Ndue Dedaj: Histori mijëvjeçare e padokumentuar Shqipëria pa një muze krishterimi

(Botuar me 2 gusht 1996 në KOHA JONE)

Nga Ndue Dedaj-

Kemi pasur dikur në Shkodër, Muzeun Ateist, qendër e propagandës komuniste kundër fesë, që natyrisht nuk dëshmonte kulturë por të kundërtën e saj. Edhe pse “abetarja” e kulturës dhe gjuha shqipe “Meshari” i Buzukut kishte lindur në një famulli të thjeshtë, pra, në një kthinë të krishterimit, nga penda dhe mendja e urtë e një misionari të tij. Edhe pse shumë nga klerikët katolikë shqiptarë të mëvonshëm ishin ndër kolosët e letrave shqipe, që i kishin dhënë kombit alfabetin, shkollat, botimet, gazetat, muzetë, arkivat e rilindjes dhe pavarësisë. Dhe pse ata kishin qenë ambasadorë të Shqipërisë në lindjen e kombeve etj. Por a e kemi sot të dëshmuar këtë histori të ndritur?

Le të ilustrojmë me një shembull, si në parantezë. Në vitin 1888 Imzot Preng Doçi, para se të vinte në krye të Abacisë së njohur të Mirditës, pas 11 vitesh emigrimi politik, vete në arkivat e Vatikanit dhe qëmton me kujdes gjithë dokumentacionin që kishte për këtë Abaci. Vetëm mbi këtë bazë ai do t’u printe punëve aq të mbara për rimëkëmbjen e tempullit të tij. Kështu, jo vetëm ndërtoi në Orosh, një rezidencë model të kalibrit europian, por ndër gjërat më dinjitoze të saj ishin arkivi dhe biblioteka. Në vitet ’30-të të këtij shekulli, pasardhësi i tij, Frano Gjini, e thellon më tej këtë punë, duke synuar dhe shkrimin e një historiku të Abacisë. Sigurisht, kur këto punë diturie bëheshin mirë në zemër të maleve, patjetër që ishin bërë dhe për Arqipeshkvinë e Shkodrës apo Ipeshkvinë e Sapës (Zadrimës), për të cilën ka dhe një monografi të botuar herët nga D. Gasper Gurakuqi, famullitari i përvutë e dijetar i atjeshëm. Me shembuj të tillë mund të vazhdojmë gjatë për ato vite. Po ç’ndodhi më pas? Gjithë kjo pasuri kolosale në lëmin e pasurisë sonë kombëtare u shkatërrua barbarisht gjatë fushatës disadekadëshe të luftë kundër fesë. U rrënua, vodhën e dogjën bibliotekat, arkivat, reliktet e rralla, regjistrat, dorëshkrimet studimore, korrespondencat, shkurt u dhunua gjithçka. Dhe natyrisht klerikët përfunduan në pranga e gjyqe. Mjaft famullitarë amanetin e fundit kishin “letrat” e fshehura nëpër hatulla e gjer të groposura në arka (pasi i kishin mbështjellë në thasë plastikë), me shpresë se një ditë do të mund të dilnin prapë në dritë. Por “furtuna” vazhdoi gjatë dhe ato turra dokumentesh u kalbën nën tokë. Nuk është vendi këtu të japim më tej emra dhe hollësira për këtë fakt tronditës.

