Nesër, 20 qytete në rrugë.Alarm në Jug: Po vijnë trupat e Berishës. Gjoleka telefonon Finon dhe Çelon

(Botuar me 27 Prill 1997 në KOHA JONE)

Nesër, 20 qytete në rrugë. Alarm në Jug: Po vijnë trupat e Berishës. Gjoleka telefonon Finon dhe Çelon

Shumë arsye për të qëndruar, por po aq për të ikur. Kjo duhet të jetë tani dilema e kryeministrit të Pajtimit, Bashkim Fino. I emëruar në krye të kabinetit për të përfaqësuar një parti, një platformë dhe një formulë shpëtimi nga lufta civile, Fino duhet ta ketë kuptuar se jo gjithçka ecën siç ishte parashikuar në ditën dhe javën e parë të punës. Para tre ditësh, nëntëdhjetë deputetë të Partisë Demokratike i kanë treguar atij dhe ministrit të tij Vukaj, sesi sabotohet pajtimi kombëtar dhe perspektiva e zgjedhjeve. Për pasojë, për të ardhur në dilemën e parë, nga ky organ i lartë shtetëror, Finos po i vijnë sinjale se duhet të ikë. Termometri i parlamentit, i cili tregon njëkohësisht edhe temperaturën e PD, shënon shifra të larta dhe paralajmëron tension rreth qeverisë Fino. Ka më shumë se një motiv për të pyetur nëse kjo qeveri duhet të qëndrojë apo duhet të japë dorëheqjen. I bllokuar në Bushat dhe në zyrat e ministrisë së Brendshme, në Parlament dhe në Presidencë, kryeministri Fino duhet të bashkëjetojë me idenë e vështirë se kompetencat e tij të shkruara në letër, janë dukshëm më të vogla se ato që ka në tavolinën e punës. Ky pozicion që bie ndesh edhe me prestigjin e tij si figurë qendrore e shtetit, është njëri ndër shkaqet që duhet të çonin në dorëheqjen e tij. Një shkak tjetër për t’u kthyer në qytetin e lindjes, Fino duket se e gjen në gatishmërinë e pakët të PD për të bashkëpunuar për zgjedhjet dhe normalizimin e situatës. Partia e presidentit nuk bie dakord thuajse për asgjë me nëntë partitë e tjera, kërkon një ligj mazhoritar dhe hedh dyshime serioze mbi datën e zgjedhjeve. PD mbron me fanatizëm zyrtarët e saj të diskretituar dhe tund në erë kartën e komiteteve. Shtypi thotë se Fino është detyruar të përmendë emrin e garantit të 9 marsit Lamberto Ndini për të zhbllokuar një situatë që duket përfundimisht e bllokuar. Por Fino ka po aq arsye për të qëndruar në krye të kabinetit. E para dhe më e rëndësishmja është e ardhmja e vendit. Nëse të gjithë e dimë se si është Shqipëria nën qeverinë Fino, askush nuk mund ia parashikojë sesi do të jetë ajo nën rikthimin e kaosit, ose nën një kabinet tjetër të PD.

I ndodhur në dilemën mes zgjedhjeve të lira dhe rrezikut të sabotimit nga ana e PD, vendi pret megjithatë që të votojë dikur, natyrisht para vitit 2000, siç kishte premtuar Berisha. Ndërsa pa Finon dhe qeverinë e tij, gjithçka mund të rifillonte nga e para. Së dyti, Fino dhe qeveria e tij kanë sponsorizimin e fortë të komunitetit ndërkombëtar. E lindur nga ndërhyrja direkte e Perëndimit, qeveria e koalicionit është fryt i presionit që partnerët e huaj bënë në fillim të marsit mbi Berishën dhe PD. Tashmë askush në Evropë dhe SHBA nuk e fsheh më mbështetjen e plotë, shpesh sfiduese ndaj presidentit dhe parlamentit, për kabinetin Fino. Shprehja e Andreatës se me rënien e qeverisë, bie edhe shpresa e fundit për Shqipërinë, duhet marrë jo aq si kërcënim ndaj PD, sesa si konstatim i rëndësisë që ka një qeveri koalicioni për kushtet që po kalojmë. Kjo balancë mes optimizmit dhe pesimizmit, që në qeverinë e Pajtimit vepron çdo ditë dhe mbi të gjithë, duket se do të jetë çelësi i një mbijetese të vështirë mes palëve. Por ka shumë rëndësi që mbijetesa të mos kthehet në një qëllim bosh, pas të cilit të fshihen tendenca për t’u imponuar dhe për të mbajtur me forcë pushtetin. Në rast se kryeministri shqiptar do ta ndjente se po qëndron në krye të një qeverie që po lind një foshnje të vdekur, të gjitha sa u thanë më lart bien. Qeveria e Pajtimit duhet mbajtur për të na nxjerrë nga kriza, dhe jo për të na futur më keq në të.

  1. Minxhozi

SHKARKO APP