Nexhmedin Spahiu: Njeriu që theu Kosovën

(Botuar me 11 Janar 1998 në KOHA JONE)

Nga Nexhmedin Spahiu

Serbia në kufijtë e saj aktualë nuk mund të vetekzistojë. Ajo duhet patjetër, qoftë edhe me rrezikun e zhdukjes, të zgjerojë hapësirën e vet etnike. Popujt sllavë përreth duhet t’i fusë nën ombrellën e vet. Duke u bërë kësisoj e fuqishme, ajo do t’i ketë nën ndikimin e vet edhe popujt e tjerë ballkanikë josllavë. Duke qenë hegjemone në rajon, do të ketë peshë ndërkombëtare. Si faktor ndërkombëtar ajo duhet të ketë lidhje vëllazërore me Rusinë, por, në të njëjtën kohë, marrëdhënie të ngushta miqësore me Francën e Anglinë. Ky ekuilibër nuk guxon të rrezikohet asnjëherë. Duke e patur në krah Rusinë, Serbisë i mundësohet të ketë raporte partneriteti me Francën e Anglinë. Në anën tjetër, duke qenë Serbia e lidhur me Francën e Anglinë, Rusia nuk ka mundësi të realizojë hegjemoninë pansllave mbi Serbinë, pra shmanget mundësia që Rusia të bëjë pazar me interesat serbe”.

(Pjesë nga programi kombëtar sërb “Naçertania” i vitit 1844 hartuar nga Ilia Garashanini)

Në kushtet e ndarjes bllokiste të botës së pas Luftës së Dytë Botërore, serbët u ndodhën para vështirësive të mbajtjes së ekuidistancës mes Rusisë në njërën anë dhe Francës e Anglisë në anën tjetër. Duke shfrytëzuar gjenialitetin e Titos dhe kombësinë e tij kroate, serbët, megjithatë, arritën të pozicionohen në frymën e traditës së programit të tyre kombëtar.

Në vitet ’60, vetë natyra e sistemit komunist bënte që Numri Një i pushtetit t’i forconte pozitat dhe të bëhej zëdhënës i vetëm i diktaturës së proletariatit. Të qenit e kroatit Tito në krye të Partisë dhe të shtetit Jugosllav, bëri që serbëve t’u rrëshqiste nga dora pushteti. Eliminimi politik i nënkryetarit të Jugosllavisë më 1966, serbit Aleksandar Rankoviç, ishte kthesa vendimtare në këtë drejtim. Kushtetuta e vitit 1974 i plandosi serbët për tokë. Me këtë kushtetutë, jo vetëm që Jugosllavia faktikisht u konfederalizua, por Serbisë iu vunë si gurë në qafë dy krahinat: Vojvodina e Kosova.

Faktikisht, me këtë kushtetutë, i vetmi rrip lidhës mes republikave mbetej Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë. Meqë edhe vetë LKJ ishte e federalizuar, ky rrip lidhës ishte tejet i brishtë. Serbia tanimë jo vetëm që nuk gëzonte hegjemoni juridike, por ishte më pak e barabartë se republikat e tjera. Kosova dhe Vojvodina ishin pjesë konstitutive të Federatës Jugosllave, të barabarta me republikat e tjera dhe plotësisht të pavarura nga Serbia në marrjen e vendimeve. Kurse, në anën tjetër, Serbia nuk mund të nxirrte ligje pa miratimin e të dy Kuvendeve krahinore: të Kosovës dhe të Vojvodinës. Kosova dhe Vojvodina vetëm me emër ishin pjesë e Serbisë, kurse në fakt ato ishin tutorë të Serbisë. Këso kohe qytetarët serbë bënin jetë të mirë e të rehatshme, por inteligjencën serbe po e mundonte kjo katandisje e çështjes serbe.

Serbët mbajtën nën kontroll dy shtyllat e fundit të shtetit: ushtrinë dhe shërbimin sekret (UDB-në). Ishte rrethanë fatlume për ta që popujt e tjerë nën Jugosllavinë nuk kishin tradita shtetërore dhe, së këndejmi, nuk ishin aq të gatshëm t’i shfrytëzonin të gjitha mundësitë që u ofronte politika e Titos me Kushtetutën e vitit 1974. Edhe shqiptarët, edhe kroatët, edhe boshnjakët, nuk para bënin ta çonin djalin për oficer apo për sigurims, kështu që vetvetiu këto institucione u mbetën në dorë sërbëve. Por, sa vinin gjeneratat e reja dhe kombet tjera (kroatët, boshnjakët, shqiptarët, etj.) ndërgjegjësoheshin për realizimin e shtetësisë dhe pavarësisë që ofronte kushtetuta.

