Nikoll Lesi: Kryeministri, këshilltarët dhe…ministrat
26 Mars 1998
Nga Nikoll LESI-
Sapo Nano erdhi në pushtet, shpalosi idetë e tij të bashkëqeverisjes, të gjithëpërfshirjes dhe tolerancës, postulate të stërmenduara që në kohën kur jetonte ne burgjet e Berishës, atje në Bënçë. Natyrisht që Nano është më i sakti dhe me finoku nga socialistët e tanishëm. Kryeministri aktual është i regjur me të mirat dhe të këqijat e jetës, ndaj është më i zgjuari nga socialistët, ndonëse i rrethuar në shumicën e rasteve nga njerëz mediokër.
Duke e kuptuar mjedisin ku militonte si dhe duke e ndjerë autoritetin e tij kulturor, politik dhe partiak, Nano, i nxitur edhe nga miqtë, qoftë brenda Tiranës, ashtu dhe jashtë kufijve aktualë, vendosi që në fillim të bashkëqeveriste, megjithëse e dinte se vota i ishte dhënë Fatos Nanos dhe PS-së. Me këtë ai vriste dy zogj: për jashtë vendit tregonte se është një udhëheqës tjetër, ndryshe nga Berisha, i cili i monipolizoi kompetencat dhe pushtetin, ndërsa për opinionin e brendshëm gjithçka për të treguar se vetëm Nano është me i miri i politikanëve, përfshi dhe partitë e koalicionit. Prandaj dhe Cekën e emëroi me shumë djallëzi në postin e ministrit të Brendshëm, portofol me shumë probleme, Gjinushit i dha një kockë pa mish, që lodhesh vetëm duke e lëpirë, kurse mjeshtërisht Finos, famëmadh nga qeveria e Pajtimit Kombëtar, i dha çelësat e kashtës, duke i caktuar drejtimin e disa komisioneve, të cilat më shumë linin vend për thashetheme për akuza kundër Finos sesa për Kryeministrin. Bashkim Fino, i pamësuar me djallëzitë e politikës dhe tarafeve të kryeqytetit si dhe i ardhur shumë shpejt në politikë, e pranoi postin e zëvendëskryeministrit, ndoshta i nisur edhe nga mendimi i sinqertë: “që të mos e lë Nanon vetëm”. Por Fino duket se harroi për një çast se ujqërit vjetër të politikës shqiptare nuk mund ta pranonin atë që të vinte aq i pastër në politikë, teksa të tjerët kishin kohë që punonin nëpër skuta. Ndaj “kumbulla” që iu ofrua Finos nga finoku Nano, tani duket se po kalbet. Një “kumbull” që për pak i mpiu dhëmbët zëvendëskryeministrit nga Gjirokastra.
Mjeshtri Nano duke e kuptuar se efektiviteti i kësaj qeverie koalicioni ose në formë rrëmuje nuk do të kishte rezultate krejtësisht pozitive, sidomos brenda vendit, si dhe duke e ditur që nuk e kishte pothuaj partinë me vete, menjëherë formoi pranë vetes qeverinë “de facto”, qeverinë e këshilltarëve. Këta të fundit, pra këshilltarët, janë ministrat e vërtetë. Ata drejtojnë, qeverisin, pushojnë, emërojnë, kërcënojnë si dhe bëjnë kompromise kur u intereson. Kjo lëvizje e kryeministrit, duke ofruar pranë vetes Ben Blushin, Vladimir Prelën, Arben Gjatën e Pavli Zërin, i trembi ministrat, përveç Cekës së panënshtruar edhe nga Berisha.
Ministrat aktualë i ka kapur frika dhe pasiviteti. Ata u frikësohen këshilltarëve rreth Nanos, të cilët përpilojnë projekte e opinione, i fryjnë në vesh kryeministrit për njërin e tjetrin dhe çuditërisht një Nano dinak, u beson gjithçka që llomotisin këshilltarët. Këta të fundit, nganjëherë i veshin vetes plotfuqishmëri edhe pa dijeninë e shefit të tyre.
Ministra të veçantë kanë muaj pa biseduar kokë me kokë me Nanon për problemet e dikastereve të tyre, përveçse kur e dëgjojnë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Ministri i Shtetit, shtatshkurtri, por fuqiploti Kastriot Islami punon në mënyrë perfekte me një djallëzi po aq perfekte. Nëse nuk merr miratimin e Islamit asnjë ministër nuk mund të trokasë në zyrën e Nanos. Kurse për qytetarët, grupe qytetarësh, sindikalistë apo përfaqësues të shtresave shoqërore është e pamundur të kontaktosh kryeministrin e shtetit tënd. Ata i pret e i përcjell Presidenti Meidani, ndonëse e ka kuptuar se po përdoret mjeshtërisht si një fasadë.
Pra stafi i këshilltarëve është qeveria “de facto”, ndërsa ministrat që njeh opinioni janë në fakt si kukulla. Natyrisht që këshilltarët janë të plotfuqishëm, aq sa nuk guxon njëri nga administrata shtetërore t’i kundërshtojë. Më kollaj kundërshtohet një ministër nga nëpunësit, se sa fjala vjen këshilltari Blushi, Prela, apo Gjata. Ka ministra që i përkushtohen punës, por që nuk mund të urdhërojnë vartësit e tyre, si fjala vjen ministri Malaj që nuk guxon të urdhërojë drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, pasi ai “varet” direkt nga këshilltarët e Nanos. Ka rrezik që nëse Malaj bëhet i bezdisshëm për Gëzim Bletën, ky i fundit mund të shkarkojë ministrin. Raste të tjera ka plot.
Por cili është rreziku që mund të sjellë kjo lloj qeverie këshilltarësh brenda politikës shqiptare e veçanërisht brenda PS-së? Së pari, Nanos do të mund t’i shtohen radhët e kundërshtarëve brenda partisë së tij, të cilët nuk janë të paktë edhe pa antipatitë që kanë krijuar këshilltarët. Së dyti, këshilltarët duke e shfrytëzuar postin e tyre në një mënyrë më perfekte se ato të kohës së Berishës, do të krijojnë opinione se “është Nano pas tyre dhe se veprojnë me urdhrin e tij”, çka mund t’i rrezikojë karrierën kryeministrit, i cili jo vetëm që kryeson “qeverinë e shansit të fundit”, por edhe vetë ka shansin e fundit. Së treti, asnjë ministër, të paktën i partisë së tij nuk do të guxojë të jetë me të vërtetë i pavarur. Dhe së fundi ka rrezik që vetë ndonjë këshilltar kur të shikojë momentin që Nanos i rrëshqet dheu nën këmbë, t’i japë të shtyrën e fundit, duke e “groposur” përfundimisht me gjithë politikën e tij të gjithëpërfshirjes, pa harruar që vetë të përdorë funksionin e tij si anëtar i kryesisë për të marrë frenat e partisë. Dhe kjo përballë një Majkoje të butë dhe lehtësisht të zëvendësueshëm, ndoshta nga ndonjë këshilltar që herë pas here merret edhe me mediat./Nikoll Lesi/