë shkruar gjëra të çuditshme dhe impresionuese sidomos për mbretëreshën Teuta, që mund të krahasohet me një Zhan d’Ark të lashtësisë evropiane. Kam qenë në qytetin Rizonë të Dalmacisë dhe kam parë me sytë e mi gjirin e hatashëm detar si dhe mbeturinat e kështjellës, ku me sa duket vrau veten mbretëresha Teutë, për të mos rënë e gjallë në duart e romakëve hakmarrës, që e anatemuan këtë grua guximtare njësoj siç ka anatemuar inkuizicioni spanjoll shtrigat e frikshme dhe të tmerrshme të mesjetës. Por në të vërtetë varri i Teutës nuk dihet dhe s’ka për t’u ditur asnjëherë. Tjetër gjë është varri i mbretit ilir Gent.
Historianët romakë tregojnë qartë tragjedinë e këtij mbreti të madh ilir. Duke kuptuar rrezikun e pushtimit romak Genti lidhi një aleancë politike dhe ushtarake me mbretin Perseu të Maqedonisë. Ai takoi delegatët e Perseut në qytetin Lis dhe kërkoi ndihmë prej Perseut si kusht paraprak për veprimet ushtarake të përbashkëta. Me sa duket romakët nuk do bënin asnjë kompromis, ata ishin tepër të qartë se shteti i madh ilir i Gentit dhe shteti maqedon i Perseut si kusht paraprak për veprimet ushtarake të përbashkëta. Me sa duket romakët nuk do bënin asnjë kompromis, ata ishin tepër të qartë se shteti i madh ilir i Gentit dhe shteti maqedon i Perseut duheshin të shkatërroheshin në mënyrë të padyshimtë. Mbreti Gent qe një intelektual i jashtëzakonshëm i kohës së vet. Ai qe dhe një shtetar nga më të mëdhenjtë të antikitetit. Qe një mbret i ndritur dhe me kulturë të shumanshme. Në rrafshin shtetëror ai organizoi reformën monetare dhe në monedhat e kohës së tij, monedha prej argjendi, ai realizoi figurën në bust të hyut ilir të detrave të quajtur Redon.
Kemi kështu për herë të parë shpalljen e një hyjnie në rangun e panteonit mitologjik shtetëror të ilirëve. Fakti është i jashtëzakonshëm. Hyu i detrave Redon përfaqëson kështu kryefigurën mitologjike të ilirëve jo vetëm në kohën e Gentit por edhe më vonë. Ky është një subjekt, për të cilin, mund të flitet gjerë e gjatë dhe në mënyrë substanciale një herë tjetër. Dimë gati në hollësira si të një reportazhi të gjallë ditët e fundit të disfatës së mbretit Gent. Kështu, mësojmë që trupat romake të udhëhequra nga pretori Luk Anici e rrethuan mbretin Gent në kështjellën ilire të Shkodrës. Furia e romakëve qe e tmerrshme dhe e papërballueshme. Mbreti Gent mendoi të organizonte një rezistencë duke kërkuar ndihmë nga gjeneralët e tij të ushtrisë në rrethinat e Shkodrës, duke shpresuar në ndihmën e të vëllait të tij Haravantit, që duhej të organizonte gjithçka jashtë kështjellës. Kjo gjë nuk u arrit. Genti e humbi kurajën dhe ra në një gjendje depresive. Ai kërkoi të bënte një marrëveshje paqësore, që përfundoi në mënyrë tepër tragjike.
Ai ftoi pretorin romak Luk Anicin që të hynte brenda kështjellës, gjoja në formën e një takimi paqësor, e ftoi dhe hëngri një gosti së bashku me të duke biseduar por mbas gostisë trupat romake, që kishin hyrë tashmë në kështjellën e Shkodrës, po kështu në mënyrë paqësore, e shpallën atë rob të Romës dhe e tërë mbretëria e tij e fuqishme u shemb për një çast. Kjo histori, të kujton pak a shumë dorëzimin paqësisht të Napoleonit të Madh te trupat angleze, që përbënin armiqtë e tij më të egër, duke përfunduar kështu si rob i internuar në ishullin e shën Elenës.