Millosheviçi dhe ripërtëritja serbe

Ndjenja e krenarisë kombëtare tek serbët kishte gati një shekull që manifestohej me nënshtrimin e popujve të tjerë. Tani që në shtetin Jugosllav, të cilin ata e krijuan me mund e gjak, popujt e tjerë po ndjeheshin të barabartë me ta, serbët i bënte të ndjeheshin të poshtëruar e të fyer. Serbët i kaploi lodhja dhe trishtimi. Policia serbe, që ishte mjeshtre e zanatit, po ndjehej e pafuqishme. Në qytetet serbe bandat e vagabondëve mbanin pushtetin. Kombi serb ndjehej i rraskapitur. Vetëm paraqitja e një figure karizmatike me tabanin e programit kombëtar mund t’i kthente dinjitetin e humbur kombit serb. Ky ishte Sllobodan Millosheviqi.

Deri më vitin 1984, Millosheviçi ishte një nëpunës banke që i rastiste të shkonte shpesh në Amerikë. Më 1984 u zgjodh kryetar i Komitetit të Qytetit të Lidhjes së komunistëve të Beogradit, ndërsa më 1986 kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë. Prej këtu u fut në histori me fjalët: “Unë nuk jam zgjedhur kryetar që të kundroj se si rrjedh Danubi. Serbia, o do bëhet si duam ne, o do zhbëhet fare”. Ishin këto fjalët që rikujtonin thelbin e programit kombëtar serb të para një shekulli e gjysmë dhe që magjepsën mendjet e miliona serbëve.

Filloi me mitingjet e “së vërtetës” dhe vazhdoi me “Revolucionin antiburokratik” me anën e të cilave ndërroi udhëheqjen krahinore në Vojvodinë dhe atë republikane në Mal të Zi. Me po këto shantazhe trembi udhëheqjet e Bosnjës dhe të Maqedonisë. Pas likuidimit fizik të udhëheqësit boshnjak Hamdija Pozderac, i cili asokohe ishte nënkryetar i Presidencës Jugosllave dhe kryetar i komisionit për ndërrimet kushtetuese, Millosheviçi i kishte të nënshtruara udhëheqjet e Vojvodinës, Malit të Zi, Bosnjës, e të Maqedonisë, por ende rezistonin Kosova, Kroacia e Sllovenia. Raporti 5 me 3 në Federatë i hapi rrugë që përmes organeve të Federatës të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë dhe ta thyente atë me terror ushtarak e policor. Në fakt, ky terror nuk mungoi as më 1981, veçse tani ai u premtoi serbëve se nuk do të guxonte kush t’u trazonte as një qime floku. Ajo që bëri Millosheviçi ishte se ua ndaloi mediave serbe të flisnin për “terrorin e shqiptarëve ndaj serbëve”. Dhe kështu vërtetë serbët në Kosovë filluan të ndjehen të sigurtë e të paprekshëm. Në të njëjtën kohë, mediave shqiptare në Kosovë u dha liri të madhe për të shkruar për dhunën serbe mbi shqiptarët. Kjo ishte gjetja më gjeniale e Millosheviçit. Me këtë ai nisi procesin e trimërimit të serbëve dhe frikësimit të shqiptarëve, proces i cili Kosovën e shmangu nga rendi i ditës gjatë kohës e cila i duhej për t’i spastruar punët me sllovenët, kroatët, boshnjakët etj.

Pas suksesit serb mbi Kosovën raporti i votave në Federatë mbeti 6 me 2 në favor të Serbisë. Vetëm edhe pak kohë duhej që e tërë ish-Jugosllavia të kishte për sundimtar Sllobodan Millosheviçin. Por, fryma pluraliste në Bllokun Lindor dhe bashkimi i Gjermanisë, armikes historike të Serbisë, e pamundësoi këtë. Zgjedhjet pluraliste në Slloveni e Kroaci, Serbinë e sollën para një situate shumë të palakmueshme. Millosheviçi, i cili deri atëherë përfaqësonte frymën e re dhe liberalizmin, tani u vu në pozicionin e konservatorit nga shkaku se para se të aplikonte pluralizmin i duhej edhe pak kohë për ta zhveshur tërësisht Kosovën nga autonomia. Përndryshe, në këto rrethana, Kosova i ikte nga dora. Këtë gjendje ia keqësoi akoma më tepër rezultati i zgjedhjeve në Bosnje e Hercegovinë, ku pritej të fitonin komunistët. Në fakt, në Bosnje fitoi Partia Aksionit Demokratik e Alija Izetbegoviçit dhe kësisoj ndërruan raportet në Federatën Jugosllave. Gjetja e ardhshme e Millosheviçit ishte konvertimi i sistemit socialist jo në sistem demokratik, por në sistem fashist. Këtë e arriti falë faktit se kundërshtarët e akuzonin për komunist. Në realitet shumica e kundërshtarëve nuk arrinin ta dallonin fashizmin prej komunizmit. Gjithë partitë opozitare duke e akuzuar Millosheviçin për bolshevik, vetë u pozicionuan si nacionalistë. Mirëpo, nacionalist për nacionalist, kush mund të ishte më nacionalist se Millosheviçi? Kësisoj e gjithë opozita serbe doli në pozita qesharake. Më tepër se kundërshtare e Millosheviçit, opozita u vu në shërbim të tij. Me këtë bagazh politik ai u bë plotësisht i gatshëm të niste makinerinë e luftës.

