Nikoll Lesi: Çështja penale ndaj Rakipit e padrejtë
(Botuar me 26 nëntor 1996 në KOHA JONE)
Nikoll Lesi-
Fillimi i çështjes penale nga prokuroria e Tiranës ndaj drejtorit të gazetës “Albania” Ylli Rakipi me padi të bërë nga deputeti Azem Hajdari është absurde. Në shkrimin e botuar, për të cilin bën fjalë padia, nuk ka asgjë që kalon faktet dhe logjikën gazetareske në të tilla raste. Fillimi i çështjes penale ndaj Rakipit është një hap i rrezikshëm që po hedhin segmentet e caktuara shtetërore ndaj shtypit të lirë. Gjithashtu duhet dënuar edhe marrja forcërisht e gazetarit në fjalë nga forcat e policisë dhe dërgimin e tij në dyert e prokurorisë së Tiranës gjatë mesditës së djeshme. Pavarësisht nga replikat apo shkrimet e pasakta që mund të ketë botuar “Albania” kundër meje apo gazetës “Koha Jonë” personalisht e dënoj një sulm të tillë të prokurorisë së Tiranës ndaj kolegut Rakipi. Ndërkohë që në Shqipëri është asfiksuar opozita, i vetmi zë i lirë që ka mbetur edhe për pak kohë është vetëm shtypi pavarur . Ndaj le t’i harrojmë mëritë e çastit dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin, nëse nuk duam që në Shqipëri të mbetet pushteti i sotëm edhe opozitë, edhe sindikatë, edhe shtyp i pavarur!/Nikoll Lesi/