Edhe Genti ilir ka patur Shën Elenën e tij, jo një ishull internimi por një qytet internimi. Historia e Gentit e meriton një roman të madh, madje sensacional. Ky roman do të kishte hapësira të pafundme kuptimore si dhe simbole të mëdha të gatshme. Genti, ky personalitet i madh i botës ilire ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në histori. Pretori romak Luk Anici nuk ishte në rangun e Konsullit. Sipas rregullave hierarkike të Republikës romake e drejta për të bërë një ceremoni të triumfit gjatë festave kuirinale i takonte atij strategu ushtarak që kishte gradën e Konsullit ose të Pretorit. Por fitorja që korri Luk Anici mbi popullin ilir, që Tit Livi e quan “Popull trim për tokë dhe det”, fakti që ai zuri rob jo vetëm mbretin por gjithë familjen mbretërore, bëri që Senati romak të bënte një përjashtim të rëndësishëm: Ta lejonte Luk Anicin që të nderohej në ceremoninë e triumfit.
Tit Livi, ky historian shumë i saktë i Romës, tregon hollësisht se ceremonia e triumfit, u bë madhështore, se Luk Anici kishte sjellë me vete tërë flamujt luftarakë të Gentit (interesant ky fakt për shkencëtarin e heraldikës ilire), sepse deri më sot nuk dinte asgjë për emblemat heraldike të flamujve ilirë), tërë orenditë e mbretit, bibliotekën e tij si dhe 27 ponde flori, 19 ponde argjend, 13 mijë monedha argjendi të quajtur dinarë si dhe 121.000 copë monedha të tjera ilire, që nuk emërohen si tituj. Ceremonia e triumfit u bë në Romë, përpara karrocës së Luk Anicit u soll mbreti Gent së bashku me të shoqen dhe fëmijët me të vëllanë e tij Kravantin si dhe me disa prijësit më të shquar të parisë ilire. Nga plaçka e luftës së fituar në Iliri iu shpërnda secilit ushtar romak nga 45 dinarë, kurse nga 90 dinarë iu dhanë centurion dhe nga 135 çdo kalorësi. Ceremonia e triumfit vazhdoi tre ditë dhe sipas Tit Livit, emri i fitimtarit Luk Anici u lartësua me shumë këngë.
Një historian tjetër i quajtur Antias thotë se nga shitja e plaçkës së luftës në Iliri Republika romake fitoi 1 milion sesterca, pa numëruar arin dhe argjendin, që u derdhën në thesarin publik. Tit Livi thotë se “m’u duke pabesueshme të mbledhurit e një shume kaq të madhe, prandaj po e përmend emrin e autorit që e thotë këtë gjë, d. m. th. Të Antias”. Me vendim të Senatit romak, mbreti Gent me të shoqen, me fëmijët dhe të vëllanë, u internua fillimisht në qytetin e Spoletit. Robërit e tjerë u burgosën në qytetin e Romës. Meqenëse banorët e Spoletit nuk pranuan të kishin nën vërejtje familjen mbretërore ilire, senati romak e transferoi atë përfundimisht në qytetin Iguv, që ka sot emrin Gubio. Tit Livi nuk harron që të shtojë se plaçka e luftës, që u mor nga Iliria dhe nga shteti ilir veç të tjerave kishte edhe 220 anije, këto anije iu morën mbretit Gent me dekret të senatit romak Pretori Gaikasi ua shpërndau banorëve të Këlcyrës, Apollonisë dhe Fyrrahut.
Kështu mbas disfatës në vitin 168 para Krishtit, mbreti Gent duhet të ketë qëndruar për afro 1 vit në qytetin e Spoletit dhe më pas përfundimisht ka jetuar në Iguvë, në Gubio, ku dhe ka vdekur. Por fama dhe autoriteti i madh i mbretit Gent qe kaq e madhe saqë ky njeri i jashtëzakonshëm ka mbetur i paharruar në të gjithë shekujt në Gubio. Të tërë historianët seriozë vënë në dukje se mbreti Gent qe një njohës i madh i mjekësisë, pra një gjeni i mjekësisë së lashtë. Në Gubio ai ka ushtruar diturinë e mjekësisë dhe fama i është shtuar së tepërmi. Autori antik Plini, që ka bërë një histori të famshme të natyrës, thotë shprehimisht se me emrin e mbretit Gent lidhet një bimë mjekësore me veti kurative të mëdha.