Por a duhet të dorëzohemi para kësaj gjendjeje? A ka ende diçka të mbetur aty-këtu nga moria e fundme e atyre relikteve kishtare që duhen mbledhur sa më parë? Sigurisht që po. Është për t’u çmuar puna e drejtimit të revistës “Hylli i Dritës” që kryesohet nga Padër Zef Pllumbi për qitjen në dritë nga terri i gjatë i harrimit të vlerave shkrimore, dokumentare dhe memorialë jo vetëm të Françeskanëve të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë, si At Gjergj Fishta, At Benardin P. Malaj, At Pal Dodaj, At Shtjefën Gjeçovi, At Martin Gjoka, etj. Ajo ecën e sigurtë dhe dinjitet në shtratin e mrekullueshëm të pararendëses së saj, që pati zënë fill në fillimet e këtij shekulli. Ka pasur gjatë këtyre 5-6 viteve dhe përpjekje të tjera për publikimin e veprimtarisë së shquar të klerikëve katolikë shqiptarë dhe të besimeve të tjera, ku pa dyshim renditen dhe disa emisione të TVSH-së. Mirëpo nuk dimë të ketë asnjë projekt serioz, ambicioz dhe madhor (siç e kërkon rasti) për ngritjen e një muzeu të krishterimit në Shqipëri (emri mund të ishte edhe tjetër), çka na duket e pa përligjur. Nisma mund të ishte e Qeverisë, Ministrisë së Kulturës, por dhe e Kishës Katolike Shqiptare. Nuk besoj të jenë burimet financiare shkaku i kësaj mungese, pasi për një problem kaq të madh fondet do të gjendeshin pa dyshim. Por nuk besoj të jetë pengimi as tek tutja se mos dështojmë ngaqë nuk gjejmë dot materialet e nevojshme për këtë ndërmarrje. Pavarësisht nga sa thamë për humbjen e vlerave dokumentare e materiale që do të lypte një muze kishtar, prapëseprapë diçka ka mbetur, tjetër se nuk është punë e lehtë ta shtiesh në dorë. Në familjet e klerikëve ende ruhet diçka, kryesisht fotografitë. Pastaj ka nga ata që qenë arratisur dhe në Itali, Amerikë etj., kanë ruajtur diçka të kësaj natyre, por ende kjo lëndë është e shpërndarë. Një verifikim i kujdesshëm i kësaj dhe një thirrje për ta sjellë në atdhe nuk do të ishte pa rezultat. Duke u interesuar për një gjë të tillë në Mirditë, kemi vënë re se disa familje ruajnë ende nga këto relikte me vlerë, i tregojnë pas një grumbullimi, por hezitojnë t’i japin qoftë edhe për publikim. Arsyet janë të ndryshme. Për nevojat e Gjendjes Civile janë ruajtur regjistra lindjesh, martesash dhe vdekjesh, ndonëse të keqpërdorur e gjysmakë. Por në to shpeshherë gjen shënime me shumë interes, fragmente ditarësh dhe biografish, nënshkrime, vula, faksimile dokumentesh më të hershëm etj. Sigurisht është e pafalshme që dhe kjo lëndë dokumentare kishtare të mos përfillet në rastin e nismës së një muzeu të tillë. Ende rrojnë ca nga klerikët e njohur të viteve ’40-50, por ata janë të shtyrë në moshë pas vuajtjes së gjatë. Sigurisht që janë një thesar qoftë dhe për kujtimet e tyre, por ne të zënë me punët e politikës, sidomos, nuk ua kemi ngenë intervistave me ta, vjeljes së kujtimeve, të informacionit që nesër do ta kemi krejt të vështirë ta gjejmë. Bashkë me këtë plejadë të nderuar po shuhen dhe më keq rrënojat e kishave të vjetra dhe tempujve të shenjtë, pa u bërë dhe një fotografi, kur mjaft prej tyre duheshin shpallur monumente kulture, restauruar, filmuar e fotografuar. Kështu po ngjet për shembull me më të hershmin objekt kulti në Mirditë, Kishën e Kalivares, e vitit 1154, apo Kishën e Shëlbuenit në Rubik, një monument i rrallë i kulturës mesjetare shqiptare, njëherësh dhe kuvend Françeskanësh ndër të parët e vendit, ku kanë shërbyer ajka e Françeskanëve shqiptarë: Fishta, Gjeçovi, Dodaj, Kabashi, etj. Historiani Dom Nikoll Kimza, famullitar i Kalivares, e pati zbuluar lashtësinë e tempullit të vet dhe e pati botuar në shtypin e kohës. Mund të vazhdosh dhe më tej me anomalitë e pafalshme të kësaj kohe në këtë fushë. Rindërtohet Kisha e Gëziçit (Ndërfanës) mbi rrënojat e së vjetrës (aty ku është zbuluar stema e shtetit të Arbrit dhe një mbishkrim i famshëm që ruhet në Muzeun Kombëtar), por me këtë rast na thonë se është hequr nga muri një emblemë e vjetër, që duhet të ketë qenë “pasaporta” e saj dhe është çuar në Itali për t’u meremetuar. Në këtë rrugë pati ecur dhe statuja e shumëpërfolur nga shtypi e Shën Mërisë së Kaçinarit, një nga objektet e rralla të llojit të vet në të gjithë vendin. Ndërkohë që Papa Gjon Pali II sjell pas 50 vitesh Madonës e Këshillës së Mirë në Shkodër, na ikin nën duar dhe mbi duar “Madonat” e këtushme, sigurisht nëpër duart e pista e të kontrabandës. Pa u zgjatur më, siç shihet problemi vetëm sa u cek, ai është kompleks dhe i dorës së parë. T’i trumbetojmë tashmë botës së qytetëruar kulturën tonë mijëvjeçare para se t’i trumbetojmë me një bujë të hatashme bunkerët, që fundja nuk përbëjnë histori. Një muze, një arkiv i Kishës Katolike, Ortodokse, etj., është tashmë një domosdoshmëri. U përket specialistëve ta projektojnë e strukturojnë dhe autoriteteve më të larta ta vendosin. Dhe për një arsye të dytë: Që brezat e ardhshëm të mos na qortojnë dhe këtu!/Ndue Dedaj/

 

SHKARKO APP