Nikoll LESI: Politikanët, pjellë e gazetarëve

(Botuar me 14 Tetor 1997 në KOHA JONE)

Nga Nikoll LESI-

Emisioni “E diela – Debat”, i organizuar këtë herë për shtypin na la një shije paksa të hidhur, për shkak të përzgjedhjes së të ftuarve në studio, për mënyrën e debatit si dhe për mesazhet që ai përcolli te qindra mijë shqiptarë, të cilët e ndoqën jo pa vëmendje një diskutim të tillë. Së pari, shumica e të ftuarve nuk kishin as njohuritë fillestare për gazetarinë. Përkundrazi kishte personazhe si Fatos Bejo, i cili për kohën që ishte në krye të komisionit parlamentar për masmedian, jo vetëm që e burgosi shtypin, por u mundua ta falimentojë atë. Ndërsa ministri i Shtetit, Islami, megjithë cinizmin e tij, nuk arriti të përfaqësojë vetveten, të paktën në nivelin e kohës kur shkruante shkrime, me ose pa emër në “Koha Jonë” në periudhën korrik ’96 – shkurt ’97.

Së dyti, në vend që të diskutohej për problemet që e çojnë shtypin e lirë nën një farë varësie politike, u diskutua për raportet politikë – media. Nëse ka njëfarë varësie, qoftë edhe të sipërfaqshme, kjo vjen se gjendja ekonomike e shtypit është në pikën kritike dhe kësisoj e çon shtypin drejt dy alternativave, ose vihet nën varësinë e politikës, ose bëhet agresiv për të shtuar tirazhin në mënyrë që t’i largohet varësisë politike. Megjithatë të dyja alternativat e mësipërme janë joprofesionale dhe pa perspektivë.

Së treti, në debat mungonin botuesit kryesorë të medias së shkruar shqiptare. Kjo solli njëfarë varfërie alternativash dhe rrugëzgjidhjesh, çka detyroi taksapaguesit shqiptarë të televizionit të dëgjonin vetëm njerëz që nuk dinin ç’është shtypi ose që e urrenin për vdekje atë. Në mos edhe më keq të dëgjonin politikanë që e përdorën shtypin për të ardhur në pushtet.

Së katërti, opinionet e transmetuara për besueshmërinë e shtypit ishin që të gjitha nga njerëz që me zor kanë mbaruar shkollën fillore ose në rastin fatlum kishin mbaruar shkollën 8 vjeçare. Nuk pati asnjë intelektual që të ishte intervistuar. Një shoqëri demokratike ka nevojë për mendimet dhe rrugëzgjidhjet e kësaj kategorie, që gjithsesi ndihmojnë edhe për rregullimin e jetës së atyre që ishin intervistuar nga TV.

Së pesti, shembujt e dhënë nga drejtuesi i emisionit për gazetat “Koha Jonë” dhe “Albania” nuk i shërbenin idesë së debatit.

Së gjashti, përveç shembujve për fillimet e lindjes së shtypit të shkruar, mund dhe duhej dhënë si lindi, si u zhvillua apo si u sakatua shtypi i lirë shqiptar gjatë viteve ’91’-97.

Së shtati, mund të diskutohej faji i shtypit të shkruar në fryrjen e disa figurave, të cilat tashmë janë shndërruar në politikanë dhe që i japin mend, kritika dhe dajak shtypit.

Së teti, Shkullaku dhe Rakipi ishin ftuar si drejtues të shoqatave të gazetarëve, por iu kërkua llogari për gazetat që drejtojnë!

Së nënti dhe së fundi, emisioni duhet përsëritur, duke harruar se ky emision është transmetuar, pasi shtypit nuk iu bë analizë, por u vendos në bankën e të akuzuarit, sikur t’i kishte ai fajet për çka ka ndodhur në Shqipëri . /NIKOLL LESI/

SHKARKO APP