Tani lufta, më tepër se mjet për pushtim territoresh, i duhej si mjet për freskimin e kombit. Tërë llumin e djalërisë serbe e dërgoi nëpër frontet e luftës. Qytetet serbe tani po merrnin frymë lirisht. I tërë ai kontingjent gangsterësh, pijanecësh, drogmenësh e hajdutësh u largua prej Serbisë. Ata tani po terrorizonin vendbanimet kroate e boshnjake. Vuajtja e sanksioneve ndërkombëtare për shkak të gjenocidit mbi kroatët e boshnjakët, serbët nuk i përkuli. Përkundrazi, i bëri më krenarë. Edhe pse në Kroaci serbët dolën të humbur, në Bosnje (ku ata përbëjnë 30% të popullsisë) dolën fitimtarë. “Stuhia” kroate i la pa shkrepat e thatë të Krajinës së Kninit, por marrëveshja e Dejtonit serbëve u sanksionoi 49% të territorit të Bosnjes. Kësisoj, Millosheviçi arriti t’ia kthejë dinjitetin kombit serb. Natyrisht, kjo që u arrit ishte vetëm minimumi i asaj që synonte Millosheviçi në frontin perëndimor, por gabimet janë shoqërues jo vetëm të humbjeve, por edhe të sukseseve.

Millosheviçi, ky përfaqësues tipik serb

I gjithë ky sukses i tij shpjegohet me faktin se ai është edhe si karakter edhe si formim intelektual serb tipik. Është mishërim i bizantinit që e njeh kulturën dhe qytetërimin perëndimor. Kultura dhe qytetërimi serb janë kultura dhe qytetërimi i një vendi bizantin që kufizohet me Perëndimin dhe që më shumë se kushdo tjetër e njeh dhe në të njëjtën kohë e urren Perëndimin. Në ketë sens ai është mishërim i serbit tipik. Ajo që është meritë e tij e veçantë është fakti se ai arriti ta eliminojë opozitën e vërtetë dhe të krijojë opozitën e rreme. Arriti që të krijojë krahë të majtë e të djathtë, Sheshela e Drashkovica, Gjingjica e Peshica. Secilin nga këta arriti ta fusë dhe ta nxjerrë nga loja atëherë kur iu paraqit nevoja.

Pre e këtyre driblingjeve politike të Millosheviçit ranë edhe shumica e politikanëve në Tiranë. Derisa një palë e politikanëve shqiptarë, në demonstratat e vitit të kaluar në Beograd shihte mundësinë e përmbysjes së Millosheviçit dhe fitoren e Drashkoviçit, pala tjetër, duelin Sheshel-Millutinoviç e kuptoi seriozisht. Në fakt, ekuivalenti i opinioneve “Ta rrëzojmë Millosheviçin përmes Drashkoviçit” dhe “Millosheviçi është e keqja më e vogël për ne” do të ishte sikur Millosheviçi të deklarohej për një duel Sali Berisha – Zef Bushati e të thoshte se Berisha është e keqja më e vogël për Serbinë. Apo psh “të rrëzojmë Fatos Nanon dhe të vëmë Lufter Xhuvelin”. Në fakt, shqiptarët s’kanë përse të përzihen në çështjet serbe. Kuptohet, Kosova para së gjithash është çështje shqiptare. Nuk ka fare nevojë që ne t’i mësojmë serbët se kush duhet t’i përfaqësojë ata. Aq më parë kur në krye të shtetit të tyre ndodhet një përfaqësues tipik dhe i plotfuqishëm, ai i cili për shqiptarët, në të njëjtën kohë, po aq sa është e keqja më e vogël është edhe e keqja më e madhe.

SHKARKO APP