Nikoll Lesi: Nano si Berisha, sulmon gazetën “KOHA JONE”, e cila e nxori nga burgu politik

(Botuar me 7 Shtator 1997 në KOHA JONE)

Nga Nikoll LESI-

Dje, lideri socialist dhe njëkohësisht kryeministër aktual, Fatos Thanas Nano, filloi sulmin ndaj gazetës së pavarur “Koha Jonë”. Pas mungesës së vullnetit për të diskutuar lehtësimin e barrës së taksave për shtypin e pavarur, te dyert e të cilit përgjëroheshin ditë e natë njerëzit e tij, ai tani nuk merr mundimin të fshehë arrogancën e tij ndaj atyre që ndoshta kontribuuan më shumë se ai në rrëzimin e pushtetit të Berishës.

Ai zgjodhi pikërisht Konferencën Kombëtare të FRESSH-it për të shpërthyer inatin ndaj meje dhe ndaj gazetave, të cilat s’kanë bërë asgjë tjetër, por vetëm i kërkuan atij që shtypi të jetë i lirë edhe nga pikëpamja ekonomike, duke i hequr një pjesë të taksave të vëna artificialisht nga pushteti i mëparshëm, me të vetmin qëllim për të mos e pasur shtypin si “ferrë nëpër këmbë”.

Me një ton irritues, tipik për kohën dhe stilin e Sali Berishës, kryeministri tha: “Nuk do dëgjojmë Nikoll Lesin dhe gazetën e tij “Koha Jonë” se çfarë thotë për uljen e TVSH. Ne nuk jemi bankë që t’i shlyejmë borxhet Nikoll Lesit…”

Pra, kryeministri në vend që t’i përgjigjej me mirësjellje dhe korrektesë kërkesave të logjikshme të shtypit për dialog të hapur, shfrytëzoi Konferencën Kombëtare të FRESH për të sulmuar publikisht njërin nga botuesit kryesorë të shtypit të pavarur. Në këtë aspekt, ai ia kaloi edhe Berishës, i cili zakonisht premtonte për heqje taksash, pavarësisht se nuk e bënte realitet një gjë të tillë.

Natyrisht gazeta “KJ” dhe unë jemi mësuar të sulmohemi, të na arrestojnë, të na bllokojnë makinat e transportit dhe gazetën, të na djegin redaksinë vetëm e vetëm se nuk pranojmë të jemi servilë të pushtetit. Megjithatë, më vjen sinqerisht keq që kryeministri e ka humbur logjikën dhe qetësinë shpirtërore, duke fyer me një stil tipik për gardistët berishianë.

Unë dhe gazetarët e “Koha Jonë”, nëse u linçuam dhe u terrorizuam nga SHIK-u e nga gjeneral Agim Shehu, të cilët urdhëroheshin nga pushteti i PD-së, nuk kemi kërkuar dhe as do të kërkojmë asgjë nga kontributi për 29 Qershorin. Ne çdo gjë e kemi bërë me ndërgjegje profesionale, të bindur se pushteti që do të vijë, e në këtë rast i juaji, do të tregohet i kujdesshëm e luajal me shtypin, se do ta ndihmonte atë jo duke e financuar, por duke i krijuar kushte të tilla si në vendet e tjera demokratike. Ose për të qenë më të saktë, të realizoni ato për të cilat bërtisnit para 29 Qershorit nëpër mitingje “në mbrojtje të shtypit të lirë”.

Botuesit shqiptarë, ndoshta edhe kanë gabime në punët e tyre, por gjithsesi ju nuk keni të drejtë morale të sulmoni publikisht një gazetë të pavarur, e cila, ka qenë publikisht një gazetë e pavarur, e cila, ka kontribuar të ndodheni aty ku jeni sot duke pirë Whisky dhe Coca Cola, në vend që të ndodheshit brenda hekurave të Bënçës. Ka qenë pikërisht “Koha Jonë” ajo që ka dhënë një kontribut jo të vogël në heqjen e prangave tuaja.

Ne nuk jemi penduar për atë që kemi bërë, pasi kemi qenë dhe jemi me mendimin se ju jeni dënuar padrejtësisht nga pushteti i Berishës. Por mosmirënjohja juaj morale dhe fudullëku me të cilin po filloni sulmin ndaj gazetës, kam mendimin se mund t’ju nxjerrë të humbur, ashtu si Berishën, i cili, ndonëse më i fuqishëm se ju, megjithëse përdori të gjitha mjetet për të na nënshtruar, përfundoi aty , ku është sot.

Zoti kryeministër! Unë e kuptoj se përse keni filluar sulmin dhe të përdorni një zhargon fjalësh, aq sa një rrugaçi rrugës “Ali Demi” nuk mund t’i përdorë. Meqenëse keni fyer publikisht dhe pas shpine, po mundohem që të sqaroj (një radhë tjetër paksa me tepër) për “borxhet e Nikoll Lesit…” Zoti Fatos Thanas Nano! Gazetës “Koha Jonë” në kohën e Berishës (dhe në kohën që ju na shkruanit letra nga burgu se “po qëndroni të paepur ndaj diktatorit Berisha), me dhjetëra herë i janë bllokuar automjetet e saj te transportit nga policia. Dhe për të dërguar gazetën nëpër rrethe tek lexuesit, redaksia ke qenë e detyruar të marrë automjete me qira të lartë. Vetëm Tiranë-Tepelenë (te biruca jote) një furgon na kërkonte 80 mijë të vjetra në ditë! Llogarit pastaj, të dërgoje në të gjithë Shqipërinë gazetën me taksi. Janë mijëra dollarë dëme që na janë shkaktuar. Bëni hesap pastaj shtypshkronjën “Demokracia”, e cila na rripte lëkurën për të botuar gazetën, llogarit gjithashtu edhe djegien e redaksisë me 2 Mars të këtij viti, ku shuma arrin në afro 205 mijë dollarë, mos harro 6 automjete të vjedhura gjatë muajve maj-qershor të këtij viti nga bandat e Jugut dhe të Veriut…

Më duket se është e tepërt t’ju flas publikisht për një mori problemesh që i ka shkaktuar pushteti absurd Berishës gazetës “Koha Jonë”. Unë e kuptoj se keni vuajtur në burg dhe burgu të lodh në të gjitha pikëpamjet, por mos fyej, mos abuzo me pushtetin, pasi do të më vijë sinqerisht keq, kur të të shoh në pozita mjerane, siç shikoj sot në parlament Sali Berishën.

NIKOLL LESI

 

 

SHKARKO APP