Plini shënon se “Genti, mbreti i ilirëve ka zbuluar bimën, që u quajt me emrin e tij Gentiana, kjo bimë rritet kudo, por çmohet më tepër ajo që Tuin në tokën e Ilirisë. Bima ka gjethen e frashërit, por me madhësi si të marules, kërcellin e ka të njomë dhe të trashë sa gishti i madh i njeriut, është fyell përbrenda, ka gjethe që bien dhe ripërtërihen periodikisht, rrënjën e ka në ngjyrë gati të zezë dhe nuk mban erë. Nga kjo bimë përdoret vetëm lëngu i destiluar nga zierja e gjetheve si dhe rrënja. Rrënja ka veti kurative, por nuk duhet të përdoret nga gratë me “barrë”. Përgjithësisht bima Gentiana, është përdorur për sëmundjet e zemrës. Mbreti Gent ka bërë kështu një emër të shkëlqyer në mjekësinë botërore. Meqenëse mjeku në lashtësi kishte një autoritet misterioz dhe të shenjtë madje dhe të frikshëm siç kishin magjistarët ose orakujt, vetëkuptohet që banorët e Gubios jo vetëm e kanë nderuar, por ka shumë mundësi që ai të ketë luajtur rolin kultik të njeriut të shenjtë. Për të kuptuar se kush është Genti në të vërtetë po i referohem dijetarit të madh austriak Karl Trainer. Ai ka shkruar: “Ndër mbretërit e ilirëve, më i fundit dhe më i madhi ka qenë Genti. Me Gentin shfaqet më së tepërmi gjenialiteti i popullit ilir. Genti ka qenë njeri me kulturë të lartë. Këtë e tregojnë njohuritë e tij mjekësore, sepse me këto njohuri ai mundi të luftojë me sukses një epidemi të rrezikshme dhe të përhapur (mbase është fjala për një epidemi të murtajës, për fat të keq Traineri nuk e tregon referencën) (shënimi im M. Zeqo),” Genti zbuloi një bimë mjekësore që sipas emrit të tij quhej Gentiana.
Ky mbret, siç duket është edukuar në shkollat e priftërinjve dhe orakujve të vjetër, gjë që mund ta pranojmë, duke marrë parasysh faltoren e famshme të Dodonës, sepse në kohërat e vjetra, prifti dhe orakulli ishin njëkohësisht edhe mjekë”. Mbreti Gent që dështoi si luftëtar triumfoi si dijetar. Romakët e mundën atë në luftë, por ai i mundi ata me dituri. Lufta është vdekja, kurse mjekësia është jeta. Kështu në emër të jetës në formë paqësore Genti triumfoi kundër kundërshtarëve të tij, që në emër të vdekjes bënë luftën. Ky është një triumf i veçantë dhe pa ceremoni madhështore si ceremonia treditëshe e Luk Anicit. Luk Anici u harrua kurse i munduri i tij, mbreti Gent doli më fitimtar.
Ku e bazoj unë fitoren e tij morale dhe diturake? Luk Anicit nuk i dihet sot varri, kurse historia ruajti në jetë të jetëve varrin madhështor të mbretit Gent në qytetin Gubio të Italisë. Është meritë e mikut tim të pasionuar Ilir Mati, i cili ka shkuar dhe ka vizituar qytetin e Gubios. Në një guidë të botuar më 1996 në italisht dhe në anglisht tregohet qartë fotografia e një varri monumental, i cili ka qenë i rrethuar nga jashtë me gurë të mëdhenj, të gdhendur në formën e një tume, varri të rrumbullakët që ka qenë varri kultik origjinal i ilirëve të lashtë. Në guidën në fjalë thuhet se ky varr i takon mbretit ilir Gent. Ky varr i këtij tipi është i vetmi në të gjithë Italinë. Kjo tregon se kur ka vdekur mbreti Gent ka qenë kaq i shenjtëruar nga fama dhe madje shumë i pasur saqë pjesëtarët e familjes së tij në shenjë kujtimi kanë ngritur varrin në formën e një tume të gurtë. Ky varr monumental përmendet dhe në enciklopedinë e famshme italiane Trecani. Varri ndodhet jashtë mureve të qytetit Gubio në mes të një are përgjatë rrugës “Bruno Buozi”. Varri sot është i dëmtuar nga koha dhe