Nikoll Lesi: Gazeta “Koha Jone” nuk është pronë as e Berishës, as e Nanos
(Botuar me 11 Maj 1997 në KOHA JONE)
Nga Nikoll Lesi-
Si sot, plot 6 vjet më parë, nga qyteti i vogël bregdetar i Lezhës nisi udhën e vështirë drejt së panjohurës gazeta e parë e pavarur shqiptare. Asokohe e vogël në fletët e saj, e vogël për nga shtirja gjeografike filloi jetën e saj të trazuar e pavarura “Koha Jonë”. Duke qenë pasionantë në gazetari dhe idealistë në pikëpamjen e së mirës dhe të ardhmes u futëm në një rrugë, që përveç këmbënguljes kërkonte edhe stoicizëm. Dhe jeta e gazetës është e mbushur me të mira e njëkohësisht edhe me pabesi, me vendosmërinë, por nganjëherë edhe me mendimin për t’u dorëzuar dhe kapitulluar para presioneve, që gjithsesi erdhën në rritje nga viti në vit. Natyrisht që presionet nuk ishin vetëm sharje apo telefonata anonime nga të prekurit e fakteve dhe kritikave të gazetës. Presionet ishin nga më të egrat, nga rrahjet e gazetarëve në arrestime, nga vënie bombash në shtëpi e deri në djegien e redaksisë më 2 mars 1997. Por falë vendosmërisë së stafit e pasionit idealist të tyre për të bërë diçka të mirë, gazeta nuk ndaloi asnjëherë, përveçse kur e “kryqëzuan” me djegie më 2 mars të këtij viti.
Vjen një moment kur je ngjitur lart dhe kthen kokën pas. Pas, në kuptimin e viteve. Të kujtohen gazetarët e parë si kolegu Frangaj apo gazetarët poetë Marash Mirashi e Alfons Zeneli, pa harruar edhe të shumëvuajturin e burgjeve Martin Leka. Dhe natyrisht kur njeriu mendon se ke punuar bashkërisht për një gjë, që asokohe ishte utopi, atëherë fal ose kërkon ta falin. Puna dhe jeta mbart brenda vetes edhe miqësinë dhe kolektivitetin, por edhe zënkën e përkohshme që gjithsesi harrohet përballë një “përmendoreje” të shtypit, të cilën e ke ndërtuar bashkërisht. Natyrisht që në një përvjetor njeriu mund të gjejë citate dhe fjalë të mëdha për të dalë para opinionit, por edhe meditimi për përvjetorin nuk del nga shinat e gazetarisë së shkruar. Nëse ka universitet gazetarie në Shqipëri është në plot kuptimin e fjalës gazeta “Koha Jonë” dhe jo se atë e kam drejtuar unë, porse në këto 6 vite në dyert e saj kanë trokitur apo hyrë pa trokitur me dhjetëra gazetarë. Secili ka marrë, por edhe i ka dhënë kulturës së saj. Ndofta nganjëherë edhe diçka nuk ka shkuar apo nuk është bërë mirë, por nuk mund të na akuzojë asnjeri për qëllimin tonë fisnik informativ dhe kurajoz.
Nga përvjetori i vitit të kaluar e deri më sot shumë ngjarje kanë ndodhur. Është ndryshuar gjithçka në psikologjinë shqiptare. Është rritur ndjenja e protestës qytetare, por me të njëjtin ritëm është rritur edhe krimi i organizuar, është shkatërruar infrastruktura e shtetit, bile në një farë mënyre edhe ajo shpirtërore e kombit. Tashmë në vend të luleve apo kompromisit zgjidhet arma, në vend të miqësisë preferohet urrejtja, në vend të këmbënguljes për të rimarrë veten kombi, politikanët ëndërrojnë për postet e ardhshme. Brenda këtij përvjetori kanë ndodhur shumë gjëra edhe brenda vetë gazetës. Ka ikur kolegu Frangaj për të ndërtuar diçka të tijën, sipas shkollës së kryer në “Koha Jonë”, por është larguar edhe Martin Leka e Ben Blushi, tamam në muajin maj kur ndërrohet edhe gjaku te njeriu. Me sa duket, “Koha Jonë” përgatitet me këto ikje që të kalojë menjëherë në oponencë të fortë ndaj opozitës së sotme politike që pretendon dhe që ka shanset për të ardhur në pushtet pas zgjedhjeve të qershorit. Ata ikën duke lënë pas vetes një pjesë të jetës së tyre në gazetë. Frangaj dhe Blushi janë dy editorët nga më perfektët, ku i pari i dha jetën dhe pasionin gazetës, ndërsa i dyti dha zgjuarsinë dhe tirazhin e lartë. Ata ikën për të ndërtuar foletë e tyre, sipas mënyrës së re të të konceptuarit të fenomeneve. Tashmë gazeta po ripërtërihet, por sipas një koncepti perëndimor, duke mos qenë as me Fatos Nanon e as me Sali Berishën. “Koha Jonë” do të jetë e pavarur, duke marrë në konsideratë gjithçka të mirë nga e kaluara, por edhe duke flakur tej atë çka i ka prishur ndonjëherë imazhin e mospavarësisë totale.
NIKOLL LESI