Ndre Legisi: Më masakruan 5 punonjës të SHIK-ut
(Botohet me 29 Janar 1997 në KOHA JONE)
Legisi: Më masakruan 5 punonjës të SHIK-ut
“Njoh vetëm njërin prej tyre, Sali Berishën. Janë banda të PD e Tritan Shehut”
TIRANË. “Një makinë pa targa ndalon pak metra larg këmbëve të mia, dalin prej andej 5 civilë, punonjës të SHIK-ut dhe më qëllojnë me qytat metalike të pistoletave dhe grushte. Pasi rezistova, njëri prej tyre më goditi në pjesën e sipërme të kafkës,- që sipas radiografisë rezulton tashmë e thyer, duke më ulëritur: “Rrëzohu komunist i qelbur”. Kështu ka nisur të tregojë rreth aventurës së tij të përgjakur për “KJ”, ish-studenti i Dhjetorit ’90, Ndre Legisi. Të vetmit që janë lejuar ta takojnë dje paradite njeriun e goditur në mbrëmjen e së hënës së kësaj jave, kanë qenë vëllai i tij dhe Sekretari për Marrëdhëniet Publike në PS, Pandeli Majko.
“Duhet të afroja veshin në gojën që mezi hapej të Legisit, që të mund të dëgjoja fjalët e tij,” tregon Majko, duke vazhduar: “Ai e kishte mendjen te punët e partisë. Më tha se kishte mësuar se mitingu i PD, para selisë së PS, nuk do të zhvillohej. Më pas pyeti nëse u zhvillua Mbledhja e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të Partisë etj. Më pas tregoi të gjitha hollësitë rreth atentatit politik ndaj tij”- përfundoi së treguari Majko. Ndërsa vëllai i Ndre Legisit, shtoi se pasi doli pas 10 orësh nga gjendja e komas, pyetjes nëse njohu ndonjërin prej njerëzve që e masakruan, ai ishte përgjigjur: “Ata ishin 5 punonjës të SHIK-ut. Munda të njoh shumë mirë njërin prej tyre, ishte Sali Berisha”. Ndërsa dje, i pyetur nga gazetarët rreth këtij atentati të cilësuar nga liderët e PS si politik, Kryetari i PD, Tritan Shehu mësohet se deklaroi: “Ai ishte një aksident automobilistik”. Legisi u shpreh për “KJ”, se “kjo deklaratë tregon implikimin e vetë kreut të PD në këtë krim politik. Kjo do të thotë se ato që kryen atentatin, janë banda të PD dhe të Shehut. Në këtë mënyrë, ai merr përsipër autorësinë e ngjarjes. Unë nuk dua të akuzoj asnjë për veprimin e dhunshëm, por kur dëgjoj një deklaratë të tillë nga goja e Shehut, më forcohet përfundimisht besimi se autorët nuk do të kapen asnjëherë”. Në lidhje me pasojat e ngjarjes, Legisi me kokën krejt të fashuar, me garza në gojë e manikota në hundë, deklaroi se “kam dhjetë plagë, pavarësisht se në kartelën time mjekësore janë shënuar pesë. Ndërsa pjesa e frakturës, është e tillë që ka marrë formën e qytës së pistoletës”. Burimet policore, të pyetura për “KJ”, kanë konfirmuar se ende nuk kanë mundur të zbulojnë autorët e këtij atentati. “Ju nuk do të zbuloni asnjëherë masakruesit, jo se nuk jeni të aftë profesionalisht, por sepse nuk do t’ju lënë ta bëni një gjë të tillë”- i është drejtuar Legisi hetuesve të çështjes, kur ata e kanë marrë dje në pyetje. Sipas ish-deputetit të PS, për të arritur tek autorët nuk ka asnjë vështirësi, pasi rruga ku ka ndodhur krimi, prapa Hotel “Arbëria”,- është vendi dhe ora kur Presidenti Berisha shkon në shtëpi dhe çdo 10 metra ka nga një punonjës të policisë apo të SHIK-ut. Madje një patrullë policie, 10 metra më tutje e ka parë skenën, ka mundur të dallojë targën dhe ngjyrën jeshile të një makine tip “Benz”.
Kujdesi për Legisin nga dje në mëngjes herët ka qenë tepër i madh, kur të gjitha lëvizjet e tij nga një repart i spitalit në tjetrin, për arsye mjekësore, shoqëroheshin nga punonjës të forcave speciale e policë me automatikë, që kanë lejuar me mjaft vështirësi kontaktet me shtypin. Drejtori i Spitalit Ushtarak, Dr. Ilir Kajo është shprehur se për shëndetin e Legisit është kujdesur personalisht Ministri i Shëndetësisë Maksim Cikuli, që ka dërguar mbrëmë një nga specialistët më të mirë Dr. Mentor Petrelën. Nga gjendja e rëndë me koshiencë të turbulluar, deklaroj se Legisi është tashmë, jashtë rrezikut, por do t’i duhet të qëndrojë edhe disa kohë në repartin e Reanimacionit”. A. Peza