sipërfaqja e tij e jashtme me gurë të gdhendur është shkatërruar dhe ka mbetur vetëm struktura e brendshme prej tulle si dhe porta monumentale me gurë të mëdhenj dhe sipër portës po me gurë të mëdhenj, është strukturuar një dritare vertikale që ka shërbyer për ajrim. Tek ky varr kultik duhet të ketë qenë sarkofagu me trupin e mbretit Gent si dhe sende të tjera emblematike të mjekut dhe magjistarit të madh ilir. Ky varr ka shërbyer si vend pelegrinazhi, jo vetëm për ilirët që jetuan dhe vdiqën në Gubio por edhe për tërë banorët, e qytetit dhe trevave rreth e qark. Unë mendoj se ky varr i madh nuk ka shërbyer vetëm për mbretin Gent, por duhet të ketë qenë një varr familjar për dinastinë mbretërore ilire të Gentit dhe aty duhet të jetë varrosur edhe gruaja edhe fëmijët e tij ndoshta edhe vëllai i quajtur karavant. Sot nga brenda, varri është bosh dhe i grabitur që në motshmëri. Ky boshllëk na tremb dhe me këmbëngulje nuk na e thotë të vërtetën. Por varri është i vetmi monument i madh që lidhet me emrin e një figure të jashtëzakonshme historike të shtetit, të botës dhe kulturës ilire. Kjo nuk është pak, por është një subjekt i shumëfishtë studimor. Nga pikëpamja arkeologjike duhet të shtoj edhe diçka tjetër që është gjetur në qytetin Gubio, që siç thashë në lashtësi është quajtur qyteti Iguv. Arkeologët kanë zbuluar 7 pllaka bronzi me mbishkrime të padeshifrueshme deri sot që në literaturën shkencore njiheshin me emrin pllakat iguvine. Sipas disa studiuesve modernë, shkrimet e këtyre 7 pllakave nuk lidhen as me gjuhën latine madje as me etruskun por mbase lidhen me misterin e madh dhe tronditës të gjuhës ilire dhe ndoshta përbëjnë përmbajtjen e një traktati mjekësor apo të një dëshmie shkrimore të paharruar të mbretit Gent në gjuhën ilire. Për filologët këto pllaka iguvine janë një nga enigmat më të mëdha të qytetërimit evropian dhe botëror. Pse këto pllaka iguve janë gjetur vetëm në zonën dhe hapësirën ku ka ekzistuar kulti i fortë mrekullibërës i mbretit Gent? Pse nuk janë gjetur në një vend tjetër të Italisë? A është e mundur dhe a është logjike që mbreti Gent t’i linte të pashkruara dijenitë e tij mjekësore, apo dhe ndoshta historinë tragjike të dinastisë dhe familjes së tij?
Më 1510 princi shqiptar Gjon Muzaka la në dorëshkrim gjenealogjinë dhe historinë jo vetëm të familjes së tij, por dhe të princërve të tjerë. Pse të mos mendojmë që monumenti madhështor i mbretit Gent në Gubio duhet të ketë patur veç të tjerave edhe dëshmi shkrimore, siç janë pllakat iguvine të gdhendura në bakër? Pra nuk ka vetëm një enigmë por shumë enigma. Studimet dhe hulumtimet e ardhshme mund dhe duhen të sqarojnë diçka. Në historinë politike mbreti Gent qe një mbret rob por në historinë kulturore robi Gent qe një mbret i madh dhe i pamposhtur i diturisë. Ja si alternohet me paradokset e saj brenda për brenda vetvetes historia. Është e domosdoshme që studiuesit shqiptarë në kohën e sotme të shkojnë dhe të venë një pllakë përkujtimore dhe nderimi tek varri monumental i mbretit Gent, si dhe të rikonstruktojnë jo thjesht në formën e një maketi por në përmasat reale arkitekturën binjake të këtij varri në Shqipëri për ta vendosur ndoshta jo vetëm në qytetin e Shkodrës, që qe kryeqytet i Gentit, por mbase dhe në oborrin e brendshëm në atriumin e Muzeut Historik Kombëtar. E meriton një varr memorial simbolik në Shqipëri mbreti Gent në mënyrë të padyshimtë dhe të sigurt.